Mark Tirta, një emër i njohur i shkencës shqiptare

Kultura

Mark Tirta, një emër i njohur i shkencës shqiptare

Nga: Doktorant Nikollë Loka Më: 23 maj 2020 Në ora: 08:56
Mark Trirta

Këto ditë, Akademik Mark Tirta festoi 85 vjetorin e lindjes. Është bërë traditë që në përvjetorë të tillë, Akademia e Shkencave të organizojë konferencë përkujtimore. Vepra shumëplanëshe e Akademik Tirtes e meriton një studim dhe vlerësim institucional për kontributin e jashtëzakonshëm që ai ka dhënë në shkencat albanologjike. Duhet theksuar se Mark Tirta përkujton jo vetëm 85 vjet jetë njerëzore, por edhe rreth 65 vjet punë kërkimore shkencore që e kanë rradhitur ndër personalitetet e shquara të shkencës shqiptare.

Profesor Marku ka kryer një udhëtim të jashtëzakonshëm. Si studiues i talentuar. Ai pati mbështetjen e brezit më të vjetër të shkencëtarëve, të cilët ishin në kërkim të bashkëpuntorëve të tyre të denjë. Evidentimi i Markut si studiues nuk ishte rastësi dhe nuk erdhi për shkak të miqësisë, por rezultat i punës këmbëngulëse. Edhe arritjet e tij në shkencë kanë ardhur gradualisht me shumë punë e përkushtim.

Prof. Dr. Mark Tirta lindi në Orosh me 21 maj 1935 dhe ka kryer studimet në Universitetin e Shkodrës e të Tiranës për histori-gjuhësi (1957- 61), pastaj dhe kursin një vjeçar pasuniversitar për filozofi (1967-68). Si etnolog ka dhënë provimet pasuniversitare: Etnologji e përgjithshme,  Etnologji Europiane, Etnologjia shqiptare e Filozofi. Ka kryer kurs specializimi në muzeologji në Rumani e në Itali (1971). Si bashkëpunëtor i jashtëm për 7 vjet, ka marrë titullin Bashkëpuntor Shkencor i Ri (1968); ka mbrojtur disertacionin në mitologji e besime e ka fituar gradën Kandidat i Shkencave (1978); titulli Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor (1983).  Me temën “Migrime të Shqiptarëve” ka fituar gradën Doktor i Shkencave (1988). Është Profesor Doktor (1994). Akademik i Asociuar (2008) e më vonë Akademik. Për të arritur deri këtu ai ka përshkruar një rrugë të gjatë.

E nisi mësimin për tu bërë klerik

E papritura e parë e jetës: Marku e nisi rrugën e dijes në një mënyrë krejt të veçantë. Fillimi i tij nuk lidhet me një mësues të zakonshëm, as me një klasë, por si nxënës i një kleriku që do t’i jepte bazat fillestare për të vazhduar Seminarin Papnor në Shkodër.  Abati Frano Gjini, duke patur konsiderata për të atin, mendon që njëri nga djemtë të ndiqte rrugën e meshtarisë. Babai, pasi vjen në shtëpi dhe e pleqëroi kërkesën në familje, vendos që ta dërgonte pikërisht Markun, me arsyen e vetme se ”ky për punë nuk ban, ishalla ban për kalem!” Profecia e të atit doli, Marku nuk zhgënjeu. Mësuesi i parë i Mark Tirtes ishte Dom Mark Gjani, i diplomuar për teologji-filozofi në Universitetin Antonianum të Romës. Me Dom Markun djali zhvilloi lëndët: shkrim, këndim, aritmetikë nga katër herë në javë me  dy orë mësim në ditë. Për të shkuar në shkollë, bënte katër orë rrugë në këmbë vajtje-ardhje nga Lgjini deri te Abacia në Orosh; kishte lodhje, ndodhte që të shkonte nëpër shi dhe borë, terreni ishte i vështirë dhe sikur të mos mjaftonte kjo, kishte shpërthyer lufta e pas njëfarë kohe, mbi qiellin e Oroshit nisën të kalonin avionë të palëve ndërluftuese. Në ato kushte, ndërpreu mësimet, ndërkohë që nuk kishte një ëndërr tjetër në sirtar.

Marku ka dhe një koinçidencë tjetër,  i takoi që të jetonte në mes të librave. Bilioteka i erdhi dhuratë nga dajtë prej Kryezezit të Malsisë së Lezhës. Pas vdekjes së dy vëllezërve të nënës që kishin shkollë, librat e tyre nuk kishte kush t’i lexonte, prandaj u dërguan për dy vëllezërit e Markut, Pjetrin dhe Gjonin që kishin kryer shkollën fillore. Edhe pse ende nuk dinte të lexonte mirë, Marku i kalonte librat nëpër duar dhe mendonte që sapo të hapeshin shkollat, të shkonte e të mësonte që të mund t’i lexonte.

Rruga e gjatë e shkollimit

Arsimi atëherë ishte një proces i gjatë, shoqëruar me ndërprerje, punësim të përkohshëm, kryerje të shërbimit ushtarak, pastaj prap shkollë. Djali nga Lgjini i kaloi të gjitha këto peripeci, vazhdoi në disa shkolla dhe e plotësoi shkollimin me rezultate të shkëlqyera shkollimin e tij të lartë në punë e sipër, në kushtet kur nevojat e vendlindjes së tij ishin për pak dije, për ndonjë kuadër me fillore a me shtatëvjeçare se duheshin mësues të kurseve kundër analfabetizmit ose deri në mësues të shkollave fillore.

Për shumë arsye,  mirditorët e asaj kohe nuk mund t’i realizonin ëndrrat e fëmijëve të tyre. Faktorë familjarë dhe shoqërore mplekseshin dhe i pengonin të rinjtë. Cila ishte ajo familje në Mirditë që e linte fëmijën të arsimohet, kur që i vogël çdonjëri e kishte frontin e tij të punës dhe gjendja ekonomike e familjes ishte e vështirë? Shumica jo, por Marku e apti një fat në jetë, babain një të veçantë. Me ndihmën e tij arriti ta kapërcente Oroshin, pasi përfundoi me rezultate të shkëlqyera shkollën fillore. Dhe arsyea prindërore se ”ky për punë nuk ban, ishalla ban për kalem”, po konkretizohej.  Marku vazhdoi shtatëvjeçaren në Durrës në vitet 1948-1950 dhe pastaj Shkollën e Mesme Pedagogjike në Tiranë.  Pas mbarimit të arsimit të mesëm, i duhej të zgjidhte: rrogën apo edhe dy vite të tjera shkollë. Familja zgjodhi të dytën dhe djali vazhdoi  studimet e larta në Institutin 2-vjeçar të Shkodrës. Më vonë plotësoi studimet katërvjeçare në Fakultetin Histori - Filologji në Tiranë.

Ndonëse ishte i pari mësues me arsim universitar në Mirditë, rrugët për të shkuar në vendin e duhur për Markun nuk qenë të shtruara dhe nuk u arritën lehtë. Nga mësues fshati, fillimisht kaloi në drejtor shkolle dhe më vonë inspektor Arsimi. Bënte përshtypje angazhimi i tij si intelektual, por jo të gjithë e kuptonin. Megjithatë Marku vazhdoi në rrugën e tij, ai e projektoi veten si kërkues shkencor në mjedisin e tij mirditor.  Shteti dhe shoqëria kishin investuar në shkollimin e tij dhe ai dëshironte t’ua shpërblente me punë.

Rastet fatlume të një studiuesi të ri

Shumë njerëz angazhohen në veprimtari shkencore, por vetëm disa janë fatlumë në arritjet e tyre shkencore. Marku po lëronte një tokë të virgjër, trevën e Mirditës që e kishin studiuar disa albanologë, studimet e të cilëve kishin tërhequr vëmendjen. Në vitin 1960, kur ishte mësues në Shpal,  mblodhi toponime, antroponime dhe i çoi në Arkivin e Institutit të Historisë. Këto materiale paguheshin, por nuk ishte pagesa që po e shtynte mësuesin e ri drejt shkencës. Në shtator të vitit 1960, dy nxënës i kishin folur për një varrezë të vjetër në Bukël, ku kishte shumë objekte arkeologjike. Aty Marku gjeti një altar në formë paralelopipedi me gurë, monedha antike, objekte bronzi, bakri e hekuri, të nxjerra nga varret, të cilat i mblodhi me kujdes në disa ditë gërmime dhe i dërgoi në Muzeun Arkeologjik te Prof. Hasan Ceka, ku u mblodhën të gjithë: Selim Islami, Skënder Anamali, etj Arkeologët ishin të interesuar të tregonin se i zbuluan vetë varrezën e Buklit, prandaj nuk e kishin marr  me vete, kur ata filluan gërmimet. Por Marku nuk u step, ngriti  Muzeun Arkeologjik Etnografik në Rrëshen, si dhe mblodhi e dërgoi në Tiranë materiale etnografike dhe folklorike. Gjithashtu, botoi artikuj me karakter historik në shtyp etj.  Rezultat i punës së tij në terren ishte një fjalor me 6 500 toponime të Mirditës, të cilin e depozitoi në Arkivin e Institutit Gjuhësi-Letërsi në Tiranë. Pasi angazhoi edhe disa shokë në mbledhjen e materialeve historike, gjuhësore dhe folklorike në terren, Marku organizoi dhe një Konferencë shkencore. Por arritja më e rëndësishme e Markut mbetet padyshim zbulimi i mbishkrimeve mesjetare latine te Kisha e Gëziqit. Ai zbulim iu njoftua Prof. Dhimitër Shuteriqit që kishte ardhur të punonte për pak kohë në Mirditë. Dhimitri, i mirënjohur në qarqet e larta shtetërore dhe shkencore të kohës i dha këtij zbulimi të gjithë rëndësinë që meritonte. Këto zbulime kombëtare të studiuesit të ri ishin mbështetja më e madhe që i erdhi në momentin e duhur. Në vitin 1968, falë vlerësimit që i bënë punës së tij, e emëruan në Institutin e Histori-Filologjisë, në degën e Etnologjisë.

Me plotë suksese në rrugën e gjatë të shkencës

Mark Tirta si etnolog, prej shumë vitesh ka ndërmarrë ekspedita kërkimore në tërë viset shqiptare, përfshirë  Kosovën dhe Maqedoninë Perëndimore, me mjaft vlerë në punën e tij kërkimore e shkencore, si dhe ka kaluar të gjithë pjesën tjetër të kohës në bibliotekë dhe arkiv. Si njeri me vetëdisiplinë të rreptë, ai ndan edhe sot kohën për bibliotekën dhe për punën në studion e tij, ku ka njërën ndër bibliotekat më të pasura private, të krijuar prej 70 vjetësh. Tirta i ka sjellë etnologjisë shqiptare studime me vlerë. Ai ka qenë anëtar i Redaksisë së revistës "Etnografia shqiptare" dhe i revistës "Kultura popullore" në shqip dhe “Ethnographie Albanaise” e “Culture populaire albanaise” në frëngjisht. Në përgatitje të çdo numri të tyre, ai ka dhënë një ndihmesë të shënuar me artikuj studimorë, me recensione librash, me informacione shkencore, me redaktime, me zgjedhje dhe përpunim materialesh për revistën dhe përmbledhësin.

Në bibliografinë e tij janë mbi 400 punime shkencore e kulturore në fushë të etnologjisë shqiptare e më tej, kryesisht nga temat: mitologji e besime, migrime të shqiptarëve, por është marrë dhe me temat: familja, arti popullor, e drejta kanunore, jeta sociale e fshatarësisë, veshjet popullore, toponimet ne vështrim etnologjik, probleme të zhvillimit krahinor e etnik të Shqiptarëve, histori e etnologjisë e njerëz të shquar, kritikë e bibliografi. Jo pak punime të këtij etnologu janë botuar në gjuhë të huaja, madje edhe në disa revista e periodikë prestigjiozë shkencorë në botën e jashtme, gjithsej mbi 70 punime shkencore. Ky etnolog ka marrë pjesë me kumtesa, me referate, në sesione shkencore, në simpoziume, në konferenca, në kongrese shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, brenda vendit e në botën e jashtme, në mbi 130 raste. Është marrë dukshëm me muzeologji: në ekspozita e muze në Tiranë, në rrethe të ndryshme të vendit, në ekspozita muzeale e veprimtari jashtë shtetit.

Prof. Marku ka bashkëpunuar në hartimin e veprës madhore: “Qytetërimi Ballkanik” nën kujdesin e UNESKO-s; po kështu në veprën “Atlasi i vendeve danubiane”, - drejtuar nga Instituti i Studimeve për  Evropën Juglindore, në Vjenë. Në botimet shqiptare ka bashkëpunuar në: “Fjalori enciklopedik shqiptar”, “Veshjet popullore shqiptare”, “E drejta kanunore shqiptare”, “Shpati i Sipërm” (i Elbasanit), “Shpërngulje me forcë e qëndresë e Kosovës martire” (1998-99); “Hasi në etnokulturën shqiptare”, “Himara në shekuj”, “Migrime nga fshatrat malore – kodrinore për në vendet paraurbane e urbane (1991-2007)” e me radhë. Marku i ka publikuar disa shkrime shkencore në botime e periodikë të ndryshëm të Lezhës e të Mirditës. Është bashkautor i manualit “Mirdita. Njohuri për vendlindjen” (1999). Ka në përgatitje për botim librat: “Etnologjia e Mirditës”, “Fjalori mitologjik shqiptar”, “Etnologjia e Europës Juglindore dhe e Mesdheut”.

Veprat e tij kryesore janë: “Migrime të Shqiptarëve” (1999), “Veshjet popullore shqiptare” (me bashkautorë), V.1 (1999), V.II (2001), V.IV (2016), “Etnologjia e Përgjithshme” (2001, 2008), “Etnologjia e Shqiptarëve” (2003, 2006), “Mitologjia ndër Shqiptarë” (2004), “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” (2006), “Panteoni e simbolika, doke e kode...” (2007), “Lëvizje migruese të brendshme ndër Shqiptarë” (2013), "Etnokultura shqiptare - ligji dokesor" (2016).

Është angazhuar në projektin e Institutit të Europës Juglindore në Vjenë për çështje studimore rreth popullsisë e disa çështjeve të tjera etnologjike për Shqipërinë, në një vepër madhore të këtij Instituti. I kanë kërkuar bashkëpunim për vepra madhore të emigracionit botëror të sotëm, për të bërë pjesë për Shqipërinë: Universiteti i Floridas në SHBA, Universiteti i Torontos (Kanada), një kolegj ushtarak i studimeve gjeografike në Kanada. 

Edhe në ditë të sotme Prof. Marku vazhdon të shkruajë e të botojë studime shkencore e kulturore në etnologji, po kështu dhe libra të natyrës shkencore e kulturore ashtu si dhe më parë. Çdo vit ka botuar nga 5 deri 8-12 shkrime të natyrës shkencore-kulturore. Ka hartuar në këto 5 vitet e fundit dhe 152 zëra për Fjalorin Enciklopedik të Mirditës. Ka në dorë disa libra që do të publikohen në vitet në vazhdim.

Akademik Mark Tirta është vlerësuar me tituj e dekorata të ndryshme. Këshilli i Bashkisë Rrëshen i ka dhënë titullin “Qytetar nderi” dhe një rrugë në Tiranë mban emrin e tij. Vite më parë qe propozuar për titullin “Mjeshtër i Madh”, por ende ai propozim fle zyrave shtetërore lart, ndërkohë që është momenti tani të korigjohet ai gabim. Atë vlerësim e pret jo Mark Tirta si individ, por vepra e tij e madhe. Në këtë jubile të rëndësishëm të jetës së tij, është rasti për t’i uruar shëndet dhe suksese në veprimtarinë e gjërë shkencore për të mirën e shkencës shqiptare, sidomos të shkencave albanologjike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat