Kryevepra publicistike e poetit Nehat Jahiu

Kultura

Kryevepra publicistike e poetit Nehat Jahiu

Nga: Baki Ymeri Më: 23 qershor 2020 Në ora: 08:00
Kryevepra publicistike e poetit Nehat Jahiu

Nehat Jahiu vjen para opinionit me një vepër briliante, ironike dhe sarkastike, ku i demaskon maskarenjtë, horrat, hajnat, dilenxhinjtë, karieristët, servilistët, hipokritët, dezertorët, dështakët, lakmitarët, batakçinjtë, idiotët dhe pseudopatriotët që sipas tij, nuk janë tjetër, veçse krijesa pa karakter, “kastraveca” dhe mistreca. Para nesh kemi një vepër me ironi therrëse e fshikulluese. Poeti merr një qëndrim të guximshëm me të cilin shpreh mllefin e tij nëpërmjet një ironie të qëlluar, duke na prurë në letërsi një vepër vlerash të veçanta letrare që fshikullon të metat, veset dhe anët e dobëta të njerëzve e të shoqërisë.

Përndryshe, në letërsinë tonë shquhen satirat e Çajupit, të Fan Nolit, Rexhep Qosjes, etj. Këta kanë ndjerë nevojën të angazhohen, duke i sulmuar dukuritë e tilla dhe individët e tillë, në mënyrë të tërthortë, me ironi simbolike. Humori dhe satira kanë ecur dhe ecin së bashku, duke e bërë fjalën artistike një prej atyre ilaçeve të dobishme që të shërojnë, herë përmes gazit, e herë përmes dhimbjes, ose përmes gazit e dhimbjes njëkohësisht. Dy nga shkrimtarët shqiptarë, që e shikojnë botën duke qeshur nga gëzimi apo dhimbja, janë Tasim Aliaj dhe Kolec Traboini.

Autori din t’i fshikullojë me mjeshtri artistike dilenxhinjtë e Maqedonisë Veriore, që nga lufta e vitit 2001 e deri në ditët tona. Mos i futni hundët atje ku s’duhet, Kush janë ata që i shajnë partitë politike, Deri kurë do të ju durojmë o të mjerë, Revolja dhe kënga e patriotit. Pse heshtin shumica e intelektualëve tanë, Iku koha e pallavrave dhe patriotizmit të pijetoreve tona, Kur krisi pushka, Në mëshirën e kujt mbetën bijat dhe bijtë më të dashur të kombit, Jeni duke qeshur edhe ju si unë, Arrestimet, paraburgosjet dhe dënimet, Turp i turpit, Hipokritët nuk kanë fytyrë, Mësuesi im i dashur, Mos u mashtroni në këtë botë, Kini kujdes kur të prekni nderin dhe moralin e femrës shqiptare, Vetëm të bashkuar mund të realizojmë qëllimet tona, janë disa nga titujt e artikujve të kësaj vepre që e pasuron bibliotrekën letrare të shqiptarëve të Maqedonisë Veriore.

Nehat Jahiu shkruan me një strategji të veçantë humoristike, ironike dhe satirike, duke ua grisur maskën, duke qeshur dhe duke ua mveshur batakçinjëve të servilizmit politik. Viteve të fundit, edhe në letërsinë shqipe kanë zënë të zhvillohen proza humoristike dhe satirike, që përpara aq shumë na kanë munguar. Kalosh Çeliku me shpatën e tij të mprehur kundër veseve ballkanike, si dhe revista ”Hosteni” që del në Tiranë, janë bërë tribunë e shkrimtarëve që nuk përtojnë të përqeshin dhe të bëjnë shaka me veset e shoqërive dhe njerëzve të kësaj kohe. Me subjekte identike, veset ballkanike i fshikullonte dikurë edhe revista ”Brumbulli” që e botonte Gjergj Bubani në Bukuresht.

Në 280 faqet e kësaj vepre nuk përmendet askush me emër e mbiemër, as ata me biografi të mirë, dhe as ata me biografi të ligë. Libri i Nehatit nuk bën fjalë vetëm për patatet e papjekura politike të asaj ane ku krisi pushka për liri dhe barazi. Autori vjen para opinionit edhe me subjekte interesante, atraktive, morale dhe didaktike. Ai i përshkruan me respekt bijtë dhe bijat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të asaj kohe të krisur, kur gjëmonin malet me këngët tona patriotike.

Prirja satirike dhe humoristike është një virtyt i rrallë artistik. Filosofi dhe esteti Nikollaj Hartman, me të drejtë ka thënë në Estetikën e tij: „Vrojtimi humoristik është një prirje specifike të cilën nuk e ka gjithkush. Henrik Hajne shpeshherë e ka vizituar Xhejms Rothshildin në kabinetin e tij dhe me interesim i ka vështruar vizitorët dhe servilitetin e tyre për të cilin ky satirik dhe poet i madh konkludon: „Këtu shohim se sa i vogël është njeriu dhe sa i madh është Zoti”. Xhejms Rothshildi i ka financuar burbonët gjatë luftës qytetare spanjole në vitin 1820, për çka fiton „Dekoratë Nderi të Legjionit”.

Nga autori i kësaj vepre kuptojmë një të vërtetë, e kjo është e vërteta e konstatuar prej romakëve të mençur: ”Majmuni është majmun, qoftë edhe kur stoliset me ari. Snobizmi si dukuri që po përhapet, dhe snobët si bartës të snobizmit, janë një materie shumë interesante për shkrimtarët, e veçanërisht për humoristët dhe satirikët. Urdhëroni, prandaj, shokë shkrimtarë, veshuni me kujdes që të mos u plagosin adhuruesit apo kundërshtarët dhe lëshojuni në galeritë e shumta të kësaj miniere të pasur të jetës sonë bashkëkohore! Urdhëroni dhe shkruani për snobët edhe në qoftë se ndonjeri prej jush nuk është snob!”

Zoti Nehat Jahiu thekson: ”Mos i kepërdorni askund këmishat e huaja për përfitime politike, sepse ato këmisha kanë vlera historike. Edhe një herë, ju që në shumë raste po gaboni rrugën në mes të ditës dhe po i vishni këmishat e të tjerëve! Ju kisha lutur që të i mbani këmishat tuaja në trupin tuaj, e mos të i vishni këmishat e huaja, sepse nuk ju rrinë ata këmisha në trupin tuaj, sepse nuk janë tujat!”

Satira është një performancë që përdor ironi , tallje ose zgjuarsi për të ekspozuar ose sulmuar farën e shëmtuar të butakëve të dështuar, përtacinë, marrëzinë, nepotizmin dhe idiotizmin. Satiristi gjuan me fjalë për të vrarë ligësinë. Duke përdorur shprehje të dobishme dhe artistike, autori kumanovar e përdor satirën kundër njerëzve të pafuqishëm. Ai posedon prirje dhe din të shprehë kënaqësi ndaj të mirës dhe pakënaqësi ndaj ligësisë, çuditshmërisë, dhe poshtërsisë, për të dëshmuar se satira e tij nuk është një mishmash ballkanik, por një pjatë e mbushur me ”ëmbëlsira”metaforike që i ofrohet lexuesit tonë. (Bukuresht, 20 Qershor 2020)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat