Në rrugën që dikur eca me një vajzë

Kultura

Në rrugën që dikur eca me një vajzë

Nga: Rifat Ismaili Më: 14 korrik 2020 Në ora: 10:04
Ilustrim

Iu afrova aq pranë,sa njëra prej kēpucëve të mia preku flokët e saj të zinj. Ajo ngriti paksa e trembur kokën, ku u shfaqën dy sytë bojëqielli,gjysmë të fshehur nga një palë syze dielli. U desh vetëm një çast që të rifitonte sigurinë,më vështroi sikur donte të më përpinte të tërin, duke i rezistuar shikimit tim shbirues,dhe vuri paksa buzën në gaz.
- Si po të shkon studimi? - e pyeta me provokim.
- Jo keq! - mu përgjigj, duke i hedhur një sy grumbullit të librave që kishte me vete.Kisha kohe qe e veshtroja nga larg, sesi ajo shtrire përmbys mbi bar diçka shkruante në një fletore të trashë ,të hapur më dysh.
I dhashë dorën. Pa e zgjatur një çast,u ula pranë saj dhe e putha rrëmbimthi,me mendimin e frikshëm se do te më shtynte e përzinte,e do të çohej të largohej.
- Ç' bën kështu? - më tha, e përskuqur dhe e hutuar.
- Po të puth!
U ngrita të ikja.
- Ku po shkon? - me thirri. Më kapi prej krahut,mu afrua në fytyrë dhe më puthi.
U puthëm përseri,kësaj here,te dy.
- Po iki ! - i thashë. " Me këtë s' më ecën" mendova.
- Ha ha, kaq shpejt tërhiqesh ti? - më pyeti me shpoti. Pastaj vajza mblodhi me ngut librat e saj, dhe më arriti duke dihatur.
- Mendova që s' kishe më nevojë për ndihmën time- i thashë, ndersa ajo po rregullonte çantën mbi shpinë.
- Përse,për çfarë më ndihmove ti? - më pyeti e kreshpëruar.
- Ja,- iu përgjigja duke qeshur- për të të shkëputur nga boshllëku i atyre librave.
- Nuk më duken se janë bosh! - mu përgjigj me përçmim.
- Po, çfarë janë?- shtova- Sigurisht,jo vetë jeta!
- Dakord- tha. - Por ama për jetën flasin.
- Për ç'jetë flasin? Për të përtejshmen, lumturinë, për triumfin e së mirës mbi të keqen?
Ajo qeshi.
- Qenke interesant- më tha.
- Pse të dukem interesant unë ty?- i thashe duke e shbiruar ne ata sytë e mrekullueshëm bojë qielli.
- Më shumë se interesant- tha dhe qeshi. Pak i marrë më dukesh!
Unë qesha.
Dhe filluam të ecnim pikërisht mbi këte rrugë të heshtur dhe të gjatë,duke e thyer herë pas here heshtjen,me këmbët tona që shkelnin përmbi bar.Uleshim pak çaste mbi çdo trung të prerë, dhe vështronim pa folur njëri- tjetrin. Pastaj shkëmbenim puthje.
Tani duke ecur nuk ka asnjeri përveç meje,dhe larg përshkon rrugën një qen i madh i zi. Ndërsa pranë meje, lëvrin mbi një kaçube një zogth i zi me sqep të verdhë. Nga dritaret e pemëve hyjnë fashat e dritës,të cilat bien mbi bar duke e ngjyruar me njolla të verdha vendin përqark. Eci si i dehur dhe kërkoj të ndez përsëri cigaren. Qesh me vete. Në vend të filtrit kisha në buzë majën. Më vonë, kur arrita në fund të udhës, atje ku shfaqej një fushë e paanë,e shkretë, kuptova gjithçka. Dashuria jonë,nese mund të quhet dashuri, kishte zgjatur sa fillimi dhe mbarimi i një cigareje.
Më kujtohet si u ndamë. Ajo mu hodh me gjithë trupin e saj dhe më përqafoi fort,fort,fort. Librat i ranë përtokë,por as që denjoi ti mblidhte. U nis të ikte.
- Prit i thashë- duke mbledhur i përkulur librat e saj.
- E ç' më hyjnë më në punë ? - më tha. Nuk janë vetë jeta.
- S,prish punë- i thashë duke buzëqeshur. Të ndihmojnë te kuptosh jetën!
Qeshi dhe më përqafoi prapē.
- Do shihemi më?- e pyeta.
- Do shihemi!- tha.
U ndamë aty, dhe u nisëm në drejtime të ndryshme. Pa i kërkuar njërit tjetrit adresën, as numrin e telefonit. As emrat nuk i thamë.
Hyra në fushën e paanë e të zbrazët, dhe u shtriva duke hapur duart e gjata si një kryq. Prita e prita më kot, gjersa në qiellin e kaltër, në vend të aeroplaneve, kaluan ca pata shtegtuese, që humbën diku. " Sikur ta shihja dhe njëhere " - mendoja. " Sikur ta shihja dhe një herë"!

Mbylla sytë, për të mos parë më asgjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat