9 vjeçarja Enkelejda Bushi fiton dy medalje në WCOPA në Hollywood - Bota Sot
9 vjeçarja Enkelejda Bushi fiton dy medalje në WCOPA në Hollywood

Kultura

9 vjeçarja Enkelejda Bushi fiton dy medalje në WCOPA në Hollywood

Më: 11 gusht 2020 Në ora: 17:26
Enkelejda Bushi

Është vetëm nëntë vjeçare, por Enkelejda Bushi nga Hani i Elezit e cila tash e një vit është zhvendosur me familjen e saj në Norvegji, ka arritur që me talentin e saj, punën dhe përkushtimin e madh që ka për aktrimin, të fitoj dy medalje si përfaqësuese e Norvegjisë në Kampionatin Botëror të Arteve Interpretuese (WCOPA).

Ajo në këtë kampionat kishte konkurruar me dy shfaqje, Monologun e Hamletit dhe performimin e pantonimës. Përgatitjet që filluan që nga muaji maj i këtij viti i mundësuan asaj që të rrëmbej medaljen e argjend për interpretimin e Hamletit dhe atë të bronztë për performancën që ka bërë me pantonimë.

Nëntë vjeçarja që tashmë vijon klasën e katërt, me aktrim ka filluar të merret qysh në moshën 6 vjeçare. Në atë kohë përderisa jetonte në Kosovë kishte bërë performime të ndryshme për dëshmorët dhe atdheun. Madje Bushi tregon se me ndihmën dhe mbështetjen e aktorit nga Hani i Elezit, Armend Ballazhi dhe tekstshkruesit Metë Dura, ka arritur që performimet e saja t’i mbajë edhe në televizionet kombëtare të Kosovës.

Enkelejda tregon se pas zhvendosjes në Norvegji, kishte filluar që të merret me aktivitetet e lira që organizoheshin nga komuna. Sipas saj kur e kuptuan se Enkelejda tashmë ka 3 vite që merret me aktrim e propozuan që ajo të konkurroj në audicion për ta përfaqësuar shtetin e Norvegjisë.

“Pasi kam ardhur në Norvegji në ditët e para kishte aktivitete të lira nga komuna ku jetoj dhe mora pjesë në këto aktivitete dhe ata e kuptuan se unë merrem me aktrim dhe kam një të kaluar tre vjeçare në Kosovë dhe më propozuan të konkurroj në audicionin për shtetin e Norvegjisë dhe unë konkurrova me dy shfaqje, monolog nga vepra “Hamleti” dhe Pantomima dhe fatmirësisht fitova të drejtën t’i bashkëngjitëm grupit”, ka thënë ajo në një intervistë për KultPlus.

Bushi tregon se arsyeja se pse ka vendosur që të performoj pikërisht “Hamletin” e Shekspirit është fakti që kjo është njëra ndër veprat më të mira të autorit, si dhe ëndrra e saj ka qenë që çdo herë të bëjë gjëra të mëdha e domethënëse.

“Zgjodha “Hamletin” sepse është njëra ndër veprat më të mira të shkrimtarit Shekspir dhe unë gjithmonë kam menduar të bëjë diçka të madhe. E kam shikuar disa herë dhe më ka pëlqyer për ta interpretuar me kënaqësi”. Ajo me entuziazëm tregon se sa i madh ishte gëzimi për të dhe familjen e saj, që pas dy javëve mjaft të gjata të ju konfirmohej se tashmë ajo kishte marrë dy çmime në WCOPA.

“Jam ndjerë shumë e lumtur sepse isha me një konkurrencë shumë të madhe botërore mbi 80 shtete pjesëmarrëse, olimpiada ka zgjatë 2 javë dhe kemi përcjellë në vazhdimësi prezantime përmes rrjeteve sociale dhe në fund na kanë konfirmuar fituesit dhe gëzimi ishte i madh për mua dhe familjen”, ka treguar tutje Bushi.

Që interpretimi i saj të jetë i kompletuar në cdo aspekt, ajo një rëndësi të vecantë i kushtoi edhe kostumit e për të cilin i besoi regjisorit kosovar Ben Apollonit. Ajo rrëfen se arsyeja se pse zgjodhi regjisorin Ben Apolloni që t’i ndihmonte në përzgjedhjen e kostumeve ishte fakti se ajo e konsideronte sfiduese përzgjedhjen e veshjes së duhur për një kampionat siç është WCOPA Hollywood/Disney.

Më tutje ajo tregon se tashmë është ftuar që të jetë pjesëmarrëse edhe në kampionatin e vitit të ardhshëm, për të cilin ajo mban shpresa të mëdha që nuk do të organizohet në formatin online.

Ky sukses vetëm sa ja rritur edhe më shumë dëshirën për punë më të mëdha. Role të tjera uron t’i shtohen në karrierë e mos t’i mungojnë as në Kosovë.

“Rolet në Kosovë do t’i pranoja me kënaqësi, ngase vendlindja është vendi ku unë hodha hapat e parë të aktrimit”, përfundon kështu intervistën Enkelejda Bushi.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat