Tradicionalisht, mërgata shqiptare ka kontribuar shumë në ruajtjen e vetëdijes kombëtare

Kultura

Tradicionalisht, mërgata shqiptare ka kontribuar shumë në ruajtjen e vetëdijes kombëtare

Nga: Hysen Ibrahimi Më: 22 maj 2020 Në ora: 09:55
Hysen Ibrahimi duke zhvilluar intervistë me Prof. Dr. Masar Rizvanolli

Ne vend te ngushëllimit per Profesorin e nderuar dhe shumë të respektuar Masar Rizvanollin, po japim intervistën e tij, e realizuar ne vitin 2014 dhe 2016 me këtë titull:

Kështu u shpreh Prof. dr. Masar Rizvanolli gjatë intervistës së tij, e realizuar nga Mone Sadiku Juniku më 8 dhjetor 2014 dhe Hysen Ibrahimi e Migena Arllati më 2 korrik 2016

Transkriptoi: Liridona Ibrahimi

Një intervistë me Prof. dr. Masar Rizvanollin ishte zhvilluar në vitin 2015, nga znj. Mone Sadiku Juniku, anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi.

Masar Riza Rizvanolli ka lindur në Gjakovë, më 24 maj 1933. Familja e tij fillimisht ka jetuar në Kukës, në kohën e Jugosllavisë së vjetër, kohë kur edhe shumë familje të tjera gjakovare kanë jetuar në Kukës. Pas marrëveshjes së Londrës kur u formua shteti shqiptar, Gjakova mbeti nën Serbi dhe kështu disa nga këto familje kanë mbetur atje.

Babai i Masar Rizvanollit, Riza Rizvanolli ka pasur të kryer shkollën në gjuhën shqipe, shkollë që është formuar në vitin 1915 në Gjakovë. Nëna e prof. Rizvanollit, Fitnete Rizvanolli, rridhte nga një familje intelektuale.

Prof. Masar Rizvanolli, shkollën fillore e ka filluar në Kukës. Mësuesi i tij i parë ishte Ejup Binaku i cili ishte gjakovar dhe një patriot i madh. Mësuesi Ejup Binaku kishte qenë udhëheqës ushtarak i Gani Kryeziut, i cili kishte jetuar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjakova për dallim nga qytetet e tjera, ka qenë i vetmi vend që ka pasur dy lëvizje antifashiste: Lëvizja Antifashiste Komuniste dhe Lëvizja Antifashiste Demokratike. Baza e këtyre dy lëvizjeve ka qenë te beglerët në Gjakovë. Prof. Masar Rizvanolli na thotë në rrëfimin e tij se në vitin 1940, i ati Riza Rizvanolli vendosi të kthehej bashkë me fëmijët e tij në Gjakovë, kurse vëllezërit e tij vazhduan të jetojnë në Kukës. Pra, në vitin1940 janë kthyer në Gjakovë dhe sot e asaj dite jetojnë aty. Prof. Rizvanolli prej se është kthyer nga Kukësi ka jetuar me gjyshen e tij znj. Nurije Vokshi (motra e Sabrije Vokshit, e quajtur Bije). Prof. Rizvanolli tregon se si në kohën e Enver Hoxhës kanë qenë dy personalitete të respektuara: Nënë Bija dhe Babë Muslimi (Muslim Peza).

Gjyshi i Prof. Masar Rizvanollit ishte hoxhë dhe ai nuk lejoi që nipi i tij të shkojë në shkollën e shkaut, sepse ndërkohë kishte filluar Lufta e Dytë Botërore dhe kështu Prof. Rizvanolli filloi shkollën në mejtep (shkollë fillore, ku jepej edhe mësimi i fesë për besimtarët myslimanë).

Prof. Rizvanolli është gjenerata e parë e shkollës normale në vitin 1952 në Gjakovë, me mësues Nijazi Agastrën. Prof. Rizvanolli kujton edhe shokët e shoqet e shkollës normale, siç janë: Agim Gjakova, Besim Rizvanolli, Ismet Kënduesi, Sefedin Dallti, Jashar Bajraktari, gruan e Aqif Shehut e cila tashmë është e ndjerë etj. Tri klasë i ka kryer në shkollën “Sylejman Vokshi”, një klasë e ka kryer në shtëpinë e Beglerëve në Gjakovë (te ura e Ali Pashës). Mësuesit që e kanë mësuar atëherë kanë qenë Xhevdet Shehu, Sani Hoxha (vëllau i Fadil Hoxhës) dhe një mësuese Leposava Gjurbabe. Prof. Rizvanolli me lot në sy e kujton kohën kur ishte nxënës dhe kur si të gjithë nxënësit e tjerë në fillim ikte nga shkolla dhe shkonte në shtëpi, e mësuesja Gjurbabe ka shkuar dhe e  ka marrë. Gjergj Martini ka qenë një mësues i Ballit Kombëtar, njeri shumë autoritativ i cili është pushkatuar. Gjergj Martini nuk  i ka dhënë mësim Prof. Rizvanollit por i ka përgatitur nxënësit për festën e 28 Nëntorit, Ditën e Flamurit kombëtar.

Është interesante të ceket se në shtëpinë e Bijës së Vokshit, Qemal Stafa me Ymer Pulën ishin të parët që morën iniciativën për të themeluar Lidhjen Komuniste Shqiptare të atëhershme (me shpresë se ky sistem  do t’i shërbente kombit Shqiptar).

Prof. Rizvanolli tregon se si gjyshja e tij (me të cilën ka jetuar) i ka treguar shumë përralla të cilat i kishte mësuar nga halla e saj e cila ka qenë motra e Sylejman Vokshit. Përrallat ua kishte lexuar nga librat sepse kishte qenë nxënëse e medresesë në Prizren. Medreseja ka qenë 12 vjeçare, atëherë institucioni më i lartë arsimor sepse në Gjakovë s’ka pas medrese për femra.

Libri i parë të cilin e ka lexuar Prof. Rizvanolli është libri i Faik Konicës me titull “Nën hijen e Hurmave”. Të njëjtat përralla që i ka lexuar në këtë libër, ia kishte treguar edhe gjyshja. Dhe këtu Prof. Rizvanolli bën një ndërlidhje se si motra e Sylejman Vokshit, në kohën e Sylejmanit (diku nga shek. XIX) ka ditur shkrim - lexim sepse e ka kryer medresenë, përderisa gjyshja dhe nëna e tij kanë qenë analfabete.

Shkolla normale në Gjakovë është hapur në vitin 1946 me drejtor Beqir Kastrati me origjinë nga Peja, i cili ka merita shumë të mëdha për arsimin shqip. Mësues të kësaj shkolle kanë qenë: Hasan Vokshi, Dhimitër Fullani, Ibrahim Zherka, Nebil Dino etj.

Pas normales, Prof. Masar bashkë me shokun e tij Alush Dushin, pasi nuk kishin të drejtë të shkonin për të vazhduar shkollimin në Beograd, shkojnë në Shkup mirëpo pas dy jave atje u thanë se nuk kemi vend ndaj kthehuni në vendin tuaj.

Në vitin 1952, gjenerata e parë e shkollës Normale morën vendimet e punës në të cilin shënohej se në cilin vend do të punonin. Prof. Masari u caktua të punojë si mësues në Shtime, në shkollën “Emin Duraku”. Në Lipjan u caktua Din Mehmeti me Agim Gjakovën, kurse të tjerët në qytete të tjera.

Fuat Rizvanolli (djali i axhës së Masarit) është doktori i parë i shkencave të matematikës në Kosovë. Ai ka themeluar Fakultetin Juridik dhe atë Ekonomik.

Masar Rizvanolli bashkë me Kadri Kusarin konkuruan në Katedrën e Albanologjisë, mirëpo nuk i pranuan sepse ishte kusht që duhet të kenë të kaluar edhe provimin e gjuhës latine. Pas një kohe, ky kusht ishte hequr dhe Kadri Kusari shkon në albanologji kurse Masar Rizvanolli shkon në katedrën e historisë, për të vazhduar aty deri në semestrin e dytë, e pastaj shkon në Beograd.

Masar Rizvanolli studion dhe diplomon në Universitetin e Beogradit, në degën e Historisë në vitin 1959.

Me t’u kthyer në vendlindje, në vitin 1959 i përkushtohet veprimtarisë arsimore, duke punuar në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë (në atë kohë njihej si gjimnazi më i fortë në tërë Jugosllavinë). Ai mbante mësim edhe në shkollën e Amvisërisë dhe në shkollën Teknike të tekstilit në Gjakovë. Aty ligjëronte lëndët: histori, ekonomi politike dhe ndërtim shteti.

Masar Rizvanolli ka marrë bursë në vitin e tretë, në vitin e parë dhe të dytë nuk kishte marrë sepse e quanin reaksionar pasi kishte teze Bijën e Vokshit. Asim Blyta (shef i Sekretariatit  për Punë të Brendshme në Gjakovë) pas “Plenumit të Brioneve”, i kishte dhënë bursë nga rrethi i Mitrovicës me kryetar Ymer Pulën.

Prof. Rizvanolli tregon se si gjyshja e tij për Gjakovë ka qenë e vetmja e cila ka pas tokë sepse i ka takuar me ligj. Sipas tij, Bijën e Vokshit e ka mbajt Esat Mekuli, Xeladin Deda që ka qenë mjek, Hajdar Jakupi, dhe gruaja e Vehap Shitës. Të gjithë këta i kanë dërguar të holla. Sabrije Vokshi (e bija e Vokshit) ka vdekur në vitin 1984. Bija e Vokshit nuk ka treguar se kush e mban, por ka thënë se e mban e motra e cila ishte gjyshja e Masar Rizvanollit, e që ky i fundit jetonte me të. Kjo deklaratë e Bijës së Vokshit, i kishte nxjerrur problem Masar Rizvanollit pasi që për këtë arsye nuk i jepnin bursën deri në vitin e tretë.

Prof. Masar Rizvanolli veçohet si njeri ambicioz dhe i papërtueshëm. Ai ishte një ndër të parët që vazhdoi studimet pasuniversitare. Ndërkohë, kishte konkuruar në revistën “Përparimi” dhe ishte pranuar në stafin e saj. Ende pa filluar punën, atij i kërkohet nga komuna e Gjakovës të mos e pranojë atë pozitë. Ishte viti 1960 - 61 kur Qamil Xuna (kryetar i komunës së Gjakovës) e thërret Masar Rizvanollin dhe i thotë pse po na lëshon gjimnazin, kush do të na i mësojë fëmijët tanë dhe e siguron se do ta dërgojnë në shkallën e tretë. Një ditë, Skender Hasimja (nip i Emin Durakut), arkitekti i parë dhe profesor universitar me të cilin Masar Rizvanolli kishte qenë shok dhome në Beograd,  ia uron faktin që po shkon në studimet e shkallës së tretë. Prof. Rizvanolli nuk e beson. Sapo kishte filluar viti shkollor dhe kishte ardhur Kolë Shiroka, ministër i Arsimit për Serbi. Ai e dërgon Rizvanollin në studime të shkallës së tretë. Prof. Rizvanolli tregon se atje e kanë trajtuar shumë mirë dhe e kanë paguar tri më herë më shumë se sa në Gjimnaz.

Prof. Rizvanolli, në shkallën e tretë,  mentor kishte Vaso Ҫubriloviçin pasi e ka pasur temën: “Historia e popujve të Jugosllavisë, koha e re - Krahinat Lindore nën Perandorinë Osmane Bosnja, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Bullgaria dhe nën Perandorinë Absburge Sllovenia dhe Kroacia. Në këtë drejtim Masar Rizvanolli ka qenë bashkë me një angleze e cila kishte qenë një bëmirëse që ka jetuar në Kroaci e Slloveni sikur Mary Edith Durham. Ajo kish pasur temën “Miss Erby”, kurse Masar Rizvanolli kishte temën “Sistemi i Timarit Kosovë”. Mirëpo Vaso Ҫubriloviçi i kishte caktuar për mentor Hasim Shabanoviçin i cili ka qenë osmanisti më i madh në ish Jugosllavi, studiues me famë botërore. Ai i kishte dhënë mësim Masar Rizvanollit sa ishte student në Beograd. Disa emra të tjerë të cilët i kanë ligjëruar Masar Rizvanollit gjatë studimeve ishin edhe Vaso Ҫubriloviçi, Viktor …, Radovan Samargjiç, Hasim Shabanoviçin etj. Masar Rizvanolli tregon se sa ishte student në Beograd, në katër semestra nuk kishte mësuar histori por vetëm lëndë ndihmëse të historisë, siç janë: paelografia[4], latinishtja, greqishtja e vjetër, sllavishtja dhe osmanishtja.

Masar Rizvanolli ka qenë studenti i vetëm shqiptar i cili i ka marrë temat nga historia shqiptare sepse në vend të diplomës ka pasur për t’i bërë dy tema shkencore, njërën nga historia e popullit të Jugosllavisë dhe tjetrën nga historia e përgjithshme. Vaso Ҫubriloviçi ia cakton për temë: “Lidhjen e Prizrenit”. Pas shumë shfletimeve e hulumtimeve që bën, si entuziast që ishte, Rizvanolli e sheh se që të gjithë shkruajnë se Lidhja e Prizrenit është vegël e Perandorisë Osmane. Kështu shkon te Prof. Ҫubriloviçi dhe i thotë se nuk mundem ta përgatis këtë temë sepse nuk kishte material shqip. Ai i jep rekomandimin që të shkojë në Bibliotekën e Fakultetit Filozofik dhe aty ia jep në shfrytëzim krejt botimet e Shqipërisë. Aty, tregon Prof. Rizvanolli, e kam njohur për herë të parë Mark Krasniqin dhe Kadri Halimin.

Në vitin 1937, Vaso Ҫubriloviçi kishte shkruar një projekt për zhdukjen e shqiptarëve. Këtë fakt, Masar Rizvanollit ia tregojnë Mark Krasniqi dhe Kadri Halimi në një takim të rastësishëm sepse ai deri atëherë nuk e kishte ditur. Por për këtë projekt, Ҫubriloviçi kishte thënë se mund ta lejojnë për lexim vetëm pasi të vdiste ai.

Dhe kur Masar Rizvanolli në njërën prej ligjëratave ia tregon Prof. Ҫubriloviçit ato që kishte lexuar, ky i fundit ia kthen që nuk është ashtu siç i ke lexuar, mirëpo Rizvanolli ia demanton duke i dhënë fakte nga Pashko Vasa, nga Sejfulla Malisheva etj., dhe e lë pa fjalë Ҫubriloviçin. Në këto argumentime, Zekerja Cana ngritet dhe e ndihmon Prof. Masar Rizvanollin me fakte të tjera.

Masar Rizvanolli doktoraturën e përfundoi në vitin 1990, një temë mjaft voluminoze me rreth 600 faqe.

Shkolla e parë shqipe në Gjakovë është hapur në fund të vitit 1914. Kontribuesit e kësaj shkolle kanë qenë: Qazim Bakalli, Ibrahim Fehmiu, Sali Morina, Nimon Ferizi (që të gjithë gjakovarë). Objekti i kësaj shkolle edhe sot ekziston në mejtepin Ruzhdije. Ka qenë edhe Ibrahim Kolqi në Pejë, Abdullah Hadri në Vushtri, Muharrem Domi në Cërmjan (fshat i Gjakovës), të gjitha këto në vitin 1915. Murat Muhaxhiri Gjakova ka dhënë një kontribut të madh për shkollën e parë shqipe në Gjakovë. Vepra e Pjetër Bogdanit “Ҫetta e Profetëve”, botimi i vitit 1492 në Venedik, ka qenë deri vonë në Gjakovë në shtëpinë e hoxhës. Në Gjakovë është edhe vepra “Enciklopedi” e Sami Frashërit, në shtëpinë e Xhelal Pulës. Tre profesorë të medresesë kanë dhënë mësim në Fakultetin Fate të Stambollit: Hasan Efendi Shllaku, Masar Lluka dhe Tahir Efendi Boshnjaku.

Jani Vretoja thotë që intelektuali më i madh në Stamboll ka qenë Tahir Efendi Boshnjaku. Ky ka shkruar veprën “Emni Vehbije” në gjuhën shqipe. Më 1907, Xhafer Kolonja në Shoqërinë e Sofjes, ka bërë deskriptimin e saj në alfabetin e Stambollit.

Në atë kohë nuk ka pasur femra në shkollën shqipe, ndërsa në mejtepe po. Nivelet e fillores në atë kohë janë ndarë kështu: Elifi (klasa e parë), omja (klasa e dytë), tebarja (klasa e tretë) dhe musafi (klasa e katërt). Tash së voni, Nehat Krasniqi i ka gjetur disa dokumente në teqen e Sheh Banit në të cilat shihet se kush e ka hapur shkollën.

Shkolla e parë shqipe ka zgjatur katër vite: 1914 - 1918. Kur hyri Jugosllavia e vjetër, ajo u mbyll. Në këtë shkollë është shkruajtur arabisht, mirëpo është folur shqip. Tahir effendi Boshnjaku ka shkruar me gjuhën osmanishte, e cila ka qenë gjuhë shumë e vështirë me dhjetë alfabete.

Në shkollën e parë shqipe, në fillim kanë qenë 30 - 40 nxënës për klasë, sistemi ka qenë nga klasa 1 - 5, e më vonë u kthye në katër klasë sepse u bë tetëvjeçarja.

Në Gjakovë, myslimanë dhe të krishterë kanë punuar së bashku dhe nuk e kanë pasur paragjykim fenë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka luftuar për mbrojtjen e të gjitha tokave shqiptare, edhe sanxhaku i Novi Pazarit ka qenë me shqiptarë.

Tradicionalisht, mërgata shqiptare ka kontribuuar shumë në ruajtjen e vetëdijes kombëtare. Janë mërgimtarët, duke filluar nga Kajro ku ka qenë Ҫajupi, ata në Bukuresht e në Sofje, dhe pas 1912-ës edhe mërgata në Amerikë me në krye Fan Nolin, që nuk janë ndalur së punuari për shqiptarët.

Iniciativa për Lidhjen e Prizrenit është mënyra më e mirë e organizimit të popullit shqiptar. Ajo ka filluar prej Komitetit të Stambollit për mbrojtjen kombëtare shqiptare me kryetar Abdyl Frashërin. Në Enciklopedinë Botërore thuhet për Sami Frashërin “themelues i gjuhës dhe letërsisë moderne turke”. Veprën “Besa”, Sami Frashëri e ka shkruar në turqisht dhe Abdyl Kolonja e ka përkthyer në gjuhën shqipe. Mandej për t’u përmendur është edhe vepra “7 mrekullitë e botës” e arkitektit me origjinë shqiptare Nimar Sinani, të cilin e vrau princi indian në mënyrë që të mos shfrytëzohet si model nga dikush tjetër.

Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Suedi “Papa Klementi XI Albani” i bën përshtypje Masar Rizvanollit dhe i vjen shumë mirë për botimet e kësaj shoqate. Ai ka një vërejtje që lidhet me zvogëlimin e numrit të faqeve të librave dhe këshillon që të vazhdojnë me këtë mision. Mes të tjerash ai thekson se shqiptarët që jetojnë brenda trojeve shqiptare nuk iu kanë dhënë sa duhet rëndësi shqiptarëve të diasporës. Shoqata për kthimin e shqiptarëve (me kryetar Jahja Llukën) ka qenë e para që ka bërë thirrje për formimin e ministrisë së mërgatës.

Një ndër aktivitetet me të cilin mburret prof. Rizvanolli është anëtarësia e tij në Shoqatën për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e tyre. Plot 38 autobusë janë nisur nga pallati i shtypit dhe kanë dalë bashkë me Esat Stavilecin, Pajazit Nushin e shumë të tjerë  e iu kanë folur popullatës. Populli shqiptar, thotë profesor Rizvanolli, në botën antike ishte populli më i madh për nga territori. Në dokumentet antike, shënohen 70 fise ilire që kanë pasur një territor kompakt. Edhe kufinjtë kanë qenë natyrorë, e jo si janë tani; veriu ka qenë Danubi e Sava, në lindje ka qenë Morava deri të malet Vranos në Greqi, në perëndim deti Adriatik. Në kohën e Skënderbeut, ¼ e popullit shqiptar janë shpërngulur në Itali, pra është fjala për arbëreshët e Italisë.

Prof. Rizvanolli tregon edhe se si janë organizuar për të sjellë eshtrat e Isa Boletinit. Ai thotë se bashkë me Pajazit Nushin dhe Jahja Llukën, kanë shkuar në Mitrovicë te kryetari i LDK-së në atë kohë Latif Berisha. Në atë kohë Pajazit Nushi ka qenë nënkryeministër, dhe disa herë i ka kërkuar eshtrat zyrtarisht, por edhe pse i kanë premtuar, ata kurrë s’e kanë realizuar sepse, siç thotë profesori, ata e kanë vrarë vetë. Pra, në këtë ekip kanë qenë: Masar Rizvanolli, Pajazit Nushi, Jahja Lluka, Latif Berisha dhe Asllan Murati – Mulla Asllani (i cili kishte qenë nxënës i prof. Masar Rizvanollit). Masar Rizvanolli propozon që ta marrin edhe babain e Edi Shukriut – Muhamet Shukriun i cili kishte qenë drejtor i Entit për Monumente të Prizrenit dhe e njihte shumë më mirë vendin. Pastaj, Muhamet Shukriu bisedon me presidentin Dr. Ibrahim Rugova dhe shkon i nxjerr eshtrat dhe kthehet drejt e te Masar Rizvanolli që ta informojë se ku i ka fshehur, por ky i fundit e drejton të shkojë te Pajazit Nushi të cilin nuk e gjen aty, e atëherë shkon dhe ia jep eshtrat Mulla Asllanit i cili po ashtu ka merita të mëdha.

Prof. Rizvanolli tregon se si fëmijë e ka ditur nga gjyshi i tij edhe varrin e Sylejman Vokshit. Kur është bërë njëri nga përvjetorët e Lidhjes së Prizrenit, ku kryetar i komisionit ishte Pajazit Nushi, ai e kishte pyetur Masar Rizvanollin se ku e ka varrin Sylejman Vokshi, dhe ky ia tregon. Ka ardhur hungarezi i cili ka zbuluar se kryetari i Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizreni, ka vdekur prej goditjes.

Mesazhi i Masar Rizvanollit për mërgimtarët është që të mos e harrojnë kurrë vendlindjen. Prej gjitha të mirave që mërgata i ka bërë, sipas tij e ka edhe një të keqe: na ka mbjellur ndjenjën e dembelisë, në veçanti në fshatra sepse duke iu ndihmuar mërgimtarët, ata kanë pasur mjaftueshëm dhe kështu kanë krijuar një komoditet e iu kanë mbetur tokat pa punuar. Prof. Rizvanolli thotë se është më mirë që në vend të parave të gatshme për harxhim, ata t’u dërgojnë mjete për të investuar në bujqësi, ose për të ndërtuar ferma etj.

Atdheu duhet duke i bërë njerëzit të punojnë për të!”, përfundon i nderuari Prof. Masar Rizvanolli.

Thesar Kombëtar…”, vëllimi nr. 7, faqe 527, Botues: Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë

Papa Klementi XI Albani”, Suedi, Prishtinë, 2017 Pronar i madh tokash, që i punon këto duke shfrytëzuar bujqit, pronar çifligjesh (në vendet me marrëdhënie feudale në prodhim; në të kaluarën edhe në Shqipëri). Çifligar i madh (i vogël). Çifligarët e pasur. Tokat e çifligarëve. Përmbysja e çifligarëve. Iku koha e çifligarëve.

keq. Ai që shfrytëzon dhe merr nëpër këmbë të drejtat e të tjerëve, ai që sillet me egërsi e me përbuzje ndaj njerëzve të thjeshtë, ashtu si përfaqësuesit e klasës feudale. Çifligar i ri. Pronë shoqërore, toka ka qenë pronë e shtetit dhe ajo tokëështë nda në timare, zijamete dhe në hase . Timaret kanë qenë toka që kanë prodhuar 19999 akçe (njësi monetare). Zijametet kanë prodhuar 20000 deri 100000 akçe Paeolgrafia – shkrim i vjetër. Fjalë turke që dmth gjimnazi i ulët.  Ruzh-dije ka qenë niveli ma i ulët pastaj vjen ipti-daije dhe ida-dije. Gjakova nuk i ka pas këto dy nivele tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat