Shpërthimi i luftës

Kultura

Shpërthimi i luftës

Nga: Alexandra Cavelius Më: 27 korrik 2020 Në ora: 12:16
Kopertina e librit

Kush është Leila?

Leila u rrit në një qytet të vogël, afër Sarajevës. Ajo dëgjonte me qejf muzikë pop dhe lexonte romane dashurie. Endërronte që të vazhdonte studimet për shkencat ekonomike. Ajo bëntë një jetë fare normale deri në momentin që në Bosnje shpërtheu lufta serbo-boshnjake, me gjithë barbarinë e vet.

Leila, ashtu si dhe qindra gra dhe vajza të tjera të vendit të vet, do të përjetonte horrorin e luftës. Përjetoi burgosjen e gjatë, dhunimin dhe përdhunimet seksuale, sistematike.

Leila është edhe njëri ndër dëshmitarët më të rëndësishëm në Hagë, për krimet e luftës, dhe të kriminelëve të luftës serbo-boshnjake.

06. 04. 1992

Në Sarajevë ka filluar lufta.

Jeta në B. nuk është e lehtë. Nuk ka më rroga. Radha te Kryqi i Kuq, po bëhet gjithnjë e më e gjatë.

Nga ditari i nënës.

Nga njëra ditë në tjetrën filluan të bombardonin tek ne. Përse !? Vetëm se unë quhesha Leila ? Vetëm se ne ishim myslimanë !?

Askush nuk e kuptonte një gjë të tillë. Kur shpërtheu lufta, unë isha gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Brenda pak muajve u rrita menjëherë. Që kur filloi lufta në Sarajevë, mblidheshim në dhomën e banimit tek gjyshi dhe gjyshja, dëgjonim lajmet në radio, dhe dridheshim para televizorit. Ngjarjet për mua ishin të tmerrshme. Çfarë mund të kuptonte një vajzë si puna ime, nga ato që po ndodhnin ? Në darkë, kur hanim bukë, diskutonim me njëri-tjetrin, nëse lufta do të vinte edhe këtu tek ne. Të gjithë ishim optimistë të mëdhenj dhe me idenë: « Kurrë në jetë. » Vetëm gjyshi im, si veteran i luftës që ishte, tundte kokën dhe thoshte : « Prisni! Edhe ne do të na përfshijë. »

Në një mëngjes më zgjoi një shpërthim i largët. « Do të fillojë menjëherë shiu », mendova unë. Po më gërryente stomaku. U ngrita, hodha diçka krahëve dhe zbrita në kuzhinë për të ngrënë diçka. Kur po ecja në korridor, pashë gjyshen në dritare duke gulçitur. « Gjyshe, çfarë ke ? » e pyeta unë. « Shiko atje Leila ! Lufta erdhi këtu tek ne. » dhe më tregoi me dorë nga dritarja. Periferia e qytetit ishte ndezur flakë. Fillova të qaja, se edhe gjyshja po qante. Deri në atë moment, unë e njihja luftën vetëm nëpërmjet librit të historisë, dhe nga filmat e këqij si « Rambo ». Askush nuk mund ta kuptojë marrëzinë e luftës, nëse nuk e ka përjetuar.

31. 05. 1992

Afër B. u zhvilluan luftimet e para midis HVO dhe trupave serbe. Sot u dëgjaun dy herë sirenat. Tek serbët u vranë tre burra dhe tek HVO një.

Nga ditari i nënës.

Sapo u lirua telefoni vrapova ta kapja për t’i telefonuar nënës. Me shumë trishtim më sqaroi se në Sarajevë gjendja ishte shumë kritike. Pastaj filloi të qante dhe më paralajmëroi që të dëgjoja me kujdes gjyshin dhe gjyshen. « Mos u frikëso ! Së shpejti gjithçka do të bëhet mirë. Do të vi tek ti, sa më shpejt që të jetë e mundur », më dha guxim ajo mua. Me bombardimin e qytetit të madh fqinj, Bihaq, lufta filloi edhe tek ne.

Dera u hap si me valë goditëse dhe teze Marisa, nga Bihaqi, u fut në korridor. E kishte humbur fare. Gjyshi provoi ta qetësonte dhe, njëkohësisht me padurim, e pyeste : « Trego, çfarë ka ndodhur ? » Flokët e teze Marisas ishin shpupurishur, dukej si e çmendur. Ajo rënkonte. Dikur e hapi gojën:

« Pranë shtëpisë tonë shpërtheu një granatë. Nga presioni i madh i valës së shpërthimit, gjithçka u rrëzua përtokë. Në grumbullin e mobiljeve të copëtuara dhe mureve të rrëzuara, ne nuk e gjetëm dot vajzën tonë tri vjeçe. Pas më se një gjysmë ore, burri e gjeti vajzën në rrënoja. Ajo kishte përfunduar një kat më poshtë, nga një vrimë e sapo hapur. Vajza e humbi të folurit për disa orë por, për fat, ishte dëmtuar lehtë », sqaroi ajo.

Teze Marisa, më vonë tregoi se, në rrugë kishte parë shumë të vdekur dhe të plagosur. « Kjo është e pamundur », tha daja Senad me gjysmë zeri.

Askush nga ne nuk e kishte menduar një gjë të tillë. Ne vazhdonim si zakonisht punën tonë. Me vizitën e tezes time, e kuptova se jeta jonë do të ndryshonte tmerrësisht.

Nuk zgjati shumë dhe K. u rrethua. Filluan bombardimet dhe të shtënat nga të gjitha anët. Nga shpërthimi i granatës së parë afër nesh, përjetova tmerrin e vërtetë. Me një kërcim u futa poshtë tavolinës dhe qëndrova aty deri sa pushuan gjëmimet. Ishte e pamundur ta imagjinoje se sa shpejt njeriu mësohet me ditën e luftës. Pas pak orësh i mësuam rregullat kryesore të sigurisë fizike. Qëndro larg dritares dhe ec i përkulur. Në fillim pati vetëm të plagosur dhe jo të vdekur. Serbët godisnin objektet industriale të zonës. Tri ose katër shtëpi afër tyre ishin rrënuar komplet. Pa zgjatur shumë, goditjet u përqendruan mbi popullsinë civile.

Reciprokisht ne i dhuronim ngushëllim njëri-tjetrit. « Nuk do të zgjasë shumë. Së shpejti gjithçka do të bëhet mirë. »

Gjatë ditës mendimet e mia fluturonin tek nëna. Ato ma shuanin fuqinë e të qeshurit. Natën ndjehesha shumë e dobët. « Do të më telefonojë nesër nëna ? Do të më thotë se, së shpejti gjithçka do të bëhet mirë ? » Nuk kishte më telefonata nga nëna. Ndërlidhja ishte ndërprerë. Isha e vetëdijshme për faktin se në luftë, njerëzit edhe vdesin, megjithatë qëndroja relativisht e qetë. Ajo që më shqetësonte më së shumti ishte ndërprerja e kontaktit telefonik me nënën. Ndjeja frikë, por jo panik si tezet e mia. Sapo gjëmonin shpërthimet dikund jashtë, ato i mbulonte paniku. Qanin, ulurinin dhe vinin vërdallë duke kërkuar ndonjë vrimë ku të mund të futeshin me të vegjëlit e tyre. Të afërmit e mi më donin të gjithë por, për momentin kujdeseshin vetëm për të vegjëlit e tyre. Mua më harruan.

Kur ulurinin sirenat, ne vraponim për në bodrum. Një dhomë rreth njëzet metra katror, e errët si tunel. Më parë ajo përdorej për magazinimin e rezervave dimërore. Tani, në ditët e luftës, disa herë në ditë, ngjeshemi aty njëzet ose më shumë persona pasi edhe fqinjët kërkojnë të mbrohen aty. Bodrumi dridhej nga bombardimet. Nuk kishim qirinj. Vështirë se guxonte kush të nxirrte një fjalë nga goja. Disa qanin. Daja im Cazi, më i riu, dridhej si thupra në ujë. Nënat i përkundnin fort fëmijët që qanin në djep me qëllim që të mos ndjeheshin. Dy net i kalova e mbështjellur në një batanije, në vrimën e bodrumit. Pastaj vendosa të shtrihem në krevatin tim. Doja të thithja ajër.

Në këtë kohë gjyshja u sëmur rëndë. Gjatë alarmit ajror e transportonim në bodrum. Shpesh qëndroja pranë saj me orë të tëra duke qarë dhe fërkuar duart e saj me rrudha. Akoma nuk kisha kuptuar asgjë se, ndërmjet kujt po zhvillohej kjo luftë. Të gjithë thonin se kanë shpërthyer çetnikët. « Çetnikët na urrejnë ne », do të thoshte kjo. Tamam nuk e dinte askush. Për mendimin tim, fjala ishte për njerëz të pushtetshëm, të cilët do të vendosnin fatin tonë. Nuk doja ta besoja kurrë se të gjithë serbët, në mënyrë të papritur, mund të bëheshin armiqtë e mi.

Nëse një çetnik do të vriste ndonjërin nga të afërmit e mi, do ta urreja për vdekje. Duhej që shoqen time serbe ta urreja për të njëjtën gjë? Ne të kundërtën, ajo nuk më kishte bërë asgjë të keqe. Filloi varrimi i viktimave të para në K. Nuk e kujtoj dot se kur e pashë kufomën e parë. Njerëzit humbnin sytë, këmbët ose, njëkohësisht, gjithë jetën. Në fillim, të gjitha këto i mendova tmerr.

Me të vdekurit ndryshoi edhe humori në familjen tonë. Para luftës, dajët dhe tezet e mia, nuk e njihnin nacionalizmin. Por, kjo ndryshoi shumë shpejt. Menjëherë veshën uniformën. Cazi frikacak luftonte në front. Senadi kishte gjetur një tavolinë pune, relativisht të sigurt, në ushtri. Gratë shkulnin flokët nga halli. Dhe burrat duhej të mësonin përdorimin e armëve.

20. 08. 1992

Në B. u dha tri herë alarm ajror. Nervozitet, pasiguri dhe frikë vihet re kudo. Ditë me radhë njerëzit braktisnin qytetin.

Nga ditari i nënës.

U bë si rregull që, qyteti bombardohej mëngjeseve, në drekë dhe darkë. Populli e dinte se kur mund të guxonte të dilte në rrugë. Sapo vendosej qetësia jashtë, të gjithë vraponin si milingonat, të kërrusur, në vrimat e tyre të errëta. Aty ku kishte shpërthyer një bombë, vraponim unë dhe gjyshi im. Shikonim me kujdes vendshpërthimin dhe si « specilaistë » të mëdhenj, diskutonim për bombën dhe dëmin e shkaktuar. Në K. na mendonin ne të dyve të pazakontë. « Ata të dy janë më trimat dhe më budallejtë e qytetit.» Shpejt unë isha në gjendje të dalloja llojet e shpërthimeve dhe predhave. Predhat e vogla, si rregull, dëmtonin vetëm çatitë. Kur binin shumë, mund të demtonin edhe dy kate. Kur ushtarët filluan të qëllonin me bombat e fuqishme, të cilat quheshin «Sau», më hyri një frikë e madhe. Shpesh ndodhte që bombat humbisnin drejtimin dhe binin në fushë. Kështu që një «Sau» goditi një shtëpi duke krijuar një krater të madh. Nuk zgjati shumë dhe qyteti ynë thuajse u shkatërrua përgjysmë. Flitej se : «Në krahasim me breshërinë e bombave, ka shumë pak të vdekur.» Kishte qindra të vdekur.

Për arsye se shkolla ishte mbyllur, ndërkohë, vizitoja shoqet e mia. Sabina ishte shndërruar në një ekstremiste. Aty mesova për herë të parë se kush ishin çetnikët. «Janë xhelatë serb, me mjekra të gjata, duhet të vriten të gjithë», thoshte ajo. Për pikëpamjet e saj, ne jemi grindur sa herë. « Për mua ka vetëm njerëz të mirë dhe të këqij », mendonte Ferida. Pas pak ditësh e përlau vdekja. Një bombë e coptoi 16 vjeçaren, duke ngrënë drekë në shtëpi. Qajta por, nuk u paralizova nga tmerri. Vdekja thuajse ishte bërë normalitet. « tani më beson mua se të gjithë serbët janë të poshtër?», më tha Sabina kur po qanim shoqen tonë. Në atë moment dola nga vetja ime. « Dëgjo këtu, këtë bombë, me siguri që nuk e ka fluturuar mbi ne një shok imi serb nga B.» I qëndroja me forcë mendimit tim. Megjithatë, mendoja se, është më mirë t’i mbaj për vete mendimet e mia.

Askush nga të afërmit e mi nuk e mohonte mundësinë e arratisjes. Megjithatë nuk kishim zgjedhur asnjë drejtim se nga mund të shkonim. Mua më preokuponin gjëra të tjera. Do të bombardohet familja ime në B.? Janë akoma të gjallë? Përpiqesha të isha po aq e fortë sa nëna ime. Këtë e arrija më së shumti kur isha me tezen time Amila. Ne tregonim barcoleta për arsye se nuk kishte mbetur gjë tjetër për të qeshur. I hapnim komplet dritaret me qëllim që të mos thyheshin xhamat nga vala goditse e shpërthimit të bombave. Perdet i shtynim në anë. Kur na vizitonte ndonjë granatë, teze Amila ngrihej menjëherë dhe mbyllte perdet. Të mrekulluara pyesnim: «Çfarë do të thotë kjo çmenduri?» Ajo bënte shaka: « Kjo do të na mbrojë nga copat e granatave.» Mbanim barkun me dorë nga të qeshurit.

Sapo pushonin bombardimet, fillonim të flisnim për bëmat e ditës. Nuk e linim gjellën të ftohej kur kishte alarm. Ne e kishim krijuar një ide se, kur ishte e rrezikshme për ne. Nga forca goditëse dhe toni, e kuptonim nëse ishte goditur një godinë. Për fat, në shtëpinë e gjyshërve të mi, me përjashtim të energjisë elektrike, nuk na mungonte gjë. Kishim rezerva të mjaftueshme ushqimore. Daja im e mbylli dyqanin dhe i solli të gjitha gjërat në shtëpi. Kështu që, edhe njerëzve të tjerë të zonës, kishim diçka për t’iu dhënë. Çdo ditë mendoja unë: « Nesër do të largohet fantazma. Menjëherë do të shkoj tek prindërit e mi.»/Vijon

Përkthyer nga Lekë Imeraj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat