Ferma e pulave

Kultura

Ferma e pulave

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 29 korrik 2020 Në ora: 07:27
Kopertina e librit

Makinën e drejtonte vrasësi i Zerinës. Pas një ore makina ndaloi në një vend të izoluar. Tetë baraka llamarine u gjendën para nesh. Të gjitha së bashku dukeshin si një kazan i ndarë në disa pjesë, si punë vagonash të braktisur. Vendi ishte i rrethuar me tela me gjemba. Rreth e rrotull kishte fusha dhe pyje. Filluan gjëmimet.

Dy ushtarë, më urdhëruan të zbrisja nga makina, dhe më shoqëruan drejt një dere, duke kaluar afër vendrojës. Në paradhomë ishin ulur tre meshkuj, secili në tavolinën e vet të punës. « Ah, furnizim i ri ! », bërtiti njëri nga ata. Ndër ata ishte dhe një burrë, rreth dyzet e pesë vjec, gjysmë tullac dhe me mjekër shumë të gjatë. Vazhdimisht më shikonte me përbuzje.

Sekretarja e tij nxori një letër nga sirtari, të cilën unë duhej ta firmosja menjëherë. Nuk arrita ta lexoja. Ashtu nxitimthi pashë se aty ishte shkruar se unë, isha pjesë e ushtrisë së Bosnje-Herzegovinës dhe se, kisha qëlluar me armë, nga një makinë me targa të panjohura. Reagova menjëherë dhe doja të sqaroja se këtu ka një keqkuptim. « Mbylle llapën ! » ma ndërpreu mua mjekroshi. Nuk më mbeti gjë tejtër veçse të bindesha. Kur ai burri po lexonte fletën time, më tha: « Do të kishte qenë më mirë për ty sikur të kishe mësuar të shkruaje, se sa të qëlloje me armë». Nga që dridhesha e tëra, shkrimi im ishte sikur ta kishin shkarravitur pulat.

Lexo edhe: Shpërthimi i luftës

Ishte errësuar, kur njëri nga rojat, më shpuri diku tjetër. Unë nuk kuptoja më asgjë. Një moment kishte përmbysur gjithçka. Ushtari hapi derën dhe më shtyu në një vrimë të errët. Nuk shikoja dot dorën para syve. « Kjo është një dhomë gazi », më shkoi menjëherë mendja. Ajri ishte aq i qelbur dhe i rëndë sa, mund ta prisje në rriska, me thikë. Fillova të përgjoja nëse isha vetëm apo ndodhej edhe dikush aty. Dëgjova rënkime dhe zhurma njerëzish. Një bebe rënkonte. Më në fund paska njerëz!

Fillova të ecja me shumë kujdes, duke prekur me duart e shtrira përpara. Doja të dija sa e madhe ishte ajo dhomë, pus e zezë, pa dritë dhe dritare. Sapo bëra dy hapa, këmba më shkeli mbi dikë. Një grua bërtiti fort: « Kujdes! » E tmerrruar, vazhdova përpara dhe pas pak u ndesha në dikë tjetër. Aty vendosa të mbështetesha në mur. I kryqëzova duart në gjoks, pasi po mërdhija në këmishën time prej mendafshi. Gradualisht sytë e mi po përshtateshin me errësirën. Në dysheme munda të dalloja hije të zeza. Menjëherë e lëviza njërën nga ato dhe ajo më foli: « Je e re këtu? » Nga zëri munda të dalloja se ishte një grua e moshuar. Nuk e kuptova tamam pyetjen e saj. «Të lutem, më sqaro se ku jam! Sapo më sollën këtu». Gruaja provoi të më qetësonte: «Mos ki frikë! Sa vjeç je?» «Gjashtëmbëdhjetë», i thashë unë. Pastaj u mundua të më sqaronte: «Ulu këtu në dysheme! Nuk ke ku shkon më tej. Eshtë plot». E bombardova gruan me pyetje. «Çfarë kanë ata ndërmend të bëjnë me ne? Çfarë është ky kazan metalik ku na kanë futur? Ku ndodhemi?»

Lexo edhe: Zerina

«Edhe unë nuk di gjë, vogëlushe. Të gjithë fëmijët e mi i kanë arrestuar. Ata janë diku tjetër, nuk e di se ku». Pastaj filloi të rënkonte. Rreth nesh ishte qetësi. Tamam, aq shpejt sa u shfaq plaka, edhe u zhduk ajo, duke më lënë vetëm.

Deri në arritje nuk kisha derdhur lot. Menjëherë më pushtoi një ndjenjë frike dhe shpërtheva në lot. Plaka erdhi përsëri tek unë dhe u mundua të më qetësonte. Gjithçka do të bëhet përsëri mirë. Më pushtoi një gjumë i thellë dhe ëndërroja Zerinën. Bërtitja ime e madhe më zgjoi. «Çfarë të ndodhi ? » më pyeti e merakosur plaka. I tregova se si arrita tek Zerina, si e qëlloi ushtari me pistoletë në bark, si rënkonte ajo nga dhimbjet dhe si e vrau duke e qëlluar edhe dy herë të tjera. Plaka më tërhoqi nga vetja. Deri në mëngjes nuk i mbylla më sytë.

Kur zbardhi dita, munda të shikoja se ishin rreth shtatëdhjetë gra dhe fëmijë të mbyllur në këtë vathë metalike. Disa ishin shtrirë mbi kashtën e shtruar anash. Ishte kashta që kishte mbetur akoma nga pulat. E shqetësuar, vija vërdallë poshtë e lart nga nevoja për të shkuar në banjo. Plaka pranë meje u zgjua. «Hajde me mua!», tha ajo.

Mes trupave të shtrirë për tokë, kaluam deri në fund të sallës. Në dysheme ishin jashtëqitjet e shtatëdhejtë njerëzve. Dukej qartë se, shumica e tyre ishin me bark. Më erdhi për të vjellur, nga pamja dhe era e keqe. «Këtu mund ta mbarosh hallin tënd », më tha plaka. «Hajde, hajde se do të mësohesh me këtë gjendje», më qetësoi ajo mua megjithëse kishte vetëm katër ditë aty.

Papritmas u hap dera. « Jashtë!» uluriti një ushtarak. Në oborr, plakat e vjetra, gratë me bebe në dorë dhe fëmijët, duhej të rreshtoheshin në tri rradhë. Ndjeva se ajri i freskët po më gjallëronte disi. Drita ishte verbuese. E humba plakën nga sytë. E hutuar, zura vend në një radhë dhe po shikoja se si rojat i hapnin dyert e stallave të tjera me shqelma. Për pak minuta, në oborr u grumbulluan rreth treqind të burgosur. Nga stallat e para dolën burrat e burgosur. Një ushtarak, iu afrua rradhës tonë, ecte duke kaluar para çdo gruaje dhe thoshte: «Ti, dil nga rradha! Ti, qëndro!» Në këtë mënyrë, secila nga ne u nda në një grup pune të vecantë. Punët ishin, qërim patatesh, shërbim sanitar, mbushje uji dhe pastrim fekalesh. Shërbimi ndërrohej në dy ditë.

Në ditën e parë, mua me pesë gra të tjera, na dërguan në shërbim sanitar. Nje rojë na futi në një bodrum ku ishin ndërtuar shumë vaska betoni. Aty na duhej të lanim fasha të panumërta, të cilat ishin me gjak, grimca mishi dhe copëza kockash. Më zuri neveria kur mendova se do të më duhet t’i fus duart në atë supë të përgjakshme dhe, të laja ato gjurmë krimi. Për të kërkuar ndihmë, i hodha një sy shoqes pranë. Pashë se ajo i kishte tretur sytë dikund larg. «Si quhesh?», provova unë të hyja në bisedë me atë. Ajo më tha emrin dhe menjëherë më ktheu kurrizin. Deri në mbremje nuk e hapa më gojën. Duke larë fashat, shpoheshin gishtat nga copëzat e kockave, të cilat ishin të mprehta si gjilpëra. Në fund i futëm ato sende të ndyra në një makinë larëse. Më vonë e mora vesh se, puna jonë, në krahasim me ato të të tjerave, kishte një përparsi të madhe. Të paktën ne kishim ujë për të larë duart dhe freskuar fytyrën.

«Pastroni!», na bërtiti roja. Në rreth pesëmbëdhjetë dhoma të sëmurësh, ndodheshin, të paktën dy deri në tre ushtarë të plagosur. Gjymtyrëprerët e freskët shtriheshin pranë njerëzve pa fytyra. Infermieret mbyllën hundën me dorë kur ne u futem brenda dhe bërtitën : « Pfu, erdhi përseri banda e qelbësirave!» Secila nga ne duhej të lante me leckë çdo cep të dyshemesë. Megjithëse një pjesë e ushtarëve ndjeheshin shumë keq nga plagët, përseri gjenin forcë të na shanin, qëllonin dhe pështynin. Ne nuk guxonim të reagonim, na duhej vetëm të duronim derisa ata të kishin nxjerrë vrerin e tyre kundër nesh. Shumica e tyre ishin myslimanë, vëllezërit tanë. Rrallë mund të takoje një njeri, i cili guxonte të të jepte fshehurazi një banane apo mollë.

Si delet në vathë futeshim në mbrëmje në stallën tonë të qelbur. Secila nga ne kërkonte një vendfjetje të mundshëm aty. Fat kishte ajo që arrinte e para, për të siguruar pak kashtë, si shtresë dhe mbulesë. Gjithë frikë, u shtriva unë në dysheme, me bindjen e plotë se nesër dikush do të më thërrasë për hetim. Duhej të sqaroja të gjitha marrëzitë dhe pastaj të shkoja në shtëpi. Rreth meje nënat shtërngonin bebet e tyre pas trupit. Bebet ulurinin nga dhimbjet. Shumë vuanin nga infeksionet e lëkurës. Nuk kishte as pelena dhe as pampers. Gjithkush kishte vetëm ato që kishte në trup. Pas pak ditësh, fëmijët i transportuan dikund. Tani unë isha ndër më të rejat, me dy vajza të tjera, të cilat ishin gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë vjeç. Një ditë edhe ato të dyja u zhdukën. U liruan, u rrëmbyen apo u ekzekutuan?! Askush nga ne nuk dinte gjë.

Stomaku më dhimbte nga uria. Nuk e dija se kur kisha ngrënë diçka për herë të fundit.

« Kur na sjellin për të ngrënë? » pyeta një grua afër meje. « Duhet të mësosh të presësh », u përgjigj ajo. Pas pak, dy roja kaluan me një karrocë dore dhe na shpërndanë bukë. Sipas humorit të secilës nga ne spiunet, ata jepnin një ose dy rriska bukë. Me gishta e kruaja mykun nga buka. Kur mora vesh se si ishte puna e ujit mësove se: Nëse na japin diçka për të ngrënë, nuk na takon ujë. Nëse dikush kërkon ujë, nuk i takon ushqim. Duke u mbllaçitur me bukën thatë, mendja më shkoi tek nëna. Vetëm sikur ta përqafoja dhe një herë! Shpresoja që, familjes time, të mos i kishte ndodhur e njëjta gjë si mua. Në fillim i numëroja ditët. Pastaj fillova t’i harroja. Ndodhi ashtu, vetëvetiu.

Rregullat në kamp mësoheshin shpejt. Shumë gjëra vareshin nga rojat e veçanta. Gjithsej, ata mund të ishin rreth tridhjetë. Nese ishin serbë apo myslimanë, dalloheshin nga emri ose uniforma që mbanin. Para çdo stalle qëndronte një rojë. Midis stallave ruanin edhe dy të tjerë. Ata ndërroheshin vazhdimisht. Midis tyre kishte të mirë dhe të liqj. Disa thuajse nuk e hapnin gojën fare. Na detyronin të këndonim këngë gjatë punës. Kishte edhe nga ata të cilët, ne nuk guxonim t’i shikonim kurrë në sy.

Ne e shfrytëzonim ndryshueshmërinë e karaktereve të tyre. Edhe me ata që guxonim të flisnim, flisnim për gjëra të parëndesishme. « Si quhesh? Nga vjen? Pse je akuzuar?» Përgjigjet më të shumta ishin : «Jam nga Velika Kladusha, jam arrestuar për shkak të burrit tim. Ai është anëtar i Korpusit të Pestë».

Të burgosurat nuk afroheshin shumë me rojat, edhe në rastet kur mund të hynin në bisedë. Gjithkush ishte i zënë me problemet e veta. Ditët e para i jepnin njëra-tjetrës kurajo me anë të shikimit por kjo nuk zgjaste shumë. Megjithatë, unë gjatë gjithë kohës e ndjeja një lidhje me ata njerëz. Të gjitha duhej të përballonim të njëjtën dhimbje, të njëjtat vuajtje. Dhe secila vetëm.

Pas pak ditësh, gjatë pastrimit të fekaleve, u njoha me Rabijen. Ajo ishte njëzet e shtatë vjeç dhe kishte flokë të gjata, ngjyrë kafe. Dukej shumë e dobët dhe fizikisht e mbaruar. Të jepte përshtypjen sikur, me goditjen e parë, shpërbëhet në njëmijë copa të vogla. Megjithatë ajo ishte më rezistentja dhe më e forta nga të gjitha. Gjatë kohës që mblidhnim fekalet me lopatë dhe i transportonim diku jashtë stallës, qëndronim përballë njëra-tjetrës. Ishim të të njëjtit mendim se, shërbimi tek fekalet, ishte shërbimi më i mirë aty. Kjo për faktin se nuk ishim aq shumë nën kontrollin e rojave dhe mund të flisnim lirshëm. Pas pastrimit të sallës, na duhej të pastronim edhe fjetoren e ushtarëve. Kur pastronim dyshemenë, ushtarët gërhisnin në krevatët e tyre. Nuk na shqetësonin. Pastaj mund të ktheheshim në stallën tonë. Shpesh ktheheshim me ditë dhe mund të lëviznim pak, aty brënda. Poshtë e lart, si tigri në kafaz.

Kur unë dhe Rabija binim bashkë në grup, gëzoheshim, flisnim me shumë qejf me njëra-tjetrën. Ajo më tregonte mua për vajzën e saj katër vjeçe, të cilën, në momentin e arrestimit, e kishte lënë vetëm në shtëpi. Ushtarët, ashtu fare thjeshtë, ia kishin rrëmbyer nga duart. Mbytej në lot kur e tregonte këtë ndodhi. «Kush kujdeset tani për vajzën time? » donte të dinte ajo. Çdo natë zgjohet nga të thirrurat e saj: « Mami, mos ik! » Sapo u qetësua pak Rabija, fillova t’i tregoja unë për nënën time. Çfarë njeriu i jashtëzakonshëm që është dhe sa merak bëhem unë për familjen time! Rabija ishte e vetmja, me të cilën unë u miqësova pak. Aq sa ishte e mundshme në ato kushte. Nganjëherë, ajo shtrihej afër meje gjatë natës. Por, jo dhe aq afër, sa ne mund ta ngrohnim njëra-tjetrën.

Netët aty nuk ishin për t’u qetësuar. Shpesh, ushtarët e dehur, në grupe pesë apo gjashtë veta, shpërthenin në stallën tonë. Godisnin pa mëshirë me çizmet e tyre ata që ndeshnin në dysheme. Askush nuk e dinte psenë. Hamendësisht kishin pësuar disfatë në fronte dhe hakmerreshin tek ne. Ato shpërthime tërbimi të ushtarëve ishin të vetmet shenja, nga të cilat ne mund të kuptonim diçka, se lufta e tyre, nuk po shkonte mirë.

Kur dhuna ndaj të burgosurave vinte si rrjedhojë e monotonisë së tyre, hakmarrjes apo thjeshtë për argëtim, ata i përdhunonin gratë. Kjo ndodhte brenda në sallë ose dikund aty afër, jashtë. Në netë të tilla janë zhdukur shumë gra. Sapo shikoja dritën e elektrikut të dorës që lëvizte mbi trupat tanë, bëhesha aq e vogël sa e pamundur. Bëhesha si një buburec i vdekur. «Të lutem, leri të shkojnë ! Leri të shkojnë tek dikush tjetër!» i lutesha unë Zotit me mend. Pastaj, afër meje, dëgjoja grisjet e rrobave. Disa bërtisnin si të çmendura për ndihmë, të tjera qanin, dikush tjetër nuk ndihej fare. Tmerri më largohej vetëm kur ushtarët mbyllnin dyert pas tyre. Gjatë ditës askush nuk fliste për përdhunime të tilla seksuale. Çdo ankesë vetëm do ta përkeqësonte gjendjen tonë. Bënim sikur nuk kishte ndodhur asgjë.

Arratisje !? Natyrisht që unë e mendoja arratisjen. Vetëm nuk e dija se si mund ta realizoja këtë. Kur dëgjoheshin të shtëna armësh rreth kampit, dihej se e provoi edhe dikush. Pa sukses! Një herë, kur unë po qëroja patatet me njëzet e pesë gra të tjera, një i burgosur provoi që të arratisej vetëm. Midis dy mureve, ushtarët duhej të transportonin rreth tridhjetë kazana, plot me ujë dhe patate. Kur unë po nxirrja patatet nga një kazan me ujë për t’i qëruar, munda ta shikoja me bishtin e syrit burrin që po mundohej të arratisej. U fsheh pas një kazani. Pastaj u zvarrit drejt gardhit me gjemba. Me siguri ai donte t’i bashkohej Korpusit të Pestë. Papritur u dëgjuan të shtëna pas tij. Burri u shemb si një krimb përtokë./Vijon

Përktheu: Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat