Lamtumirë prof. Jorgji Gjinari! - Bota Sot
Lamtumirë prof. Jorgji Gjinari!

Kultura

Lamtumirë prof. Jorgji Gjinari!

Nga: Bledi Filipi Më: 9 gusht 2020 Në ora: 00:02
Prof. Jorgji Gjinari!

U shua këtë të shtunë në moshën 89 vjeçare gjuhëtari Jorgji Gjinari. U lind në Berat, në vitin 1931. Aty kreu arsimin bazë dhe të mesmen pedagogjike. Studimet e larta do t’i kryente në Institutin katër vjeçar në Tiranë. Si diplomohet do të emërohet në Institutin e Gjuhësisë.

Prof. Dr. Jorgji Gjinari, dha ndihmesa të spikatura në studimin e dialekteve të shqipes, por edhe në drejtimin dhe organizimin e punës në sektorin e dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Prof. Gjinari e pat nisur punën pranë këtij Instituti në vitin 1956 dhe po atë vit përgatiti artikullin e parë “Një vështrim mbi të folmet e Oparit”, që u botua më 1957 në numrin e parë të Buletinit të Universitetit Shtetëror të Tiranës.

Veprimtarinë e tij shkencore e kulmoi më 1989, me përfundimin e veprës madhore “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, hartimin e të cilit e udhëhoqi nga fillimi e deri në fund. Por edhe pas kësaj periudhe ai nuk ka reshtur së shkruari për probleme të ndryshme, sidomos për raportet e gjuhës letrare me dialektet, duke u rreshtuar me shkrimet e veta ndër mbrojtësit e gjuhës standarde.

Fryt i penës së tij i janë edhe një numër i madh shkrimesh dhe hulumtimesh të folmeve të Shqipërisë Jugore dhe Veriore, Kosovës, arbëreshëve të Italisë. Artikuj për çështje të fonetikës së sotme e historike të dialekteve të shqipes, për historinë e lindjes dhe të zhvillimit të dialekteve të gjuhës sonë, për historinë e gjuhës sonë si dhe për çështje të gjuhës së sotme letrare etj. Ai është autor i tekstit universitar “Dialektologjia e gjuhës shqipes”. Por vepra më kryesore e tij si bashkautor dhe drejtues, është “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, që e pa dritën e botimit në vitin 2007.

Profesor Gjinari, me veprën që le pas mbetet një figurë e ndritur e gjuhësisë shqiptare. Emri dhe vepra e tij do të jenë gjithnjë pikë referimi për të gjithë ata që do të hulumtojnë mbi gjuhën e bukur shqipe.

U prehsh në paqe profesor!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat