Mërgimtari që të josh përmes ndjenjës së ndjeshme të dashurisë dhe atdhedashurisë

Kultura

Mërgimtari që të josh përmes ndjenjës së ndjeshme të dashurisë dhe atdhedashurisë

Nga: Baki Ymeri Më: 30 korrik 2020 Në ora: 17:13
Foto ilustrim

Remzi Basha njihet me vëllime të botuara në Kosovë, Shqipëri, Suedi, Amerikë dhe Bukuresht: Zëri i Atdheut, Zëri i Kosovës, Drita e dashurisë, Gjeografia e atdheut dhe alfabeti i atdhedashurisë, Mbretëria e dashurisë, Fuqia e dashurisë, Bota e bekuar e dashurisë, Fuqia mgjike e dashurisë, Pranvera e dashurisë, Parajsa e dashurisë, Shpirtluanesha e Dardanisë, Me ty vjen pranvera, Perandoria e dashurisë, Vetëm për ty jetoj, Afërdita ime, Shpirti im i shenjtë, Ti je mrekullia ime, Dallgët e dashurisë, Lumturi hyjnore, Delta e dashurisë, Shtrati i dashurisë, Mosha e artë e dashurisë. Përmes vëllimit „Mosha e artë e dashurisë”, autori justifikon faktin se arti dhe dashuria e përfaqësojnë kuptimin e jetës dhe përjetësinë. Poezitë më karakteristike të tij kanë strukturën e hijeshisë së universit. Universi është një libër i hatashëm me fenomene hyjnore të fshehura në fshehtësitë e fshehtësive. Universi është i përmbushur me planeta të degdisura dhe njerëz të varfër që kanë frikë mos të shembet anija e çmuar e qiellit. Cilësia dominuese e Remzi Bashës është inteligjenca dhe energjia e fjalëve të azdisura që të pyesin: More djal, ti po më do? Shumica e teksteve të tij janë instrumente erotike. Ardhmëria e shkrimit të tij i përket të shkuarës.

Përballë nesh nuk kemi tjetër veçse poetin e dashurisë me një depërtim magjik në botën hyjnore. Ndërmjet lexuesve të një kulture ekzistojnë zbulues, inventatorë dhe eksploatatorë. Universale dhe atemporale, pra kurdoherë moderne, poezia e Remzi Bashës është vlera kombëtare e një stili të veçantë lirik, i kristalizuar në këtë vepër të re edhe me subjekte meditative. Këtu qeveris në mënyrë mazhoritare funksioni tradicional i diskursit poetik. Në përfytyrimet më të thella të vizionit lirik, lexuesi ballafaqohet në disa vargje edhe me subjekte satirike. Fjala e poetit të magjeps, sepse është mbrojtëse dhe ngazëllimtare. Emblema e saj është sfera dhe ekuivalenti i saj në kuadrin e simetrive harmonike, ku fraza dhe antifraza organizohen sipas ligjeve të unitetit dhe ekuilibrit. Sado romantike është jeta e poetit, ai e siguron lexuesin e vet për mundësinë e gjetjes së qartësive ekzistenciale, duke ndjekur në masë të madhe një logjikë të natyrshme, nganjëherë ndoshta e tejkaluar, por gjithsesi e kuptuar si një pajtim i përbashkët, por jo edhe si një gjendje e çuditshme, dhimbje abstrakte, mundime të trurit, qartësi të ndryshme nga ato që i janë të njohura ndjenjës së mirë të shpirtit të pajtuar me botën.

Pa dyshim, gjenerata e poetit është për momentin gjenerata më e gjallë, më e zhdërvjelltë në letërsinë shqipe të mërgimit. Përfaqsuesit e këtij brezi kanë poezi, prozë, eseistikë, si dhe në kritikë, por edhe në segmente tjera të jetës kulturore, të silës ata i japin forcë momentit aktual. Remzi Basha në Suedi, Neki Lulaj në Gjermani, Dedë Preqi në Zvicër, Rita Saliu në Amerikë, e të tjerë. Disa që kanë lindur para nesh, kanë vajtur në botën e hijeve, ndërsa një gjeneratë tjetër e re, e cila gjendet në rrugë të afirmimit, ende nuk mund ta justifikojnë pretendimin për t’ia zënë vendin gjeneratës së shekullit të shkuar. Fjala është për emra që do të mbeten në kujtesë të letërsisë shqipe të mërgatës shqiptare, ndër të cilët edhe Remzi Basha. Poeti vjen nga Dardania në trojet e Skandinavisë, dhe vargjet e tij të joshin që nga fillimi, përmes notës së tyre me një delikatesë të ndjeshmërisë. Poezinë e tij e karakterizojnë obsesionet, mitet, brishtësia, jeta me mrekullitë e saj, ndjenja e solidaritetit me universin dhe mbi të gjitha dashuria. Lirika e tij është një univers i harlisur, herë-herë deklarativ, i shumëngjyrshëm dhe i furishëm. Sipas kritikës letrare, tekstualizmi i Remzi Bashës është një tekstualizëm që të josh përmes ndjenjës së ndjeshme të dashurisë dhe atdhedashurisë.

Jo çdo gjë që të kujtohet duhet ta thuash. Jo çdo gjë që e thua duhet ta shkruash, dhe jo çdo gjë që e shkruan duhet ta botosh. Kjo vlen për çdo kend dhe për çdo kund. Ky vëllim nuk është as përmbledhja e parë dhe as ajo e fundit, e poetit të dashurisë dhe atdhedashurisë. Është i padyshimtë fakti se në letërsinë e mërgatës shqiptare ekzistojnë edhe poetë të tjerë, njësoj të rëndësishëm si autori i përfshirë në këtë vepër, por seleksionimin e vlerave e kemi bërë duke patur parasysh afrimin e një universi lirik të ngjashëm, univers i çmuar dhe admiruar, i cili u afrohet vlerave bashkëkohore të Evropës. Remzi Basha është poeti më i njohur shqiptar i Skandinavisë, një inventator që krijon një hapsirë krejtësisht të tjetërsuar të sentimenteve, atë që njihet përgjithësisht si hapsirë e aventurës poetike ku gjuha lind përsëri, duke rikrijuar krijues të tjerë sipas rradhës së saj! Poezia e tij shquhet përmes natyrës së gjërave, mitologjisë personale, parimit të simbolizmit, kozmogonisë poetike. Sekreti i kësaj poezie nuk qëndron te leksiku, por te mendimi origjinal dhe përceptimi origjinal, një mendim asociativ të cilin e karakterizon gjuha për gjuhën, gjuha e ndjenjës sublime, si dhe gjuha e mendimit të kristaltë. (Bukuresht, 1 Gusht 2020)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat