Letër armikut

Kultura

Letër armikut

Nga: Anton Marku Më: 26 prill 2020 Në ora: 21:45
Anton Marku

I dashuri C.!

E di se të kanë shkruar letra me mijëra para meje e do të të shkruajnë dhe po aq pas. Mbase nuk do t’i lexosh të gjitha, por këtë timen jam i sigurtë se do e marrësh në duar. Dhe ja pse: unë iu takoj atyre që nuk e kalojnë jetën duke u fshehur pas hijes së tyre, por që i dalin asaj përballë. Në anën tjetër unë e shikoj shfaqjen tënde nga perspektiva e këmbësorit, ti nga ajo e vozitësit: unë dëshiroj të arrij sa më vonë në cak, ti sa me shpejt.  

Në këtë shkrim nuk do ta përmend emrin. Ty që na dole në rrugë dhe na ndërpreve udhëtimin në mes do të të quaj thjeshtë C. Në vendin tim ishte një grup muzikor me emrin tënd, të cilin e adhuronin të gjithë. Tash e tërë bota e urren emrin tënd saqë në këtë garë nuk do të kesh konkurencë të denjë në këtë shekull. Do të fitosh bindshëm. 

Këta rreshta i kam shkruar sot, por mendimet janë të djeshme. Pra, ti që vret e nuk dukesh, ti që jetën e ndave në dy pjesë: atë para dhe pas teje, mbase tash pret që kjo kohë të quhet epoka jote, por jo, ajo do të quhet ‘‘Koha e Mospërkuljes’’. 

Sado që mund të tingëllojë e çuditshme, në një mënyrë ne të kemi ftuar vetë. Po, po, ne! Pasi që me paraardhësit tu nuk u morëm seriozisht, atëherë i bie që ne ta kemi hapur derën me një dorë. Tash po provojmë që me të dyjat ta mbyllim, por kot. 

Por le t’i themi gjërat me rend. Mbase do të doje të dije më shumë për botën që gjete. Nëse po, ja të tregoj unë. Tek ne për shembull sa më shumë po zgjerohen të drejtat e kafshëve aq më shumë po ngushtohen ato të njerëzve. Rrugëve të qyteteve tona më tepër bien në sy gratë e mbuluar se sa ato të zbuluara, përderisa meshkuj fryejnë buzët me ‘‘botox’’. Shkurt, në botën e të përgjumurve, atje ku trupi është shërbëtor i shpirtit dhe jo e kundërta, të qëndrosh zgjuar është art në vete. 

Për më tepër, janë disa gjëra që duhet t’i dimë vetëm unë dhe ti. E kuptove? Vetëm ne të dy. Ja për shembull: ne ujin e bekuar po e mbajmë në shishe parfemi. Me të po spërkasim nënsqetullat, jo bukën. Pastaj e di ti se natyra është ende dashmirëse me ne? Ajo na jep më pak se sa i kërkojmë por më shumë se sa meritojmë. Edhe sa gjatë, nuk e di. Ja unë për shembull si besimtar i nënshtrohem plotësisht vullnetit të saj dhe të Perëndisë. Në ndërkohë bëj pjesën time të punës: lutem! 

I dashuri C.! 

Sa i pamëshirshëm që je! Po po u ndal furnizimi me ujë, rryma dhe internet? Mos e thashtë qielli! Në ketë rast një fqi imi nga kati i katërt, me një grumbull tatuazhesh në gjok, me siguri do të çmendej e do të ulurinte ‘‘gjithçka po, por internetin jo. Atë asesi. Si do të ja bëjmë pa facebook, insta, whats‘up, snpachat? A jetohet pa to? Interneti do të jetë i fundit që do të mund të rrëzohet. Si Olimpi, si ‘‘air force one’’. Ky ishull nuk guxon të bjerë!’’. Ky tipi që kur kishte filluar të merrej me shitjen e patundhmërive kishte gjithmonë e më shumë para, por gjithnjë e më pak kohë. E unë? Unë tek tash po i marr lakmi Albanit që ka vite që jeton ‘‘offline’’. Në ‘‘google’’ nuk mund të gjesh asnjë fotografi të tij. 

Tani detërat janë qetësuar. Vetëm shiu i zgjon. Ata nuk e përjashtojnë mundësinë që këtë vit bota u dogj nga zjarri që vetë e ndezi. 

Sot është dita jote. Ende po, Por do të vij dita jonë atëherë edhe minjët do të kenë më shumë se një vrimë për tu fshehur, por ty nuk do të mbetet asnjë. 

Mund të bësh gjithçka, por një gjë nuk do e arrish: që të bësh që ne ta vëmë veten në kryq, të vetkryqëzohemi. Njerëzimi ende beson në engjuj, por ty duket se do të na duhet të të mundim të vetëm.

I dashuri armik, 

Shumicës pres nesh ti i mbylle gojën. Në këto javë i kemi pastruar, larë e fërkuar duart më shpesh dhe më gjatë se asnjëherë më parë. Në ora tetëmbëdhjetë nisin duartrokitjet nga dritaret. Të gjithë bashkë: fetarë, më pak të tillë dhe ateistë. Atë që nuk e arriti akush para teje e bëre ti. Na bashkove në frikë, vuajtje dhe dhembje. E rizbuluam dashurinë për njëri-tjetrin! Shpresoj të vazhdojmë kështu edhe pas teje. Do të doja që kjo të ishte e vetmja gjë që do të trashëgonim nga ti.  

Duket se vetëm gjyshja ime që ka kaluar të njëqindatat dhe të ngujuarit në ‘‘Big Brother’’ as sot, në fund të prillit, ende nuk e kanë marrë vesh se ti je duke bërë kërdinë nëpër botë. 

Mbase kështu është më mirë. 

E diku ende po luhet kampionati i futbollit.

Kurrë i yti,

me përshëndetje të ftohta

i papërkuluri

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat