Urime ditëlindjen, o Trim i atdheut

Kultura

Urime ditëlindjen, o Trim i atdheut

Nga: Zymer Mehani Më: 8 korrik 2020 Në ora: 07:13
Kopertina e librit

Kur është fjala për Komandantin Abedin Rexha-SANDOKANI duhet thënë se ai ishte Yll mes yjesh në qiellin e atdheut. Ishte njeri i lumtur dhe trim. Për asnjë çast kurrë s’dyshoi në idealet e veta, kurse bashkë me shokët dhe shoqet e idealit, këto ideale i realizoi, për çka brezni të tëra etërish e gjyshërish ëndërruan me shekuj. Nga sakrifica e këtij burri të denjë të kombit tim lindi shteti i Kosovës, themelet e të cilit u ndërtuan dhe u çelikosën mbi gjakun e SANDOKANIT dhe dëshmorëve të tjerë të këtij populli dhe të martirëve.

Prej prehjes dhe luksit, Sandokani trim u kthye në Kosovën e robëruar, pasi që atdheu dha kushtrimin. Sandokani trim jeton në jone të këngëve popullore dhe në vargje të pareshtura të poetëve të kombit. Ky hero jeton në krijime artistësh dhe në zemër të kombit.

Kur dikush me jetën e vet thotë: “luftova dhe dhurova jetën sipas bindjes sime morale dhe kombëtare. Kam parë shumë vende e qytetërime, kultura e zakone të ndryshme, kam lexuar për shumë ushtri, luftëra dhe civilizime, sisteme shoqërore e revolucione, kam kaluar shumë vjet duke e fituar kafshatën e familjes me duart e mia, kam qenë rob e luftëtar i atdheut tim, inicues dhe organizator i luftës çlirimtare për popullin tim, për çlirim të Kosovës dhe jam ngritur në kryengritje bashkë me motra e vëllezër kundër stuhisë së verbër shoviniste serbosllave, jam betuar që ta pastroj vendin nga i huaji në luftën e vështirë dhe të përgjakshme, u mundova, aq sa munda që atdheut tim t’ia kthej dinjitetin e nëpërkëmbur nga kthetrat e okupatorit serb, u mundova po ashtu ta çliroj popullin tim të robëruar, i kam vënë qoftë edhe një gur themelit të shtetit tim....e kam larë me gjakun tim këtë truall arbëror”, atëherë një njeri i tillë, siç ishte Komandant Abedin REXHA-SANDOKANI me të drejtë mund të thoshte: E KAM KRYER DETYRËN TIME NJERËZORE DHE KOMBËTARE. ATDHE, TI ISHE DASHURI IMJA MBI DASHURITË, PËR TY E DERDHA GJAKUN! 

Ne i duam dhe i nderojmë figurat kolosale të kombit tonë. Ne e duam dhe e nderojmë heroizmin e pashoq të SANDOKANIT TRIM, sepse e kuptojmë rolin dhe rëndësinë e tij që pati në zhvillimin e luftës çlirimtare, dhe vërtet dita ditës po bindemi edhe më tepër për madhështinë e veprës së tij, kuptimi i së cilës është: një jetë më e lumtur dhe krejt e lirë për brezat që do të vijnë pas nesh. Dhe për këtë arsye njeriu i rëndomtë lidhet mish e thua me figura të tilla kombëtare, siç është edhe SANDOKANI YNË dhe dëshiron që ideali i tij të realizohet tërësisht. Po e themi krejt hapur, ky ideal është Ribashkimi KOMBËTAR.

Historia jonë kombëtare, e cila realisht është një histori e sulmeve dhe e pushtimeve të pandërprera kundër nesh prej pushtuesish nga më të ndryshmit, histori e shtypjes shekullore mbi shqiptarin paqëdashës, duhej medoemos të lindte, dhe vërtet e lindi njeriun, i cili njihet me emrin SANDOKANI, që bashkë me shoqe dhe shokë të idealit ia ndërroi hapin dhe pamjen historisë sonë kombëtare. Ky është pra, trim Abedin Rexha, që me guxim dhe sakrificë bëri që ne sot të jemi të lirë dhe krenarë, prandaj në zemrat tona prore rron dhe do të rrojë gjithmonë dashuria jonë e thjeshtë dhe e natyrshme ndaj këtij luftëtari të lirisë sonë, ndaj SANDOKANIT TRIM, heroit tonë kombëtar.

Nga shëmbëlltyra e ndritur e Komandantit Abedin REXHA edhe sot e gjithë ditën reflektojnë mbi ne e për ne energjitë pozitive që na japin forcë që për këtë atdhe të punojmë edhe më tutje, secili në mënyrën e vet, deri te Ribashkimi i Kombit tonë, kur neve dhe brezave të ardhshëm të gjitha vuajtjet, plagët dhe të gjitha mundimet do të na kthehen në shpërblim dinjitoz, e që është NJË SHQIPËRI NATYRALE.

Njeriu i cili e ndezi flakadanin e lirisë dhe ngadhnjeu mbi skëterrën shekullore të Serbosllavisë, Komandant SANDOKANI, asnjëherë nuk vdes. E madhe është vepra që na e la ai. E kjo është LIRIA, e cila s’matet as s’ka çmim tjetër, veç çmimit të gjakut. Shëmbëlltyra e Komandantit Abedin Rexha edhe më tutje do t’i ndriçojë rrugët tona në ardhmëri, siç i ndriçonte edhe gjatë betejave çlirimtare për popullin tonë. SANDOKANI e ndërroi historinë tonë kombëtare, prandaj me plot të drejtë dhe lirisht unë do ta quaj VIGANI I EPOKËS dhe përherë do të them SANDOKANI RRON!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat