Më shumë vëmendje kulturës

Kultura

Më shumë vëmendje kulturës

Nga: Driton Gashi Më: 20 maj 2020 Në ora: 17:13
Driton Gashi

Për rolin e rëndësishëm të mërgatës shqiptare në zhvillimin e atdheut të tyre është shkruar e diskutuar shumë. Dashamirët janë të vetëdijshëm për këtë çështje dhe nuk paragjykojnë si disa të tjerë, që nuk lodhen së shkruari gjërash të kota, të pabaza dhe zhvlerësuese për ata mërgimtarë, e ata janë shumë, të cilët e duan vendin e tyre me gjithë zemër. Nganjëherë edhe e kritikojnë ashpër, por kjo ndodh nga dëshira për të dëgjuar të reja më të mira nga vendlindja, për t'u mburrur me të, e jo për të shitur mend, si thonë disa, ose gjoja se ata nuk paskan të drejtë të inkuadrohen në debatet që zhvillohen në Kosovë e Shqipëri, pasi nuk jetuakan atje!

Sidoqoftë, unë kam vendosur t'i shpalos disa kujtime të mira që i pata në vendlindjen time në Prishtinë dhe kudo në Kosovë gjatë verës së vitit të kaluar. Disa zhvillime shumë pozitive në fushën e kulturës për shembull më ranë në sy dhe më gëzuan shumë. Festivali i filmit "Prifest" më la përshtypje shumë të mirë, bile m'i kujtonte kohërat e arta të filmit artistik kosovar në vitet e tetëdhjeta. Gjatë hapjes zyrtare të festivalit në natën e parë u shfaq filmi "Fusha e mëllenjave" i regjisores së ndjerë tepër herët, Arzana Kraja. Filmi trajton fatin e një ish-të burgosuri politik në Kosovë, i cili emigron në Angli. Nëpërmes këtij personazhi, të luajtur me mjeshtëri nga aktori Shkumbin Istrefi, shpalosen njëkohësisht edhe vujatjet e gjithë kosovarëve në vitet e 80-a e 90-a, preokupimet e mërgimtarëve, jeta e vështirë në vend të huaj si dhe disa dukuri negative nga Kosova e pasluftës. Këto të fundit bile trajtohen me një zë shumë kritik dhe të guximshëm. Një kryevepër kinematografike!

Një ngjarje tjetër ishte një festë e vërtetë kulturore në sheshin "Adem Jashari", ku për tri ditë rresht u promovuan ushqimet tradicionale shqiptare, nën tingujt e muzikës së lehtë dhe këngës qytetare. Një atmosferë e ngrohtë, njerëz të kulturuar, muzikë e mirëfilltë, jo me zhurmë sintisajzeri si zakonisht, por me tinguj magjeps violine të ekzekutuar nga mjeshtri gjakovar Shkëlzen Doli nga Filharmonia e Vjenës.

Kishte edhe shumë manifestime tjera, si festivali i muzikës moderne "Sunny hill" në Gërmi, promovime librash gjithandej, takime me krijues në Bibliotekën Kombëtare dhe në Batllavë, festivali "Etno-Fest", "Dokufest-i" në Prizren etj.

Pse i përmenda të gjitha këto?

Për t'i injoruar e larguar nga mendja lajmet negative nga politika dhe për t'i vënë në pah gjërat që shkojnë mirë në Kosovë. Jo të fokusohemi vetëm në ato që nuk janë aq mirë. Normalisht që edhe ato duhet diskutuar, por nuk dua që figurave politike t'u jepet aq shumë hapësirë në media dhe në shoqëri. Nuk e kanë merituar (sidomos këta të 20 viteve të fundit) gjithë këtë vëmendje që u japim.

Populli i Kosovës, njerëzit e rëndomtë, artistët e mirëfilltë, sportistët e suksesshëm, futbollistët e Kombëtares së Kosovës, qofshin ata që jetojnë në Kosovë ose që kanë emigruar, ja kanë kthyer Kosovës dinjitetin e identitetin e saj. Duhet t'i mbrojmë me gjelozi të madhe vlerat tona!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat