Huzri Hoxha, piktori i poetikës së thellësive trazuese…

Kultura

Huzri Hoxha, piktori i poetikës së thellësive trazuese…

Nga: Dukagjin Hata Më: 31 gusht 2020 Në ora: 23:35
Huzri Hoxha

Në këtë kohë të vështirë pandemie, kur raportet mes të vërtetës dhe fiksionit janë shkrirë dhe nuk dihet se ku nis njëra e ku mbaron tjetri, duket se jemi bërë më të ndjeshëm dhe më reflektues ndaj të bukurës, prej ngado që ajo vjen dhe na qaset, si një mundësi për të shijuar gravitetin emocional të diçkaje përtej të zakonshmes.

Piktura është një oaz çlodhës e “kurativ”, një mundësi për t’u ballfaquar me realitete të transfiguruara dhe që jetojnë përtej cakut të një përditshmërie të rëndomtë.

Dihet se se procesi i krijimit dhe lindjes së veprës artistike, është një proces transhendent e thuajse hyjnor, kompleks dhe i sofistikuar, i vështirë deri në komplikim dhe magjik deri në pamundësi për t’u rrokur nga shqisat dhe perceptimi normal njerëzor. Ajo që nuk e lë artistin të qetë, ajo vuajtje e brendshme e thellësive shpirtërore, vjen e konkretizohet si protestë e brendshme e unit, në formë tingujsh, ngjyrash, fjalësh, notash, duke na përcjellë ndjenjat, emoocionet dhe gjendjet emocionale të krijuesve.

Këto po përsillja ndër mend teksa vështroja pikturat e Huzri Hoxhës, në studion e tij, piktor me origjinë dibrane, që jeton në Tiranë, i cili vjen nga fusha e ekonomisë, por për shkak të pasionit për pikturën, në moshën pesëdhetëvjeçare ka mbaruar me nota të shkëlqyera Akademinë e Arteve.

Huzri Hoxha, ish deputet në legjislaturën e parë të Kuvendit pluralist të Shqipërisë, një nga piktorët më të sukseshëm të brezit të tij, rrëfen për dashurinë e tij të parë dhe të vetme, pikturën, e cila e lidhi me miq e shokë në të gjithë hapësirën e botës shqiptare, por edhe në Gjermani, Rusi, AngIi, Arabi, Amerikë e deri në Kinën e largët. Ndjekës i shkollës së ekspresionizmit dhe babait të të saj Van Gog, Hoxha vizaton me dorë të lirë realitete psiko-hapësinore konkrete, të cilat i transfiguron me anë të një metafore universale.

Image
Në foto: Pikturë e piktorit Huzri Hoxha

Me origjinë nga Dibra, nga një trevë piktorekse që e mbart pikturën brenda vetes, ai sjell në punimet e tij ëndrrën e kulluar, një natyrë psikofizike të rikrijuar, që e fsheh në thellësi natyrën fillestare.

Pikturat e tij flasin me gjuhën e simbolikave të thyera dhe polivalente, një polisemi trajtash dhe kumtesh, që tentojnë të na “zgjojnë” nga gjumi utopik ku na kanë vënë “baballarët eunukë”, me shtampat e tyre agjitative në çdo lëmë të artit dhe letrave.

Në pikturën e Huzriut lëvizin dritëhijet e një realiteti historik dhe përditshmërie të dyzuar, ku me anë të një simbolike impresionuese përcillen gjendje dhe mesazhe, që iu flasin të gjitha kohëve dhe brezave.

tek figura historike, si bie fjala ajo e Gjergj Kastriotit Skënderbeu, piktori gjen kodin e çmitizimit dhe e vendos Kryeprijsin e Arbërit në një rrafsh krejt njerëzor, të prekshëm dhe komunkues me kohët dhe brezat.

Piktura e tij përmban poetikën e thellësive, trazimet e unit, sofistikimin e shpirtit dhe psikikës njerëzore, kërkimin e modaliteteve që e çojnë njeriun dhe shoqërinë drejt një stadi më të emancipuar dhe më të përsosur.

Ekspozita e tij e hapur para disa vitesh në Muzeun Historik Kombëtar, “Udhë drejt vetes” u përcoll me vlerësime nga kritikët më të njohur të artit jo vetëm në Shqipëri, Kosovë e viset e Shqipërisë Lindore nën Maqedoni, por dhe më gjërë…

Kritiku i shquar i artit Adriatik Kallulli, e ka quajtur pikturën e Huzri Hoxhës, “një depërtim në psikologjinë e thellësive të qenies njerëzore, duke zbuluar realitete të panjohura, dritëhije dhe enigma të shpirtërave të vetmuar”. Kallulli shton se pikturat e Huzri Hoxhës janë “drita të hapura të mendjes” për të vështruar përtej asaj që duket, në ato hapësira ku shpirti dhe mendja drithërohen dhe përftohen ndjesitë e larta shpirtërore.

Image
Në foto: Pikturë e piktorit Huzri Hoxha

"Piktura, thotë Huzriu, më ka dhënë atë që s’ma jepte as politika, as ndonjë veprimtari tjetër intelektuale a biznesi, të pasurit e shumë miqve jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë, të cilët i kanë punët e mia në shtëpitë e tyre".

Ishte fëmijë, atyr rreth moshës 5-6 vjeçare, kur bota e vizatimeve nga më të çuditshmet iu shfaq si një flakë që digjej në heshtje brenda tij. Ai mendon se dhuntia e krijimit është e zbritshme. Nuk ka një moment kur ti thua: Unë di të pikturoj. Këtë dhunti e ke të brendshme, të njohur nga vetvetja, që kur dallon gjërat e para të botës. Njerëzit me besim e dinë se dhuntinë e krijimit e ka vetëm Perendia. Gjithçka që bëjnë njerëzit me kërkimet shkencore, me hulumtimet, përvojat etj., nuk bëjnë gjë tjetë veçse zbulojnë ligjësi, raporte, lidhje të parapërcaktuara e të krijuara më parë.

Kjo është filozofia e tij jetësore, por dhe filozofia e kërkimit estetik, në hapësirat pa limite të së bukurës, në rrekjen për të na dhënë një pikturë emocionuese, shijimi i të cilës bëhet gradualisht, pjesë pjesë ose tërësisht, (sipas rastit), duke na dhënë të plotë magjinë e shijimit të një krijimi original, që flet me çdo detaj të tij…

Piktori flet me gjuhën e ngjyrave dhe linjave, duke na dhënë ikjet nga ferri dhe mbërritjet në “Tokën e premtuar”, zhvendosjen e ëndrrave në realitete imagjinare, kompleksin frojdian që vë në lëvizje “libidon” dhe intelektualitetin. Është një botë e trazuar ndjesishë dhe përfytyrimesh, shtysash dhe motivesh, që e çojnë piktorin drejt zbulimit të akuareleve mbresëlënës jo vetëm të natyrës, por mbi të gjitha të psikikës dhe shpirtit njerëzor.

Në këtë pikë, piktura e tij jo vetëm merr funksionin e një shpalljeje të një mesazhi etik, filozofik, aq të prekshëm dhe komunikues, por dhe na ndihmon të rizbulojmë emocionalisht personazhe e figura historike, të çmitizojmë mitogjitë e stisura dhe të mitizojmë brendësinë e unit, si një nga cilësitë e impresionizmit, shkollën e të cilit ndjek, në mjaft nga punët e tij, piktori Hoxha.

Ai udhëton shumë dhe i pasuruar me pamje dhe impresione që nuk mund t’i mbajë përbrenda, merr penelin dhe vizaton, duke riudhëtuar tashmë drejt thellësive të unit dhe duke na përcjellë trazimet e tij dhe të epokës në të cilën jeton dhe pikturon.

Piktura e Huzri Hoxhës shpreh poetikën dramatike të ngjyrave dhe linjave, ku brenda tyre, përgjatë vijave dhe kontrasteve, rrezaton e tashmja e kaluar, dhe e djeshmja e ardhshme.

Natyra e transfiguruar në asimetrinë impresioniste, portreti dhe peisazhi gjithashtu të transfiguruara kësisoj, janë shtysat, motivet dhe frymëzimet në shpirtin e piktorit.

“Çdo akumulim gjërash, unë e përcjell përmes penelit, si një shtytje e fortë që më udhëheq në krijimin e disa punëve, të cilat më çojnë në një komunikim intensiv drejt të brendshmes, pasi vetëm tek brendësia e shpirtit gjenden modelet e artit të vërtetë”, thotë piktori.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat