“Loja” therja

Kultura

“Loja” therja

Lekë Imeraj Nga Lekë Imeraj Më 30 korrik 2020 Në ora: 16:20
Kopertina e librit

Në disa raste, ushtarët luanin «therja » në oborrin e burgut. I nxirrnin në oborr, një ose disa burra të burgosur. Pastaj na nxirrnin ne gratë dhe na urdhëronin që të qëndronim para burrave. « Ju lutem, na kurseni një pamje të tillë ! Na ktheni në stallë!» luteshin disa nga gratë e guximshme. Torturuesit tonë as që donin t’ia dinin fare dhe kurrsesi nuk donin ta humbisnin atë rast zbavitjeje. Ne na duhej të shikonim se si burrat rriheshin për vdekje. Ajo që mbyllte sytë apo kthente kokën mënjanë, për të mos parë torturat mbi burrat, duhej ta llogariste me më të keqen e mundshme.

Kafshët theren në mënyrë më humane se ata njerëz. Ushtarët nxirrnin thikat nga xhepi dhe vizatonin në gjokset e burrave lakuriq objekte të ndryshme si hënën, diellin apo diçka tjetër, duke i prerë ata. I prisnin në qafë, jo aq thellë sa të vdisnin menjëherë, dhe i linin të bërtisnin. Me kokat e prera luanin futboll.

Disa gra nuk e përballonin dot atë horor. « Eshtë më mirë të na vrasin », bërtiti një grua e dobët me kovat e ujit në dorë. I hodhi kovat përtokë, dhe e verbuar, u turr drejt telave. Por, nuk arriti gjatë. Tentativë arratisjeje do të thoshte vdekje. Megjithatë mendimi për arratisje më dha shpresë. Kjo ishte e lidhur me Samirin, të cilin e njoha kur po mbushja ujë. Në javët e para, gratë takoheshin shpesh me burrat e burgosur. Pastaj na ndanë përsëri.

Lexo edhe: Shpërthimi i luftës

Bashkë me Samirin, më kishin caktuar në një grup prej tridhjetë vetash për të mbushur ujë. Mbushja ujë, ishte shërbimi më i rrezikshëm aty, pasi burimi ishte vetëm pak metra larg frontit të luftës. Nga njëra anë qëllonin ata të Korpusit të Pestë, ndërsa nga ana tejtër trupat paramilitare. Që të të mos kapte ndonjë plumb qorr, duhej të shtriheshe menjëherë përtokë. Marshimi në këmbë për tek burimi në pyll, zgjaste afërsisht njëzet minuta. Zakonisht ecnim dy të burgosura në krah të njera-tjetrës. Burrat i mbushnin kovat pesëdhjetë litërshe. Gratë transportonin kovat njëzet litërshe. Nuk e di sa herë kam humbur ndjenjat në atë rrugë. Disa nuk arrinin të ngriheshin më.

Kur Samiri më afrohej, sikur merrja forca të reja. Djaloshi ishte shumë simpatik dhe me shumë temperament. Kur më varej koka, ai më afrohej dhe thoshte : « Vetëm prit, Leila! Kur të dalim prej këndej, do të shkojmë të pimë kafe me gjyshen tënde në K ». Një herë qeshëm me një rojë, të cilit i ishin grisur pantallonat dhe i dukeshin ato brenda. Nuk ishte ndonjë gjë e veçantë por, ne nuk pushonim së qeshuri. Me Samirin thurnim planet e arratisjes. Për çdo rast ai kishte një tjetër ide. Gjatë natës unë mendoja në mënyrë intensive për arratisjen.

Lexo edhe: Zerina

«Jashtë!» ky ishte refreni i çdo mengjesi. Pasi na ndanin sipas vendeve të punës, në disa raste, na mbanin në oborr. Kjo nuk do të thoshte gjë e mirë. Do të luanin « Lojën » therja dhe, dikush nga burrat do të therej.

Kur pashë viktimën, m’u këputën këmbët. Ishte Samiri. Me qëllim që unë ta shikoja sa më afër atë, më afruan afër vendit të therjes . Për një moment shikimet tona u kryqëzuan fort. Por kjo nuk zgjati shumë. Një goditje e fortë që, dikush i dha në stomak, na ndau nga njëri-tjetri. Një turmë ushtarësh iu sulën atij dhe e qëlluan aq shumë sa Samiri nuk dukej më si njeri.

Lexo edhe: Ferma e pulave

Dy me uniformë e mbanin fort pasi ai nuk mund të qëndronte më në këmbë. Pastaj një ushtar solli një portret të Alija Izetbegoviçit dhe ia hodhi tek këmbet. E urdhëruan që të hypte sipër portretit dhe ta shkelte me këmbë. Në vend të zbatimit të urdhërit Samiri, si me zë të vdekur tha: « Rroftë Bosnje-Herzegovina ! » Nga goja i rrodhën currila gjaku. Të dy ushtarët, që po e mbanin, rrotulluan sytë të nevrikosur kur dëgjuan thirrjen e tij. Njëri ia vuri pistoletën në tëmth dhe i tërhoqi këmbëzën.

Hamendësisht ishte ajo dita, në të cilën unë vendosa të mos ndjej dhimbje më. Nganjëherë më vinte keq për veten time. Nje grua më njoftoi se, përseri ishin vrarë, kështu e ashtu dhe unë, mblodha supet. «Çfarë do të thotë kjo». Ne grave nuk na prisnim ushtarët në fyt. Ata kishin menduar diçka tjetër për ne. Ata na përdhunonin dhe na rrihnin për vdekje, sido që të rrinim e të silleshim. Pse-ja nuk i interesonte më askujt këtu. Kjo sillte vetëm çmenduri. Askush nga ne nuk e dinte pse ndodhej aty, në atë burg vrasës. Nga mund ta kuptonim ne se, si njerëzit shndërrohen në përbindsha? Pse pështynin në gjakun e vëllezërve të tyre? Deri sot unë nuk kam gjetur përgjigje për këto pyetje.

«E gjithë kjo është një ëndërr e keqe», i thoja vetes netëve në stallë, « nesër gjithçka do të bëhet më mirë ».

E shtrirë mbi kashtë, e fusja veten në një botë tjetër. «Pas dy orësh do të shkoj në plazh dhe do të rrezitem në diell». Madje, bëja sikur po shikoja orën. Një kohë të gjatë ëndërroja sikur një rojë i ri dhe i bukur, do të më shpëtonte mua. Ndër të tjera, forcoja gjithnjë e më shumë besimin se, Korpusi i Pestë do të fitonte. Më dukej si një e vërtetë kjo. Me vete nuk flisja më për nesër por, për dikur. Dikur do të përfundojë e gjithë kjo marrëzi njerëzore.

Kur mëngjeseve heret dilnim nga kafazi ynë i qelbur, shikoja pamjen tonë të tmerrshme. Dordolecët me siguri që dukeshin shumë më të bukur se ne. Shumë pak nga ne mund të kishte një palë mbathje të plota. Fundet dhe pantallonat ishin vetëm në copa të grisura. Kur gratë përjetonin periodat, gjaku u ngjitej gjithandej. Tek disa, nga tmerri, ishin ndërprerë periodat. Me siguri që disa ishin shtatzënë. Vazhdimisht më kruhej trupi pasi, nga lart poshtë dhe gjithandej, isha mbushur me morra. Dikur fillova të mos i ndieja më. Pisllëku nuk më bënte më përshtypje. Gjëja më e rëndësishme ishte një copë bukë.

Zorrët ulurinin kur, për dy ditë, dhëmbët nuk përtypnin asgjë. Kur kalonin tri ditë pa futur gjë në gojë, njeriu fillonte të urrente veten. Ishte e vështirë të ndahesha nga ajo ndjenjë. Uria e shkatërronte stomakun. Në ditën e katërt gjendja bëhej vërtetë tragjike. Njeriu vështirë se mund të mbahej në këmbë. Në raste të tilla, fantazoja sikur po ecja në qytet, duke ngrënë çokolata. Në shtëpi më pret nëna me pula të pjekura dhe patate. Fantazoja aq shumë sa, me të vërtetë më dukej sikur isha ngopur tërësisht. Madje, në erën e qelbur të fekaleve, ndjeja erën e këndshme të patateve të skuqura.

Kur rojat nuk sillnin diçka për të ngrënë në ditën e menduar, humbisnim edhe atë pak forcë për të fantazuar. Shpesh na torturonin ushtarët duke ngrënë në sytë tanë sallam dhe bërxolla. Në një rast, edhe ne të burgosurave, na sollën diçka të veçantë për të ngrenë, makarona me fasule. Hamendësisht ushtarët festonin një fitore. Pjatat ishin të pista dhe gjella e tharë. Megjithatë, asgjë nuk më kishte shijuar më mirë./Vijon

Përktheu: Lekë Imeraj - shkrimtar, përkthyes, publicist

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat