Shuhet kryemjeshtri i këngëve epike shqiptare 

Kultura

Shuhet kryemjeshtri i këngëve epike shqiptare 

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 13:25
Përparim Tomçini

Në moshën 65-vjeçare është shuar në Tiranë kompozitori i mirënjohur, Përparim Tomçini. Tomçini ka qenë autori i kompozimeve të këngëve më të spikatura epike të muzikës shqiptare. Në skenën e muzikës kombëtare shqiptare, për plot 40 vjet, ai ka shënuar majat më të larta të artit muzikor shqiptar.

I shkolluar për arin muzikor në liceun artistik “Jordan Misja”, si dhe Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, dega e Kompozicionit, Tomoçini si kompozitor kishte arritur ta shkrinte në një  muzikën burimore shqiptare me atë të autorëve të përbotshëm.  I frymëzuar nga krijimtaria alegorike e Dibrës, nga gurra e pashtershme e folklorit dibran, ai ngriti në skenat artistike perlat e muzikës shqiptare; vepra që shtrihen në gjini të ndryshme, si: Rapsodi për kor, Rapsodi për solist dhe orkestër, Suitë simfonike, Poemë simfonike, Elegji korale, Balada vokale, Këngë lirike dhe epike, deri të Tablotë koreografike.

Veprat muzikore që shkroi Topçini i dhanë zë dhe i ato i bënë të pavdekshme shumë këngëtarë të njohur shqiptarë, si: Arif Vladi, Ilir Shaqiri, Liri Rasha, Qerim Sula etj. Këngët që kompozoi Tomçini, si: “O prite, prite, Azem Galicën”  e kënduar nga Ilir Shaqiri, “Po i bjen era retë e zeza”, kënduar nga Qerim Sula, e shumë të tjera, u bënë këngë që mobilizuan popullin shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në një postim që sot ka bërë në faqen e tij në Facebook, shkrimtari dhe kantautori nga Prishtina, Ilir Shaqiri, shpreh pikëllimin e botës artistike shqiptare për humbjen e Përparim Tomçinit. “Studiuesit e mëvonshëm do ta gjejnë: forcën, karakterin, mjeshtërinë, jetën e tij në krijimtarinë e tij, ndërsa ne, miqtë e tij, nuk do ta gjejmë më atë kompozitorin e këngëve me nektarin e “Nëntë Maleve”, nuk do ta gjejmë më atë mikpritësin zemërplotë, ngrohtësinë vëllazërore, çiltërsinë dhe argëtimin e pangjashëm, kur shtroheshin sofrat tona në Dibër, Tiranë e Prishtinë”, ka shkruar Ilir Shaqiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat