Një festë e veçantë dhe e papritur!

Kultura

Një festë e veçantë dhe e papritur!

Nga: Kadri Tarelli Më: 14 gusht 2020 Në ora: 22:52
Kadri Tarelli

Sa e çuditshme është jeta! Ndodhin ngjarje kaq të papritura, sa nuk ta merr mendja. Këtë herë një ndodhi e këndshme, duhet thënë tejet e bukur. E thënë shkurt, u nisëm nga Durrësi për tjetër gjë dhe në Dukat të Vjetër të Vlorës, u ndodhëm në një mjedis dasme 55-vjeçare, të kujtuar e festuar nga çifti Vilhelme Vranari “Vivra” dhe Fitim Haxhiraj, të dy të shumënjohur në mjediset e qytetarisë vlonjate. Zonja është shkrimtare, poete, studiuese, e vlerësuar me shumë çmime brenda e jashtë vendit, ndërsa Zotëria, “modest” siç janë vlonjatët, koreograf, organizator dhe drejtues i përkryer i veprimtarive letrare-artistike.

Nga Durrësi udhëtuam me dy makina, Shpendi Topollaj, shkrimtar, studiues, kritik letrar dhe së fundit edhe dramaturg, Merita Kuçi-Thartori poete bashkë me bashkëshortin z. Alush Kuçi, Dr. shkencash dhe pedagog ne Universitetin “A. Moisiu” në Durrësë, Xhevahir Cirongu, shkrimtar dhe gazetar i njohur bashkë me të birin, mes tyre edhe unë Kadri Tarelli, me disa libra të botuar, kritikë letrare, monografi, gazetari, së fundmi edhe një libër me poezi.

Në fjalët e para të këtij shkrimi u shpreha, se u nisëm për tjetër gjë, do të bëhej një përurim libri. Menduam se “Vivra” kishte botuar librin e saj të fundit, një studim i mirëfilltë shkencor-historik. Fitimi, si drejtues i kësaj gostie letrare, ngriti gotën dhe kumtoi: Miq të nderuar, mirëseardhët! Unë dhe “Vivra”, sot kemi 55-vjetorin e martesës. Në këtë ceremoni do të desha të kishte më shumë miq, sa kjo sallë të mbushej plot e për plot, por kushtet e shkaktuara nga ky virus i mallkuar, na ka bërë që të mendohemi mirë, si ne që presim, ashtu edhe ata që do vijnë. Askush nuk zemërohet.

Më duhet të them, se brenda një kohe të shkurtër, i ftuar nga çifti Haxhiraj, kam marrë pjesë në disa takime, apo kuvende letrare në Vlorë. Mes tyre përmend takimin e shkrimtarëve vlonjat dhe disa shkrimtarëve, anëtarë të klubit letrar të Durrësit, si Nikolla Spathari, Agim Bajrami, Vladimir Muça, Kadri Tarelli dhe Bajram Halil Gashi.

Herën e dytë, festuam anëtarësimin e Vilhelmes, në Akademinë shkencore-letrare, shqiptaro-amerikane, me seli ne New York, ku mori pjesë edhe Akademiku Eshref Ymeri. Në atë kuvend të diturish, dy vjet më parë, mes të tjrash thashë këto pak fjalë: ….“Vivra” me studimin e saj, “Rrugëtimi filozofik i Prof. Dr. Isuf Luzaj”, e solli filozofin në mesin tonë, kaninjotin me dy doktoratura të mbrojtura në Sorbonë, profesor në Universitetin e Buenos-Aires-it në Argjentinë, dekoruar nga dy presidentë të SHBA, Regan dhe Klinton. Studiuesja Vrana bëri që, filozofi ynë të hyjë në Shqipëri nga “Dera ballore”, dikur e mbyllur nga diktatura”. Shkrimi: “VEPRIMTARI NË VLORË”. Vilhelme Vranari-Haxhiraj, fisnikja e Kaninës, Anëtare e re e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve Shqiptaro-Amerikane, me seli në New York. Publikuar: Gazeta “Dielli”. 20. 12. 2018, dhe në disa portale të medias.

Të tretën herë, u ndodha në përurimin e librit “Elitat e Mohuara, krenari e kombit”, të autores Vilhelme Vranari. I pranishem edhe Fatmir Minguli nga Durrësi dhe Fatmir Terziu, ardhur kastile nga Londra. Unë pata nderin të bëj hyrjen e këtij libri me përmasa kombëtare, që e quaj enciklopedi e figurave të ndritura që ka nxjerrë kombi ynë, por të lëna në harresë.

Nga miqtë e familjes, dua të veçoj, Selman Hamitin, nip i Hamit Selmanit, mik i Ismail Qemalit. Njëkohësisht edhe bashkëshorten e tij Miroshe Gjonzeneli, mbesa e profesor Bego Gjonzeneli, mësues i filozofit Isuf Luzaj dhe Musine Kokalarit. Të tre të dënuar me pushkatim. Shpëtoi Isuf Luzaj, pasi u largua pak ditë para se në Tiranë të vendosej qeveria komuniste. Ky dijetar ishte futur në listën e 100 të dënuarve politik, me pushkatim. I kërkuar me ngulm nga qeveria komuniste Shqiptare, madje edhe me këmbënguljen e Stalinit, si një ndër 10 më të rrezikshmit. Fati e donte që ai të shpëtonte, kështu që vendi ynë Shqipëria mundi të ketë një ndër shtatë filozofët më të mëdhenj të shekullit XX, siç është Isuf Luzaj.

Dhe, sot për të katërtën herë në Vlorë, pikërisht në Dukatin e Vjetër, po festojmë 55-vjetorin e martesës të dy vlonjatëve të nderuar Fitimit dhe Vilhelmes. Është e rrallë kjo festë, madje të veçanta edhe ndjesitë e të pranishmëve, veçanërisht të çiftit Haxhiraj. “Vivra” qëndronte e qete dhe pa shumë fjalë, veç na tregoi një letër dashurie të shkruar 55-vjet të shkuar, siç na tha ishte e para letër drejtuar Fitimit, tashmë të botuar në librin: “Dashuria plagoset, por nuk burgoset”.

Ndërsa Fitimi i cili na dukej shumë energjik dhe i qëndrueshëm, recitoi disa here, vargje thurur bashkëshortes së ditur, por lotët nuk i bindeshin. Lotët nuk flasin. Ata vetëm rrëfejnë, se vitet zbusin zemrën, por jo dashurinë. Ky është edhe kumti më i bukur njerëzor: “Të besojmë te dashuria, e cila nuk vjetrohet, vyshket apo zbehet nga vitet, as nga vështirësitë dhe furtunat e kohës”. Nuk janë pak, plot 55 vjet jetë së bashku, ngarkuar me shumë halle dhe përballuar vështirësi dhe pengesa të krijuara dhe të pamerituara. Të rinjtë, mbase nuk besojnë, mbase më shumë çuditen me të tilla ndodhi, që mund t’i shohin vetëm nëpër telenovela, por që janë të vërteta, janë copëza jete e njerëzve tanë, pjesë më të bukura të jetës sonë, që duhen çmuar e vlerësuar.

Siç ndodh me njerëzit e letrave, shkëmbyem libra, Xhevahiri, Shpendi, Vivra dhe unë u dhashë botimin tim më të fundit, “Koha në Vargje”, ku pjesë është edhe poezia “Vivra” je vullkan”, kushtuar Vilhelme Vranarit. Me këtë rast po citoj tre-katër vargje: “Vivra” moj fisnike, zbritur nga Kanina/Të rreh fllad i detit, stuhi, suferina/Pena jote shpatë, gjëmim, vetëtima/në ballë kuvendi, je trime ndër trima”. Pa dashje këto vargje mu desh t’i recitoj edhe një herë në heshtje për vete, kur duke zbritur shkallët, sepse përballë ndeshem me bustin e legjendares Sado Koshena, “Heroina e popullit”, veshur e ngjeshur armët, në mbrojtje të lirisë së vatanit.

Bëmë shumë fotografi, duke fiksuar çastin dhe këtë ngjarje kaq të bukur. U ngjitëm pak më lart tek rrapi shekullor, ku në një pllakat mermeri përjetësohen emrat e trimave të Dukatit dhe Labërisë: Pilo Andon Gjikoka, Hamit Selmani, Skëndo Kulluri, Bejo Zeneli. Ja vargjet e këngës popullore: “Gurët e rrapit ç’u nxinë/për katër a pesë bilbilë,/ për Pilon e Haminë/për Skëndo Kullur zengjinë, Për Bejo Zenel syzinë……..”.

Nuk çuditem, pasi çdo pëllëmbë e kësaj toke është e mbushur me histori lufte dhe heroizmi. I mrekulluar dhe i frymëzuar nga këto dokumente të gjalla në kujtesën e popullit të Labërisë, profesori i nderuar Dr. Alush Kuçi, u shpreh: “Sa bukur do të ishte që këtu të vijnë studentët e Universitetit Aleksandër Moisiu të Durrësit. Kanë ç’të shohin dhe kanë ç’të mësojnë. Unë do t’u propozoj të bëjnë ekskursion. Do kënaqen. Edukimi atdhetar nuk bëhet me fjalë”.

Kjo festë e rrallë, na bëri ta shikojmë edhe veten tonë në pasqyrën e jetës, madje edhe unë të frymëzohem, duke thurur këto pak vargje:

FISNIKE ME RRËNJË MBETE!

“Vivra”, burim pena,

Fitimi mjaltë goja.

Kala me bedena,

Në libra tretur boja.

Tej mbi det hedh shikimin,

Syri ndalet përmbi Vlorë,

Bashk’ një shekull me Fitimin,

Krah përkrah, dorë për dorë.

I flet detit, të flet toka

Princeshë me shumë derte,

Të njeh vendi, të çmon bota,

Fisnike me rrënjë mbete.

Libra plot pesëdhjetë,

Kuvendon me histori.

Për kombin s’mjafton një jetë,

Lartësove madhështi.

U përshëndetëm, duke uruar: Jetë, shëndet dhe shumë dashuri. Kështu festofshi edhe 60 e 70-vjetorin, e më pas sa t’u dojë qejfi‼‼

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat