Latif Mihja, biznesmeni në shtigjet e përvojës dhe guximit njerëzor…

Kultura

Latif Mihja, biznesmeni në shtigjet e përvojës dhe guximit njerëzor…

Nga: Dukagjin Hata Më: 7 shtator 2020 Në ora: 19:54
Latif Mihja

“E pamundur është një fjalë që gjendet vetëm në fjalorin e budallenjve”  - Napoleon Bonapardi

Latif Mihja, biznesmeni në shtigjet e përvojës dhe guximit njerëzor…

Shpejtësia marramendëse me të cilën u hap shoqëria shqiptare, nga izolimi sindromik, tek hapësirat e pamata të lirisë së zgjedhjes së alternativës më të mirë për jetën tënde, të bën të meditosh për atë hap gjigand, hap vite-dritë do ta quaja, që duket se kapërcen kohë dhe epoka të tëra.

Njerëz të zakonshëm, dhuntitë e të cilëve “flinin” nën siglën e retushuar të barazitizmit sa për sa e faqe, shpërthyen dhe dolën në start, duke e shtyrë vetë kohën përpara, në hapësira të reja të ëndrrës.

Latif Mihja është njëri prej tyre, një biznesmen ndërtimi, që me punë e përkushtim, ia doli të ndërtonte diçka të tijën, të cilës i dha frymë me ëndrrat dhe pasionin e tij, duke u përballur me vështirësi të panumërta, që jo vetëm nuk e dekurajuan për asnjë çast, por e bënë më të fortë dhe më këmbëngulës në realizimin e projeksionit të tij.

Ndoshta i është kujtuar ajo thënia epistolare e Napoleon Bonapardit: “E pamundur është një fjalë që gjendet vetëm në fjalorin e budallenjve” dhe ka guxuar e guximi e ka çuar në shtigjet e suksesit…

Latif Mihja, e nisi nga pika zero, mes sfidave dhe vështirësive të panumërta, për të arritur me djersë e përkushtim, me dhuntinë e dashurisë për punën dhe njerëzit, në kuota të lakmuara të një sipërmarrje, që flet shumë.

Më së pari, flet për mundësitë që të ofron një shoqëri e bazuar tek fjala e lirë dhe tregu i lirë, për të shfaqur anët më të mira të vetvetes…

Ky dibran fisnik, bir i Qafë Murrës së hijeshive të befta, që shkojnë deri në magjijime poetike, ka shumë për të rrëfyer rreth rrugëtimit të tij të vështirë, por fjala nuk është arma e tij më e fortë; modestia, kjo dhunti e njerëzve me mend, e shtyn më shumë se drejt fjalës, drejt veprimit, pasi një veprim në mënyrën e duhur, në kohën dhe vendin e duhur, flet me shumë se mijëra e mijëra fjalë të bukura…

Që kur iku nga fshati i tij, në ndjekje të rrugëve të dijes, në auditore si student i inxhinierisë gjeologjike, në jetën e Latif Mihjes kanë rrjedhë shumë ujëra dhe zemberku i kohës ka ecur me ritëm nxitimi drejt shtigjeve të shpirtit kërkimtar. Ai ka ndjekur pas me intuitë thirrjen e shpirtit, duke iu përgjigjur pasionit më të thellë, atij të kërkimit gjeologjik. Gjeologjia ishte më shumë se pasion për këtë ëndërrimtar kurajoz, që kishte vënë shpirtin dhe mendjen e tij në shërbim të këtij profesioni sa të bukur aq dhe të vështirë. Me gjeologjinë e lidhte shumëçka dhe e ndoqi gjer në fund pasionin e tij, atje në ndërmarrjen gjeologjike të Bulqizës, ku kaloi pjesën më të mirë të rinisë. Gjithçka e kreu me përkushtim e dashuri, investoi dije dhe angazhim në kuota të epërme dhe korri si fryt dashurinë e atyre që e rrethonin në përditshmëri, kryesisht të punëtorëve, që shikonin tek inxhinieri i ri modelin e një intelektuali, tek i cili shkrihej në një njeriu i mirë dhe profesionisti i zoti.

Por vitet ikën, në shtigjet e kohës nisën të frynin erëra të reja, që do t’i jepnin një drejtim tjetër jetës së secilit prej nesh dhe gjithë shoqërisë shqiptare, e cila po përjetonte prag-zgjimin nga një ëndërr e gjatë, shkundëse dhe zhgënjyese…

Tranzicioni nisi me ritme ku përziheheshin kaosi me konkurencën e lirë dhe ku jo çdo ujë që rridhte shkonte në mullirin e meritokracisë, përkundrazi, për fat të keq, ajo ishte e fundit që listohej në listën e vlerave që kërkohen nga dikush, për të qenë diku dhe për të tundur këmbonën e pushtetit! Në këto vorbulla të trazuara, aty nga viti 1993, me “rrudhjen” e ndërmarrjes gjeologjike, Latifi mbetet pa punë dhe do t’i duhej që për rreth dy vjet të punonte në sektorin e grumbullim–shpërndarjes Shupenzë, një punë jashtë profilit dhe formimit të tij, por të cilën e kreu me korrektesë, për të siguruar mbijetesën e vështirë të atyre viteve.

Ëndrra gjeologjike qe ndëprerë dhe minierat, që vetëm para pak vitesh gëlonin nga ritmet frenetike të punës dhe prodhimit, tanimë qenë kthyer në diçka atavike, “të lodhura” e të pa shpirt. Pa atë sharmin e kohës kur “kromi çante bllokadën”, tashmë minierat, të lodhura dhe të keqpërdorura nga “të fortët”, po përjetonin prag-agoninë e trishtë, të një kohe të pa kohë. Gjithë ky ankth dhe stanjacion i rëndonte në shpirt Latif Mihjes, këtij gjeologu që ia kishte falur dhuntinë e të dashuruarit thesareve të nëntokës dhe tani, në rrethanat e këtij kaosi, ndjente peshën e trishtë të udhëkryqit, si shumë profesionistë dhe intelektualë të tjerë.

Në Tiranë, ku u vendos përfundimisht, dalagadalë u projektua një ide dhe mori rrugë një lëvizje, e cila me kohë u kthye në një realitet të prekshëm, ku do të sendërtohej gjithë vëmendja dhe përkushtimi i Latifit, në kërkim të mundësive të tij dhe vetvetes…

Në vitin 1995, në kërkim të shtigjeve të reja që mundësonte shoqëria e hapur shqiptare, për t’u përfshirë në sfidat e ekonomisë së tregut të lirë, themelon kompaninë “Andi konstruksion shpk”, me objekt veprimtarinë në fushën e ndërtimit, si një nga fushat më prioritare të zhvillimit ekonomik, sidomos në vitet e para të hapjes së madhe, kur nevoja e popullatës për ambiente banimi dhe biznesi të gjithëfarshëm ishte në kuota të epërme.

Pasioni për punën, përkushtimi dhe përgjegjësia, të qenit në krye të punëve, me vullnetin e mirë për t’i prekur gjërat me dorë, nga marrja e specialistëve të aftë e me pasion për profesionin e tyre gjer tek fjala e ngrohtë që prek telat e shpirtit njerëzor, bënë që Latifi shumë shpejt të kapte dhe tejkalonte ritmet e kohës në këtë sektor kaq të vështirë e delikat, duke e kthyer “Andi konstruksion shpk” në një kompani të kërkueshme nga klientët, të cilëve ajo iu shërbente me operativitet, me korrektesë dhe transparencë.

Dihet ashpërsia e kapitalizmit, por ndryshe nga shumë biznesmenë, që konkurencën e trajtojnë si një mënyrë për t’ia ngecur tjetrit dhe për të fituar vetë, Latif Mihja e trajton atë si një konkurim të cilësisë së punës, shërbimit dhe aseteve.

Në fund të fundit, a nuk është në thelb kapitalizmi një konkurim vlerash, që e çon gjithmonë në projeksione dhe shtigje të reja përvojën dhe guximin njerëzor?!

Kënaqësia e tij buron nga kënaqësia që iu dhuron klinetëve, cilësia e ofruar. Këtë frymë përcjell dhe stafi që punon për “Andi konstruksion shpk”, personeli inxhiniero-teknik dhe administrativ, që ndjekin tempin e kërkesave dhe impenjimit të tij.

Këmbëngulja tek cilësia e produktit të ofruar, qoftë edhe duke ngrënë diçka në “kandarin e fitimit”, ka bërë që “Andi konstruksion shpk” të jetë një kompani mjaft e kërkuar në tregun gjigand të ndërtimit, duke ofruar ambiente banimi dhe biznesi të një cilësie të lartë dhe me të gjithë parametrat e modernitetit bashkëkohor.

Të jeshë i ndershëm me vetveten dhe pastaj me të tjerët, kjo është filozofia e Latif Mihjes, këtij njeriu që më shumë se sa flet mendon, më shumë se sa ecën vrapon, që të ndjekë ritmet e kësaj kohe të vrullshme.

Ai e ka mbartur Qafë Murrën e dashur me vete, si një gur sizifian, jo vetëm për shkak se vendlindja i mungon dhe për të ndihet i përmalluar, por dhe për shkak se kudo e rrethojnë bashkëfshatarët e tij, dibranët, njerëzit e letrave, gazetarët, shkrimtarët, me të cilët mban lidhje dhe kjo e bën të ndihet mirë…

Jo vetëm në komunitetin dibran, por dhe në komunitete të tjera, ku pikat e kontaktit me këtë biznesmen janë nga më të ndryshmet, për Latif Mihjen të flasin me respket e konsideratë, me dashuri e mirënjohje. I thjeshtë, i sjellshëm, i ngrohtë, i çiltër në komunikim, me intelekt natyral dhe formim të plotë si inxhinier, ai të bën për vete për modestinë dhe prakticitetin, me gadishmërinë për ta dëgjuar tjetrin dhe për të qenë pranë njerëzve në nevojë.

Për njerëz si Latif Mihja mund të shkruash shumë, por këto rreshta mjaftojnë për të ravijëzuar, qoftë dhe kalimthi, një portret biznesmeni dhe intelektuali të formuar, që kërkon t’i ngjajë kohës në aureolën e saj më të ndritshme, në mundësitë që ajo të ofron në përzgjedhjen e ëndrrave, rrugëve dhe devizave, që të shoqërojnë në jetë…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat