Arti si "çekiç" për të ndryshuar shoqërinë

Kultura

Arti si "çekiç" për të ndryshuar shoqërinë

Më: 27 qershor 2020 Në ora: 09:10
Ilustrim

Edicioni online i festivalit të teatrit Postwest, organizuar nga teatri Berliner Volksbühne dhe partnerë nga Evropa Lindore dhe Juglindore kritikon dhe abuzimet sociale, për shembull në thertore.

Muajt e izolimit e kanë paralizuar jetën kulturore kudo në botë dhe kriza e koronës ka prekur fort sidomos artistët.  Por edhe nëse nuk kanë mundur ta vazhdojnë punën si zakonisht, artistët mbeten syhapur dhe kritikë në vlerësimin e botës, që ndodhet para sfidash të reja. Njerëzit e teatrit kërkojnë tani të tjera mjete dhe kanale për t‘u shprehur.

Në maj 2020, me iniciativën e teatrit Berliner Volksbühne, ishte planifikuar të zhvillohej në Berlin festivali transkulturor "POSTWEST\\ guess where". Të dymbëdhjetë shfaqjet teatrale nga dhjetë vende të kontinentit tonë - Gjermania, Polonia, Çekia, Hungaria, Rumania, Kosova, Letonia, Lituania, Estonia dhe Ukraina – i kishin vënë vetes qëllim të analizonin artistikisht ndarjen e Evropës në Lindje-Perëndim dhe stereotipet që lidhen me këtë.

Alina Aleshçenko: Ndarja e Europës akoma ndjehet

"Volksbühne me historinë e vet të gjatë dhe të trazuar dhe qyteti i Berlinit janë simbole karakteristike të ndarjes së Europës – një ndarje, që pas rënies së murit të Berlinit ndoshta nuk shihet më me sy, por ndjehet", thotë kuratorja e festivalit, Alina Aleshçenko, në bisedë me DW. Ajo ka lindur në Moskë dhe jeton që nga viti 2015 në Gjermani. "Çfarë do të thotë sot për artistët e rinj, të jesh evropianolindor? Kjo është pyetja, që përshkon gjithë festivalin", thotë Aleshçenko.

Si të reagosh ndaj debateve aktuale shoqërore?

Përgatitjet që kishin nisur që në vitin 2019, u desh të ndërpriteshin pak para fillimit të provave, për shkak të pandemisë së koronës. Në fund u vendos që aktiviteti të mos shtyhet për vitin e ardhshëm, por që projekti të rimendohet dhe të prezantohet në formë digjitale. Në një kohë të shkurtër artistët ndërkombëtarë këkuan mënyra të reja të shprehjes dhe ide për kontributet e tyre digjitale. "Çfarë kuptojmë me shoqëri të fortë civile, solidaritet, vlera me rëndësi për të ardhmen, dhe sisteme demokratike?"

Image
Kuratorja e festivalit Postwest Alina Aleshçenko

Si mundemi ne, si profesionistë të teatrit, të vazhdojmë të qëndrojmë të lidhur me njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë iniciativa afatgjata ndërkulturore, për t‘iu përgjigjur artistikisht debateve aktuale sociale – në kohët e një izolimi global, pa takime në hapësirën publike?", janë disa prej pyetjeve, që trajtoi festivali i Berlinit.

"Realiteti i ri nuk ka ndryshuar vetëm formatin (nga live në online), por edhe vizionin tonë për Europën, raportin Lindje-Perëndim, punën krijuese në teatër dhe pjesëmarrjen në një projekt ndërkombëtar në kohët e krizës", thotë autorja dhe regjisorja rumune Gianina Carbunariu, Intendante e teatrit rinor ("Teatrul Tineretului") në Piatra Neamt, një qytet në verlindje të Rumanisë. Kontributi i saj "Postwest – something digital" është një video-ese, ose thënë më mirë një kolazh me disa aspekte të realitetit rumun, por edhe të realitetit Lindje-Perëndim, të cilin ajo e analizon artistikisht.

Gianina Carbunariu, një nga zërat më të fortë të teatrit rumun, pjesët e suksesshme dhe veprat regjisoriale të së cilës janë shfaqur në shumë skena gjermane, ka preferencë për çështjet sociale dhe politike. Kushtet e padenja të punës të punëtorëve evropianolindorë - qoftë në fushat e shpargujve apo luleshtrydheve, në skelat e ndërtimit, në industrinë e mishit apo në kujdesin ndaj të moshuarve - prej kohësh e preokupojnë. Ajo i ka tematizuar në shumë prej pjesëve të saj teatrale.

"Nëse duam seriozisht më shumë se predikimet e së dielës"

Kështu për shembull në "Flisni gjuhën heshtje?” prodhim i teatrit kombëtar Sibiu. Pjesa teatrale lindi pas bisedave të panumërta, që ajo bëri me punëtorë rumunë, që punonin në sektorë të ndryshëm. "Pavarësisht nga sektori, mekanizmat e shfrytëzimit janë të njëjtët. Të flasësh për skllavëri moderne nuk është ekzagjerim, sidomos kur bëhet fjalë për punën sezonale. Nuk ka përjashtime, në rastin e këtyre punëtorëve trajtimi çnjerëzor i kompanive dhe i nënkontraktuesve është diçka e zakonshme, si për sa u përket kushteve të punës dhe pagave, ashtu dhe akomodimit", thekson dramaturgia rumune.

Image
Gianina Carbunariu

Shkak i kësaj është vetëm "babëzia dhe përçmimi i dinjitetit të njeriut". E gjitha asgjë e re, thotë Carbunariu, por "vetëm përmes kësaj pandemie dhe çarjes që krijoi në sistem, u bë i qartë një realitet i tmerrshëm tashmë ekzistues". Artistja rumune foli për këtë edhe në festival me njerëz në bisedë live online: "Më duket e rëndësishme të tregoj, se ky problem na prek ne të gjithë - që debatet mbi solidaritetin evropian dhe respektimin e të drejtave të njeriut të jenë më shumë sesa predikimet e së dielës.”

Për kontributin e saj në festivalin Postwest Carbunariu ka zgjedhur tabllonë e famshme të Édouard Manets.

Arti si "çekiç" për të ndryshuar shoqërinë

Interesante ishin edhe prezantimet e tjera nga profesionistët e teatrit nga Lindja dhe Perëndimi. Kështu për shembull, kontributi nga Prishtina "The Return of Karl May". Protagonisti i njohur Kara Ben Nemsi " ikën me një grup aktorësh nga Lindja në drejtim të tokës gjermane dhe në këtë udhëtim të pazakontë takon mes të tjerëve, Slavoj Zizek-un, Peter Handke-n dhe një anëtar të organizatës ilegale naziste (NSU). "Kjo shfaqje konfronton publikun me qëndrimin demonizues të Evropës Perëndimore ndaj Lindjes. Sipas Aleksandar Hemon, epërsia e pretenduar kulturore, politike dhe intelektuale e Perëndimit është e rrënjosur thellë në kolonializmin dhe racizmin e tij", thuhet në programin e festivalit.

Shumë aktual dhe që përshtatet me temën e punës dhe shkëmbimit në hapësirën virtuale në kohët e koronës, është edhe kontributi polak: "Your Internet Connection Is Unstable".

Konributi gjerman "Hammer und Spiegel" (Çekiçi dhe pasqyra) e shpie shikuesin në një vizion të së ardhmes, në të cilin në vitin 2321 "nuk bëhet më fjalë për argumente politike, por për frikëra dhe dëshira private". Titulli i referohet një citati të Karl Marksit, se arti nuk është një pasqyrë, ku shihet realiteti, por një "çekiç" që e formëson atë"./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat