‘Afër detit, afër mbretit’ – Rrëfimi i nipave dhe djalit të shkrimtarit Rifat Kukaj

Kultura

‘Afër detit, afër mbretit’ – Rrëfimi i nipave dhe djalit të shkrimtarit Rifat Kukaj

Nga: Arbër Selmani Më: 16 qershor 2020 Në ora: 14:37
Foto Ilustrim

“Kam qenë me prindërit, gjyshin dhe gjyshen në Ulqin, njeriu i fundit që e ka pa gjyshin gjallë jom unë. Gjithçka ka ndodhur në Plazhin e madh të Ulqinit, në vitin 2005. Gjyshi ka pasë shumë vullnet për jetë. Qat ditë që ka vdekë, edhe ditën paraprake, gjithmonë thoshte –‘kom me rrnu 90 vjet’. Ditëve të fundit thoshte ‘afër detit, afër mbretit’, sikur e ndjente vdekjen, nuk o kon besimtar i madh, por në Zot ka besu. Pati sulm në zemër dhe nuk ka pasë mundësi me shpëtu. Unë kam ecë pak para tij dhe kur u ktheva mrapa, e pashë tuj ra në shpinë, bash në pjesën ku e kanë rrokë edhe dallgët e detit”.

Gjyshi i detit, është gjyshi i këtij djali që fillon të na shpalosë rrëfimin. Ky është Bardh Kukaj.

Rifat Kukaj, një shkrimtar i njohur për fëmijë, kësisoj do ta kishte fundin e jetës, afër detit dhe Ulqinit, këtij vendi që aq shumë i kishte lënë përshtypje. Ulqini dhe Tërsteniku – vendlindja e tij, ishin dashuritë e mëdha të Rifat Kukajt. Bardh Kukaj, nipi i Rifat Kukajt, na bashkohet në këtë rrëfim bashkë me vëllaun e tij, Dren Kukajn, për të na rrëfyer më shumë për shkrimtarin e njohur, prozatorin, poetin, skenaristin, përkthyesin, gjyshin psikolog. Kujtimet do t’i ndajë me ne edhe Migjen Kukaj, një nga tre djemtë e Rifat Kukajt.

Plazha e Madhe, Ulqin. Rifat Kukaj me djemtë, Migjenin (majtas) dhe Shkelzenin (djathtas)

*

“Ulqinin, gjyshi e ka dashtë shumë. Ka bile edhe shkrime të ndryshme të cilat gjyshi ia ka kushtu Ulqinit. Gjyshi ka qenë mirë me shëndet, me përjashtim të vitit të fundit kur pati pak probleme me tension, por nuk i ka dashtë mjekët, ka qenë shpirt i lirë. Nuk i ka dashtë kufizimet. Për mu ka qenë ai autoriteti kur jam fshehë prej prindërve, e kam shku tek ai që me më mbrojtë. Shumë figurë e këndshme ka qenë. E ka pasë botën e tij, madje kur kemi qenë në shtëpi edhe nëse kanë ardhë mysafirët, ai ka shku në dhomën e tij dhe ka vazhdu me lexu, veprime këto që ndoshta dikush i ka përceptu si arrogante. Shkojsha në dhomë dhe e gjejsha duke lexu libra, ka lexu shumë” tregon Bardh Kukaj, nipi i shkrimtarit Rifat Kukaj.

Me Bardhin jemi ulur në një prej kafeneve të Prishtinës dhe kësisoj ai më tregon për shkrimtarin gojëëmbël e me një dorë magjike, me një mendje të ndritshme e shpesh fëmijërore.

Rifat Kukaj dhe Atdhe Gashi

“I kemi kalu plot vera bashkë në Tërstenik. Për mëngjes, zakonisht unë e vëllau pinim lëng shtogu, gjyshja me gjyshin kafe turke. Mramjeve, gjyshi e ka majt bashçen, shpesh edhe për drekë kemi pasë sallata prej bashçes. Më pas na recitojke poezi, ose na lexonte tregime të ndryshme prej jetës së tij” vazhdon Bardhi. 

Bardhi sot është 29 vjeçar dhe ndoshta ndër gjeneratat e fundit që ka pasur fatin të rritej me plejadën e shkrimtarëve e poetëve për fëmijë, ku hyn patjetër me vulë të fortë edhe gjyshi i tij, Rifat Kukaj.

“Tek unë gjyshi ka pasur ndikim të madh. Prindërit e kanë pyt gjyshin, gjyshi u ka rekomandu që unë me u marrë me kitarë. Unë sot këndoj në shtëpi edhe i bij kitarës falë gjyshit, është një hobi që më ndihmon, kur kam kohë të lirë. Me u marrë me art më duket se ta zhvillon një pjesë tënden që ndryshe nuk zhvillohet. Këtu, gjyshi ka ndiku direkt” tregon Bardhi.

‘Kur nisën me i dëbu shqiptarët nga Kosova, gjyshi ka nejt në Prishtinë, ditët e para edhe pat pi shumë, plus villke, prej zemërimit se çka po ndodhë. E di një herë, në sallonin e banesës ku jetonim, gjyshi nisi me pi edhe më pas shkoi në banjo sepse i erdhi me vjellë, i vogël unë, kom qenë se nuk e dijsha çka po ndodhë. Ishin ditët e para të bombardimeve” vazhdon Bardhi.

Ka shumë momente, disa më simpatike se tjerat.

*

Rifat Kukaj, i lindur në Tërstenik, rritet pa baba, i cili vritet në kohën e rezistencë së udhëhequr nga Shaban Polluzha e Mehmet Gradica. Ky ishte Sheremeti, emrin e të cilit e ka marrë më pas djali i madh i Rifatit.

Dashuria më e madhe, shkrimtarit të “Lepuri me pesë këmbë” apo “Shtëpia ime ka sy” i vjen prej nënës, Halimes. Halimja thuhet të ketë qenë një grua e fortë e cila diti ta manovronte në duart e mendjen e saj patriarkalizmin e kohës. Në ato rrethan aspak të lehta, ajo do të triumfonte e nuk do ta linte Rifatin, djalin e saj të vetëm, të humbte në botë. Rifati u rrit pa motër, e pa vëlla, sado që dy vëllezër e tri motra të Rifatit nuk mbijetuan, disa vdiqën gjatë lindjes e disa në moshë shumë të vogël, nga varfëria e kohës.

“Ai nuk osht shprehë, por sigurisht që jeta pa vëlla e pa motër e ka mundu. Ai ka poezi ku përmend me mallëngjim dashurinë për familjarët, por kjo sigurisht ka qenë një brengë për të, i është dashtë me e ça jetën vet, nuk ka pasë përkrahje, më pas mungesa e babës. Babën e ka njoftë por ka qenë shtatë vjet kur osht vra baba i tij, e përmendte që po e mban në mend” tregon Migjen Kukaj, djali i mesëm i Rifat Kukajt.

Bardhi, nipi i Rifatit, djali i Sheremetit – më i madhi prej fëmijëve të Rifat Kukaj, tregon se një fotografi të babës së tij, shkrimtari Rifat Kukaj e humbi gjatë luftës në Kosovë.

“Shtëpinë në fshat e patën djegë gjatë luftës, dhe aty ka qenë edhe fotografia e babës së vet, e vetmja fotografi që ai e ka pasë prej babës e ku shihej qartë fytyra. Tjetër fotografi nuk ka pasë. E di që osht prekë shumë” tregon Bardhi.

Rifat Kukaj me Azem Shkrelin dhe shokë tjerë, rreth viteve 60-të.

*Nëse nuk keni lexuar krijime të Rifat Kukajt, bëjeni tash. Rifat Kukaj është ndoshta një prej shkrimtarëve më të mirë për fëmijë. Siç tregojnë edhe familjarët, nuk ka çmim letrar në ish Jugosllavi të cilin nuk e ka fituar, Rifat Kukaj. Çmimet ‘Ismajl Qemajl Vlora’ në Vlorë, ‘Oton Zhupaniçiç’ në Ljublanë, ‘Ivan Goran Kovaçiq’ – ky në Zagreb, Çmimi ‘Neven’ në Beograd, Çmimi ‘Zmaj’ në Novi Sad, Shpërblimet e Dhjetorit e Nëntorit dhe ‘Ganimete Tërbeshi’ në Prishtinë, janë veç disa prej organizimeve letrare që e pranuan se si Rifat Kukaj, tjetër nuk ka.

Rifat Kukaj është shkrimtari ynë me numrin më të madh të romaneve për fëmijë, si “Bardhi e Mirushja”(1968), “Vjollca magjike” (1999), “Lepuri me pesë këmbë” (1971), “Rrasa e zogut” (1975), “Kokërrmeli e pilivesa” (1972), “Gogozheli i Gogozhinës”(1999), “Një verë pa bukureza” (2003), “Zogu i bardhë” (1989) dhe në tri vëllime (2009) etj. Po ashtu, Kukaj botoi numër të madh përmbledhjesh me tregime, si “Rrëfejza” (1965), “Harmonika e vogël” (1967), “Dylbia e kapedanit” (1973), “Ujku me kamerë” (1988), “Elefanti që fluturonte” (1997), “Gjiri i Delfinit” (2002) etj, dhe me poezi: “Gjerdani i blertë” (1965), “Vallja e kallinjve” (1967), “Trimnitë e karkalecit” (1967), “Princi i Krujës” (1969), “Fshati i Pishës” (1969), “Çka fshin dhelpra me bisht” (1976), “Deti u bëftë kos” (1980), “Një xinxare lozonjare” (1989), Pshurrani i gjyshit” (1990), “Ti një kokërr unë një kokërr” (2000), “Ëndrra të trembura” (2002), “Ma jep gishtin e vogël” (2005) etj. Me një fjalë, një burrë ujëvara letrare e të cilit nuk shterroi kurrë, deri në ditën e fundit.

NËNA

Ti ke pak zjarrmi
Vogëlushe Leonorë,
E nënës i digjet
Zemra në kraharorë.

N’mëngjes, po e zëmë
S’të hahet – nuk ha,
Urinë e tërë botës
Nëna at’ ditë e ka…

Oh, pa pandehur gishtin
E gërvishte pak,
E di ç’ndodh me nënën?
Zemra i pikon gjak!

Mbi shtrojën më t’butë
Ajo shpesh këlthet:
-Kam dro’ ndonjë pupël
Vashëzën mos ma vret.

Rifat Kukaj përktheu letërsi për fëmijë edhe nga autorët kroatë, sllovenë, serb e hungarezë, ndërsa rreth 30 radio-drama mbajnë emrin e tij. Sa për kuriozitet, ai gjithmonë nëpër orët letrare i ka recituar poezitë e tij, duke i ditur përmendësh e duke mos i lexuar fjalët nga ndonjë letër. Në dasma e ahengje, shpesh e ka marrë mikrofonin dhe ka treguar humor të mirë. Ah, po, ai e ka shkruar tekstin e këngës ‘Baresha’ nga Nexhmije Pagarusha.

Vitin e kaluar, në Drenas u nda edhe një çmim special për vepër jetësore në krijimtari letrare, që mban emrin e Rifat Kukajt.

Rifat Kukaj ka qenë pjesë e Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë, i cili udhëtonte nëpër tërë Kosovën dhe viset tjera shqiptare jashtë Kosovës për të argëtuar e për të edukuar më të vegjlit, me poezi e me dashuri. Karvani ka nisur rrugëtimin që nga viti 2000, bashkë edhe me emrat tjerë jo më pak të rëndësishëm si Agim Deva, Arif Demolli, Xhevat Syla, Gani Xhafolli e plot poetë e shkrimtarë tjerë.

*
Dren Kukaj, vëllau i Bardhit, e kujton kështu gjyshin e tij, Rifat Kukajn.

“Jom rritë si fëmijë me gjyshin, plot kujtime. Na babë i kena thonë, më merrke nëpër kafe, në ‘Dubrovnik’, nëpër kafenetë tjera në Dardani. Kam kujtime edhe prej banesës në lagjen Dardania, sidomos më kujtohet makina e shkrimit dhe zhurma e saj. Gjyshi, në mëngjes dhe gjatë ditës i krynte këto kafet letrare, më pas vijke në shpi para orës 3, në 3:30 në mesditë hajshim drekë, më pas flejke, dhe kur zgjohej ose lexonte ose shkruante deri në orën tetë në mbrëmje. E di që së pari shkruante nëpër fletore e më pas dorëshkrimet i bartte në makinën e shkrimit. Plot prej vjershave i shkruante në paqetat e cigareve, atëherë ishin ‘Drina’ pa filter, dhe na lexonte neve paraprakisht” tregon Dreni, i pari prej nipave të Rifat Kukajt dhe djali për të cilin shkrimtari e shkroi librin ‘Pshurrani i gjyshit’.

“Shpija në fshat, në katin e dytë, njëra dhomë ka pasë mijëra libra që gjyshi i ka mbledhë. Gjatë luftës u kall gjithçka. Kjo i ka dhimtë shumë, sepse ka pasë libra që ndoshta sot nuk mundesh me i gjetë, ka qenë jeta e tij brenda një dhome. Mu, gjyshi ma ka dhuru një fëmijëri të lumtur, jom rritë me përralla të cilat mi ka tregu gjyshi, kujtimet e mia janë plot imagjinatë” tregon tutje Dreni.

“Ai ka qenë gjithmonë i dashtun. Si fëmijë, në fshat dilshim bashkë në gjueti, gjyshi ka qenë gjuetar, dilshim edhe ditën me gjujt pllumba, ndërsa natën më shumë përcjellshim lepujt. Ka ndodhë natën, në mal, kemi mbetë afër ndonjë shkurreje dhe pritshim deri në dy orë për me gjujt lepuj, e gjatë kësaj kohe gjyshi më tregonte çfarëdo tregimi. Një herë, e niva pushkën natën dhe ai erdhi në shtëpi, tha – kom ardhë me një mysafir, erdhi me një lepur. Për herë të parë dhe të fundit në jetë, atëherë pata hangër mish lepuri” thotë Dreni.

*

Vazhdojmë me Migjen Kukajn, djalin e Rifatit.

“Baba e nana janë martu shumë të rinj, qysh në moshën 16 vjeçare. Ka pasë shumë përkushtim për familjen, ndërsa nuk ka dashtë me lavdëru shumë njerëz. Ka qenë edhe i ngarkuar, por ka pasur një jetë bashkëshortore shumë të mirë. Baba ka punu në Radio Prishtinë deri në vitin 1975 ndërsa më pas ka kalu në Rilindje. Sa ka qenë në Radio, shihet se ka pasë më shumë angazhime, ndërsa në Rilindje ka qenë më i qetë. Baba prej natyrës ka qenë optimist, ka pasë prirje për humor. Gjithmonë mirëkuptues, dhe i avancuar, liberal si prind, nuk ka tentu me i imponu mendimet e veta”.

Migjeni mi tregon këto detaje nga Tirana, dhe meqë jemi në kohë të pandemisë, jemi larg por me anë të rrjeteve sociale, me kryefjalën Rifat Kukaj, bashkohemi për pak minuta.

Rifat Kukaj dhe Mehmet Rukiqi, te stacioni i trenit në Baicë, viti 1959

“Ka pasë shoqni të gjanë, një rreth të madh të njerëzve. Më shumë ka pasë shoqni me Azem Shkrelin, e më vonë edhe me Mehmet Rukiqin – me të cilin kanë qenë bashkë në shkollim. Kohëve të fundit, ka pasur raporte shoqërore me Odhise Grillon, ky ka qenë mik i familjes” tregon Migjeni.

“Çkado që kemi gjetë prej dorëshkrimeve, i kemi botu. Puna e babës ka qenë si bleta, petale petale, ka shkru, ka botu, ka gjetë donatorët lehtë në vitet 90-të kur nuk ka pasë financime shtetërore, ka qenë shumë i përpiktë, si bleta, veq kur e ke pa produktin gati” tregon Migjeni

*

ZOGU I LASGUSHIT

Yll i ndritur në natë qershori
Sikur ra prej gjithësisë,
Ngazëllyeshëm, sytë m’i mori
Në degë t’qershisë.

U purtekëm unë e gjethet
Qetë e lehtë me petalet,
Qielli vetë nisi të prehet
Edhe malet.

Kënga nga zogu i brishtë
Lindi krejt ëndërrimtare,
Dritë feksoi n’flatra e bisht
Dhe n’për dritare.

Gëzim, shpresë, në gji më derdhe
E hare të butë si pushi,
Zog-magji ti mirë se erdhe
Nga Lasgushi!

Ato porosi të larta
Te dritarja e shtëpisë
Po m’i thotë me vargje t’arta
Kalorësi i bukurisë.

“Çështja e shkrimit, Zoti talentin ose ta jep ose nuk ta jep. Mjerisht ne nuk kemi afinitet, askush nga familja jonë, për letërsi. E kemi dëshirën, por jo afinitetin. Ndoshta ndonjë pasardhës” tregon si duke qeshur Migjeni, kur e pyes nëse dikush nga djemtë e Rifat Kukajt, nipat apo mbesat, sot kultivon poezi e letërsi autentike. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat