Erdha te ju

Kultura

Erdha te ju

Nga: Zymer Mehani Më: 18 shtator 2020 Në ora: 07:42
Zymer Mehani

Kur ngela i vetmuar

Drejt jush pata rrugëtuar

Erdha aty, në mesin tuaj

 

Ju çasa juve, Vëllezër Frashëri

Ç’më kaploi gëzimi e gazi

U përula para jush

Para madhështisë suaj

E ju njëzërit më thatë:

-Shqipërinë na e ruaj!

 

Afër Konstandin Kristoforidhit

U afrova

Ia putha atë dorë

E ngadalë i fola

U përula para madhështisë së tij

E ai me të lartin zë më tha:

-Ma ruani gjuhën shqipe, vëlla!

 

E kur shkova te poeti Migjen

U mundova një refren t’ia them

Por fjala m’u ngatërrua

si peshku në karrem

E putha në ballë

Fjala m’u lidh në lak

E zemra më digjej flakë

Dhe seç m’u mbyll goja

Ngashërimi në vaj

Ma këputi shpirtin

E s’fola dot pastaj

Nga dhimbja për poetin

U shkreha në vaj

Me zë të mekur më tha:

-Ma ruaj Lulin e Vocër

I shtrenjti im vëlla!

Dhe dhimbshëm më pyeti:

-Lula të tjerë, a ka?!

 

Ika, renda larg

Në Shkodër prapë u ktheva

Fola me Gurakuqin

E me Filip Shirokën

I putha që të dy

E sytë ç’m’u përlotën

Përnjëherësh më pyetën:

-Vëlla, si e kemi Kosovën?-

 

Mbeta pa fuqi

E s’shihja me sy

Me zemrën të ndarë

Ika duke qarë

Vajta n’Elbasan

Shkova ka një anë

 

Aleksandër Xhuvani

Me krye ma bëri:

-Eja vëlla këtu,

Duajëm si të du’!

E më qortoi rreptë

Besa m’u kërcënu’:

-Pse s’po e ruani gjuhën

Ti e vëllezërit e tu?!

 

-Një helm i thellë

Na ka prishë gjakun,-

I thashë qe besa

Hiq pa doreza.

 

Më nuk më foli

U mërrol pak:

-Ruane gjuhën,

Mendoni pak!

E zemra ime krej u përflak

 

N’Shesh t’Pavarësisë

Aty në Vlorë

E takoj Plakun Mjekërdëborë

Ia putha atë dorë

Që pat ngritë Flamurin

 

Dalë e ngadalë

Ma ndali turrin

Më qortoi rëndë:

-Ku e latë Flamurin,

Pse s’po përmëndë

Pse Skënderbeut

Ia hoqët atë Flamur?!-

 

E unë u stepa,

I thashë –s’di, o burrë!

Ai me të drejtë

Ma tha një fjalë:

-Ruane Flamurin

Si sytë në ballë...

Hiqne atë larë...

S’je kosovar

Por je shqiptar!....

 

Unë u mallëngjeva

Në të dy gjunjtë rash:

-Të dua, atdhe!,-

Shqipnisë i thashë

U ktheva i dëshpëruar

Me zemër të flakëruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat