Franc Kafka - veprimtaria letrare

Kultura

Franc Kafka - veprimtaria letrare

Nga: Xhelal Zejneli Më: 8 qershor 2020 Në ora: 12:26
Xhelal Zejneli

VEPRA – Të gjitha veprat e Kafkës, me përjashtim të disa letrave për Milena Jesenskën, janë shkruar në gjuhën gjermane. Ato pak shkrime që iu botuan në të gjallë të autorit nuk ngjallën ndonjë interesim të madh. Pothuajse 90 për qind të shkrimeve të veta i dogji, sidomos kur jetonte në Berlin. Kafka ishte mjaft i frytshëm në të shkruarit e novelave dhe të tregimeve të shkurtra. Në vitin 1912 shkroi tregimin “Metamorfoza” (Die Verwandlung) që u botua në vitin 1915 në Lajpcig. Bëhet fjalë për një rrëfim të pazakonshëm, pothuajse surreal i cili pa dyshim është një nga shembujt më të mirë dhe më reprezentues të realizmit magjik të Kafkës. Rrëfimi fillon in medias res, me fjalinë e parë kult “Kur një mëngjes Gregor Samsa u zgjua nga ëndrrat shqetësuese e gjeti veten në krevat të shndërruar në një kandër të madhe” (gjermanisht: ungeheuren Ungeziefer) që tekstualisht mund të përkthehet si përbindësh monstruoz. Fjala Ungeziefer nënkupton kryesisht kafshët e ndotura e të padëshiruara. Bumballa në të cilën u shndërrua Gregor Samsa ishte pikërisht kjo. Në vijim tregimi e përcjell jetën apo gjallimin dhe shkatërrimin e bumballës Gregor Samsa dhe alienimin (tjetërsimin) gradual të tij, së pari nga bota përreth, e pastaj edhe nga familja dhe vetvetja. Këtë vepër me shumë me simbolikë dhe metafora, kritikët e konsiderojnë si njërën nga veprat bazike të shekullit XX.

Tregimi “Në koloninë ndëshkuese” (In der Strafkolonie, 1919) që bën fjalë për pajisjen e krijuar për torturim dhe likuidim u shkrua në tetor të vitit 1914. U revidua më 1918 për t’u botuar në Lajpcig më 1919. Në tregimin “Artisti në uri” (Ein Hungerkünstler, 1924) të botuar në revistën “Die neue Rundschau në vitin 1924, flitet për personazhin kryesor, viktimë i cili vëren mosinteresimin e të tjerëve për vetinë e tij të çuditshme për të qëndruar pa ngrënë brenda një periudhe të caktuar. Tregimi i tij fundit “Këngëtarja Jozefinë, ose vegjëlia e minjve” po ashtu merret me raportin midis artistit dhe publikut të tij.

Kafka është autor i tre romaneve: “Procesi” (Der Prozeß, 1914-1915, botuar më 1925), “Kështjella” (Das Schloß, 1922, botuar më 1926) dhe “Amerika” (titulli burimor: Der Verschollene – Njeriu të cilit i humbi çdo gjurmë, 1912-1914, botuar më 1927). Kafka s’e përfundoi asnjërin prej romaneve të tij. E dogji pothuajse 90 për qind të opusit të vet. Romanin e parë nisi ta shkruajë në vitin 1912. Kapitulli i parë i tij sot njihet si një tregim i shkurtër me titullin “Ndezësi”. Këtë vepër që mbeti e papërfunduar Kafka e quajti “Der Verschollene”, por kur Brodi e botoi post hum, e zgjodhi titullin “Amerika”. Ndonëse me më shumë humor dhe më realiste se veprat e tjera të Kafkës, ky roman që flet për bredhjet e emigrantit evropian Karl Rosmanit (Karl Roßmann) nëpër Amerikë, i përmban të njëjtat motive të sistemit opresiv dhe të paprekshëm që e vë protagonistin në situata të ndryshme bizare. Romani inkorporon shumë detaje nga përvojat e të afërmve të Kafkës të emigruar në Amerikë dhe mbetet e vetmja vepër për të cilën Kafka nuk ka zgjedhur përfundim optimist.

Në vitin 1914 Kafka e filloi punën në romanin “Procesi”, që pa dyshim është vepra më me ndikim i tij. Konsiderohet kryevepër e letërsisë botërore. Bën fjalë për nëpunësin bankar Jozef K. i cili një mëngjes arrestohet dhe akuzohet nga një pushtet i largët dhe i panjohur, për krimin për të cilin nuk dinë gjë as ai, e as lexuesit. Jozef K. ballafaqohet me një sërë situatash bizare dhe të paqarta, lufton kundër një burokracie kryekëput të dehumanizuar dhe merr ndihmë nga një sërë personazhesh groteske që në thelb janë tërësisht të padobishëm (me përjashtim të kapelanit misterioz të burgut), deri në fund, kur e realizon forcën e këtij mekanizmi burokratik, të cilit më në fund i dorëzohet. Megjithëkëtë, për dallim nga “Amerika”, drita e dritares në fund të veprës lë një shpresë, që është një prej motiveve kryesore të veprave të Kafkës. Por, përkundër faktit se Kafka e ka shkruar kapitullin e fundit, romani ka mbetur i papërfunduar. Botimet më të reja të romanit i përmbajnë edhe kapitujt e papërfunduar apo të papërputhur, edhe pse janë të ndarë nga pjesa kryesore e veprës. Sipas ditarit të vet, deri në 11 qershor 1914 Kafka e kishte planifikuar romanin “Kështjella” por filloi ta shkruante më 27 janar 1922.

* * *

Në romanet dhe në tregimet e Kafkës është paraqitur përditshmëria e hirtë në formën e një realiteti alogjik të përshkuar nga një ankth i përhershëm. Personazhet e Kafkës përndiqen nga ndjenja e fajit. Shpeshherë ndodhen në huti dhe janë të çorientuar. Realiteti i tyre është shumë më afër ëndrrës se reales. Pasqyrimi i individit i cili ndjehet i pafuqishëm përballë forcave të aparatit burokratik bëri që proza e Kafkës, që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot, të përhapet me të madhe dhe të ushtrojë ndikim të madh.

Sa qe gjallë, Kafka botoi pak dhe ato botime nuk ngjallën interesim të madh. Në të gjallë pra ishte anonim. Njihej vetëm nga një rreth i ngushtë lexuesish ku bënin pjesë: tregimtari dhe romancieri më i rëndësishëm i letërsisë më të re gjermane dhe eseisti Tomas Man (Thomas Mann, 1875-1955), liriku dhe tregimtari zviceran (i shprehjes gjuhësore gjermane) Herman Hese (Hermann Hesse, 1877-1962), tregimtari gjerman me prejardhje hebraike Alfred Dëblin (Alfred Döblin, 1878-1957, pseudonim i Linke Poot), poeti gjerman Rainer Maria Rilke (Rainer Maria Rilke, 1875-1926), tregimtari, eseisti dhe dramaturgu austriak Robert Muzil (Robert Musil, 1880-1942), shkrimtari gjerman Kurt Tuholski (Kurt Tucholsky, 1890-1935) etj.

Sapo përfundoi Lufta e Dytë Botërore u bë i famshëm saqë u shndërruar në mit. Veprat e tij nga ShBA u përhapën në Gjermani ku u pranuan njësoj si ato të Tomas Manit dhe të lirikut, tregimtarit, teoricienit të dramës dhe të teatrit socialist modern Bertolt Breht (Bertolt Brecht, 1898-1956).

* * *

e vet, si atë të botuar ashtu edhe atë të pabotuar, ia la mikut më të mirë të tij Maks Brodit, me instruksione të qarta që ky, pas vdekjes së shkrimtarit, t’i asgjësonte. Kafka i shkruan: “Shumë i dashuri Maks, kërkesa ime e fundit: Çdo gjë që la pas vetes... në formë të ditarëve, të dorëshkrimeve, të letrave (të miat dhe të të tjerëve), të skicave e kështu me radhë, të mos lexohen dhe të digjen”. Brodi vendosi ta injorojë këtë kërkesë dhe në periudhën e viteve 1925-1935 romanet dhe tregimet e Kafkës i botoi. Në vitin 1939 Brodi iku nga nazistët për në Palestinë. Shumë letra të pabotuara, të futura në një sënduk, i mori me vete. Dashuria e fundit e Kafkës, Dora Diamant (më vonë Dyamant-Lask), po ashtu i injoroi dëshirat e Kafkës për t’ia djegur shkrimet që i posedonte ajo. I ruajti fshehurazi 20 notesë dhe 35 letra. Në vitin 1933 ato ia konfiskoi Gestapoja, por biografët sot e kësaj dite i kërkojnë.

* * *

Kafka është personaliteti letrar më misterioz i shekullit XX. Edhe pse opusi letrar i tij është modest, literatura kritike dhe publicistike për të është tejet e madhe. Si rrjedhojë, kemi një liri interpretimesh nga më të ndryshmet të veprës së tij. Karakteri disi legjendar i veprës së tij ndërlidhet edhe me fatin e pazakonshëm të teksteve, me porosinë që ia la Brodit për t’i asgjësuar ato. Derisa ishte gjallë, iu botuan vetëm disa përmbledhje tregimesh dhe skicash, si: “Metamorfoza”, “Dënimi” (Das Urteil, 1916), “Në koloninë ndëshkimore” (In der Strafkolonie, 1919), “Mjeku i fshatit” (Ein Landarzt, 1919) dhe “Artisti në uri” (Ein Hungerkünstler, 1924). Tregimin “Dënimi” e shkroi brenda një nate.

Shumë tregime, ditarët e viteve 1910-1923 si dhe romanet “Procesi”, “Kështjella” dhe “Amerika” iu botuan pas vdekjes. Në to vërehet qartas struktura e botës letrare të Kafkës: pozita e individit në mjedisin që funksionon sipas një mekanizmi alogjik, të panjohur e të padukshëm, ndërsa ngjarjet në atë mjedis zhvillohen si në një ëndërr të ankthshme. P. sh.: Një agjent tregtar zgjohet një mëngjes, i vetëdijshëm se nuk është më qenie njerëzore por kandër e madhe. (“Metamorfoza”). Qytetari që s’ka bërë ndonjë akt të paligjshëm, Jozef K. fajësohet për veprën për të cilën s’di gjë. E ftojnë në një gjykatë e cila nuk duket të jetë legale (Procesi). Një njeriu i mohet një e drejtë që i përkiste pikërisht atij (Para ligjit). Gjeodezi K., i bindur se është pranuar në punë, mbërrin në fshat para një kështjelle por nuk arrin të kuptojë se cili ishte qëllimi dhe kuptimi i ardhjes së tij (Kështjella).

Analiza e stilit tregon se përshtypja e alogjizmit buron nga mënyra nga e cila kategoria e kohës dhe e hapësirës e humbin ligjshmërinë. Kafka nuk e përfill as ligjshmërinë psikologjike, ndaj personazhet e tij e ngatërrojnë lexuesin mu ngase nuk mund t’i interpretojë ata në bazë të përvojës së vet. Në këtë pikëpamje bota e Kafkës hyn në botën e përrallës, por derisa në botën e përrallës mbizotëron fantazia mitike, te Kafka më së shumti befason pikërisht rrethana se arenë e ndodhive irracionale kryesisht është mjedisi qytetar bashkëkohor, përkatësisht përditshmëria e hirtë, në të cilën çdo gjë e ka veçorinë e vet reale, ndërsa të deformuar janë vetëm raportet midis gjërave dhe dukurive.

Sipas disa interpretimeve, vepra e Kafkës duhet të kuptohet si një sërë alegorish, që bazuar te stili do të ishte në përputhje me thjeshtësinë lapidare të gjuhës së shkrimtarit. Por, pikëpamja e tillë nënkupton një sistem të paramenduar të nocioneve alegorike, mu si në letërsinë mesjetare. Por në modelet e marrëdhënieve të çrregulluara, të tjetërsimit të njeriut dhe të shqetësimit metafizik që i ndërton Kafka, një gjë të tillë nuk e kemi.

Veprat më të rëndësishme të tij, tregimi “Metamorfoza” dhe romanet “Procesi” dhe “Kështjella” shtjellojnë tematika që paraqesin arketipa të alienimit, të brutalitetit psikofizik, të konfliktit në relacionin prindër-fëmijë, të personazheve në udhëtime të frikshme dhe të transformimeve mistike.

Duke studiuar traditën stilistike të groteskut, sidomos të periudhës së ekspresionizmit në Evropën qendrore, kritika letrare për veprën e Kafkës zbulon pikëpamje të reja.

Rëndësi letrare të madhe kanë edhe dëshmitë intime të Kafkës, “Ditarët” (Tagebücher, 1937, 1951) dhe “Letrat” (Briefe, 1937, 1958) që flasin për dramën personale të autorit si dhe për dimensionet e thella shoqërore dhe metafizike të spiritualitetit të tij. “Letra Milenës” (Briefe an Milena, 1952) është një dokument tronditës për përjetimet shpirtërore të Kafkës gjatë miqësisë me Milena Jesenskën në vitet 1920-1923.

KRIJUESIT LETRARË, KRITIKËT DHE ESTETËT PËR VEPRËN E KAFKËS – Me Kafkën janë marrë dhe vazhdojnë të merren kritikët dhe studiuesit më eminentë të botës së letrave, përfshi edhe filozofët, estetët, psikanalistët, psikiatrit, psikologët.

Analiza e veprave të tij bën të mundur interpretime të ndryshme. Kritikë të ndryshëm e kanë radhitur në drejtime letrare artistike të ndryshme. Shkrimtarë dhe poetë të drejtimeve të ndryshme kanë tentuar ta përvetësojnë Kafkën duke thënë se ai është paraardhës i drejtimit të tyre. Kafka i takon avangardës: realizmit magjik, ekzistencializmit, ekspresionizmit, surrealizmit. Kritika e konsideron si njërin nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më me ndikim të shekullit XX. Me stilin e të shkruarit, i takonte avangardës, drejtim ky i fazës së mesme të modernizmit, por me veprimin e vet ndikoi me të madhe në shumë stile të modernizmit të vonshëm, përfshi edhe ekzistencializmin.

Përkitazi me interpretimin e veprave të Kafkës, estetët marksistë kanë pasur dallime të mëdha ndër vete. Njëra palë e ka akuzuar për shkatërrim të realitetit, ndërsa pala tjetër ka pohuar se e kritikon kapitalizmin. Çështja në është Kafka autor politik ose jo, edhe sot është objekt debati.

Dëshpërimi dhe absurdi që janë të shpeshta në veprat e tij, konsiderohen shenja të ekzistencializmit. Disa vepra të Kafkës kanë lindur nën ndikimin e ekspresionizmit, por pjesën më të madhe të opusit të tij e karakterizon zhanri modernist. Por, ka studiues që thonë se krijimtaria e Kafkës nuk mund të përfshihet në asnjë drejtim letrar.

Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960) dhe Zhan-Pol Sartrë (Jean Paul Sartre, 1905-1980) janë në krye të listës së gjatë të shkrimtarëve mbi të cilët ka ndikuar vepra e Kafkës.

Opusi i Kafkës solli në teorinë e letërsisë termin “atmosferë kafkiane”. Me këtë shprehje shënohen situatat e pazakonshme që janë të ngjashme me ato të veprave të tij, e sidomos të “Procesit” dhe të “Metamorfozës”. Shembuj të atmosferës së tillë janë situatat në të cilat burokracia dominon mbi individin, shpesh në një mjedis surreal, të ankthshëm që shkakton ndjenjën se ke mbetur pa pikë shprese, i lënë vetë e pa kurrfarë ndihme, se ndodhesh në humbëtirë. Në një atmosferë të tillë personazhet rëndom nuk kanë ndonjë vizion të qartë sesi të dalin prej saj. Elementet kafkiane shpesh paraqiten në veprat ekzistencialiste. Por, ky term nuk përdoret vetëm në interpretimet letrare. Sot përdoret për të shënuar ngjarjet dhe situatat e përditshme që janë pashpjegueshëm komplekse, bizare dhe groteske.

Veprat e Kafkës janë lëvduar nga shumë kritikë letrarë. Kritiku austriak Oskar Valcel (Oscar F. Walzel, 1864-1944) qysh në vitin 1916 stilin e Kafkës e ka krahasuar me atë të fon Klajsitit. Kafka çmohej lartë nga poeti britanik-amerikan Uistan Hju Odën (Wystan Hugh Auden, 1907-1973), nga prozatori ruso-amerikan Vladimir Nabakov (1899-1977), nga prozatori kolumbian Garsia Markez (Gabriel Garcia Marquez, 1928-2014).

Uistan Hju Odën e ka quajtur Kafkën “Dante i shekullit XX”. Vladimir Nabakovi e renditi në mesin e shkrimtarëve më të mirë të shekullit XX. Garsia Markezi thotë se pikërisht “Metamorfoza” e Kafkës ia ka bërë me dije se “mund të shkruash edhe ndryshe”. Alber Kamy në veprën e vet “Shpresa dhe absurdi në veprën e Franc Kafkës” thotë: “Arti i Kafkës i shtyn lexuesit që veprat e tij t’i lexojnë përsëri”. Kafka e ka trajtuar edhe temën e konfliktit të njeriut me burokracinë. Shkrimtari amerikan Uilliam S. Barou (William S. Burroghs, 1914-1997) thotë se “ato vepra janë të përqendruara në konceptet e luftës, të dhimbjes, të vetmisë dhe të nevojës për të pasur lidhje”. Të tjerë, midis tyre edhe Tomas Man, veprat e Kafkës i quajnë alegori: “kërkim i Perëndisë në mënyrë metafizike”. Filozofi francez Zhil Delez (Gilles Deleuze, 1925-1995) dhe psikoterapeuti e filozofi francez Pjerë-Feliks Gyatari (Pierre-Felix Guattari, 1930-1992) thonë se “temat e alienimit dhe të përndjekjes, ndonëse të pranishme në veprat e Kafkës, janë zmadhuar prej kritikëve”. Prozatori çek, francez i natyralizuar Milan Kundera (1929) thotë: “Humori surreal i Kafkës do të mund të ishte inversion i Dostojevskit, i cili paraqet personazhe të dënuar për krim. Në veprën e Kafkës ndërkaq, personazhi dënohet pa bërë krim. Për situatat karakteristike Kafka është inspiruar nga jeta në shtëpinë patriarkale dhe në shtetin totalitar”.

Filozofi, muzikologu dhe eseisti gjerman Teodor Adorno (Theodor Adorno, 1903-1969) në veprën e vet “Aufzeichungen zu Kafka” (1953) në veprat e Kafkës vë në dukje kontrastin midis reales dhe surreales. Duke u nisur nga fakti se proza e Kafkës përkufizohet si parabolë, Adorno thotë: “Ajo paraqet një terren të përshtatshëm interpretimi. Çdo fjali thotë: interpretomë, por autori, me stilin e vet e bën të pamundur një gjë të tillë”.

Teoricieni kroat i letërsisë Viktor Zhmegaç (1929) flet për dy karakteristika të opusit të Kafkës. Ai thotë: “Kafkën e njohim për romanet dhe për prozën e shkurtër. Edhe po të mos i kishte romanet, ai pa dyshim do të ishte renditur në radhët e mjeshtërve të prozës së shkurtër, siç janë: tregimtari dhe poeti amerikan Edgar Alan Pou (Edgar Allan Poe, 1809-1849), novelisti dhe dramaturgu rus Anton Pavloviç Çehov (1860-1904) dhe tregimtari, poeti dhe eseisti argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges, 1899-1986). Proza e shkurtër e tij nuk është më shumë se pesëdhjetë faqe. Pikërisht kjo shkurtësi lakonike, e përqendruar e shprehjes është një nga karakteristikat themelore të stilit të tij”. Sipas Zhmegaçit, “karakteristikë tjetër e Kafkës është se ai nuk është i prirë për prozën kritike”. Zhmegaç thotë se Tomas Mani, tregimtari, eseisti dhe dramaturgu austriak Robert Muzil (Robert Musil, 1880-1942), romancieri dhe eseisti austriak me prejardhje çifute Herman Broh (Hermann Broch, 1886-1951), romancieri, eseisti, dramaturgu dhe poeti francez Andre Zhid (Andre Gide, 1869-1951), prozatorja dhe eseistja angleze Virxhinia Ulf (Virginia Woolf, 1882-1941), dramaturgu irlandez Xhorxh Bernard Sho (Georg Bernard Shaw, 1856-1950), dhe dramaturgu e tregimtari italian Luigji Pirandelo (Luigi Pirandello, 1867-1936) si dhe ekspresionistët e futuristët janë shembuj të kundërt autorësh të cilët në të njëjtën periudhë kur edhe Kafka, “krijuan vepra të bazuara në programe poetike apo me komente eseistike. Një gjëje të tillë Kafka i është shmangur. Ai e shkel parimin e shkruar të letërsisë moderniste të hershme”.

Ka pasur studiues që kanë thënë se në veprën e Kafkës ka ndikuar përvoja e tij si studiues i drejtësisë. Në krijimet e tij sistemi juridik kryesisht është opresiv. Në veprat e tij ligjet nuk janë veçse vendime të forcave anonime dhe të padukshme, të fshehura nga individët, që e kontrollojnë jetën e njerëzve, e që janë viktima të pafajshme të sistemit që është jashtë kontrollit të tyre.

Disa thonë se do vepra të Kafkës janë marrë si tepër serioze, pa e merituar të trajtohen si të tilla. Në thelb, ato janë shumë më të hareshme se ç’duket në shikim të parë.

NDIKIMI LETRAR DHE KULTUROLOGJIK – Për dallim nga shkrimtarët e tjerë të njohur, Kafka nuk është i cituar gjithaq prej autorëve të tjerë. Shkrimtari dhe kritiku izraelit, Prof. Shimon Sandbank (1933) thotë: “Horhe Luis Borhes, Alber Kamy, Ezhen Jonesko dhe Zhan-Pol Sartrë janë disa prej shkrimtarëve mbi të cilët ka ushtruar ndikim Kafka”. Kritiku letrar i gazetës Financial Times thotë: “Kafka ka ushtruar ndikim edhe mbi nobelistin portugez Hose Saramago (Jose Saramago, 1922-2010), ndërsa kryeredaktori Al Silverman pohon se “veprat e Kafkës kishte dëshirë t’i lexonte edhe shkrimtari amerikan Jerome David Salinger (Jerome David Salinger, 1919-2010)”. Në vitin 1999 grupi prej 99 shkrimtarëve, dijetarëve dhe kritikëve e shpallën “Procesin” roman të dytë më të rëndësishëm të shekullit XX në gjuhën gjermane, ndërsa “Kështjellën” – roman të nëntë. Profesor Shimon Sandbank thotë: “Përkundër faktit se Kafka është i pranishëm kudo, stili enigmatik i tij duhet studiuar edhe më”. Neil Page i cili merret posaçërisht me Kafkën thotë: “Ndikimi i Kafkës e tejkalon letërsinë dhe shkencën mbi letërsinë. Ai ndikon në artin pamor, në muzikë dhe në pop-kulturë”. Profesori i letërsisë gjermane dhe semite në UC Santa Barbara, i lindur në Krakov të Polonisë Heri Shtajnhauer (Harry Steinhauer, 1905-2006) thotë: “Kafka ka ndikuar mbi shoqërinë e shkolluar si asnjë shkrimtar tjetër i shekullit XX”. Maks Brodi thotë: “Shekulli XX do të njihet si shekull i Kafkës”. Profesori i letërsisë krahasuese Mishel-Andre Bosi (Michel-Andre Bossy) shkruan: “Kafka ka krijuar shoqëri burokratike jofleksibile rigide dhe sterile. Ai shkruante në mënyrë të rezervuar duke përdorur terminologji juridike dhe shkencore. Megjithëkëtë, për ta paraqitur irracionalen në rrënjën e botës, në dukje racionale, universi i tij serioz kishte edhe humor”.

e tij janë të robëruar, në huti, përplot faje, të frustruar dhe nuk mund ta kuptojnë botën e vet surreale. Është krijuar një letërsi post-kafkiane tejet e madhe, sidomos letërsi e fantastikës shkencore që i ndjek temat e veprave të Kafkës. Shembull eklatant është nënzhanri cyberpunk, i cili elementet antiutopiste i kombinon me një botë, teknikisht superiore, por të depersonalizuar. Disa nga këto elemente vërehen në veprat e prozatorit anglez Xhorxh Oruel (George Orwell, emri i vërtetë Eric Arthur Blair, 1903-1950) dhe të autorit amerikan Rej Bredbari (Ray D. Bradbury, 1920-2012).

* * *

Modernizmi solli alienimin (tjetërsimin), ndërsa nocioni i absurdit ishte obsesion i dekadave të shekullit të kaluar. Në këtë hapësirë kohore lindin edhe veprat e Kafkës. Rrjedhimisht, si nocion kyç për ta kuptuar literaturën e Kafkës, shumë kritikë insistojnë për alienimin. Të kuptuarit e Kafkës është shumë më tepër se lament (vajtim) për njerëzit, të cilët bashkëkohësia i kishte larguar nga thelbi i tyre, nga bukuria e të jetuarit. Në veprën e Kafkës alienimi ka qenë një pikë thelbësore. Sipas pikëpamjeve konservatore, “alienimi i paraqitur nga Kafka, tashmë nuk është relevant për një shoqëri e cila e ka eliminuar alienimin”.

Për estetët e marksizmit dogmatik, Kafka është armiku numër një dhe më i rrezikshëm i artit realist. Bazuar te “Metamorfoza”, ata thonë se Kafka bën dehumanizimin e qenies njerëzore. Sipas tyre personazhet e Kafkës janë tipa të cilët nuk ndërmarrin asgjë për ta ndryshuar realitetin e hidhur. Para atij realiteti ata dorëzohen dhe nënshtrohen. Duke qenë tipa që s’i bëjnë dot ballë të keqes, ata e ushqejnë atë dhe rendin shfrytëzues.

Në sistemet totalitariste, vepra e Kafkës ka qenë e ndaluar. Ai është në krye të shënjestrës të antisemitëve, të nazistëve, të stalinistëve, të tiranëve, të despotëve, të diktatorëve, të autokratëve, të pushtetarëve autoritarë, të regjimeve totalitare, dogmatike dhe antidemokratike.

Kafkën e përvetësojnë majtistët perëndimorë, liberalët, antinazistët, demokratët, lëvizjet feministe, pacifiste, të gjelbrit. Ndër çifutë, ndër hebrenj dhe në Izrael figura e tij ndodhet në qendër të panteonit.

Me ndikimin që ka ushtruar mbi tërë letërsinë bashkëkohore, Kafka është një nga autorët universalë të letërsisë botërore dhe krijues i modeleve poetike më sugjestive të shekullit XX. Për inteligjencien humane ai është artist i madh. Ndikon edhe sot, do të ndikojë edhe në të ardhmen. Mbi Kafkën vërsulen interpretime të reja, sa brilante aq edhe të pasakta. Vepra e Kafkës nuk është në shërbim të asnjë ideologjie. Ajo është universale, ndaj s’ka njësi kohe dhe hapësire që artin e madh e hedh në harresë. Çdo brez i ri e zbulon Kafkën dhe pasi ta njohë njëherë, kurrë nuk heq dorë prej tij. Kryeidhulli i modernizmit mbetet ai që është.

* * *

Çekët nuk rreshtin së theksuari se Kafka lindi, u rrit, u shkollua, u punësua dhe jetoi në Pragë. Ndonëse të gjithë biografët e Kafkës, pos atyre çekë, thonë se në shtëpinë e tij flitej gjermanishtja, çekët flasin ndryshe. Sipas tyre, gjuhë amtare e tij ka qenë çekishtja. Ata e marrin për shkrimtar çek edhe pse të gjitha veprat i shkroi në gjermanisht. Në konferencën e mbajtur në vitin 1963 në Liblice të Çekosllovakisë me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Kafkës u theksua vlera e përhershme e paraqitjes së shoqërisë burokratike nga Kafka.

Në Pragë është hapur Muzeu “Franc Kafka” kushtuar jetës dhe veprave të tij. Pjesë e muzeut është edhe ekspozita “Qyteti K. Franc Kafka dhe Praga” e cila për herë të parë u ekspozua në Barcelonë në vitin 1999. Pas kësaj, u ekspozua në Muzeun hebraik në Nju-Jork , ndërsa prej vitit 2005 është pjesë e përhershme e muzeut të Pragës.

i Pragës dhe Shoqëria “Franc Kafka”, në vitin 2001 kanë themeluar çmimin letrar vjetor që mban emrin e Kafkës. Ky çmim jepet për veprën letrare me përmbajtje humane që i kontribuon tolerancës kulturore, kombëtare, gjuhësore dhe fetare, për veprën me karakter ekzistencial, jashtëkohor, me vlerë njerëzore të përgjithshme, të aftë për të qenë dëshmitar i kohëve tona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat