Vrasësi i ujkut

Kultura

Vrasësi i ujkut

Nga: Biser Mehmeti Më: 16 qershor 2020 Në ora: 11:07
Biser Mehmeti

Kur Stas K. zbriti nga bjeshka hipur mbi një kalë, pajetër që duhej të ndihej njeriu më i lumtur në botë. Ishte fillimi i dimrit kur pas një qëndrimi prej disa muajve ai kishte zbritur si një hero i madh nga maja e lartë e bjeshkës. Atje kishte shkuar për të kryer një mision tepër të rëndësishëm, për të cilin fshatarët thoshin se është “mision i pamundur”: për ta vrarë ujkun, i cili tash e disa vite u shkaktonte fshtarëve mynxyra të mëdha. Përveç që ua shkatërronte bagëtinë, ujku ua rrezikonte jetën fshtarëve, të cilët i mbështillte një panik i madh. Fshatarët shpesh nuk guxonin të dilnin në fushë nga frika se i sulmonte ujku, për të cilin nuk dyshonin se ishte mjaft i rrezikshëm. Kullosat dhe stanet gjatë pranverës kishin mbetur të shkreta, ngase asnjë për be nuk kishte guxim të shkonte atje! Ka mundësi që ujku disa fshatarë i kishte mbytur, por një gjë të këtillë e mbanin të fshehur!... Stas K. si fëmijë kishte qenë frikacak aq i madh sa natën kurrë s’kishte guxuar të dilte nga shtëpia për ta bërë nevojën pa përcjelljen e dikujt nga familja! Prandaj edhe shkuarja e tij në bjeshkë me mision të shenjtë për ta vrarë ujkun shumëkë e kishte lënë gojëhapur, duke i bindur se e gjithë ajo frikë që flitej për të ishte gënjeshtër me qëllim që ta fyenin atë. Disa fshatarë të poshtër pëshpërisnin pa fije turpi duke thënë se nuk besonin në asnjë mënyrë se Stas K. kishte shkuar në bjeshkë, sepse vetëm fjala “ujk” atij ia kishte ngritur flokët përpjetë, kurse në bark ia kishte shtirë njëqind palë ethe! Disa shokë të tij, të cilët në kohën e fëmijërisë e kishin rrahur si të ishte një qen i zgjebosur e të cilët e tallnin pa mëshirë duke e quajtur Stas Kryekali, thoshin se ai ishte fshehur në ndonjë skaj të shtëpisë, nga i cili do të dilte vetëm kur të dëgjonte se ujku në mal kishte ngordhur nga uria gjatë kohës sa dimri ngrinte çdo gjë në natyrën e sertë...

Megjithatë, kthimi i Stas K. nga bjeshka ishte një ngjarje tepër e bujshme, sikur kur bie rrufeja në qiell të kthjellët sa shumëkë e la pa frymë...

- Hej, popull i mjerë... popull frikacakë!... Stas K. është kthyer nga bjeshka ku ka luftuar me ujkun fyt për fyti!... Jo more vetëm me një ujk, por në bjeshkë kishin qenë njëqind ujq, të cilët trimi ynë me zemër si të luanit, i ka vrarë fillikat... Ha-ha! Nuk besoni se Stas K. i ka vrarë njëqind ujq!... Po, po, ia keni inatin atij dhe familjes së tij!... Dilni, o injorantë të poshtër, e shihni lëkurat e ujqve, të cilat trimi zemërmadh i ka sjellë nga bjeshka si dëshmi se të gjithë i ka vrarë me duart e veta!... Kur t’i shihni lëkurat e ujqve, varrosne dyshimin dhe inatin në shpirtin e juaj...

Tri ditë tellalli, një mesoburrë me fytyrë të hajthme, klithi e u çjerrë nëpër rrugën kryesore të fshatit me zë të lartë:

- Stas K. na çliroi nga zullumi i ujqve!... Tash mund të dilnin të lirë nga shtëpitë e juaja në të cilat jeni mbyllur nga frika prej një bishës së tmerrshme... mund të shkoni pa kurrfarë frike në stane të kullosni bagëtinë!...

Disa ditë u fol e u përfol vetëm për heroizmin e pashoq të Stas K. Kudo që shkoje vetëm për të flitej me pietet të lartë. Frikacaku i dikurshëm ishte shndërruar në një hero e pastaj në legjendë të gjallë. Edhe fëmijët ishin mahnitur me trimërinë e tij sa e krahasonin me një personazh nga një legjende që e kishin mësuar në shkollën e fshatit. Shumica prej fëmijëve ëndërronin që një ditë kur të rriteshin të bëheshin trima si Stas K.. Dy rapsodët më të njohur popullorë pas tri ditësh ia kushtuan një këngë Stas K. të cilin e krahasonin me trimërinë e Gjergj Elez Alisë...

Kaluan disa ditë prej se fshatarët u ngazëllyen për kthimin e Stas K. nga bjeshka. Prej asaj dite më nga bjeshka nuk dëgjoheshin ulërimat e thekshme të ujkut nga të cilat fshatarët nuk arrinin të bënin gjumë të qetë... Të gjithë fshatarët, i madh e i vogël, plak e i ri, prisnin me padurim ta shihnin me sytë e tyre trimin më të madh të të gjitha kohërave që kishte dalë nga gjiri i kësaj ane... Mirëpo, kreshniku i këtyre maleve, i cili kishte luaftuar sypatrembur fillikat fyt për fyt me ujqit e uritur, s’po dukej askund në fshat. Ishte mbyllur në shtëpi dhe nuk dihej pse nuk dilte jashtë për t’i takuar fshatarët. Disa nga fshatarët i kaploi krimbi i dyshimit se ai vërtet ishte kthyer nga bjeshka. Disa filluan të pëshpërisin sikur trimi gjatë përleshjes me një ujk plak në trup kishte marrë nëntë ose më shumë plagë, andaj për nëntë vjet si Gjergj Elez Alia do të dergjej në shtrat. Disa me zë të heshtur thoshin se te koka e tij ditë e natë i qëndronte motra e tij, e cila ia shëronte plagët e trupit me ujin e gurrës dhe me lotët e saja... Si për inat të atyre që flisnin gjëra kaq të neveritshme, Stas K. u shfaq befas në mes të turmës kokëlartë, krenar e hijerëndë. I madh e i vogël, plak e i ri mbetën të shastisur sikur ta shihnin kufomën e trimit si qëndronte në mes të tyre. Disa madje nuk u besonin as syve, as mendjes se trimi, i cili i kishte kaluar kufijtë e legjendës, qëndronte i gjallë në mes të tyre. Stas K. si një hero që papritur del nga përrallat, qëndronte i shtangur me një vështrim të rreptë e disi kërcënues ndaj të gjithëve. Ishte veshur me rroba të gjahtarit, nëpër të cilat shquheshin do njolla gjaku të tharë, kurse në supe kishte vënë edhe pushkën e gjatë, e cila në disa vende ishte e ndryshkur. Qondroi çehervërenjtur, me sy të zgurdulluar, me kraharorin e nxjerrë jashtë si gjeldeti... Pas një kohe të shkurtër, kur u bind se asnjëri nga fshatarët s’dëshironte të thoshte asnjë fjalë, zuri të zgërdhihet, mbase për inat të atyre që kishin dyshuar në trimërinë e tij... Trupi i tij i vogël zuri të mbulohet nga grumbulli i fshatarëve, të cilët shtyheshin në mes veti. Secili dëshironte të ishte sa më afër kreshnikut të këtyre bjeshkëve, madje edhe ata që deri para pak çastesh kishin trilluar gënjeshtra të shumta për të. Ai që arrinte ta prekte dorën ose vetëm një pjesë të trupit të tij, ndihej mjaft i ngazëllyer sikur të kishte prekur një shenjëtor, i cili ka ardhur nga një skaj i parajsës... Vetëm një numër i vogël i fshatarëve qëndruan anash disi indiferentë dhe me sy të zgurdulluar e vështroin heroin, i cili u dukej sikur nuk ishte njeri i zakonshëm, po sikur të ishte një profet që kishte zbritur nga qielli e pas pak çastesh sërish do të kthehej atje. Ndjenja se pas pak ai do të kthehej në qiell, atje ku e kishte folenë, sikur ua ndalte, jo vetëm frymëmarrjen, por edhe zemrat. Sikur të kishin mundësi do të shkonin në vend të tij në qiell! Stas K. i duhej këtij vendi më shumë se çdokush tjetër!... Fshatarët ende s’e kishin larguar frikën nga zemrat se një ditë bjeshka përsëri mund të mbushej me ujq dhe vetëm Stas K. kishte guxim të shkonte në bjeshkë për t’i vrarë...

Kreshniku i maleve vazhdoi të qëndronte i heshtur edhe për një kohë të gjatë. Shpesh vështrimin e rëndë e hidhte te maja e bjeshkës. Të gjithë dëshironin të dëgjonin një fjalë nga goja e tij, po ai gjithnjë heshtte si guri i varrit. Disa filluan të dyshonin sikur gjatë kohës sa ishte orvatur ta mbyste ujkun, ai ia kishte hëngër gjuhën. Stas K. vetja i dukej sikur një shpend i lodhur që ka bërë një rrugë tepër të gjatë e tash ka nevojë të çlodhet. Gjërat që e rrethonin i shëmbëllenin në ujkun plak, i cili sikur ia kishte zgurdulluar sytë dhe munduhej ta hante... Pas disa çastesh, kur të gjithë ishin bërë gati të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre, dikush nga turma lëshoi një zë të fuqishëm si të murmurimës:

- Pa na thuaj një herë, o kreshniku i këtyre bjeshkëve, a ishte vështirë ta vrasësh ujkun!...

Me sytë e tij të skuqur, nga të cilët sikur rridhte gjaku rrëke, Stas K. disa çaste me shikimin e tij të lodhur e kërkoi atë që foli me një zë të lartë nga grumbulli i fshatarëve, edhe pse ai gjendej afër tij. Në mes të turmës mbizotëroi një heshtje e kobshme, e cila sikur ndillte kob. Pas një kohe të shkurtër sytë e zgurdulluar të Stas K. që u shëmbëllenin syve të ujkut të tërbuar, u ndalën mbi një mesoburrë me shtat të lartë e me fytyrë të djegur nga diellit. Të gjithë filluan t’i gozhdojnë shikimet zhbiruese te ai që kishte guxuar të fliste me trimin. Diçka u thoshte se ai që foli nuk ishte i gjallë si ata, se ai ishte një kufomë, të cilit ujku ia kishte lënë vetëm eshtrat, po që gabimisht kishte hyrë në mesin e të gjallëve... Sa çel e mbyll sytë Stas K. e largoi pushkën nga supi e pastaj e drejtoi nga fshatari që kishte pasur guxim të fliste. Kur e pa pushkën e drejtuar në kokën e tij, fshatari u shtang nga frika e vdekjes. Në fytyrën e tij s’kishte mbetur pikë gjaku. Në fytyrën e tij të gjithë e panë trajtën e një vdekjeje të stërkequr që sorollatej ngadalë dhe sikur kërkonte një vend për t’u ndalur... Disa çaste të gjithë në ankth pritën që të dëgjohej ndonjë krismë e gjatë, e cila do të dilte nga pushka e Stas K. Në vend të krismës së thekshme, u dëgjuan do fjalë të zgjatura me tinguj të kumbueshëm, që dilnin nga goja e Stas K. dhe të cilat e mbushën hapësirën cep me cep me një jehonë të çakorduar...

- Aha, ti qenkëshke ai idioti që kur isha fëmijë gjithnjë më rrihje!... madje edhe kur të përgjërohesha me zemër të plasur që të mos më rrihje, ti më rrihje edhe më shumë derisa më përgjakje!... Ti kurrë s’ke pasur mëshirë ndaj meje!... Gjithnjë më ke përqeshur me ironi!... Gjithnjë je tallur me mua dhe kjo të ka sjellë kënaqësi të madhe!... Gjithnjë edhe të tjerët i ke nxitur të tallën me mua!... Gjithnjë më keni larguar nga shoqëria si të isha një qen i zgjebosur!... Ti dhe të tjerët kurrë s’më keni quajtur me emër të vërtetë, por me përbuzje më keni quajtur Stas Kryekali!... Po, po, edhe tash unë jam ai Stas Kryekali... Prej asaj kohe s’kam ndryshuar fare...

Ende pa i mbaruar mirë fjalët e fundit u dëgjuan tri ose më shumë krisma të thekshme, të cilat e mbështollën hapësirën me një ushtimë të kumbueshme, nga të cilat disa korba fluturuan nga degët e lisave me degë të zhveshura. Pastaj një heshtje e rëndë si ajo që mbizotëron në varr e mbështolli hapësirën dhe të gjithë fshatarët që qëndronin të ngurtësuar si të ishin kufoma... Fshatari që kishte guxuar të fliste ra si një lis i prerë në tokë. Askush s’pati guxin ta prekte trupin e tij. Askush s’guxoi të fliste, edhe pse kishin dëshirë ta bënin një gjë të këtillë. Askush s’u besonte as syve, as mendjes se ajo që shihnin e që përjetonin nuk ishte një ëndërr e kobshme, e cila pas pak do të zhdukej... O Zot, Stas K. s’ishte më ai fëmija që frikësohej nga të gjithë, me të cilin të gjithë talleshin pa mëshirë. Ai ishte bërë një hero i madh, i cili guxonte edhe të vriste kë të donte e askush asnjë fjalë të mos guxonte t’ia thoshte...

Pas pak nga turma e heshtur u shkëput një plak i rreckosur, i cili me hapa të rëndë u afrua të Stas K., u përkul para tij tri ose më shumë herë e pastaj qeshi me zë të ngazëllyer. Ia rrëmbeu dorën trimit e pastaj ia puthi tri ose më shumë herë. Nga sytë e plakut të rreckosur fshatarët panë lotët si i rrodhën rrëke, po nuk e dinin nëse ishin lot gëzimi apo lot pikëllimi...

- Ti je i lirë të na vrasësh të gjithëve... sepse na ke çliruar nga ujqit!... Të gjithë jemi robër tu!... Ai që të kundërshton ty është kundër popullit... është kundër kombit... është kundër shtetit... është kundër Zotit...

Në fytyrën e Stas K. u përshkua një qeshje enigmatike. Me sytë e ngazëllyer e vështroi turmën si zuri të shpëndahet në heshtje rrugës për në shtëpitë e tyre. Vetëm njëri prej tyre vazhdoi të qëndronte i shtrirë në tokë, i larë në gjak. Nuk ishte vështirë të kuptoja çfarë mendimesh bluanin nëpër kokat e tyre fshatarët derisa ecnin drejt shtëpive të tyre...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat