Margaritarët e urtisë poetike

Kultura

Margaritarët e urtisë poetike

Nga: Lekë Mrijaj Më: 8 maj 2020 Në ora: 20:59
Kopertina e librit

Prend Buzhala (1951), përpos si krijues letrar (poet, prozator) është i njohur si studiues i letërsisë, eseist, publicist, por është dalluar si kritik letrar qe disa dekada, ndër më të zellshmit në letrat shqipe. Njihet edhe si redaktor e recensues i qindra librave, autor që ka përgatitur për shtyp shumë libra. Është bashkëpunëtor i ngushtë i shumë asociacioneve letrare në hapësirat shqiptare (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni) dhe në botën e jashtme (me mërgatën krijuese me Zvicrën). Është fitues i disa çmimeve letrare, organizues e pjesëtar i dhjetëra manifestimeve letrare e kulturore në hapësirat shqiptare. Njëkohësisht autori Buzhala, është prezantuar edhe në faqet letrare të Zvicrës (gjermanisht) dhe pjesëmarrës në një festival ndërkombëtar të poezisë në Zvicër. Ka të botuara mbi 70 vëllime tē ndryshme, romane, ese, monografi, publicistikë dokumentare, poezi, opinione e hulumtime të tjera shkencore, studimore që nga mes vitet '60-ta. Shkrimtari Buzhala, tani e ka zënë vendin e vet pothuajse mu në ballinë të shkrimtarëve të afirmuar në Kosovë e mërgatë, duke u bërë emër shumë i njohur edhe në Shqipëri si një krijues primat e novator i radhës së parë.

1. Tematikë unike letrare

Krijuesi Prend Buzhala, pak muaj më parë ka dalë edhe me një vëllim tjetër poetik em titullin domethënës “Thuaj ditë e mirë është sot” (2020), botim i “Rozafës”, Prishtinë.

Libri përfshin lirika të ndara në tre cikle: “Sa herë humb në jetë shënoje si fitore”, “Kryeradhë vargjesh (I - LV) që përfshin pra 55 poezi me titull të përbashkët, a një si poemë a tërësi poetike më vete dhe “Emri midis rrezeve dhe reve”. Në fund vjen shkrimi kritiko-letrar e analitik mjaft i thuktë i Mikel Gojanit me titullin “Ode lirike ditës së mirë ose poezia si festë e shpirtit”, si dhe “Shënime për autorin” në përgatitje të botuesit për ejtën e veprat e autorit.

Libri poetik “Thuaj ditë e mirë është sot”, mund ta konsiderojmë si një pikë kthese në poezinë e sotme moderne në Kosovë e Shqipëri, për shkak të tematikës unike letrare.

Në pjesën e parë të këtij vëllimi poetik me titull: "Sa herë humb në jetë shënoje si fitore", poeti ka konceptuar vargje të këndshme e të bukura dhe të lexueshme, tamam larushi poezi moderne përkushtuese me tematikën e optimizmit, si udhërrëfim jete për t’i kapërcyer vështirësitë në jetë. Zaten, këtë profil krijimi Buzhala e ka nisur me librin poetik “Doracak për kapërcimin e udhës së vështirë” (ROZAFA, Prishtinë 2017), apo me librin e eseve “Në herodiumin modern” (Rozafa, Prishtinë, 2018). Është tematika e inspirimit në jetë, që e mban gjallë qenien në këmbë dhe që e çon përpara njeriun në kohën e shumë rrymave politike, ideore, kulturore e ideologjike e në kohë përplasjesh sociale e ekzistenciale. Është një Unë poetik që ligjëron herë në veten e parë e herë i drejtohet vetes së dytë që sintetizon qenien e bashkëbiseduesit. Bashkëbisedues është lexuesi dhe secili njeri në rruzullin tokësor. Njerëzit janë në kërkim të atyre virtyteve e vlerave që iu mungojnë. Shkop magjik i gjetjes së atyre vlerave është vetë qenia njerëzore, ato i zbulon brenda vetes. Këta njerëz duhet t’i gjejnë shtigjet e kapërcimit të këtyre pengesave, humbjeve, dështimeve, dëshpërimeve. Këtë e sintetizon edhe vetë titulli i librit që vjen si një lutje, si një urti e shqiptuar: “Tua ditë e mirë është sot.” Nisu, pra, që në hapin e parë, në ag, me mendimin e mirë. Kështu, heronjtë lirikë të këtij vëllimi do të nisen në aventurën e gjetjes së këtij inspirimi e qetësie, paqeje brenda vetvetes. Është folësi lirik i kësaj poet=zie që na mëson se ku i kemi ato dobësi, cilat janë pengesat që nuk i shohim.

Aty-këtu poeti përdor edhe ironinë e situatave paradoksale në të cilat gjendet ky protagonist lirik i kësaj poezie.

2. Motivimi e inspirimi për jetën

Këto preokupime tematike e të ngjashme, i hasim pikërisht poezia me të njëjtin titull të librit: THUAJ DITË E MIRË ËSHTË SOT

Po ece një jetë të tërë me kokën lart,

drejt stuhisë po e mbajte,

mbaje edhe me zemrën gjithmonë të ngrohtë,

e kur në rrugë të trazojnë shirat, vetëtimat,

Thuaj: s'ka gjë, kohë e mirë është sot.

Shih si u rrëzuan stuhitë,

Shih si rruzullimi të qetëson me heshtjen e tij.

Po, Ditë e Mirë është sot! (faqe 9).

Autori i kësaj vepre, përmes simbolikës apo testamentit poetik (Thuaj ditë e mirë është sot), iu referohet njerëzve, që me optimizëm e pa frikë të jenë të hapur e të qëndrueshëm e të përafërt e shumë të dashur ndaj njëri-tjetrit, ballëhapur edhe kundrejt kataklizmave e stuhive (që ndoshta) mund t'iu vijnë ndër kohë duke e përmbyllur vargun me këtë rresht: " Po, Ditë e Mirë është sot" pra gjithnjë në ofrim të optimizmit, dashurisë e qëndresës sonë ndërnjerëzore.

Është dashuria e solidarësia që bartin mesazhet kryesore përmes protagonistëve lirikë. Ajo vë në veprim jetën, e shpëton qenien njerëzore nga e keqja dhe shëmtia. Janë këndimi i përvojave vetjake, autoriale, mbase, që ia sugjerojnë motivet, të cilat i vendos në tryezën e krijimit dhe i vë në libër, në krijime poetike. Motivimi e inspirimi bëhen shtytje për jetë, po edhe për poezi.

Në pjesën e dytë të veprës poetike, vijnë "Kryeradhë vargjesh”, ku autori në ndërtimin e vargut të tij poetik përdor gati të gjitha figurat stilistike si krahasimin, epitetin, parabolën, metaforat filozofike, teologjike e psikologjike, tamam duke u dëshmuar me një profesionalizëm se ka një pjekuri të vargëzimit poetik e letrar, dhe se na përshfaq një vetëdije të lartë dhe tejet të avancuar artistike e letrare.

Në këtë tërësi poetike, që është qendrori, e që i jep tonin e përgjithshëm lirik veprës, po e veçoj një poezi të mrekullueshme të autorit, kryeradhën XXX:

Të ndodh të rrëzohesh për të tretën herë.

Çohu.

Harroji rëniet. Ngrihu, si u ngrite herën e parë.

Guxo.

E kur dashuron për herë të dhjetë.

Dashurohu.

Kjo qenka e para dashuri.

Nga dhjeta e deri te e para numëro. (faqe 66).

Pra bota e brendshme e poetit, është shpërthyese por edhe tejet inkurajuese në raport me (ndër)kohën njerëzore. Ai vazhdimisht thërret dhe se është në thirrje të qëndresës e dashurisë edhe përkundër sfidave që herë-herë në këtë varg ndoshta në lexim tingëllon edhe ndryshe. Janë vlerat e ndryshme që kërkohen për ta çliruar njeriun së brendshmi, nga dramat e jetës që e mundojnë:

Fale vetveten,

Atëherë mëson si t'u besosh të tjerëve,

Në vend të atyre gozhdëve të ngulura në mur për gabimet që ke bërë

bëj diçka tjetër: sa herë plaga e tillë të përvëlon,

Sa herë të bësh një mëkat,

bie fjala, merre një lule, atë më të bukurën,

Lulet bëhen shumë, aq sa gabime ke bërë në jetë...

Është universi yt i çlirimit nga dhimbja.

E pa Ty, ç'kuptim do të kishte gjithçka tjetër?

(Poezia “Fale vetern”)

Pikërisht në pjesën e tretë të poezive të këtij cikli me titull "Emri midis rrezeve dhe reve" shkrimtari Buzhala në poezinë “Thënie përmes vargjesh” shprehet:

Ashtu si kanë nevojë

të lehtësohen dhimbjet,

ashtu kanë nevojë

të shërohen grindjet... (faqe 113).

Sfidat duhet të përballohen, edhe pse nga to njerëzit kanë frikë.

Është e gjerë gama e këtyre përqasjeve poetike-tematike. Aty hasim njeriun luftëtar në jetë, luftëtarin për lëvizje e ndryshime:

Retë nuk e gabojnë rrugën e tyre,

Dielli, hëna dhe yjet

nuk shmangen nga shtegu i universit,

zogjtë, lulet, insektet dhe fauna, pyjet dhe ujërat

ligjërojnë dijen e linjave të kohështegtimit.

Erërat, rrezet, fasha e natës

agimet dhe perëndimet kanë rrugëtim të përpiktë.

Vetëm njerëzit

dinë ta krijojnë Udhëtarin Urtak në imagjinatë,

Vetëm njerëzit

ende janë në kërkim të Udhësit të Mençur

në kërkim të jetëve dhe botëve tjera.

(Poezia “në kërkim të udhëtarit urtak” - Çast lirik mbi ligjërimet e formës së lëvizjes).

Por në këto poeti i takojmë edhe protagonistët tjerë me misionet e rëndësishme që kanë: nënën, vajzën, të riun, secilin në rolin e misionin e madh jetësor që kanë. Janë misionarë edhe të dashurisë që i prin të vërtetës si udhërrëfim, që i prin e u jep kuptim lirisë, durimit, ecjes përpara, nderimit, përkujdesjes, drejtësisë, po edhe zhvillimit.

Mbi të gjitha, si kryevlerë autori veçon komunikimin, ku njeriu mëson të dëgjojë, të jetë i durueshëm, këmbëngulës, i guximshëm, po edhe i përqendruar. E po qe se ndrydhet kjo vlerë, atëherë ndodh edhe një formë tjetër komunikimi e qëndrese:

Shumë herë jeta të ka dhënë të drejtë

shumë herë në jetë të drejtë ke pasur,

shumë herë të është dashur

për të mos qenë e njëjtë

e vërteta dhe gënjeshtra, kur zemrën ta kanë plasur,

të ngrihesh edhe mbi veten

edhe mbi të drejtën

për të heshtur,

për të mos folur,

për të qëndruar kokulur.

Harrojnë të tjerët

se kjo nuk është frika

as përfitimi, as zilia,

as dhimbja që të sëmbon si thika,-

se njeriu që ka forcën për të heshtur

ka një fuqi të rrallë

fuqinë që gjithçkaje t’i bëjë ballë.

3. Arti, krijuesi është një ëndërrimtar i përjetshëm

Është ftesa poetike për ta zhvilluar që sot quhet inteligjencie emocionale. Dhe përsëri njeriu mbetet një ëndërrimtar, deri në fund të jetës së tij.

Autori në këtë poezi është tejet i vetëdijshëm për misionin e tij të denjë poetik, sikur bartë mbi vargjet poetike edhe peshën e thirrjes së mesazhdhënies pozitive, duke nxjerrë e dhënë në rreshtat poetikë, mesazhe të qarta shpëtimi në lehtësim të dhimbjeve e në shërim të grindjeve, pra duke ecur gjithnjë drejt një vizioni reflektimi me plot dritëdhënie...

Ndryshe nga poezia e disa vëllimeve tjera, ku përqendrohet në thellësitë e thënies lirike, këto poezi i ruajnë urat e komunikimit me lexuesin, me thënien e qartë, të lexueshme, edhe pse ndonjëherë ajo rëndohet nga këto thellësi përvojash krijuese e jetësore.

Ndërthurja e tillë e të tri cikleve, na dhuron shumë margaritarë e reflektime të tjera arti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat