Kur Gegë Marubi i dhuroi fototekën Arkivit Qendror të Filmit - Bota Sot
Kur Gegë Marubi i dhuroi fototekën Arkivit Qendror të Filmit

Kultura

Kur Gegë Marubi i dhuroi fototekën Arkivit Qendror të Filmit

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 20:40
Foto Ilustrim

Ministria e Kulturës në Shqipëri e shpalli këtë muaj, si kohën për të nderuar të gjithë ata që krijuan e punuan në fushë e artit të fotografisë.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit (AQSHF), sjell një kronikë domethënëse të vitit 1972, kur Gegë Marubi i dhuron shtetit fototekën e familjes së tij, arkiv prej 180 mijë fotosh, krijuar nga Kel Marubi, me qëllim ruajtjen e materialit origjinal dhe edukimin e brezave.

“Sot, ky koleksion i vyer mban emërtimin Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” dhe është i vizitueshëm nga të gjithë në selinë e tij të re në Shkodër”, shprehet AQSHF, që ka publikuar kronikën në faqen e institucionit, në Facebook.

Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, prej disa ditësh po vijon të publikojë fotografi nga Shqipëria. Pak ditë më parë, ministrja e Kulturës Elva Margariti, bëri me dije se ky muaj do t’i kushtohet fotografisë, që është dhe një nga fushat më të dashura të artit. Sipas saj, mëngjeset e gushtit do të jenë me urime me fotografi, që janë realizuar nga ata që vunë themelet e fotografisë shqiptare.

Foto-studio “Marubi” u themelua më 1856 në Shkodër nga piktori, skulptori dhe arkitekti Pietro Marubbi. Fototeka “Marubi” është krijuar më 1970 pasi Gegë Marubi dhuroi arkivin e të tij personal prej tre brezash, me rreth 150 mijë negativë, shtetit. Në këtë arkiv gjenden negativë nga të gjitha formatet, që nga 30 cm x 40 cm dhe deri te 6 cm x 9 cm në pllaka xhami, nga viti 1858 deri në vitin 1959. Ky është një nga arkivat më të pasur të Ballkanit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat