Intervista nga libri “Një Jetë në mes Amerikës dhe Kosovës” me Harry Bajraktarin - Bota Sot
Intervista nga libri “Një Jetë në mes Amerikës dhe Kosovës” me Harry Bajraktarin

Kultura

Intervista nga libri “Një Jetë në mes Amerikës dhe Kosovës” me Harry Bajraktarin

Beqir Sina Nga Beqir Sina Më 8 gusht 2020 Në ora: 17:05
Harry Bajraktari

Libri “Një Jetë në mes Amerikës dhe Kosovës” për Familjen Bajraktari, për Bajraktarët e Vranocit dhe të Amerikës, për Kullat tradicionale, kulturën dhe bizneset e Bajraktarëve ka 400 faqe. I shkruar me një stil të lehtë e mjeshtëror nga publicisti Muhamet Mjeku, që jeton ka vite në Nju Jork të SHBA, përmban në vete aq shumë pjesë, ide, filozofi, ngjarje, memorie, dhe njerëz me perspektivat antropologjike, historike, sociologjike e publicistike.

Në këtë vëllim janë botuar edhe shkrimet e autorit të publikuar në gazetën “Illyria”, në “Bota Sot”, në gazetën “Dielli” të Vatrës, në 55 , “Panorama”, “Telegraf”, “ Lajm” , dhe në disa gazeta e revista të tjera në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Këtu gjen aktivitetin e shqiptarëve të Amerikës nga vitet e 90-ta në të sotmen që kryesisht ka të bëjë me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe me demokratizimin e Shqipërisë.

Në libër ndodhen edhe disa intervista të Harry Bajraktarit, dhënë gazetave të ndryshme si dhe letra përshëndetëse, dërguar personaliteteve politike, njerëzve të kulturës dhe klerikëve.

Në mesin e tyre, është edhe kjo intervistë me Harry Bajraktarin, e realizuar gjashtë vjet më pare(March 3, 2014) dhe që është bërë pjesë e librit “Një Jetë në mes Amerikës dhe Kosovës”.

Kështu që me Harry Bajraktarin mund të bisedohesh për shumëçka e gjithçka për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan, sepse për më shumë se 25 vjet u ndodh në të gjitha proceset kryesore që shënuan diferencën e thellë progresive në marrëdhëniet e SHBA me Kosovën, me Shqipërinë, me shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Luginës së Preshevës.

Harry është nga ata shqiptarë të Amerikës si thonë se ” është si ai thesi i miellit sa herë që e tundë – nxjerr diçka” . Kur ndjek veprimtarinë e tij – në Amerikë, mëson se pak kush nga shqiptarët ka pasur rast, sesa Harry Bjaraktari të jetë akter kryesor dhe, ai njëherëshit, të gjendet disa herë në një tavolinë me persidentë të SHBA-ve, në takime me kongresmenë e senatorë, me përfaqësues të Departamentit amerikan të Shtetit, si dhe me diplomatë të vendeve të ndryshme, të botës që kanë përfaqësitë e tyre në New York dhe Washington.

Të gjitha këto takime i shfrytëzoi në dobi të kombit, për t’a bindur Washingtonin që të jetë në mbështetj të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe në përkrahje të të gjithë shqiptarëve në Ballkan. I tërë ky aktivitet i tij lidhet me vullnetin, motivimin, dëshirën dhe guximin për depërtuar në thellësitë e politikës Amerikane, si e vetmja rrugë për të ndihmuar shqiptarët në zgjidhjen e problemeve territoriale e politike.

Harry Bajraktari, nga të gjithë shqiptarët e Amerikës, shquhet për lidhjet e tija të mira me Kishën dhe Xhaminë, me lider dhe veprimtar të dalluar të komunitetit, afaristë dhe biznesmen, artistë dhe intelektual falë një kulture dhe qyterimi amerikan.

Trashëgmnisë së familjes së tij – edhe tipareve të bujarisë si tregojnë ata që e njofin qysh në vend origjinën e tij, pra së gjyshit të tij, i cili në shumë raste thonë ata ” veten e lënte keq për ta ndihmuar tjerin”. Në këtë kontekst, zyra e biznesit të tij në Bronx, vizitohet nga shumë politikanë shqiptarë e amerikanë , si dhe njerëz me nevoja të ndryshme.

Intervista :

Në cilin vit filluat angazhimin për Kosovën. Dhe, si e shihni sot këtë nismë nga kjo distancë kohore, sa ishit optimist për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në një kohë kur problemi i saj – atëhere s’ ishte i njohur shumë në Washington?

Harry Bajraktari: Kjo ka një histori të gjatë e cila lidhet qysh me fëmijrinë time. Derisa isha në Kosovë kam pasur rast të njihja disa elemente të shtypjes së popullit shqiptar, atje. Atë, që më tregonin prindërit e mi mund të jetë njëri ndër motivet, që unë jam kyçur shumë herët në proceset e komunitetit tonë në New York për t’ i ndihmuar ata njerëz të pushtuar atje nga Serbia. Mbasi, edhe familja ime, ka qenë e terrorizuar nga sistemi komunist jugosllav. Detajet e këtij terrorizimi gjenden në librin “Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës”.

Tani dua të lidhem me pyetjen tuaj se : “Në vitin 1988, sipas disa informatave që kishim ne në New York, gjendja në Kosovë ishtë dëshpëruese. Në këtë vit vendosa të shkoj atje(të vijë në Nju Jork) dhe t’ i shoh ngjarjet nga afër. Gjatë qëndrimit tim tre-javësh në Kosovë, vërejta se popullata shqiptare kishte probleme të mëdha politike me Beogradin, sidomos pas ardhjes në pushtet të Sllobadan Millosheviqit. Në Kosovë ishte vendosur një qeveri vasale me shqiptarë dhe serbë, ku terrori shtetëror skishte më cak dhe qëllim. Kishte arritur kulmin e tij. E pashë se njerëzit ishin shumë të zhgenjyer në udhëheqjen e tyre. Aty vendosa që kur të kthehesha në Amerikë, të angazhohem dhe të gjeja mënyrën dhe rrugën për ta ndihmuar Kosovën dhe njerëzit e saj. Në fakt e dija se Washingtoni ishte çelësi kryesor për zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Por, çështje ishte se si të arrija atje. Për këtë fillimisht na shëbeu edhe rasti Ivezaj, i cili pas presionit të politikës Amerikanë, ai u lirua. Nga këtu pra e nisa( 1988) dhe ja këtu arrita( 2014).

Kur erdhët në Amerikë sa njihej problemi i Kosovës në Washington, pra në vitin 1988?

Harry Bajraktari: Washingtoni në këtë kohë s’ ishte i njohur me problemet e Kosovës. Ish -Jugosllavia me propogandën e saj mbyllte të gjitha rrugët që kërkesat e shqiptarëve të mbeteshin brenda Jugosllavisë, madje nën ndikimin e saj, krijohej përshtypja se shqiptarët gëzonin të gjitha të drejtat kombëtare, politike dhe të drejtat njerëzore e ekonomike!

Në këtë periudhë filloi një lobim intensiv i komunitetit shqiptaro-amerikan që të ndihmonim Kosovën. Deri në këtë vit vepronin partitë e vjetra si Balli Kombëtar, Legaliteti, Vëllazëria Kosovare, Lidhje e Prizrenit, Blloku Kombëtar, dhe organizata më e vjetër e komunitetit shqiptarë “Vatra” famëmadhe, si dhe klubi “Vëllezërit Gërvalla” e disa shoqata të tjera. Unë vendos të mos merrja pjesë në partitë politike dhe në organizatat që vepronin në këtë kohë në komunitetitin tonë. Në fakt u përcaktova për një formë tjetër që kisha përshtypjen se do të jetë më efikase për çështjen e Kosovës në Washington. Në fillim të vitit 1989 e takova kongresmenin Eliot Engel. Ky binte të kishte zonën e tij elektorale në distriktin ku unë kisha të hapura bizneset e mia. Këtu, pra e ka fillin edhe angazhimi im për Kosovën dhe për shqiptarët. Me kongremenin Eliot Engel, që u bë miku im i madh dhe i shqiptarëve, hapa dyert e Kongresit Amerikan dhe të Shtëpisë së Bardhë në Washington DC.

A ishit optimist se do të bëni diçka të rëndësishme për Kosovën?

Harry Bajraktari:Ta them të vërtetën s’ ishim shumë optimistë se Ish- Jugosllavia në këtë periudhë mbahej ende e fortë në çarqet ndërkombëtare dhe në në Washington, pa marrë parasysh se nuk pajtoheshin me politikën që udhëhiqte Sllobodan Millosheviqi. Në fakt Washingtoni kishte interes t’a ruanta një Jugosllavi, ashtu si ishte, dhe ahstu si e mendonin Amerikanët. Këtë e patë theksuar edhe Sekretari Shtetëror James Baker, në vitet e 90-ta. Përkundër kësaj ne në komunitetin tonë vendosëm të mobilizoheshim dhe të bënim gjithçka që ishte e mundur që çështja e Kosovës të senzibilizohej, të ndërkombëtarizohej jo vetëm në Washington, por edhe në OKB.

Komunitetit tonë në këtë kohë (1989-1990) i printe kongresisti i atëhershëm Joseph DioGuardi, i cili themeloi edhe Ligën Qytetare Shqiptaro Amerikane. Pas dhunës sistematike dhe terrorit shtetëror që po bënte Serbia për një kohë të gjatë dhe suprimimi të të gjitha të drejtave dhe lirive kombëtare e njerëzore dhe pas dramës së ngujimit të minatorëve në galeritë e Kombinatit “Trepça”, rrënimit të Kushtetutës së vitit 1974, ne me DioGuardin, Jim Xhemën, Rexhë Xhaklin, Prof. Sami Repishtin, Din Dertin, Sejdi Biticin, Shaqir Gashin, Bruno Selimajn, Osman Osmanin, Salih Nezën dhe Rrustem Geci , përmjet kogresmenit Tom Lantos, që udhëhiqte atë kohë marrëdhëniet për politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan, arritëm të organizonim “Seancë Dëgjimi – Hearing ” në Kongres, kundër politikës shoveniste të Beogradit. Në këtë Seancë Dëgjimi morën pjesë 20 intelektualë nga Kosova në krye me Dr. Ibrahim Rugovën dhe mund të them se ishte ngjarje historike, për shqiptarët në këtë kohë.

Ju keni shumë miq amerikanë. Cili ështe miku i juaj i parë dhe kush janë të tjerët? Sa keni arritur të ndikoni tek këta kongrsmenë dhe senatorë në dobi të çështjes kombëtare, sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ?

Harry Bajraktari: Miku im, siç thashë më parë, është kongresmeni i Bronx-it, Eliot Engel, mandej zura miq të tjerë, senatorin e fuqishëm Bob Dole, kongresmenët Tom Lantos e Ben Gilman, John Porter, Susan Molinar, Alfanse D’amato, etj. Këta ishin të parët. Me këta fillova. Kam qenë i kyqur drejtpërdrejt në dërgimin e Bob Dole në Kosovë, në verën e vitit 1990. Qëllimi ynë ka qenë që ai ta shihte gjendjen atje nga afër. Dy ditë para se të nisej kam qëndruar në Washington me DioGuardin, Jim Xhemën dhe me anëtarët tjerë të Lobit shqiptaro-amerikan LQSHA. Mendoj se gjatë këtyre 25 viteve të fundit nga komuniteti ynë kam luajtur rolin kryesor për pavarësinë e Kosovës dhe për avancimin e shumë proceseve të shqiptarëve në Ballkan. Kam qenë person me ndikim të madh tek presidenti Bill Clinton e deri të kongresmenët, senatorët dhe personalitetet tjera në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres.

Për 25 vite të shkuara kam bashkëpunuar edhe me presidentin Bush, me Hilary Clinton, kjo e fundit ishte për vizitë edhe në shtëpinë time, me Joe Biden, Wiliam Broomfild, Madeleine Olbright, Alfonse D’ Amato, Richard Holbrooke dhe profesor David Phillips. Pra, mund të them se nuk jam ndalur për asnjë moment.

Kur u mbajt konferenca e Rambujes më 1999- me mikun tim kongresistin Eliot Engel, Sue Kelly dhe me një grup të Këshillit Kombëtar Shqiptaro- Amerikan, shkova atje për të ndihmuar delegacionin e Kosovës që përballej në bisedime tejet të vështira me delegacionin serb.

Po gazeta Illyra! si erdhët deri tek nxjerrja në atë kohë të një gazete shqiptaro amerikane ?

Harry Bajraktari: Në kontekst të aktivitetit tim kombëtar dëshiroj t’i them dy fjalë edhe për gazetën Illyria. Për ta ndihmuar Kosovën në vitet e 90-ta vendosa të nxirrja këtë gazetë në gjuhën angleze dhe shqipe, e cila krahas aktivitetit të komunitetit tonë, isha i bindur se të luante rolin e saj në afirmimin e të gjitha proceseve pozitive për Kosovën në Washington. Kjo gazetë në këtë kohë ishte aq e nevojshme, saqë roli i saj mbetet gjithënjë historik. Për shkak të rëndësisë, Illyria u dërgohej senatorëve dhe kongresmenëve, shumë personaliteteve në Shtëpinë e Bardhë dhe ambasadave të huaja në Washington e New York, në mënyrë që të informoheshin për dhunën serbe mbi shqiptarët në Kosovë. Mendoj se kjo gazetë mori një përgjegjësi të madhe në ndërtimin e çështjes kombëtare, në Amerikë.

Cilin moment e vlerësoni më të rëndësishëm në veprimtarinë tuaj në relacionin Washington – Prishtinë- Tiranë ?

Harry Bajraktari: Detyrë dhe obligim i imi ka qenë se si ta bindja presidentin e SHBA Bill Clinton, që, pas gjithë atij masakrimi dhe dëbimi të popullatës shqiptare nga Kosova, të jipej drita e gjelbër nga Washingtoni për bombardimin e makinerisë ushtarake të kriminelit Millosheviq. Investimi për më tepër se 10 vjet në disa nga figura kryesore të politikës amerikane, duke përfshirë edhe presidentin Clinton, administratën e tij, senatorë e kongresmenë- jam i kënaqur dhe i lumtur se u shpërblye në mënyrën më fantastike, sepse në krizën më të madhe të shqiptarëve në Kosovë, u dha urdhëri për bombardimin e caqeve ushttarake serbe. Mbajë mend se si ” E luta presidentin amerikan që popullata e Kosovës të mos përjetonte atë që përjetuan boshnjakët në Bosnje”. Kujtojë me këtë rast kur i thashë “Zot shpëtoje popullin tim” dhe “Ju mund ta bëni këtë, zoti President!”.

Unë kam bërë një lobizëm të fuqishëm tek miqtë e mi Amerikanë edhe për Shqipërinë, sidomos, kur ajo u bë anëtare NATO-s. Në krah timin, për ta ndihmuar Shqipërinë që t’ i bashkohej kësaj organizate më të fuqishme ushtarake, kanë qenë edhe miku im Jim Xhema, Rrustem Geci, Vëllezërit Bitici, Bruno Selimaj, Ekrem Bardha, profesor Repishti, e të tjerë. Këta ishin edhe për çështjen e Kosovës. Këtu dëshiroj të theksoj edhe angazhimin shumëvjeçar të veprimtarit të njohur Antonio Athanas në të gjitha proceset kombëtare. Ishte një njeri i palodhshëm me një reputacion të madh tek amerikanët. Pak pas përfundimit të luftës, edhe pse ishte në moshë të shtyrë, ai së bashku me disa miq te tjere vizituam Kosovën. Kujtojë sot se ai “Ndjeu kënaqësi të jashtëzakonshme për lirinë, por edhe dhimbje kur pa shkatërimet nga lufta”.

Ju keni shoqëruar shumë delegacione të Kosovës dhe Shqipërisë në Washington.Si i keni përjetuar të gjitha këto bisedime? Në këtë kontekst a mund të dalloni ndonjë si më të veçantin?

Harry Bajraktari: Delegacioni i parë, siç e theksova më lartë, ka qenë në prill të vitit 1990. Në krye të këtij delegacioni ishte presidenti Rugova dhe 20 intelektualë të tjerë nga fushat e ndryshme nga Kosova. Unë kam qenë në shoqëri të këtij delegacion me shumë të tjerë nga Liga Qytetare – Shqiptaro Amerikane me në krye Joe DioGuardin. Sa herë që ka ardhur presidenti Rugova në Washington dhe në New York, e kam shoqëruar në të gjitha bisedat që ka pasur. Kam shoqëruar, gjithashtu edhe Dr. Bujar Bukoshin, Dr. Alush Gashin, Dr. Sali Berishën dhe politikanë të tjerë nga trevat shqiptare. Me presidentin Rugova kam qenë në Washington, në Shtëpinë e Bardhë në pritjen që pati ai me Presidentin Bill Clinton.E kam shoqëruar edhe në takimin me sekretarin e atëhershëm të shtetit Werren Christopher(1993-1997), pastaj me Madeleine Albright, gjithashtu ish Sekretare e Shtetit. Në këtë kontekst dëshiroj të përmend edhe takimin me ambasadorin Richard Holbrooke në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në të gjitha këto takime presidenti Rugova ishte pritur si personalitet shtetëror. Kosova ishte e vetmja temë.

Cili ka qenë lajmi më i gëzueshëm për ju?

Harry Bajraktari: Ambasadori Holbrook në mars të vitit 1999 udhëtoi nga Washingtoni në Beograd për t’ i dhënë ultimatumin e fundit kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit, se NATO-ja do ta bombardonte nëse nuk do të ndalte agresionin ndaj Kosovës, dhe nëse nuk do ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujes. Mirëpo, Millosheviqi porosinë e Holbrookut dhe të bashkësisë ndërkombëtare se përfilli, as të parën as të dytën. Ai, me gjasë, nuk besonte se mund të ndodhë një kërcënim i tillë. Mund të them se patëm fat të madh që Serbia s’ pranoi asnjërën nga këto marrëveshje dhe Kosova realizoi ëndrrën e saj njëqindvjeçare.

Pas përfundimit të këtij takimi që kishte pasur Holbrooke me Millosheviqin(vetëm tri ditë para se të nisej fushata e bombardimeve) nga aeroporti i Beogradit, më telefonoi dhe me tha se Millosheviqi nuk e kishte pranuar ultimatiumin. Në mënyrë decitive më tha:”Serbia do të bombardohet nga forcat e NATO-s. Për këtë mund t’u tregosh shokëve në New York dhe popullit në Kosovë”. Pra, ky ishte lajmi më i gëzueshëm për mua, pasuan edhe lajme të tjera të gëzueshme, liria dhe pavarësia e Kosovës. Edhe pse s’ jemi pajtuar gjitherë me amasadorin Holbrooke, ai e ka ndihmuar shumë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Është fakt i pamohueshëm se ju keni takuar të gjithë liderët politikë të Kosovës, shumë edhe nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Si e shpjegoni ju këtë gjë që ju takoheni me të gjithë akterët politikë shqiptarë ? Përse e bëni ju këtë ?

Harry Bajraktari: Pyetje bukur kjo! Interesi im ka qenë dhe mbetet gjithmonë kontributi im për çështjen kombëtare. Përpiqem t’i ndihmoj të gjithë ata që i ka zgjedhur populli atje, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës. Kam qenë dhe jam i gatshëm të takohem me të gjithë për interesat kombëtare. Mua s’ më lidh interesi partiak, por interesi i përgjithshëm: zhvillimi ekonomik, zhvillimi i demokracisë në bazë të kritereve të standardeve evropiane dhe prestigji i shqiptarëve në botë. Për këtë çështje s’ kam kursyer dhe s’ do të kursej asnjëherë. E ndiej veten shumë të lumtur që kam ndihmuar dhe kam mundësi t’i ndihmoj edhe më tej shqiptarët në Ballkan.

Ju jeni edhe një biznesmen i sukseshme. Mund të na zbuloni sekretin e biznesit tuaj? dhe a e kishte menduar ndonjëherë se do të arrinit deri këtu ?

Harry Bajraktari: Po e filloi nga fundi përgjigjen e kësaj pyetje – E kisha menduar dhe i kisha vënë detyrë vetes qe kur mora rrugen drejt Amerikës, mbasi vetëm në këtë vend të bekuar kisha shpresuar se do të isha e suksesshëm në jetë . Filozofia e biznesit tim mbështetej në disa gjëra të cilat vetëm në Amerikë mund t’i arrija. Unë me këtë rast dëshiroj t’ i përmend vetëm dy-tri nga ato. Faktori më i rëndësishëm është puna e ndershme dhe sa më korrekte me shtetin Amerikan. Kam punuar edhe 7 ditë të javës, dy punë. Tani punoj gjashtë ditë në javë, 12 deri në 14 orë në ditë, pa u lodhur fare. Në këtë kontekst, askush s’ mund ta përcaktojë më parë suksesin, përveçse punës që ka bërë dhe e bëjë çdo ditë. Mbasi ju e dini si gazetar se “Nuk është aq thjesht dhe aq lehtë” sa mund t’a mendojë dikush që nuk ka biznes. Në biznes duhesh të jesh i fjalës, komunikativ dhe bashkëpunues. Gjithëherë duhesh të jesh aty ku është biznesi dhe të kesh bashkëpuntorë të mirë në menagjim. Vetë natyra e biznesit ka tension për atë që mirret me këtë veprimtari. Kurrë s’ mund të jesh i qetë. Investimet e mia janë afatgjate.

Mendoj se duhesh të kesh edhe pak fat…apo Jo!

Sa rëndësi u jepni shqiptarëve në kompaninë tuaj ?

Harry Bajraktari: Gjysma e punëtorëve në kompaninë time janë shqiptarë, ndërsa gjysma tjetër janë të komuniteteve tjera që jetojnë në New York. Në kompanin time ka diverzitet komunitetesh. Mund të them se të gjithë të punësuarit këtu janë të ndërgjegjshëm dhe unë vlerësoj angazhimin dhe punën e tyre.

Si arrini të menaxhoni gjithë këtë biznes – në të njëjtën kohë merreni gati me çdo veprimtari në Komunitet ?

Harry Bajraktari: Jam i lidhur ngusht me punën dhe biznesin tim. Pa këtë biznes s’ do të isha këtu ku jam dhe ky që jam. Ky biznes më ka plotësuar dëshirën time më të madhe për t’i ndihmuar shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi, si dhe ata në Luginë të Preshevës. Mendoj se për 25 vjet rresht kam kryer misionin tim si veprimtar në mënyrën më të ndërgjegjshme ndaj atdheut dhe lidhur me këtë s’ jam ndalur kurrë. Për këtë gjitherë kam gjetur kohë dhe sot ndihem tepër i lumtur për këtë që kam bërë.

Si mendoni se po reflektohet biznesi shqiptar në Amerikë – ku kontributi i biznesmenëve shqiptaro- amerikanë, jo pak herë, është vlerësuar edhe nga prisedentët, senatorët dhe kongresmenët Amerikanë?

Harry Bajraktari: Kudo në SHBA bizneset shqiptare janë të shumta dhe të ndryshme, si të tilla janë vlerësuar lart nga qarqet amerikane: nga presidentët, nga kryetarët e qyteteve, kompanitë e mëdha dhe të vogla, dhe nga distriktet e ndryshme. Shqiptarët janë punëtorë të zellshëm, komunikativë dhe të përkushtuar për të arritur sukses, secili në biznesin e tij, në drejtimin e tij. Dhe pothujase të gjithë biznesmenet shqiptarë në Amerikë, fatmirësisht janë dhe veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare. Ata janë pjesë e sa fushtave për ngritjen e fondeve. Sot kemi shumë biznese të afirmuara që kanë ndikim në zhvillimin e ekonomisë amerikane. Me këto suksese jemi bërë të njohur në mesin e shumë komuniteteve që janë shmë më të mëdha se ne.Sot komuniteti ynë Shqiptaro-Amerikan ka mundësi më të mëdha sesa në të shkuarën. Është shtuar numri i shqiptarëve në Amerikë, i atyre që kanë kryer e po kryejnë shkolla e specializime në fusha të ndryshme. Pra, sot kemi një potencial të madh njerëzor.

Për kontributin që keni dhënë si biznesmen dhe veprimtar, jeni falenderuar nga shteti amerikan, nga Kosova dhe Shqipëria? A mund të flisni diçka lidhur me këto mirënjohje?

Harry Bajraktari: Për punën time shumëvjeçare kam marr mirnjohje dhe falenderime nga shteti dhe institucionet amerikkan, nga Kosova dhe Shqipëria. Këtu po përmendi vetëm disa nga këto: në vitin 2006 presidenti i SHBA George Bush më dekoroi me mirënjohje për shërbim dhe pjesëmarrje qytetare. Kjo medalje (që e kam në zyrën time), u jepet personave për angazhim dhe forcim të kombit Amerikan nëpërmjet shërbimit vullnetar me motivacionin : ” Ju keni demonstruar karakter të jashtëzakonshëm të Amerikës dhe keni ndihmuar në forcimin e vendit”. Jam dekoruar edhe nga Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo më dekoroi me Medaljen Presedenciale të Meritave për veprimtari dhe angazhim në afirmimin e çështjes së Kosovës. Jam shpallur qytetar nderi i komunës Bujan në Malësi të Gjakovës, gjithashtu me rastin e shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Për kontributin tim qytetar jam dekoruar edhe nga Qyteti i New York-ut me Proklamatën e qytetit.

Për ju dhe familjen tuaj është shkruar një libër “Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës”, ndërkohë që edhe vetë keni botuar shumë shkrime në shtypin shqiptar. A keni ndërmënd të botoni në ndonjë libër?

Harry Bajraktari: Shkrimet e mia, të botuara në gazetën “Illyria”, në “Bota Sot”, në gazetën “55”, në “Panorama”, në “Telegraf” të Tiranës dhe të Prishtinës, në “ Lajm” të Maqedonisë, dhe në disa gazeta të tjera të përditshme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, e diasporë dhe në revista të ndryshme, si dhe disa fjalime që i kam mbajtur në Washington i kam përmbledhur në një vëllim. Këto shkrime kapin një periudhë 25 vjeçare dhe kanë të bëjnë kryesisht me aktivitetin e shqiptarëve të Amerikës në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe me demokratizimin e zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Besojë se lexuesi do të ketë rast të njihet edhe me takimet e mia me ish presidentin Clinton, Hilary Clinton, Holbrooke, Joe Biden, Bab Dole, Eliot Engel e me personalitete të tjera amerikane. Libri ka mbi 300 faqe dhe mendoj se në këtë pranverë do ta nxjerrë nga shtypi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat