Kosova gjatë viteve 1989-1999 (Pjesa e parë)

Kultura

Kosova gjatë viteve 1989-1999 (Pjesa e parë)

Nga: Genc Mekaj Më: 2 shtator 2020 Në ora: 00:05
Genc Mekaj

Pushteti serb historikisht kishte synim për të asgjësuar ‘’ çdo gjë shqiptare’’ në Kosovë. Në të vërtetë, ‘’krimi dhe gjenocidi i planifikuar, i përgatitur ‘shkencërisht’ dhe i zbatuar profesionalisht e institucionalisht’’, ka filluar të zbatohet në Kosovë sistematikisht pas Luftës së Parë Botërore për të arritur kulmin në regjimin serb të Sllobodan Millosheviçit. Së këndejmi, ‘’promovimi i gjuhës së urrejtjes ndaj popullit shqiptar’’, veçanërisht gjatë viteve të tridhjetë e të nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, nuk mund të shpinte tjetër veçse në mohimin e së drejtës për ekzistencë të shqiptarëve. (Stavileci, 2005)

Përpjekjet e popullit të Kosovës për krijimin e një shteti të pavarur datojnë që moti, por ato morën definimin dhe formën e organizimit politik dhe format tjera kryesisht nga fundi i viteve 1980 dhe fillimi i viteve 1990, pikërisht kur filloj dhe shpërbërja e Ish-Jugosllavisë. Vitet 1988-1989 datojnë me protesta masive të shqiptarëve ndaj politikave të Serbisë që ishin represive ndaj Kosovës duke rezultuar me largimin e autonomisë së Kosovës nga Sllobodan Millosheviçi gjë që e kthente Kosovën si pjesë të Serbisë.

Ndërrimi i udhëheqësve (Azem Vllasi dhe Kaqusha Jashari ), shqiptarë në mekanizmat e partisë në Krahinë nga Millosheviçi dhe zëvendësimi i tyre, (me Rrahman Morinën), shkaktuan protesta. Rol kyç në protesta luajtën minatorët e Trepçës, të cilët u futën në grevë duke u thirrur në një listë kërkesash: në listë kërkohej dorëheqja e Rrahman Morinës dhe anulimi i ‘‘politikës diskriminuese’’ të Millosheviçit, ndonëse kërkesa e parë ishte ‘’ që të mos heqim dorë nga parimet fundamentale të Kushtetutës së vitit 1974.’’(Malcolm, 2011). Besohet se greva e minatorëve ishte ajo që i lëkundi themelet e Ish-Jugosllavisë.

Në vitin 1989, Kuvendi i Kosovës u mblodh në rrethana të jashtëzakonshme në presionin e forcave dhe tankeve, gjë që aludoi më heqjen e Autonomisë së Kosovës. Pas rrënimit me dhunë të Autonomisë së Kosovës, me 23 mars 1989, që me të drejtë nga shqiptarët u përjetua si ripushtim i Kosovës nga Serbia, Beogradi mori në dorë të gjitha mekanizmat institucionale dhe shoqërore në Kosovë. Më anën e aparatit policor-ushtarak jugosllav filloi të merrte përsipër të gjitha strukturat e pushtetit të deriatëhershëm në Kosovë të cilat ishin fajësuar për ‘’tragjedinë serbe në Kosovë’’. Më këtë rast ajo iu kthye represionit të ashpër ndaj gjithë atyre që kishin penguar miratimin e amandamenteve kushtetuese ose që në çfarëdo forme u kishin bërë rezistencë ndryshimeve të parapara (Buxhovi, 2015). Kështu Serbia pushtoj Kosovën duke mbushur me mijëra policë dhe ushtar serb të cilët ushtruan masa represive, aperteidi, dhunë dhe shkaktuan arrestime dhe izolim të shumë intelektualëve: politikanëve, profesorëve, krijuesve të ndryshëm, gazetarëve etj. Gjithashtu u bë mbyllja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, u bllokua procesi arsimor duke futur plan-programin serb nëpër shkolla. Kishte filluar një fushatë e egër anti-shqiptare përmes së cilës popullit të Kosovës do iu privoheshin të gjitha të drejtat duke shkaktuar një formë të dhunës së planifikuar ndaj tyre nga ana e Serbisë.

Edhe pse represioni vazhdonte pa e përfillur këtë, Kuvendi i Kosovës me 2 korrik 1990 shpalli deklaratën kushtetuese që e definonte Kosovën si Republikë të pavarur nga Serbia. Kështu, me shtatë shtator 1990, në Kaçanik, jashtë çfarëdo opinioni, mbahet mbledhja e delegatëve të Kuvendit të Kosovës. Aty do të shpallet Republika e Kosovës dhe do të aprovohet edhe Kushtetuta e saj e parë, që do të quhet, Kushtetuta e Kaçanikut (Buxhovi, 2015). Përmes Kuvendit të Kaçanikut u përcaktua mbajtja e Referendumit për Pavarësi, gjithashtu mbajtja e zgjedhjeve të lira parlamentare brenda disa muajve nga të cilat do të bëhej formimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në shtator të vitit 1991, shqiptarët e Kosovës organizuan referendumin për pavarësi dhe sovranitet të vendit. Në referendumin për pavarësi, që u mbajt prej 26 deri me 30 shtator 1991 dolën 87,01% e popullatës së Kosovës me të drejtë vote, kurse u deklaruan për Kosovën shtet Sovran dhe të pavarur 99,87% të pjesëmarrësve (Buxhovi, 2015).Kurse zgjedhjet në gjithë rajonin e Kosovës u organizuan me 22 maj 1992, ku u përdoren shtëpitë private si qendra votimi. Nga këto zgjedhje, Ibrahim Rugova zgjidhet president i vendit dhe formon qeverinë me kryeministër Bujar Bukoshi. Pas shpalljes së Kosovës Republikë, tensioni kishte arritur kulmin (Meier, 2006).

Shkollimi i shqiptarëve të Kosovës dhe qarqet intelektuale të krijuara gjatë viteve të 80-ta bënë që kursit politike të Kosovës të ndërronin. Me këtë rast, dy organizata kanë luajtur rolin kryesor: Shoqata e Filozofëve dhe e sociologëve të Kosovës, nga njëra anë, dhe, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, nga ana tjetër. E para ishte shndërruar në një qendër të protestës intelektuale kundër politikës serbe dhe kishte organizuar shumë tubime publike dhe peticone (Malcolm, 2011). Kurse e dyta u detyrua për shkak të rrethanave të merrte rolin politik duke u shndërruar në lëvizje politike e cila në vitin 1989 u themelua zyrtarisht. Kjo lëvizje politike ishte ‘’Lidhja Demokratike e Kosovës’’ e cila u njoh me inicialet e saja LDK dhe kryetari i shoqatës se shkrimtareve Dr. Ibrahim Rugova u bë lideri i LDK-së.

Në zgjedhjet e vitit 1992 Rugova u emërua në postin e kryetarit të Republikës së Kosovës. Rugova politikën e tij e kishte konceptuar si paqësore duke bërë thirrje për zgjidhjen e problemit të Kosovës në mënyrë paqësore, duke penguar revoltën e dhunshme dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, duke kërkuar ndërhyrje politike ndërkombëtare në format e ndryshme për çështjen e Kosovës. Lideri Rugova udhëhoqi në një mënyrë të mbrehtë rezistencën paqësore të popullit të Kosovës ndaj regjimit serb. Rezistenca institucionale dhe shteti paralel shqiptarë kishte bërë që Kosova të mos përfshihej në luftë para kohe edhe pse kjo i kushtoi popullit me vuajtje shumë të mëdha nga represioni serb. Politika pacifiste e Rugovës bëri të mundur që Kosova të ishte në gjendje të qetë gjatë luftërave të zhvilluara në Slloveni, Kroaci e Bosnje dhe Hercegovinë.

Vitet 1995-1998

Pasi gjendja në vazhdimësi rëndohej, politika paqësore e Rugovës dhe e LDK-së filloj të kritikohej. Marrëveshja e Dejtonit, 1995 me të cilën u arrit marrëveshja për ndërprerjen e luftës dhe zgjidhjen e problemit të Bosnje dhe Hercegovinës, Kosova u la jashtë nga Dejtoni. Marrëveshja e paqes e Dejtonit u solli kosovarëve edhe një zhgënjim të hidhur. Që në fillim ishte bërë e qartë se shpresat e bashkësisë ndërkombëtare për paqen në Jugosllavi nuk i linin shumë vend kërkesës së kosovarëve për pavarësi. Në bisedime nuk u ftua asnjë përfaqësues i Qeverisë kosovare dhe u injorua tërësisht fakti që çështja e Kosovës kishte nevojë për një zgjidhje të ngutshme (Petritsch & Pichler, 2002).

Dr. Ibrahim Rugova kërkoi nga presidenti amerikan Klinton që Kosova të përfshihet në konferencën e Dejtonit, ndërsa presidenti amerikan njoftoj se Kosova dhe problematika e saj mbetet për një trajtim të veçantë (Buxhovi, 2015). Shqiptarët shtuan kërkesat që të mos vazhdohej më me rezistencë civile por të ktheheshin në rezistencë aktive duke aluduar me luftë.

Politika serbe ndaj Kosovës gjatë këtyre viteve kishte strategji të përgjithshme me qëllim të detyrimit të shqiptarëve të lëshojnë vendin. Represioni, dhuna, keqtrajtimi dhe mohimi i të drejtave dhe lirive të njeriut u bë në mënyrën më mizore ndaj shqiptarëve të Kosovës nga ana e Serbisë.

Gjatë viteve filluan të formoheshin grupe guerile ushtarake të cilat kryenin aksione ndaj forcave policore serbe dhe atyre ushtarake në pjesë të ndryshme të Kosovës. Kjo tregonte që politika paqësore po merrte hov duke u kthyer në rezistencë aktive, gjë që rezultojë me shfaqjen e UÇK-së në skenë.‘’Ushtria Çlirimtare e Kosovës’’ u shfaq publikisht me 28 nëntor 1997 në varrimin e arsimtarit, Halil Geci në Laushë të Drenicës. Nga ky çast ‘’Ushtria Çlirimtare e Kosovës’’ do të kthehet në një realitet të pashmangshëm ushtarak por edhe politik në Kosovë, i cili nga dita në ditë do të dalë në plan të parë të interesimit të faktorit ndërkombëtar të vendosjes, pa marrë parasysh qëndrimin ndaj saj, fillimisht e cilësuar si organizatë terroriste e më vonë ‘’pjesë e rebelimit’’ ndaj dhunës ushtarake të Beogradit, deri aty sa të kthehet edhe ‘’në partner’’ ndërkombëtar (Buxhovi, 2015). Shfaqja e UÇK-së dhe frika për një shkallëzim të dhunshëm thirrën së fundi në skenë bashkësinë ndërkombëtare, e cila u gjet e detyruar për të vepruar me vendosmëri (Petritsch & Pichler, 2002).

Qëllimet e UÇK-së kanë qenë që të çliroj vendin nga okupatori serb dhe të bëjë triumf ushtarak, politik dhe diplomatik me qëllim të largimit të vuajtjeve të kamotshme të popullit të Kosovës. Edhe pse politika paqësore e Rugovës dallonte nga ajo aktive e UÇK-së, qëllimi i përbashkët i tyre ishte çlirimi dhe ndërtimi i Kosovës. Pra të gjithë në mënyrën dhe mundësinë e vet kontribuonin për çështjen e Kosovës.

Më 1 tetor 1997 demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës do të ndërronin kursit e politikës në lidhje me çështjen e Kosovës, duke u dhënë dimension të ri. Këto zhvillime aktive nga rinia (studentët) u përshkallëzuan në mënyrë aktive duke u përfshirë në konfrontim të hapur me forcat policore-ushtarake serbe. Ky zhvillim ishte i pritshëm dhe nuk do të jetë në gjendje t’ia ndal kahun as politika, as diplomacia e as manovrimet e tjera, që gjërat t’i qojë aty ku edhe do të shkojnë, pra tek ndërhyrja e armatosur e NATO-s e marsit-qershorit të vitit 1999 (Buxhovi, 2015).

Në mars 1998 forcat policore dhe ushtarake serbe sulmojnë Prekazin duke iu drejtuar familjes së komandantit Adem Jashari të cilët i kishin në shënjestër dhe i njihnin mirë për kontributin e tyre të dhënë për Kosovën. Forcat serbe kryen masakra ndaj familjes Jashari duke i ekzekutuar barbarisht gjithë familjen dhe duke mos kursyer as fëmijët nga kjo masakër. Masakrat e Drenicës në Qirez, Likoshan dhe përfundimisht në Prekaz ndaj familjes Jashari tronditën opinionin botëror dhe nxorën në pah qëllimet serbe (Buxhovi, 2015). Po ashtu sulme nga ana e forcave serbe u bënë edhe në fshatin Gllogjan dhe në rajonin e Deçanit me qëllim të shkatërrimit të UQK-së, sulme të cilat hasën në rezistencë nga forcat e UQK-së të cilët rezistuan suksesshëm.

Forcat serbe vazhduan me sulme dhe masakra të papara ndaj popullsisë së pafajshme dhe të pambrojtur në territorin e Kosovës. Fshatrat shqiptare, të dyshuara për bashkëpunim me UQK-në, do të rrethoheshin nga forcat e rregullta ushtarake, përfshirë artilerinë dhe njësitet e tankeve, dhe do të granatoheshin. Civilët do të iknin apo do të binin viktima. Më pas, njësitë më të vogla do të dërgoheshin nëpër fshatra, duke vrarë shpesh familje apo fise të tëra shqiptarësh, që nuk ia kishin dalë të gjenin strehim në zonat përreth (Weller, 2011).

Shkëputur nga punimi shkencor‘’GENC MEKAJ,KOSOVO DURING 1989-1999’’

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat