Retrospektiva në ligjërimin postmodern të Dibrës - Bota Sot
Retrospektiva në ligjërimin postmodern të Dibrës

Kultura

Retrospektiva në ligjërimin postmodern të Dibrës

Nga: Fatlinda Hoda Më: 22 maj 2020 Në ora: 18:03
Fatlinda Hoda

Vepra “Në kërkim të fëmijës së humbur”

Përfytyrime fëmijërie

Vepra “ Në kërkim të fëmijës së humbur”, shfaq një natyrë të dyfishtë në rrafshin formal, pasi që projektohet mes zhanrit të tregimit dhe romanit. Ky status zhanror bënë të mundur leximin e tekstit në tërësi si një roman fragmentar, por jo klasik. Të projektuara si rrëfime nga e kaluara, njëzetë e tetë tregimet përbërëse mund të lexohen edhe ndaras, pasi që përshkruajnë personazhe të njejtë në çaste e situata të ndryshme të periudhës së fëmijërisë. Këto tregime përmbledhin ide dhe tipare të poetikës postmoderniste: erudicionin, strukturën, rikthimin në të kaluarën, intertekstin, kodimin e dyfishtë, frikën dhe ironinë, të dhëna në trajtë të një kolazhi, montazhi idesh e ndjenjash ekspresive autoriale. Duke i shfaqur këto njohuri e elemente postmoderne, Dibra merr rolin e udhërrëfyesit drejt një rrjeti të madh referencash tekstuale e kontekstuale. Element karakterizues i poetikës së tij mbetet gjetja e të veçantës në të zakonshmen, përditshmërisë dhe ndërlidhjen e saj me zbavitjen dhe motivimin e lexuesit semantik e semiotik.

Titulli i kësaj proze autobiografike, ndërtohet në baza filozofike e referenciale, për t’u kthyer më pas në të sinqertën, realen, fëmijëroren. Kërkimit të fëmijës së humbur, lumturisë, pafajësisë, pa përmbushjes shpirtërore, i prin vetë autori duke krahasuar të kaluarën e të sotmen, të vërtetën e gënjeshtrën. Në qendër të rrëfimit vihet Ridvani i vogël- Ridi, i cili merr rolin e narratorit- personazh, përballë Ridvanit në moshë madhore- artistit. Nëpërmjet kujtesës, shkrimtari rrëfen ndodhi nga e kaluara, që zënë shkas të rrëfehen  nga një veprim që ndodh në kohën e tashme.

1.1 Në kërkim të vetvetes

 Si motocitate e çelës interpretimi, në fillim të librit funksionalizohen tekste nga Franc Kafka e Marsel Prusti. Përveç aprovimit e njohjes së krijimtarisë së dy autorëve, mes fjalive të zgjedhura theksohet se : shpirti fëmijëror nuk shuhet asnjëherë, dhe mbi të gjitha më e rëndësishme është aftësia e të pasqyruarit, edhe nëse tema e trajtuar nuk është komplekse. Madje vet titulli         “ Në kërkim të fëmijës së humbur”, vjen si jehonë e veprës -“ Në kërkim të kohës së humbur”.

Historitë që rimerren nga fëmijëria përmes kujtesës, shfaqin ndikimin e raporteve të Ridvanit të vogël me babain në veçanti, nënën, e shokët e tij të lagjes, në formimin e tij. Gjithë dialogjet në mes fëmijëve e të rriturve në të kaluarën zhvillohen në dialektin gegë, kurse kur rrëfen autori në të tashmen zë vend gjuha standarde dhe mendimi më racional. Jo rastësisht, si kujtim i parë radhitet tregimi “Manastiri i Parmës”. Ky tregim hedh në dritë, dëshirën më të madhe të Ridit të vogël, leximin. Pavarësisht moshës, ai magjepset me leximin e librave me tematikë më komplekse, jo përrallave e tregimeve të shkurtra. Libra të cilët heroi i tij i fëmijërisë-babai, i mbante të kyçur. Përmes lojrave, leximeve, pyetjeve e përgjigjeve shfaqet bota e brendshme e personazheve. Në këtë periudhë të bukur jetësore personazhin kryesor e shoqëron shoku i tij i ngushtë, Ili. Si karaktere janë të kundërt, në njërën anë është Ridi që lexon shumë, rri i heshtur e ndonjëherë shfaq frikë, kurse në anën tjetër Ili tip dominues, problematik e trim. Ridvani- artist e shkrimtar shfaq pëlqimin e tij të vazhdueshëm për Stendalin, Sartrin e klasikët francezë.   

Tregimi “Vajzat” zhvillohet në ambientet shkollore, dhe paraqet raportin e dy gjinive me njëra-tjetrën dhe botën përreth. Dy nxënës të shkollës fillore, Ili e Ridi, fantazinë e tyre e përmbushin tinëz, në hapësirat shkollore ku qëndronin vajzat. Pikërisht në kohët moderne, ishte magjia e internetit ajo që e riktheu autorin tashmë të rritur, në këtë kujtim të së kaluarës. “ Tre të marrët”, është tregimi i katërt me rradhë. Xhema, Qerameti dhe një tjetër mbajnë këtë emërtim, ata jetonin në rrugicën në të cilën jetonte Ridi. Këta të fundit vijnë në kujtesën e Dibrës, kur ai fillon të hartoj një tekst rreth postmodernizmit. A thua postmodernizmi përmban aq shumë kaos, shumë lloj-llojshmëri figurash e termash në vete, sa të krahasohet me të marrët ?! .

“Lakuriqët e natës”, tregim në të cilin rrëfehen lojërat e shumta mes fëmijëve : Ilit, Letës, Gonit, Dorit, Vinit, dhe Bertit që veçohej si fëmija nga kryeqyteti. Po në këtë tregim shfaqet një referencë vizuale, e nxitur nga frika dhe kureshtja e fëmijëve për të ditur sa më shumë për pamjen e lakuriqëve. Fotografia e lakuriqëve ishte grisur prej Lutit, nga një revistë e babait të tij. Këtë kujtim nga e kaluara e risjell një ndodhi që i ngjan autorit në Itali, ku do të takonte një grua, e që sipas tij kishte qenë motra e Ilit, Leta.

  “Shpija e shtrigave”, trajton rolin e shoqërisë në përcaktimin e emërtimit të tjetrit në bazë të sjelljes e karakterit, në këtë rast tri vajzave. Vajza të bukura, por jo të zakonshme. Shtrigat, të emërtuara kështu me bazë popullore e përrallore si të këqija, nuk arrijnë të përceptohen në vërtetësinë e tyre nga mendja e fëmijëve. Realisht ato janë vajza të lazdruara, që sipas Ilit “bajnë dashni pa ken t’martume”[1]. Autori në moshën madhore, thekson se kjo histori i kujtohet gjithnjë kur në një rreth shoqëror ka pranë një femër të bukur. 

“Arrat e Fanit”, është tregim që dënon lakminë ndaj gjërave të të tjerëve: siç është fati, pasuria, fama e lavdia. “ Edhe historinë me arrat e Fanit ndodh ta kujtoj shpeshherë. Domethënë sa herë pëlqej e lakmoj gjërat e tjetërkujt : fatin, pasurinë, lavdinë, gruan, shtëpinë..”[2], shkruan autori.  Lojrat e përditshme, mësimet, shokët e përjetimet e paharruara fëmijërore, përshkruhen nga Dibra si :“Kohëra të mrekullueshme e të humbura përgjithmonë”.  Në tregimin  “ Shenjat e mëkatit” rrëfehet eksperienca e larjes së Ilit e Ridit në liqe pa leje të prindërve. Shenjat e ujit, e veshjet e pathara që do të zbuloheshin nga nëna, lexuesin model bashkë me autorin e drejtojnë kah Umberto Eko e raporti i shenjave dhe anti-shenjave.                                                                

“ Në kamp”, është tregim që si emërtim ngjall shumë polemika në mendjen e Ridit. Fillimisht fjala “kamp”, atij i kujton një libër historie që kishte lexuar më parë. Përpos kësaj vizualisht paraqitet edhe një pamje\fotografi, e një kampi nazist përqendrimi. Në atë kamp veror, si i përzgjedhur nga një familje e pastër politiksht, Ridi nuk arrin të ambientohet fare. Gjëja e vetme normale aty, ishin librat, të cilat Ridi i lexonte pa leje shumicën e kohës. Nga ai vend, ai kujton pikturat e artin, e jo gjërat e thjeshta, bukën e menzën. E veçantë e këtij tregimi është ndërlidhja e filmit me letërsinë. Historia e shikimit dhe rrëfimit të filmave, vazhdon edhe në tregimin “ Filmi i parë ”. Madje në këtë tregim, autori krahason rrëfimet e Ilit me romanet postmoderne, ai ia turbullonte mendjen :  “ Kësisoj ma turbullonte mendjen e ma ndizte kureshtjen Ili. Me heronj e situata që plekseshin më keq se te romanet postmoderne”[3].

Tregimet vijuese, të plotësuara me imazhe e fotografi, përmbajnë edhe mesazhe didaktike, mësimin e biçikletës, notit, shahut, vlefshmërisë së parasë , e karakterit human. “ Mica të bardha  e të zeza”– është tregim që hedh në pah virtyte njerëzore e bestytëni, nëpërmjet personazheve të babait e nënës, të cilët kujdeseshin për të braktisurit, lypësit, jetimët, të dobëtit, e gjithçkaje që ndihej e mënjanuar. Tregimi “ Tri vjersha me nga tri strofa”, shfaq entuziazmin dhe shpirtin poetik të Ridvan Dibrës që në fëmijëri. Nëpërmjet redaktimit të vjershave të tij të para, sistemi komunist ndryshoi përmbajtjen e thelbin e tyre , për hir të së quajturës “për të mirën nacionale”.

Shpërfaqja e sistemit totalitar jepet më fuqishëm në tregimin “ Me dorën e majtë”. Ky tregim i rrëfyer si gjithnjë nga perspektiva e narratorit- autor, shfaq vështirësitë e tij si fëmijë majtak. Regjimi shkon deri në atë pikë sa ia ndalon atij shkrimin me dorën e majtë. Kjo ironi e thumbim për pushtetin jepet e ndërlidhur si element postmodern, së bashku me mbajtjen aktive të lexuesit. Tregimi i fundit “ Gjyshja ”, përveç linjës së zhvillimit të një ideje të caktuar shfaq edhe një vetëdije letrare për postmodernizmin. Madje Dibra konstaton se “ me pak intertekstualitet e intermedialitet- siç e lypin adetet postmoderne-, mund të sajoj një profil të mahnitshëm gjysheje”..

Vepra “ Në kërkim të fëmijës së humbur”, e strukturuar si prozë autobiografike, arrin të përmbledh shumë elemente postmoderne në vete, pa humbur asnjëherë afërsinë me lexuesin dhe entuziazmin për rrëfimin e ngjarjeve fiksionale si të vërteta ose anasjelltas. Gjithnjë duke u ndihmuar nga rikthimi në të kaluarën, përkatësisht fëmijërinë, pjesën më të lumtur të jetës. Ridvan Dibra nëpërmjet autoportretit e psikanalizës që i bënë vetvetes, kërkon lumturinë e pafajësinë fëmijërore, përmbushjen e sinqeritetin, kohën  e artë që nuk kthehet kurrë më.         

(Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master në Degën e Letërsi Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë)

[1] Ridvan, Dibra, Në kërkim të fëmijës së humbur, Onufri, Tiranë,2010,  fq.57

[2] Po, aty, fq. 70

[3] Po, aty, fq. 178.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat