“Vepër që nuk përmbanë një kritikë të rëndomtë, por një re-flektim të duhur për gjithsecilin”

Kultura

“Vepër që nuk përmbanë një kritikë të rëndomtë, por një re-flektim të duhur për gjithsecilin”

Më: 9 shtator 2020 Në ora: 18:58
Zyrafete Shala

Recension nga Kliton Nesturi  për librin “Kritikë dhe Ese” të autores Zyrafete Shala.

Në këtë libër kam përmbledhur shkrime kritike të shkruara në kohë të ndryshme, në periudhën mes viteve 2009-2020, disa prej të cilave janë publikuar nëpër revista letrare, gazeta, portale e disa jo. Edhe pse në fund të secilit shkrim kam vënë edhe vitin e shkrimit, radhitja e tyre nuk është kronologjike, por sipas objektit që trajtojnë. Meqë ka shkrime mbi poezi, mbi vëllime poetike, romane, kritikë letrare, libra studimor, por edhe shkrime krahasimtare, librin e kam ndarë në katër pjesë dhe secilën prej tyre e kam titulluar sipas natyrës së shkrimeve që përmban: Mbi poezinë, Mbi prozën, Mbi kritikën dhe në fund një pjesë më e shkurtër që përmban shkrime eseistikembi dukuritë e ndryshme në shoqëri, por që ndërlidhen me mendimin letrar.

Mendoj që secili krijues që i vë vetes kërkesa të larta e ka të vështirë t’u rikthehet shkrimeve të bëra para shumë vitesh, e kjo ndjesi sikur bëhet edhe më e vështirë kur kemi të bëjmë me kritikën letrare. Përgjatë rrugëtimit tonë nëpër universin letrar ne pësojmë ndryshime, të cilat reflektohen edhe në qëndrimet ndaj autorëve dhe veprave të caktuara, prandaj derisa merremi me shkrimet tona të mëhershme e gjejmë veten para një dileme vështirë të tejkalueshme. Të ndërhyjmë në shkrimet e botuara më herët dhe t’i ndryshojmë qëndrimet të cilat më nuk janë tonat, apo t’u japim të drejtë atyre që të mbeten si shenja të një periudhe të caktuar të evoluimit tonë? Sa herë që bëhet fjalë për ndryshime të tilla, më kujtohet përgjigja e poetit William Butler Yeats, kur e pyesin se përse i ndryshon poezitë e tij: – Po unë e ndryshoj veten time – u thotë ai. Prandaj duke u nisur nga ky mendim, por edhe nga fakti që çdo autor e gëzon të drejtën për të bërë ndryshime brenda shkrimeve të veta, vendosa që aty-këtu të bëj ndërhyrje dhe t’i përpunoj shkrimet e mëhershme.

Vendimi për t’i botuar si libër të veçantë shkrimet e shpërndara nëpër revista, gazeta e portale të ndryshme erdhi për shumë arsye, mbi të cilat ajo që mbizotëron është pamjaftueshmëria e shkrimeve kritike për prodhimtarinë e hovshme letrare të dekadave të fundit. Kjo nuk nënkupton aspak pretendimin që me këtë libër do të plotësoj ndonjë boshllëk të madh, sepse për këtë kërkohet angazhim serioz jo vetëm i studiuesve dhe kritikëve letrarë, por edhe institucioneve adekuate, mirëpo me këtë libër synoj të ofroj një kontribut shumë të vogël në vlerësimin e autorëve që janë përfshirë brenda tij. Një arsye tjetër që më ka nxitur drejt botimit të librit është edhe përvoja dhe vështirësitë që kisha gjatë përgatitjes së studimit tim Personazhet e roma-neve të Jakov Xoxës. Ishte shumë e vështirë të gjenden shkri-met e hershme mbi veprën e tij të botuara nëpër gazeta të ndryshme në Kosovë e Shqipëri. Kjo më ka bërë gjithashtu të reflektoj për mosangazhimin tonë dhe të tjerëve para nesh, për t’u kushtuar më shumë vëmendje krijuesve që kanë dhënë kontribut të shquar në letërsinë shqipe. 

Libri përfshin gjithsejtë njëzet e pesë shkrime, studime të shkurtra, recensione, shkrime krahasimtare dhe ese, të ndara në katër pjesë. Krahas shqyrtimit të veprave autorëve të njohur të viteve ’30 si: Migjeni, Lasgushi, Ko-liqi, Kuteli etj. me veprën e të cilëve janë marrë shumë studiues e kritikë letrarë, përfshihen edhe shkrime mbi veprat e krijuesve të kohës sonë si: Ismail Kadare, Zija Çela, Agim Vinca, Xhevdet Bajraj, Ismet Aliu etj. Do-minojnë këtu recensionet mbi veprat e Xhevdet Bajrajt, gjithsejtë katër recensione, me të cilat jam marrë intensiv-visht vitet e fundit dhe të cilat i konsideroj si vlera kulmore të poezisë së sotme shqipe. Lidhur me këto shkrime isha përpara dilemës për t’i bashkuar të gjitha në një shkrim, mirëpo, pasi që ato janë publikuar menjëherë pas botimit të vëllimeve të tij të fundit me poezi, e gjykova si më të rëndësishme të mbeten si të tilla, si jehonë e botimit të tyre. Në këtë libër ka edhe shkrime për veprat e krijuesve të rinj, bashkëvendës të mi, si: Gazmend Bytyçi, Bashkim Hyseni, Kenan Berisha dhe Bekim Muhaxheri, të cilat janë rezultat i punës sime të viteve të fundit në Klubin Letrar “De Rada” në Ferizaj.

Në disa prej shkrimeve, më saktësisht në ato që për nga natyra janë shkrime studimore dhe në mënyrë më të plotë trajtojnë objektin e synuar, kam përdorur edhe re-ferencat për literaturën e konsultuar, gjithnjë duke e ko-nsideruar si joetike të përdor të dhëna pa e paraqitur edhe burimin prej nga janë marrë ato. Ndërsa në recen-sionet për apo poezitë, nuk kam përdorur referencat për faktin që nënkuptohet se me cilat burime kemi të bëjmë. Në fund të librit është dhënë ajo pjesë e literaturës që kam konsultuar për shkrimet krahasimtare dhe studimore, si dhe bibli-ografia e titujve recensionet e të cilave janë për-fshirë bre-nda këtij libri.   

 Meqë gjendemi në një periudhë kur në letërsinë tonë ka më shumë prurje sesa vlerësime, madje edhe më shumë sesa që ka lexues, e shoh të domosdoshme nevojën që kritika letrare te ne të orientohet në një drejtim të ri, gjegjësisht në esencën e saj, duke u marrë me vlerësimin e paanshëm të veprave të reja duke i nxjerr në pah qoftë vlerat, qoftë mangësitë e tyre. Një qasje e tillë jo vetëm që do të ndihmonte në sistemimin e krijimeve të reja brenda hierarkisë së letrave shqipe, por do të ndikonte në krijimin e një letërsie të konsoliduar dhe natyrisht, edhe në ngritjen e shijes estetike të lexuesve. (autorja)

Mungesa e kritikës së mirëfilltë në jetën letrare dhe kulturore shqiptare është ajo që është vënë re më së shumti sidomos në tre dekadat e fundit, periudhë kjo e cila ka konsistuar me tranzicionin historik, shoqëror, kulturor dhe letrar shqiptar. Pjesa më e madhe e atyre kritikave që janë botuar në të gjithë hapësirën shqiptare, më së shumti janë marrë me autorët e traditës. Ndërkohë, kritika mbi vepra të caktuara të autorëve bashkëkohorë ka përfunduar nëpër faqe gazetash apo portalesh. Të bësh kritikën e mirëfilltë letrare, pa lajle e lule, pa bojëra e furça, por me objektivitet e paanësi, nuk është fort e lehtë. Pikë së pari, lipset një angazhim sa intelektual, po aq edhe qytetar, i për-gjegjshëm deri në detajet më të vogla. Aq më tepër kur dihet se e shkruara mbetet dhe gjithnjë gjykohet në kohë e periudha të ndryshme. Prandaj,thënë më ndryshe, kritika e mirëfilltë e letërsisë është jo vetëm një ballafaqim me të ta-shmen, por edhe me të ardhmen.

Një ndër ata studiues të mirëfilltë të letërsisë shqiptare që po kontribuojnë vitet e fundit në kritikën shqiptare, padyshim është edhe Zyrafete Shala. Pas stu-dimit të saj mbi veprën e shkrimtarit Jakov Xoxa, tashmë ajo paraqitet me një vepër tjetër më gjithëpërfshirëse. Në çështjet e shtruara në këtë libër, Zyrafete Shala shpalos vështrimet e saj kritike të disa prej veprave të autorëve të njohur të letërsisë shqiptare, e njëkohësisht edhe të disa autorëve “të rinj”, të cilat janë botuar veçmas dy dekadat e fundit. Me intuitë dhe pragmatizëm, autorja përfshin në këtë vepër jo vetëm një numër të madh autorësh, por edhe temash e çështjesh, si në formë ashtu edhe në përmbajtje ideore, të cilat komunikojnë me lexuesin e të gjitha kohëve, nëpërmjet ngjarjeve, këndvështrimeve të tyre dhe ideve filozofike.

Por kontributi i saj në këtë libër nuk mbaron me kaq. Shala merr përsipër edhe të analizojë nëpërmjet vë-shtrimeve krahasuese autorë të ndryshëm të letërsisë sonë, si Koliqi, Kuteli, Migjeni e Poradeci, duke e vënë theksin tek analiza letrare. Zakonisht, këndvështrime të tilla bartin brenda tyre edhe rrezikun e plagjiaturës, por një gjë të tillë fatmirësisht nuk e shohim tek kjo studiuese.  Në këtë vepër nuk kemi një kritikë për të bërë kritikë, siç rëndom mund të ndodhë, nuk shohim as “hallakatje akademike”, prej të cilave kritika letrare ka vuajtur vazhdimisht, por kemi re-flektimin e duhur dhe të kuptueshëm prej gjithë secilit. Në të gjithë këtë korpus të ndërtuar në këtë vepër, autorja arrin të sjellë me objektivitet pikëpamjet dhe analizat e saj, duke dëshmuar kështu një kontribut real në kritikën letrare shqiptare.

Mendoj se botimi i kësaj vepre do të jetë një shenjë e mirë për letërsinë shqipe, veçanërisht kritikën letrare, e cila vazhdon të lëngojë nga mungesa e vështrimeve dhe analizave të mirëfillta.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat