Ofshama e hijes, mes letërsisë dhe sociologjisë - Bota Sot
Ofshama e hijes, mes letërsisë dhe sociologjisë

Kultura

Ofshama e hijes, mes letërsisë dhe sociologjisë

Nga: Lundrim Shabani Më: 1 qershor 2020 Në ora: 11:58
Lundrim Shabani

Recension: 

(Ibrahim Berisha: “Ofshama e hijes”, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2019)

Kur kupton se do të lexosh një përmbledhje me poezi nga një sociolog,fillon e i bën ato projeksionet e para në shkallën e paragjykimit, se çfarë mund të gjesh në ato poezi, sidomos kur je i apasionuar për fushën e sociologjisë, por që ka rastisur të merresh me letërsi. Ky nuk është paradoks, përkundrazi, territori mjaft i gjerë i poezisë, për të mbushur boshllëkun, duket se ka nevojë për të gjitha rezervuaret e dijes që e karakterizojnë qenien njerëzore dhe organizimin e saj në shoqëri që nga antika e para-antika e këndejmi, e njëra ndër fushat që mbushë këtë boshllëk është edhe sociologjia.

Megjithatë edhe sociologu, ashtu si çdo tjetër njeri prej mishi e prej gjaku, ka përjetime e dhimbje të cilat edhe të bëjnë të ofshash e gjëmosh sa që harron se çka thotë sociologjia, harron Karl Marksin e Maks Weberin e i nënshrtohesh dhimbjes sate që të detyron të bësh edhe hapin më dëshpërues në tentimin e kapërcimit të asaj dhimbje, pra të shkruash. Këtë e bën edhe poeti, profesor i sociologjisë, Ibrahim Berisha me “Ofshamën e hijes”.

Sa i përket titullit, përveç onomatopesë, si kuptim të dytë ofshamën mund ta marrim edhe si mallkim, ndërsa figurën e hijes si dhimbje, pasi që hija shkaktohet kur një objekt i caktuar pengon rrezet e dritës dhe si pasojë e atij pengimi, ose restrikcioni, apo ndalese, përfitohet hija, ose  shenja, apo njolla, e shumë sinonime tjera që mund t’i nxjerrim nga kjo. Pra, kemi Ofshamën e mungesës së dritës. Këtë mundgesë  do ta shohim më poshtë.
Vepra është e ndarë në disa cikle që përmbajnë numër të ndryshëm të poezive nga njëri-tjetri dhe poezitë janë të shkruara në kolona. Titulli i veprës është edhe titulli i ciklit të parë, pra “Ofshama e hijes”. Ky cikël fillon me poezinë “E pathënë e përhershme” dhe katër vargjet a para të kësaj poezie janë:
 
“Çfarë ke për t’i thënë lirisë kur ajo nuk është
Kur nuk u shijua nga zemra e një gruaje
As nga shpirti i një burri që shpërndan ofshamë
Nëpër dhimbjen e humbjes së vet”

Pra, qysh në vargjet e para shohim se kemi të bëjmë me ofshamën e një dhimbjeje të shkaktuar nga një humbje dhe mendoj se ky është edhe thelbi i subjektit të kësaj përmbledhje me poezi të Ibrahim Berishës.
Në vazhdim, në këtë cikël kemi figura të ndryshme që dalin më të theksuara se të tjerat si: drita, dielli, shiu bora, terri, era, zjarri etj, por edhe figura si: patatet, domatet, kumbulla, bimët, ujitja etj, që simbolizojnë punimin e tokës e cilat lidhet me ekzistencën. Një pikëpamje ekzsitencialiste e kemi edhe te poezia “ Flijimi i milingonës” që gjinden po në këtë cikël. Apo edhe te poezia “Pa krahë” ku autori përmes pyetjes retorike pyet pse një zog i hareshëm nuk sheh mundësinë e kthetrave të skifterit.
 Komunikimi me mitologjinë është i pranishëm në këtë përmbledhje të paktën në një rast në poezinë “Cila e vërtetë” me mitin e Sizifit, ku autori shpreh pikëpamjet e tij filozofike duke e vënë në mëdyshje forcën e Siziifit që është vetëm një mit, e në anën tjetër duke tërhequr paralele me buburrecin qe shtyen tokën përkundër erës e vesës deri në gju, gjë që është një realitet. Pyetje të tilla filozofike mund të hasim në vazhdimësi në këtë përmbledhje.
Një poezi tjetër interesante në këtë cikël është edhe “Lufta kundër luftës”, ku autori ngreh shqetesimin e tij për luftën dhe nevojën për të luftuar që kanë njerëzit derisa harrojnë “për shtëpitë e tyre të ngrohta” e dalin në fushëbetejë,  ku “mbesin shumë rroba të ftohta”.
Cikli tjetër në vijim titullohet “Kurrgjë më e përsëritshme”, titull ky që e mbanë edhe njëra nga poezitë e këtij cikli, vargjet e së cilës thonë:

“Kurrgjë më e zakonshme se urrejta pas dashurisë
Shkretëtira pas thatësisë së përsëritur
Lulëzimi i pemës pas shiut të butë e të gjatë
Pjekja e frutave në degët me pamje të kërrusur”

Duke i listuar kështu disa gjëra që vijnë natyrshëm pas disa gjërave tjera dhe poezia përfundon me vargjet:

“Kurrgjë më e përsëritshme se falja pas mëkatit
Dhe lumturia pas dënimit të paharruar plotësisht
Psherëtima e rivendosur në mburrjen boshe dhe kjo
Mëri e errët e kujtesës”

Këtu na del se mëria e errët e kujtesës është bërë po aq e zakonshme sa fenomenet e listuara në këtë poezi, po aq natyrshëm sa lulzimi pas shiut, pjekja e frutave në degën e kërrusur, falja pas mëkatit etj.
Mes poezive tjera te ky cikël, përpos pikpamjeve filozofike, gjejmë edhe vargje ku na kthejnë te thelbi i kësaj përmbledhje, te mungesa, apo dhimbja dhe këtë e gjejmë te vargjet e poezisë “Është e mundur”

“Kjo është e mundur në këtë moment
kur zgjohem sall ofshamë
Ndërsa ti pikë për pikë mallëngjim
Ngase unë jam larg, dhe nuk arrijë kurrë atje”Cikli i radhës titullohet “Nuk më sheh plotësisht”, në të cilën, thuajse në çdo poezi, del figura e ndarjes dhe e mungesës, sidomos te poezia “Nuk është më”. Por nuk mungon gjithashtu edhe shpalimi i ideve interesante që autori mjeshtërisht i shtron. Njëra nga këto është te poezia “Lëvizja e lirë”, ku merr shembullin e hajnit i cili:

“…Asnjëherë nuk do të na falë
Pse i kemi kyçur dyert e shtëpive
Për të fshehur vetveten e padukshme…”

“…Hajnat gjithmonë kanë të drejtë
të ushtrojnë profesionin që mundëson lëvizjen e lirë,
hyrjen dhe daljen…”

Kjo mënyrë e shtrimit të problemeve përmes shembujve që shpërfaqin të metat e sistemeve ose të metat e konvencave shoqërore, është mjaft intriguese për lexuesit dhe gjithashtu e vështirë për t`u realizuar.

Në ciklin e radhës mungesa është e shprehur tani më drejtëpërdrejtë, si në titullin e ciklit  “Përsëri mungon”, poashtu edhe në tituj të poezive si poezia “Kur mungon”, apo poezia “Ti s`je” ose tjetra “As ti nuk je më” gjithashtu edhe në vargjet hyrëse te disa poezi tjera si për shembull te poezia “Kot”:

“Ti ke qenë rreze domethënëse
Hënëz lundruese dhe fantastike”

Apo te poezia tjeter me titullin “ Dritarja mbi det”,  ku vargjet nistore janë:

“Nuk je kthyer ta hapësh dritaren
As nuk i ke prekë moti krahët e lopatave që notojnë”
Në këtë cikël medoj se është realizuar indicja e autorit sa i përket pjesës së dhimbjes së shkaktuar nga mungesa ku  poeti paraqet edhe nevojën e domosdoshme për tejkalimin e dhimbjes dhe përpjeket e arritjes së paqes apo qetësisë siç është edhe poezia me titullin “Paqe”


“Gjatësi e përkohshme” titullohet cikli i radhës në të cilin logjika e ndërtimit është e njëjtë me ciklet e mëparshme, por këtu bie në pah përdorimi i termeve të fizikës si: gjatësia, sipërfaqja, koha, shtrirja, rrezja etj., duke i përdorur në funksion të ideve metafizike, ide këto që hasen me bollëk te ky autor.
Si reminishencë, në këtë cikël, vjen edhe poezia “Ndërtuesit”,  ku autori kujton punëtorët e Ramiz Sadikut në përplasje me helmetat e bardha e uniforma blu, me thirrjet “Duam parat tona, hajnat në burg” etj., dhe rrugëtimin e tyre drejt fitores së paarritshme. Kjo është poezia e vetme që përputhet me projeksionin që përmendëm në fillim të këtij teksti kur kupton se do të lexosh poezi nga një sociolog.
Cikli përmbyllës i kësaj përmbledhje me poezi titullohet “E përsëritshme”, titull ky që paraqet diçka të vazhdueshme, diçka që nuk përfundon ose nëse mund të themi figurativisht, autori dështon t`i jap fund dhimbjes dhe në njëfarë mënyre dorëzohet. Edhe poezia e fundit titullohet “Herën tjetër” duke na vënë në dijeni se me siguri do të ketë një herë tjetër ku do të përballemi me ofshamat e hijes.
Në këtë përmledhje, përveç mjeshtërisë dhe përvojës së poetit me dekada në poezi, të bjen në sy edhe përdorimi i pastër i gjuhës shqipe, ku pothuajse në tërë tekstin nuk mund të gjeni as edhe një fjalë të huazar apo ndonjë ndikim nga gjuhët  tjera, gjë që pasuron dhe pastron poezinë shqipe në përgjithësi. Të bije në sy, gjithashtu, edhe përdorimi i shprehjeve të thjeshta, nëse mund t’i quajmë kushtimisht, në emërtimin e poezive ku shpeshëherë ato emërtohen me një folje, ndajfolje, apo edhe togfjalësha qe të jep përshtypjen se janë marrë nga ndonjë fjali e rëndomtë dhe janë përdorur si tituj, në këtë mënyrë duke i ikur titujve bombastikë që bëhen vetëm për të tërhequr vëmendjen. Gjithashtu,  ikja nga rima dhe përdorimi i aliteracionit dhe asonancës është veti që këtë vepër e afron kah modernja. Megjithatë, ikja më e rëndësishme në këtë vepër është ikja nga shoqërorja, kah personalja që për një sociolog është shumë e vështirë, gjë të cilën Ibrahim Berisha ia del me sukses.

Vepra “Ofshama e hijes” hyn në mesin e shumë “ofshamave” tjera që poezisë shqipe i kanë dhënë dhe i japin ngjyrat që i mungojnë ose që i janë zbehur, kurse lexuesit ndjenjën që e kërkon dhe atë që e suprizon.

Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, në studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat