"Fjalët e qiririt" e Naim Frashërit

Kultura

"Fjalët e qiririt" e Naim Frashërit

Nga: Fetah Sheholli Më: 3 korrik 2020 Në ora: 20:59
Naim Frashëri

 "Fjalët e qiririt" është poezi programatike e Naim Frashërit. Këtë vjershë prej 70 vargjesh, të tipit monokolon e përshkon, si pe i kuq, gatishmëria e autorit për t'u flijuar, për t'u shkrirë në punë, për të mirën e popullit të vet. Njëmend, deri në vargun dyzet e tetë Naimi, mahnitshëm, derdh talentin e vet poetik, çuditërisht fuqizon, me petk artistik, dufin e tij prej atdhetari të përbetuar e largpamësi të pagabueshëm. Krejt kjo, e thënë bukur me një simbolikë të qëlluar, më thotë mendja, përherë do të mbetet si një krijim poetik i freskët, e që do të lexohet me shije nga shumë e shumë gjenerata.

Tërë arsenali letrar sikur i ka shërbyer poetit të qesë në plan të parë fjalët-bosht të poezisë: qiriu-djegia-drita. Për mrekulli, këtu, na janë ofruar: objekti-veprimi-pasoja të cilat, kur të zhvishen nga simbolika, na sugjerojnë: Poetin-atdhedashës, punën-sakrificën e tij, në emër të një ideali vërtet të shenjtë: për t'u treguar shqiptarëve se guximi dhe dituria janë shpëtimi i tyre nga dy të këqija të mëdha: nga krimbi i përçarjes dhe robërimi i huaj. Kur ka dëgjuar zërin e ndërgjegjes së vet, të brumosur në këtë realitet të hidhur, Naimi, si askush më parë, s'ka kursyer veten: vdekja i është dukur e ëmbël për këtë qëllim të lartë dhe vetëm atëherë i kanë dalë këto vargje vërtet të frymëzuara:

Do të tretem të kullohem,

Të digjem të përvëlohem,

Që t'u ndrinj mirë e të shihni,

Njëri tjatrin  ta njihni.
                                     

Kur nata, e potencuar që në fillim të poezisë, të përafrohet me atmosferën skëterrike anadollake, të sheshuar në Shqipëri me pushtetin turk dhe rreshti i fundit i sjellë këtu që shenjon bashkimin e shqiptarëve, padiskutueshëm, provojnë mendimin e shprehur më lart.

Naimi, pra, ka mbetur përgjithmonë poet i popullit sepse ka shkruar, sypatrembur, për fatin ekzistencial të shqiptarëve para, gjatë kohës së tij dhe i ka dhënë udhë vizionit të vet për të ardhmen e tyre.

P.S.

Analizën e kësaj poezie, në fillimvitin e largët 1978, në "Zërin e rinisë", e ka botuar poeti ynë i  mirënjohur Shaip Beqiri. Atëherë e pata falënderuar përzemërsisht e tash i shpreh një mirënjohje të ngrohtë. E solla këtë kujtesë historike për të parë se çfarë pune të madhe kanë bërë rilindësit për një të nesërme më të mirë të kombit tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat