Lurë ti moj me salltanate, një gazetë e ke për vete

Kultura

Lurë ti moj me salltanate, një gazetë e ke për vete

Nga: Gëzim Loka Më: 15 maj 2020 Në ora: 19:12
Gëzim Loka

Lurë ti moj me salltanate,

Me shumë hire dhe lezete,

Një gazetë e ke për vete,

T’i ujdis gëzime dhe derte.

 

Ta ndriçon ballin dhe nurin,

Ta driton gruan dhe burrin

T’i jep krahë krenarisë

T’i jep dritë urtësisë…

 

Një gazetë si meteorë

Që flet me zemër në dorë

Lurë moj me shumë adete

Një gazetë e ke për vete…

 

Në dorë ta jepë historinë,

Me zemër ta  fal mirësinë

Të ujdis me rreze hëne

Të bekon me ritme zemre.

 

Kjo gazetë me emrin “Lura”

Ka bërë vend në odë me burra

Ka bërë vend në vend kararesh

Ka bërë hije në mes malesh…

 

Ajo thotë veç të vërtetën

Ngre në kult nderin dhe jetën

Të lartëson hiret, bukurinë

Është ilaç për vetë njerëzinë…

 

Ajo është për Lurën tonë

Çdo ngjarje i bën jehonë

Në të gjen pasqyrim

Çdo kujtesë e vendit tim…

 

Kjo gazetë që shkon në Lurë

Dhe kudo ku ka shqiptarë

Nuk do ndalet së dali kurrë

Lurë, lurianë i ka të parë.

 

Lurë, lurianë kudo që jeni

Këtë gazetë simbol ta keni

Që nga Shkodra gjer në Vlorë

Është tribunë e Lurës sonë.

 

Që nga Lezha në Sarandë,

Nga Përmeti në Tiranë

Vjen e shkon gazeta “Lura”

Këmbëkryq qëndron me burra.

 

Ajo thotë veç të vërtetën

Mbron lirinë, nderin dhe jetën

Dhe godet çdo poshtërsi

Nuk është me asnjë parti.

 

Moj gazetë e Lurës sonë

Mos u ndal ti me jehonë

Nëpër rrugë e shpat më shpat

Hapi dyert kanat më kanat.

 

Hapi fletët porsi zambak

Shko e lajmëro në çdo prag

Se sa të ketë Lurë mbi dhe

 Gjithë lurianët i ke atje…

 

Degë e rrënjë e lule bashkë

Dashuri në kockë e ashtë

Mirësi në gjak dhe gen

Krenari denbabaden…

Lurë moj o tokë mirësie

Në çdo gur himn krenarie

Në çdo lule, shpat më shpat

Dehet pjalmi nëpër fllad.

 

Dehet jeta gjithë aromë

Në çdo cep të Lurës sonë

Dhe gjithçka pasqyron gazeta

Ku nis puna e kulmon jeta…

 

Ku ka rrënjët historia

Ku frymoi me gjak liria

Ku ka shije buka e kripa

Ku kanë shije nata e dita…

 

Ku në çdo dru e në çdo gurë

Ka një bëmë, ka një flamur,

Ka një rrënjë, një histori,

Pasqyroi, moj gazetë ti!...

 

Pasqyroi moj gazetë “Lura”

Bëj ti vend ndër gra e burra

Hape zemrën në çdo vatër

Shteg më shteg e në çdo ngastër…

 

Ndize zjarrin thellë në zemra

Fute Lurën nëpër ëndrra

Farkëtoje ti historinë

Gen më gen e ke lirinë…

 

“Lura” jonë, gazetë për ne

Kudo që jemi mbi këtë dhe

Jemi vëllezër të një gjaku

Jemi bijë të një pragu…

 

Shkruani, shkruani o lurianë

Sillni shkrime anembanë

Le ta bëjmë gazetën “Lura”

Një tribunë që ngre veç ura…

 

Ku të kalojnë lurianët e mi

Mijëra vjet në histori

Nga Çezari tek Pomepeu

Këtu lindi vetë Anteu…

 

Këtu bëri banjë Teuta

Këtu s’reshti kurrë lufta

Këtu i ka rrënjët Iliria

Këtu nis gjithë Dardania…

 

Ndaj gazeta ka mission

Të ngrejë në qiell Lurën tonë

Historisë ti japë drejtim

Nga lashtësia në amëshim…

 

Të prek plagët tua Lurë

Dertet që ka çdo grua e burrë

T’ia ver dorën ledhatuese

Përmbi plagët acaruese…

 

Ndaj të duam moj gazetë

Ti je zani ynë i vërtetë

Je yllnajë e je tribunë

Histori që nuk vdes kurrë…

 

Rrite shtatin, “Lura” jonë

Ço mesazhe kudo që shkon

Ta bëjmë Lurën Kopësht Edeni

Krenari e gjithë këtij vendi…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat