Ndahen çmimet për dramë shqipe “Katarina Josipi”, fitues Osman Goranci

Kultura

Ndahen çmimet për dramë shqipe “Katarina Josipi”, fitues Osman Goranci

Më: 13 korrik 2020 Në ora: 17:01
Ndarja e çmimeve

Osman Goranci fitoi çmimin e vendit të parë për Dramë Shqipe “Katarina Josipi” për dramën “Gratë dhe Napoloni”. Ndërkaq, Ibush Arifi fitoi vendin e dytë në konkursin e ndarjes së çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për dramën “Lufta e gruas”.

 Këto dy çmime i ndau sot Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, për të dy laureatët. Vendimet për çmime ministrja Dumoshi i ndau në bazë të vlerësimeve të Jurisë profesionale në përbërje të profesor Ekrem Kryeziu – kryesues, Getoarbë Mullqi, Vlorë Nikçi, Ardian Morina dhe Jehona Shyti – anëtarë. 

Juria ka vlerësuar se drama “Gratë dhe Napoloni” është një komedi që i ka tiparet e ‘komedia del arte’, të shtrira në kohën tonë, me dialogje të shkurtra plot energji pozitive dhe pa ekuivokë e meriton çmimin e parë, ndërsa si çmim të dytë juria ka vendosur që të jetë drama “Lufta e gruas” me elemente mes komedisë dhe dramës së aksionit. 

Ministrja Vlora Dumoshi, me këtë rast i uroi laureatët dhe i përgëzoi për punën e tyre krijuese. Ministrja tha se do ta përkrah dramën shqipe dhe inskenimin e saj. “Do të punojmë dhe do të angazhohemi që drama shqipe të jetë e pranishme dhe të vihet në skenë ashtu që të promovohen vlerat e mirëfillta”, tha ajo mes tjerash. 

“Vendi ynë ka prodhuar shumë shkrimtarë të mirë dhe të suksesshëm dhe kjo traditë duhet të vazhdohet e të mbështetet fuqishëm ashtu që të jemi konkurrent me të tjerët dhe për t’u prezantuar sa më mirë edhe në Rajon si dhe në Evropë dhe Botë”, porositi ministrja. 

Ndërkaq, laureati i çmimit të parë, Osman Goranci, e falënderoi ministren për vlerësimin dhe çmimin. Ai tha se komeditë e tij kanë bazë në realitetin e përditshëm, e që nuk ndodh vetëm tek ne por edhe në tërë botën.

Si shqetësim i përbashkët që u shpreh ishte mosinskenimi i dramës shqipe nëpër teatrot e Kosovës, porse ministrja Dumoshi u zotua se kjo gjë do të rregullohet dhe dramat e mrekullueshme që shkruajnë autorët në Kosovë do të jetësohen.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat