“Sprovë për vlerësimin e mësuesit tim”

Kultura

“Sprovë për vlerësimin e mësuesit tim”

Nga: Lulzim Logu Më: 22 qershor 2020 Në ora: 17:51
Lulzim Logu

Poeti i njohur Ndoc(Anton) Paplekaj kishte përvjetorin e 80-të të ditëlindjes!

Padyshim një ndër më të mirët e brezit të vet, një krijues shumëplanësh i cili rrok epoka dhe stile komplekse, ku tradita dhe modernia personifikohen mrekullueshëm në frymëzimin e pandalshëm, në dritën dhe tisin e gëzimit të pafajshëm dhe  të trishtimit të bukur.

Një mesues i përkushtuar i letërsisë, i cili mëkoi me dashurinë e leximit dhe krijimit dhjetra krijues, një njeri kontravers, brenda të cilit po të shprushësh zjarrin e dashurisë, mund të gjesh shumë detaje njerëzore, të pakrahasueshme me të tjerë.

Unë gjithë jetën i ndjehem borxhli për frymën e ngrohtë të komunikimit dhe të prezantimit të aktit të krijimit letrar, sikurse për mbështetjen dhe nxitjen kah poezia e bukur dhe e vertetë, larg manierave artificiale, drejt frymëzimit dhe motiveve gjithmonë aktuale dhe në përshtatje me dhembjen dhe triumfin e ndjenjave të bukura njerëzore.Ashtu siç duhet ti ndjehen borxhli jo vetëm krijuesit, por edhe institucionet përkatëse që mund, duhet dhe e kanë për detyrë të vlerësojnë kontributin e tij të vertetë intelektual.

Me këtë rast, si nderim modest ndaj figurës së tij, si urim të sinqertë për ditëlindjen, po përcjell një mbresë timen, më shumë njerëzore, sesa një përpjekje profesionale nga ndonjë kënd i ri vlerësimi të krijimtarisë së tij mjaft interesante, të shumëvlerësuar, por tashmë pak të harruar, apo të hijezuar…

 Në mënyrë metaforike, shpesh më ngjan se krijimtaria e tij është strehuar diku si një relike e shtrenjtë, por pak e shikueshme, rezonanca e saj është e dobët në largësi të çuditshme mes lexuesit dhe kritikës, vetë poeti disi asketik në kaosin traumatik të tranzicionit, është skajuar me vetëdashje delikate në vetminë e tij të largët,ndoshta si imunitet ndaj kullës së tij fluorishente të krijimit, duke mos dashur ta ndotë me shkulmet e pluhurta dhe gri të kohëve të çuditshme që po kalojmë…

E mbaj mend aq mirë siluetën e tij korridoreve të gjimnazit, ishte i vetmi mësues që gjendej në klasë përpara se të binte zilja, ishte i vetmi mësues që e mbyllte regjistrin sapo ndjente tonin e parë të ziles, ishte i vetmi që kurrë nuk i dilte ora e mesimit dhe mbetej gjithmonë i pakënaqur në fundin e saj, i vetmi që kurrë nuk ulej në karrigen e tij në katedër…

Në fytyrën e tij buzëqeshja ishte e rrallë, serioziteti dhe maturia, përzier me ndonjë nuancë hutimi teksa interpretonte vargje apo shihte nga xhami i thyer pejsazhin në pyllin e gështenjave përtej, e bënin paksa enigmatike figurën e tij, as të afronte shumë, as të largonte pa shkas, por gjithësesi krijonte një pauzë mes tij dhe tjetrit.Edhe me frazat e kursyera në dialog, me kohën e shkurtër që të kushtonte, me një të folur ku ironia e hollë dhe njëfarë naiviteti prej fëmije, e bënin shpesh të largët, ndonjëherë edhe të pakuptueshëm…

Ndoshta e kam ditur që atëherë, kur isha nxënës i tij, se ai kishte një botë të veten, thellësisht të brendshme, me përmasa dhe ngjyra të ndryshme nga ajo realja, poeti rrinte gjatë në shpjegimin dhe dialogun me ne në klasë, por jo pak shkiste pa zhurmë, në atë botën e tij të veçantë.Atëherë ishte koha që nxënësit e prapë të merrnin frymë lehtësisht, të shtynin stolat për të rrëzuar vajza apo të kopjonin detyrat, të tjerët xhelozonin për të kuptuar këtë shmangje të tij disa minutëshe nga detyra…

Më vonë, kur babai im, kolegu i tij, më tregoi një mbrëmje të vonë historinë e tij familjare, besa dhe detaje të befta dhe të frikshme për kohën, arrita më natyrshëm të jem krah tij , ta mirëkuptoj dhe në mënyrë simbolike, me fantazinë time, ti bëhem shok në shtigjet e tij të idhta të kujtimit…

Një jetim në vendin e thepisur, në gji të alpeve, në viset e zanave, bri kullës së ngujimit, dehur epeve dhe gjamës së burrave, duke numëruar kokrrat e misrit dhe të rënët nga gjakmarrja dhe varfëria, një i ri, burrëruar parakohe dhe me dashurinë e munguar pafund të prindërve, nuk mund të ishte kurrsesi tjetër, o një i çmendur, dënuar shpejt nga fati i vet, o një poet mërguar trilleve të shfrenuara të fanatazisë dhe shpresës, ngujuar në kulla të brishta vargjesh, këngësh dhe legjendash, në kërkim të Itakës së vet, ëndërruar që dy vjeç, me humbjen e prindërve…

Kur binte dëbora e parë dhe fëmijët e bënin të rrëshqitshme rrezikshëm rrugën kah banesa e tij, në teposhtëzën prej qëndrës së qytetit, më dhimbsej aq shumë, më dukej se nga çasti në çast do të binte, poshtë ulërimave gazmore të fëmijëve të lumtur në sajet prej druri, që fluturonin në pistën e ngrirë, që mua më ngjante horror i vertetë. Prej respektit për mësuesin tim, që dukej si një krijesë prej ere, duke depertuar drejt shtigjeve prej akulli, me çantën e hollë, ku dukeshin cepat e fletoreve tona të hartimit, që do të duhej ti korrigjonte në darkë…

Ora e hartimit ishte ora e “fluturimit” të ndjenjave të mia, rrëmbehesha pas shpjegimit të tij pasionant si një aktor tragjedie, shpesh fjalët i mbaronin dhe krahët i mbeteshin lart në ajër, ende të mbërthyer në fuqinë dhe energjinë e interpretimit, ndërkohë unë ja kisha nisur detyrës, duke dashur të mos e humb asnjë molekule pozitiviteti dhe krijimi që transmetonte mësuesi im i papërsëritshëm i letërsisë. Në orën e dytë, atë të qortimit dhe vlerësimit të hartimit, kur më komunikonte notën, qënia ime ndizej nga një zjarr i vogël brenda meje, flakët e të cilit shpalosnin dritëza të kuqe gëzimi dhe triumfi në faqet e mia.

Ndoshta i dedikohet Anton Paplekës, qasja ime pozitive dhe e kujdesshme në vlerësimin e nxënësve të mi gjatë karrierës time si mësues, bile saherë e kam kujtuar, kur ndonjë moment kam stopuar së foluri, i kam lënë nxënësit në lirinë e tyre dhe kam hetuar motive dhe impresione tej xhameve të klasës, nga natyra dhe sjelljet njerëzore.Edhe kur kam shkruar në copra letrash të çfadoshme vargjet e mia që vinin aq befas dhe mund ti humbisja po në çast, në mbledhje burokratike, në salla shfaqjesh, gjatë udhetimeve të gjata me autobusët e vjetër astmatike, në drejtim nga vendlindja, kur isha në shkollën e lartë.

Dhe dikush më shihte si të çmendur, tallej apo shpotiste me zë të ulur, ndërsa unë si Paplekaj marrëmëndesha në botën time të vargut dhe frymëzimit, duke dialoguar me veten dhe të tjerët, me një gjuhë ndryshe, duke u përkundur nën urën si karusel të poezisë…

Poezia e Paplekajt ishte dhe mbeti një spirale emocioni dhe dhimbje, mbresash të thella aq tokësore, por edhe figurash qiellore, ku pejsazhi i tij i vendlindjes dhe segmente kujtimesh familjare i japin asaj strukturë solide dhe origjinalitet, kudo dhe kurdo mund ta ndjesh se kjo është poezia e Paplekajt.

Këtë konstatim e kam çimentosur më tepër sivjet, kur në vjeshtën e vonë vizitova viset e tij të vendlindjes, më pas në Curraj Eper u ndala tek lumi i kthjelltë si malli i tij dhe bashkëbisedova me poetin tim të zemrës, me mesuesin tim, i cili  sa shpesh na i kishte perfytyruar me ngjyra të mrekullueshme këto pejsazhe.

U ngjita në Kullën e Ngujimit tashmë në rrënim e sipër dhe e rijetova edhe njeherë dramën e luajtur në romanin e tij “Gjaku i tokës” teksa përtej frengjive të saj më kalonin si në një teatër modern shetitës silueta të përkulura malësorësh, dikush me gurin e besë në shpinë, një tjetër me frikën në deje të gjakmarrjes, dikush me kryqin e drunjtë të kishës në qafë…

Shkova në kishën e fshatit, tek altari i saj një njeri i vetëm po lutej, kishte tridhjetë vjet pa ardhur nga mërgimi, lutej dhe qante, duke e lagur me trishtim krejt atmosferën e vetmuar të kishës dhe të krejt këtij fshati të shpopulluar. I fola, e preka lehtë mbi supe, me ngjau me siluetën e dikurshme të poetit Paplekaj, që kishte një arsye padyshim që nganjëherë kthente kokën nga ato male dhe humbiste toruan pak çaste…

E kam takuar mësuesin tim një here të vetme, ndoshta pas më shumë se tridhjetëepesë viteve, në shkallët e Pallatit të Kulturës në Tiranë, unë i thirra disa here, ndërsa po prisnim orën e fillimit të një aktiviteti, me poetin bashkëkrahinas me të, Gjon Neçaj. Ndali një çast, na njohu menjëherë, përtej etiketës së përshëndetjes, në dukje e ftohtë, pashë mall në sytë e tij dhe një kërshëri për të ditur për fatin tonë jetësor gjithë këto vite. Por nuk pyeti, priti fjalët tona dhe kur unë i kërkova me mirësjellje numrin e telefonit dhe emailin, buzëqeshi me ironi.

Nuk kishte telefon, as email, kam vetëm kasollen time të vogël Logu, mu drejtua mua dhe më zgjati dorën në largim.Çuditërisht edhe atë ditë frynte erë dhe mësuesi im prapë më ngjau me një krijesë prej ere, ndersa largohej shkujdeshëm duke u lakuar në shkallët e gjera.Shikuam njeri tjetrin, me poetin Neçaj, ai nga emocioni i takimit me poetin e tij të adhuruar dhe bashkëkrahinas, po dridhej dhe kishte ngujuar sytë në prespektivën e tij të largimit.

Anton(Ndoc) Paplekaj me artin e tij, poezinë e tij shtratëgjerë dhe aq metaforike, me prozën e ngrohtë e të përmalltë, me perkthimin e kulluar dhe qasjet adekuate kritike, ka vend të madh dhe të merituar në letersinë shqipe, kjo dihet tashmë dhe është fakt i mirëpranuar nga të gjithë.Por a ka shoqëria jonë një qendrim të vertetë mirënjohje dhe nderimi konkret ndaj Paplekajt dhe sojit të tij artistik dhe intelektual, në kuptimin që ti garantojë përmasa normaliteti dhe sigurie në jetën e përditshme, në kalvarin jetësor të tij dhe të familjes, ti parashkruajë mundësinë e një pleqërie sadopak të lumtur, merituar me dhjetra mijera vargje dashurie dhe shprese për popullin e vet?!

Ai dhe ata të tjerët janë shpirti dhe zëdhënësi i tij, janë kronika dhe historia, janë kujtesa e sotme, e shkuara dhe e ardhmja, duke mos i lënë vend harresës dhe vuajtjeve të gërryejnë dhe vrasin etjen për dashuri dhe jetë. Ndaj mendoj se çdo shoqëri duhet të ketë kujdesin e duhur dhe dorën e ngrohtë ndaj poetëve si Paplekaj dhe shumë të tjerë. Së paku ti kujtojë ,ndoshta dhe të përpiqet tu japë këndin e sigurtë të krijimit dhe botimit të veprave të tyre, me fonde dhe përkrahje të promovimit të tyre, por edhe me pensione të posaçme, të cilat do të minimizonin efektin shkatrrues të varfërisë, pamundësisë në moshën e tretë dhe sëmundjeve të papritura.

Megjithatë Paplekaj ka triumfin e vet ngadhnjyes!

Në tetëdhjetëvjetorin e tij ka luksin ta njohin të gjithë, thjeshtë me mbiemrin e tij, sinonim me poezinë e tij aq origjinale.Ka lumturinë të jetë model për shumë talente të reja që kur i pyet se kujt duan ti ngjajnë, shpesh cilësojnë Paplekajn dhe shokët e brezit të tij.Ka fatin të jetë në kujtimin e pathinjur të shumë nxënësve të tij që lartësuan stilin dhe komunikimin e tij pedagogjik dhe jo vetëm, në veprimtarinë e tyre jetësore.Ka shijen e atdheut të vet në çdo faqe dhe cep libri, krejt pamundësitë dhe mungesat e tij në jetë, tashmë janë jetësuar dhe plotësuar në krijimtarinë e tij të bukur dhe humane.

Tetëdhjetë vjet nuk janë pak, por as shumë, në këtë prag jete kur nostalgjia dhe vetmia rrahin me dallgë të rënda bregun e tij të jetës, ne si lexues, ish nxënës, bashkëkrahinas, adhurues dhe kolegë të tij, të mbledhur së bashku dhe me sinqeritetin e shenjtë të krijuesit, retushojmë peshën e tyre, zbusim ritmin e goditjes dhe zgjerojmë kufirin e shpresës.

Dashuria është gjithmonë shpresë dhe dritë, kur kujtojmë se humbim në tunelin e jetës. Ne të kemi dashur dhe të duam gjithmonë Paplekaj dhe të jemi mirenjohes për krijimtarinë tende. Paç jetë të gjatë sa malet e tua të vendlindjes, paç gezim sa kaltërsi kanë lumenjtë e viseve tua, rrofsh gezueshëm sa kënga dhe epi majekrahu në bjeshkët tua!

Një ndër poezitë e tij më të çmuara, zgjodha ta sjell ketu, si pasaporta e tij e përjetshme:

PISHA MAJË SHKËMBIT

Nga vera në verë
Shihja se si degët e ulëta
Të asaj pishe majë shkëmbit
Thaheshin vetvetiu
Vareshin si gjymtyrë pa jetë
Pastaj vjeshta sillte me vete
Erërat dhe stuhitë
Që i thyenin me rropamë
Dhe i rrëzonin përtokë
Degët ku nuk qarkullonte më limfa
Pisha nuk vishej me të zeza
Nuk shfrente në të qara
E bindur nga një urtësi e fshehtë
Se flakja e degëve të thata e të thyera
Ishte çmimi që ajo duhej të paguante
Për t’u ngjitur përpjetë
Qysh në fëmijëri
Më janë ngulitur në kujtesë
Degët e thata që rrëzoheshin nga stuhitë
Dhe tashti e vë re
Se gjithë jetën jam përpjekur t’i ngjaj
Asaj pishe majë shkëmbit…

Nuk e di në munda të plotësoj një tufë modeste lulesh me fjalë zemre për ty mësuesi im i mirë…

PS. E kisha lënë për më vonë botimin e kësaj eseje, vdekja e dhimbshme dhe e parakohshme e Moikom Zeqos më nxiti drejt publikimit…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat