Njeriu i katër centëve

Kultura

Njeriu i katër centëve

Nga: Daut Dauti Më: 3 shtator 2020 Në ora: 17:27
Foto Ilustrim

Ka më shumë se një vit kur e befasova kamarierin në Gjilan. I dhashë shenjë që të vinte t’i pagauaja katër kafe. Ai i shikoi letrat e llogarisë dhe më tha:’Dy euro’.

‘Maje dorën i thashë’, dhe ia lëshova një grusht para nga më të imëtat që i kisha mbledhur gjatë viteve nëpër Evropë ku qarkullon euroja.

‘Dy euro, krejt ka 5 e 2 cent, a’ tha kamarieri me një habi të madhe.

‘Jo. Janë 2 euro e 10 centë se 10 centë i ke bakshish. Dhe nuk janë krejt nga 5 e 2 centë se ka edhe nga 1 centë’- i tashë.
Ai u largua me habi e çudi dhe me siguri nuk do t’i merrte paratë sikur të mos më njihte.

Në supermarket bleva diçka dhe e bëra pagesën. Vajza në arkë m’i ktheu 10 centë dhe priste që unë të largohesha e t’ua lëshoja radhën tjetërve. Por, nuk u largova se duhej të mi kthente edhe 4 centë.

E kuptoi dhe më tha:’nuk kam t’ima’. Por, unë nuk lëviza vendit. Ajo ma zgjati një çokolladë të vogël dhe një ‘sakëz’ dhe më tha:’merre njanën’.

‘Jo’- I thashë ‘nuk e dua as çokolladën e as sakëzin. Kthema kusurin.

Vajzës i humbi durimi dhe më tha:’O nuk kam, o zotni. Nuk mbajmë centa na’. Këto fjalë i tha pa asnjë turp. Bile i tha me një krenari dhe cinizëm.

Kur u bind që nuk po largohesha, i nxori 10 centë dhe i lëshoi në një tabëll afër arkës. ‘Qe, merri pra 10 centë’.

‘Jo 10 por 4 centë duhet. Nuk i marrë se duhet tani me t’i kthy 6 centë që nuk i kam.

Vajza u gëzua dhe ma priti në mënyrë triumfuese:’Eee a pe shesh qyshë asht kur nuk ki t’ima’.

‘Unë nuk duhet me pasë t’ima. Ti duhesh’ – i thashë.

Muhabeti filloi të zgjatej dhe nxirrte në shesh një mungesë të kulturës dhe njohurisë së shitëses. Madje, edhe mungesë të respektit për blerësin. Nuk e dintë që blerësi nuk është i obliguar të shkoj në shitore me para të sakta dhe se shitësi është i detyruar të ketë para për kusurë.

‘Në rregull i tashë. Kthemi krejt paret që t’i dhashë’ dhe ia shtyra qesen me gjërat që desha t’i blej.

Shitësja u habit së bashku me ata që prisnin në radhë. Me siguri në vete thoshin:‘çfarë njeri ky me ba krejt këtë zhurmë për 4 centë’.

Në fakt problemi këtu është më i madh se vlera e 4 centëve. Veprimi im ishte deklarues për mbrojtjen e parimit të shit-blerjes. Pata përshtypjen që askush nuk e vërejti që unë paraqita qëndrim.

Kur dola jashtë, njëri erdhi pas meje dhe më tha:’mirë ja bane se nër 10 centë këta kurrë nuk t’i kthejnë’. Ai tha ashtu por vetë me siguri e merr sakëzin në vend të kusurit.

Pasi që supermarketi është afër shtëpisë, më duhej të shkoja shpesh aty. Kur hyja brenda, më shikonin shitëset. Pastaj shikoheshin mes veti. Me siguri tinëz meje i thoshin njera tjetrës:’Qe, erdh ky i 4 centëve’.

Pas këtij rasti, një apo dy herë tjera ndodhi që kusuri të ishte më i vogël se 10 centë, por kishte kusurë. Ndoshta i ruanin vetëm për mua e jo për shkak të obligimit që kanë ndaj të gjithë blerësve tjerë.

Kësaj vere nuk erdha për me pa nëse ka ndryshu kjo puna e kusurit dhe pareve të imta

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat