Akademia e Studimeve Albanologjike, 50 tituj librash për bibliotekën e Librazhdit

Kultura

Akademia e Studimeve Albanologjike, 50 tituj librash për bibliotekën e Librazhdit

Më: 16 qershor 2020 Në ora: 13:22
Foto Ilustrim

Bashkia e Librazhdit dhe Akademia e Studimeve Albanologjike do të bashkëpunojnë jo vetëm në fushën e historisë, por edhe në fusha të tjera si: gjuhësi, folklor, arkeologji, etnografi, folklori, bibliotekonomi etj.

Kështu u theksua gjatë takimit të zhvilluar mes kryetarit të bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra me Kryetarin e Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof.Mariglen Verli.

Ky takim pati për objekt konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet bashkisë Librazhd dhe Qendrës së Stidimeve Albanologjike, për studimin e historisë lokale të Librazhdit, bashkëpunim ky i filluar që në vitin 2018, në kuadrin e Vitit të Skënderbeut. Në atë vit u organizua dhe Konferenca e Dytë mbi Aranitët, materialet e së cilës u botuan në përmbledhjen “Aranitët në Librazhd”.

Rezultat konkret i takimit të sotëm qe firmosja e kontratës për Konferencën e ardhshme këtu në Librazhd, me temë “Librazhdi në optikën e defterëve osmanë”.

Gjithashtu, Kryetari i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Prof Verli i dhuroi Bibliotekës së qytetit një sasi prej 50 tituj librash, në 2 kopje, me temë nga fushat albanologjike, sasi kjo që, sipas tij, do të përsëritet me tituj të tjerë të rinj, deri sa të arrihet një sasi e mjaftueshme për krijimin e fondit albanologjik të literaturës pranë Bibliotekës së bashkisë Librazhd.

Në vijim të punës për ta pasuruar dhe bërë sa më funksionale këtë bibliotekë, Prof Verli ofroi mundësinë e kualifikimit të personelit të saj pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike, kualifikim ky që do të bëjë të mundur rikonceptimin dhe organizimin e Bibliotekës sipas kritereve dhe standardeve digjitale bashkëkohore.

Nga ana e kryetarit të bashkisë, Kastriot Gurra u premtua mbështetje institucionale dhe sipas mundësive, edhe financiare, për realizimin sa më cilësor dhe të efektshëm të këtyre projekteve bashkëpunuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat