Ritakimi me Etëhem Haxhiademin, i dhembshur dhe me shpresë

Kultura

Ritakimi me Etëhem Haxhiademin, i dhembshur dhe me shpresë

Nga: Visar Zhiti Më: 17 qershor 2020 Në ora: 17:26

Rivjen për të gjithë tragjediani poet, Etëhem Haxhiademi. Është ngjarje kulturore, me rëndësi, është art dhe kujtesë kombëtare, është frymë, njohje e shpirtit të së kaluarës dhe ardhmëri.

Është vepër që qëndron, që s’e mposhtën dot ndalimi i egër, burgu mizor i diktaturës, vdekja e Autorit në burg, harresat e rënda, humnerore.
E rilexova me ëndje dhe mall, menjëherë, sa po i solli posta librat dhe dita m’u duk si me lajmin e mirë. 

 ...Miku i tim eti, - thashë me vete, - që ia kishte ruajtur librat edhe gjatë përndjekjeve, shkrimtari i ndaluar që e kisha lexuar fshehurazi në rininë e parë dhe isha magjepsur.

Kur shkonte në Elbasan, im atë më merrte dhe mua fëmijë, kam njohur familjarë të Haxhiademit, por mungesa e tij aty më dukej si padrejtësi, si torturë dhe sikur më shfaqej atyre mureve fantazma shekspiriane e Autorit, ndikim leximesh.

...Dhe tani gjatë rileximit, dy librat e tij të parë, m’u dukën të reja ashtu siç ndodh me kryeveprat. I kam ende ndër duar... Të botuara së pari në shekullin e shkuar, në gjysmën e tij të parë, ato sollën shkrimtarin që mungonte, tragjedianin sa kombëtar, po aq ballkanik dhe europian.

“Lira” e Et’hem Haxhiademit kumbon bukur, e përzishme, ngazëllyese, plot me mite, përndritje dhe ujra, me ritme dhe rima të begata shqip.
>>> Ndërsa në tragjedinë “Pirro” Haxhiademi ngre si askush tjetër një pallat mbretëror hijerëndê epiriot-ilirik, me një fantazi mahnitëse ribën atë kohë të humbur shekujve, plot lavdi dhe intriga oborri, - shërbimi është i lartë, kombëtar, - që na nëpërmend ndêrkohë tragjeditë antike eskiliane dhe rilindjen europiane, Shekspirin vetë.

Dhe Shekspirin-shqiptar, Et’hem Haxhiademin e shkolluar në Itali, në Lecce si gjimnazist dhe në Austri, në Vjenë si student e në Gjermani, Berlin per Shkencat sociale, të brumosur me fatin e Atdheut të vet, e burgosin ata, që morën pushtetin, kur sa mbaroi Lufta II Botërore dhe ai ishte në kulm të krijimtarisë, burrë që s’ishte bërë ende 50 vjeç. Krim i shumëfishtë. U ndalua vepra e tij dhe humbën dhe ato që shkruajti në burg, një roman, thuhet, dhe mbetën pa shkruar ato që do të mund të shkruante si shkrimtar i lirë. Në prag të lirimit, kur ishte ende i fortë, vdes në burg, besohet se e helmuan ata që kishin helmuar gjithë letërsinë shqipe, Atdheun të gjithë.

Dhe për aq sa la, 7 tragjedi, sa etërit e tragjedisë, Eskili, Sofokliu, Vepra e Etëhem Haxhiademit me poezinë e tij dhe përkthimin e Virgjilit, është më e fortë se diktaturat dhe harresat e qëllimta, triumfoi mbi to si e vërteta, si arti i madh.

Rinisi ribotimi i tyre, faleminderit përkujdesësve, që nga i biri, Emini dhe botuesit e mbesës Hortensia për dhuratën aq të çmuar.

Duke shkruar tragjedinë kombëtare, Haxhiademi shkruante dhe pavdekësinë...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat