Fuad Dibra, patriot i shquar për Shqipërinë Etnike

Kultura

Fuad Dibra, patriot i shquar për Shqipërinë Etnike

Nga: Rexhep Torte Më: 29 gusht 2020 Në ora: 13:11
Rexhep Torte

Fuad Dibra (1886-1944) për Shqipërinë Etnike shkriu tërë pasurinë e tij të madhe, tërë arin, shkriu jetën e tij, dhe nga Shqipëria as mori e as kërkoi gjë.

Fuad Dibra në Konferencën e Paqes në Paris shpenzoi gjysëm milioni franga ari për Shqipërinë Etnike, duke dëshmuar si duhet dashur atdheu pa hile.

Sot më shumë se kurdoherë lypset të mësojmë nga historia jonë, për ti konsoliduar radhët dhe energjitë tona aty ku mbrohet, ruhet e ndërtohet shteti dhe dinjiteti ynë mbarëkombëtar shqiptar.

Fuad Dibra në momentet e fundit të jetës së tij len tri porosi, “ Me u bashkuar tërë shqiptarët rreth një ideali të vetëm, rreth realizimit të shtetit tonë etnik shqiptar, me u vëllazëruar dhe me u bashkuar në mënyrë të përsosur, që përçarjet e nxitura nga propagandat e huaja, të cilat mundohen drejtpërdrejt të na ndajnë, të mos munden me gjetur vend ndër ne, dhe së fundi, me çfarëdo çmimi të jetë, me përmbushur idealin e konkretizimit të Shqipërisë s’onë Etnike. Këto porosi të trashëguara prej martirëve brez pas brezi, do t’i dëgjojnë me krenari dhe shpresë zogjtë e shqipes”, thoshte Fuadi.

Fuad Dibra. patrioti dibran dhe mbarwshqiptar nga Dibra e Madhe, është shembëlltyra model si duhet punuar e sakrifikuar, dhe si duhet të sillemi nëse ia duam të mirën atdheut dhe kombit tonë.

Fuad Dibra për çështjen kombëtare shqiptare shkriu tërë pasurinë e madhe që kishte, dhe i refuzoi ofiqet e ofruara mashtruese.

Në Konferencën e Paqes në Paris më 1919-1920, ku u arrit që Shqipëria të njihet si shtet i pavarur, vuri në dispozicion dhe harxhoi më shumë se 500 mijë franga ari.

Kjo fytyrë e lavdishme e patriotizmit dhe e atdhedashurisë shqiptare edhe sot shëndërit me shembëlltyrën e saj.

E pamë të udhës të vëmë dritë dhe ta rikujtojmw figurën e patriotit Fuad Dibra, që të na shërbejë si shëmbull të punojmë për përparimin kombëtar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore (Luginë e Preshevës) dhe Mal Të Zi, duke hequr dorw nga interesat vetjake dhe korrupsioni.

Sakrifica për Shtetin Etnik Shqiptar

Fuad Dibra për Shqipërinë e Pavarur Etnike shkriu tërë pasurinë e tij të madhe, tërë arin, shkriu jetën e tij, dhe nga Shqipëria as mori e as kërkoi gjë.

Ky burrë mbi burra tërë jetën e tij ia dedikoi popullit dhe kauzës së Shtetit Etnik Shqiptar dhe vendosjes së bazave të shtetit shqiptar.

Kur shqiptarët me karakter të lig asokohe vraponion pas posteve dhe pasurisë, duke grumbulluar pasuri mbi pasuri dhe ar mbi ar, Fuad Dibra zgjodhi rrugën e drejtë e të ndershme të atdhedashurisë dhe të patriotizmit, duke luftuar kundër cungimit dhe grabitjeve të trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1912-1913 dhe në përsëritjen e kësaj padrejtësie në Konferencën e Paqes në Paris me 1919-1920.

Këto ngjarje e tronditën tejmase shpirtin e Fuad Dibrës, i cili me ngulm vazhdoi përpjekjet e tij për t’i bashkuar shqiptarët rreth një programi, siç thoshte ai , “të aftë për të siguruar shpëtimin tonë kombëtar, konkretizimin e ëndrës së qindra mijëra martirëve të kombit për realizimin e të drejtës për Shqipërinë Etnike dhe për ta shpëtuar nga kthetrat grabitqare të fqinjëve”.

Ai ishte më se i bindur dhe sypatrembur për plotësimin e këtij ideali të shenjtë dhe thoshte, “Do ta bëjmë Shqipërinë me kufijtë e saj etnikë patjetër, pse edhe sikur Evropa të dëshirojë me na i dhunuar të drejtat tona legjitime, na të bashkuar rreth flamurit të Kastriotit, do të jemi një bllok i pathyer që me fuqinë e armëve tona do t’i fitojmë vetë të drejtat që na takojnë”.

Fuad Dibra ithtar dhe lëvrues i palodhshëm për Shqipërinë Etnike, në krye të Kolonisë së Shqiptarëve të Stambollit shkrinte çdo gjë që kishte, edhe pasurinë e tij shumë të madhe, për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe të Shqipërisë kudo në Evropë, dhe su pendua asnjëherë.

Qeveritë e shumta që shkonin e vinin në Shqipëri kërkonin bashkëpunimin dhe rënien dakord të Fuad Dibrës për poste të ndryshme, bile edhe me lutjet direkte të drejtuesve italianë, mirëpo shpirti i pastër dhe patriotik i Fud Dibrës, i refuzoi të gjitha dhe asnjëherë nuk u dakordua që të vihej në shërbim të të huajve. Kjo sjellje e tij prej patrioti bënte jehonë të madhe dhe ngushëllonte zemrat e motrave shqiptare të mbetura pa vëllezër, të nuseve pa burra dhe të nënave pa djem, të cilët kishin dhënë jetën e tyre për mbrojtjen e atdheut.

Përpjekje për t’i afruar shqiptarët rreth një programi

Fuad Dibra gjer në fund të jetës së tij punoi për bashkimin e trojeve shqiptare, për bashkimin e tërë shqiptarëve, duke thënë, “se të drejtat tona mund t’i fitojmë vetëm po të jemi të bashkuar”.

Fuad Dibra u lind në Dibër të Madhe në vitin 1886 dhe qysh në moshën e re u vu në radhët e lëvizjes kombëtare shqiptare ku bënte pjesë edhe i ati Ismail Pashë Saraçi, deputet i Dibrës në Parlamentin turk, i cili ishte njëri nga personalitetet e para dhe organisues i Kongresit të Dibrës më 1909, që u mbajt në shtëpinë e tij, ku morrën pjesë delegatë nga të gjitha vendet shqiptare, dhe ku u morrën vendime të rëndësishme për fatin e ardhmërisë së kombit shqiptar.

Ismail Pashë Saraçi ishte patriot i dëshmuar dhe me pasurinë e madhe të trashëguar radhitej si njëri nga zengjinët më të mëdhenj të Ballkanit.

Fuad Dibra pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindje shkoi te i ati në Selanik, ku mbaroi shkollën e mesme, dhe studimet universitare - Fakultetin e drejtësisë e kreu në Selanik dhe Zvicër.

Babë e bir influencën e tyre në mesin e pasanikëve e përdorën për t’i dhënë shpirt çështjes kombëtare shqiptare.

Fuadi me pjekurinë e tij universitare që dispononte, bashkë me të atin Ismail Pashë Saraçin, bënë një veprimtari të madhe edhe për organizimin e Kongresit të Manastirit, ku u vendos fati i alfabetit shqip.

Lufta që u bë në këtë kongres për të bindur pjesëmarrësit për përdorimin e gjuhës shqipe, për nga forca i ngjante luftës së pushkës, dhe askush nuk e përdori këtë armë morale më shumë dhe më bukur se sa Fuad Dibra, për t’i bindur preferuesit e alfabetit arab që ta pranojnw alfabetin shqip.

Ky patriot veç ndihmës morale, çështjen shqiptare e ndihmonte edhe finansiarisht, duke përballuar shpenzimet e aktiviteteve të shumta, ose duke blerë lokale për mbajtjen e mbledhjeve të ndryshme me rëndësi historike kombëtare.

Fuad Dibra ndoqi me vëmëndje lëvizjen e Xhon Turqve dhe shpejtonte të përfitonte nga rasti i krijur në horizontin e Ballkanit.

Punoi aktivisht me delegatë të ndryshëm dhe organizoi e financoi dy komisione të kryesuar nga Haxhi Ismail Manastiri dhe Haxhi Vildani ku merrnin pjesë figura të shquara si Abdyl Ypi, Fadil Pashë Toptani, Fuad Pashë Prishtina dhe Ali Pashë Velikarda, që shëtitën anekënd trojeve shqiptare dhe përgatitën terrenin për reformat e Kongresit të Manastirit dhe për veprimtari tjera mbarëkombëtare shqiptare.

Gjysem milionë franga ari

për mbrojtjen e çështjes shqiptare

Pas vdekjes së tet, Fuadit i propozuan të vinte kandidaturën për deputet në Parlamentin turk, por ai nuk pranoi.

Si edhe shumë herë tjera edhe në vitin 1921 nuk pranoi ofertën e Kabinetit të Sulejman Delvinës për postin e ministrit.

Nuk duhet të lëmë pa përmendur edhe vitin 1912/13, kur dibranët ishin të detyruar nga masakrat serbe t’i braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa Fuadi u ndihmoi të gjithëve si vëlla dhe mik, duke ua lehtësuar dhembjen.

Pas Luftës së Parë Botërore vazhdoi me vrrull aktivitetin e tij patriotik në Koloninë Shqiptare të Stambollit edhe me përkrahjen e tij finansiare.

U themeluan shumë klube dhe u hapën shkolla shqipe me 450 nxënës shqiptarë.

Kolonia Shqiptare e Stambollit dërgoi delegacionin e saj në Konferencën e Paqes në Paris që u mbajt më 1919-1920, të kryesuar nga Fuad Dibra ku merrnin pjesë anëtarët Halil Pashë Gjirokastra, Mihal Shan Tepelena, Pier Bonati dhe Benedik Bilishti.

Këtu kishin ardhur edhe përfaqësues të Kolonive tjera shqiptare nga Amerika, Rumania dhe trojet e tjera shqiptare.

Me këtë rast Fuad Dibra vuri në dispozicion dhe harxhoi më shumë se gjysmë milionë franga ari për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare.

Në Paris të deleguarit qëndruan 17 muaj me shpenzimet e këtij patrioti, dhe pas shumë peripecive të krijuara nga shtetet e mëdha dhe armiqtë, u arrit në këtë Konferëncë të Paqes në Paris dhe nga Lidhja e Kombeve, që Shqipëria të njihet si shtet i pavarur, por për fat të keq nuk u arrit që të ndreqeshin padrejtësitë që ishin bërë me copëtimin e trojeve shqiptare në Kongresin e Berlinit më 1878, dhe në Konferenca e Ambasadorëve në Londër më 1912-1913.

Fuad Dibra duke shkrirë tërë pasurinë e vet për çështjen kombëtare dhe duke mos pranuar postet joshëse të ofruara nga vendasit dhe të huajt. U dha të kuptojnë të gjithëve, se duhet të dallohet vullneti për t’i shërbyer atdheut nga ambicjet personale për ofiqe.

Fuad Dibra ishte shumë i pasur, por kur çështja kombëtare shqiptare u vu në tryezën e negociatave të Fuqive të Mëdha, nuk u hamend fare dhe nuk nguroi të sakrifikonte, duke u hedhur në luftën e tmerrshme dhe të padrejtë që i bëhej atdheut të tij të dashur, duke luftuar si hero gjersa shkriu tërë pasurinë e tij, për një Shqipëri Etnike.

Këtë parim e ndoqi gjatë tërë jetës së tij, por edhe në Konferencën e Paqes në Paris më 1919-1920 dhe në Komitetin Kombëtar të Kongresit të Lushnjës.

Populli shqiptar e din fare mirë dhe nuk do ta harojë kurrë rolin që luajti ky patriot në çastet kur ishin në lojë fatet e Shqipërisë.

Biografëve të Fuad Dibrës iu desht shumë kohë për ta bashkërenditur rrugëtimin e këtij patrioti, sepse ky bënte punë të mëdha, por nga ana tjetër ishte shumë modest, duke i dhënë atdheut gjithçka, e duke mos kërkuar asgjë prej tij.

Kjo shembëlltyre kishte si parim të mos u jepte ndonjë shënim gazetarëve për jetën e tij dhe për veprimtarinë atdhetare.

Megjithatë për veprimtarinë e tij hasim shkrime të shkruara nëpër gazeta, por edhe më shumë tregonin shokët dhe miqtë e tij.

Fuad Dibra në fund të jetës së tij u kthye në atdhe. Ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1944 në Tiranë, ku iu bë një varrim madhështor dhe e qau i tërë populli me lot në sy dhe me dhembje të thellë në zemër, sepse u nda përgjithmonë nga luftëtari i palodhshëm për të mirën e atdheut dhe për Shqipërinë Etnike.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat