Përmbledhja “Jeton Havzi Nela” e bashkautorëve Lumturije S. Drenica e Zymer Mehani

Kultura

Përmbledhja “Jeton Havzi Nela” e bashkautorëve Lumturije S. Drenica e Zymer Mehani

Nga: Zymer Mehani Më: 21 shtator 2020 Në ora: 07:13
Kopertina e librit

komunist, i cili që prej vitit 1967 u burgos dhe u internua, derisa në vitin 1988, u var në litar në mes të Kukësit nga regjimi i kohës.

Ai u lind më 20 shkurt të vitit 1934, në fshatin Kollovoz të Kukësit.

Gjatë studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”), Havzi Nela u përjashtua si element destruktiv nga ky institucion arsimor për bindjet e tij që i kishte kundër diktaturës. Më vonë arriti ta përfundonte atë institut me korrespondencë.

Ai ishte mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, në Mat, prej nga u dëbua shumë shpejt për shkak të aktivitetit të dyshimtë, Thuhej se para nxënësve lexonte poezitë dhe poemat e tij. Punoi si mësues edhe në vende të ndryshme, si Krumë, Lojmë dhe Shishtavec, deri në vitin 1967, kur u transferua në Topojan. Aty kontrollohej vazhdimisht, u mor në paraburgim shumë herë dhe kufizohej mbi llojin e punës që mund të bënte dhe ku mund të jetonte.

Më 26 prill 1967, Havzi Nela, bashkë me të shoqen, Lavdien tentuan ta kalonin kufirin me Kosovën, me ç’rast u arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit.

Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste shqiptare ua dorëzonte UDB-së jugosllave.

Havzi Nela në lupën e të tjerëve

Për figurën emblematike dhe për fatin tragjik të e poetit martir, Havzi Nela, kanë shkruar shumë pena të spikatura, duke e kujtuar jetën dhe veprën e tij.

Shkrimtari dhe gazetari i shquar, Rexhep Shahu do të shkruajë:

“Natën e 10 gushtit 1988 e varën Havzi Nelën në dalje të Kukësit, pranë sheshit të axhensisë së udhëtarëve, në vendin më të populluar me njerëz.

Të nesërmen në mëngjes shokët e partisë e të pushtetit të Kukësit shkojnë ta shohin armikun e varur. Nuk pipëtinte asgjë rrotull. Qetësi. Pëshpëritje nuk dëgjohen aty rotull.

Ndoshta dy Drinat, i Bardhi e i Ziu, fëshfërijnë.

E shihni, edhe i vdekur ky armik i mban sytë nga Jugosllavia, tha njëri nga shokët e partisë, si për ta bindë veten e tij dhe të tjerët se është bërë mirë që partia e vari këtë armik të popullit. Këtë fjalë e mori era dhe ma ruajti mua gjithmonë. E dëgjoi ndonjë zog i trishtuar këtë fjalë dhe edhe zogu iku larg, sa më larg armikut dhe shokut të partisë….”

E Reshat Kripa do të konstatojë dhe do të pyesë njëkohësisht:

“U vra poeti. Përse u vra? Mos vallë kishte kryer ndonjë krim? Jo. Ai shkruante vetëm vargje. Shkruante për lirinë, për atdheun, për dashurinë. A mund të vritet poeti pse shkruan vargje? Një gjë e tillë ndodhte në shtetin që pretendonte se luftonte për lumturinë e qytetarëve të vet, në shtetin që thoshte se luftonte për të drejtat e njeriut, në shtetin ku po krijohej “njeriu i ri” i socializmit që do të bëhej varrmihësi i këtij kombi. Megjithatë ai mbijetoi. Mbijetoi me vargjet e tij. Mbijetoi me idealet e tij.

Ai kishte një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donte të shkruante atë që mendonte, atë që ëndërronte. Por jetonte në një kohë ku sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist”, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarde pa asnjë vlerë….”

Ndërsa Bedri Blloshmi kujton:

“Më 12 tetor 1987 e interrnojnë në Arrën, ndërsa në 3 gusht të po këtij viti e arrestojnë. Mëngjesin e 10 gushtit Havzi Nela u gdhi i varur në mes të qytetit të Kukësit, me litar në qafë, duar të lëshuara e këmbë të bashkuara. Pra në gusht, edhe pse thonë se ky muaj e ndryshon kohën e nxehtë dhe thuhet “gusht e gunë”. Atë mëngjes në qytet frynte fllad i lehtë që e përkundte trupin e pajetë me litar në qafë. Njerëzia ishte njoftuar që të vinte e organizuar, sipas ndërmarrjeve ku punonin dhe që të pështynin “armikun e klasës”. Sipas informacioneve trupi i poetit ka qëndruar deri pasdite dhe më pas e kanë hedhur në një makinë tip ‘Zis’ dhe e zhdukën pa nam e nishan. Lufta e ftohtë kishte mbaruar dhe komunizmi u shkërmoq si Të mos kishte egzistuar kurrë.

Por komunizmi shqiptar erdhi me gjak, jetoi me gjak për 50 vjet dhe tani në prag të agonisë së plotë kërkonte ende gjak. Është krejt absurd dhe asnjë lloj llogjike nuk ta pranon, por ja që është e vërtetë: stalinistët shqiptarë e varën në litar Havzi Nelën pikërisht në fund të asfiksisë, më 10 gusht 1988.”

Kurse Albert Vataj, më 22 shkurt 2014, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së poetit, do të thotë:

“Në ndërmendjen e përvjetorit të lindjes së poetit, tuj kumtu mirënjohje për krejtçfarë ai e shkroi me gjak mbrojti me kalvar, ngucemi tash me rijetu copëza të atij mundimi të pashoq hekash dhe lëngimesh që gjaset me i gatu vetëm havani i terrtë i kobit të kuq. I vetmi krim që ky za kushtrues kishte konsumu, dhe për të cilën ai shkoi në litar 26 vjet më parë, ishte vullnesa për me ia kushtu veten mish e shpirt shërbesës së fjalës së lirë.

I pamposhturi i kushtrimit të lirisë, i kumtit ngadhnjyes të poetit, ishte Havzi Nela. Varra e mbrame e bishës në agoni. Zemra e thyeme e një shtati të drobitun. Zani gjëmues i një shpirti ngjadhnjimtar.

Sot 80-vjet më parë një e qarë fëmije do të këndellte një tjetërqysh kreaturë jetësimi në qiellin e rrëzuar mbi pullazet e majeve në Kollovozin të Kukësit. Një shkulm flakadani do të gjëmonte në oxhakun e asaj votre, tuj ysht një të shtënë lumnie që theri përmes terrin e asaj nate kumtimi dlirësie. Rrokullima e viteve do të derdhej në shtatin e një shuguruesi, si një dritë që lëshohet nadjve tuj përla me jetësim tançka rrok pamja. Një kapërthim përjetimi të stuhishëm do t’i kridhej në hov kësaj zemre flakatare. E në të mbramë të trishtë do ta kishte t’fikumen e frymës. Nata kobzezë e 10 gushtit të motit 1988 e thuri me mraz mantelin e trishtimit, që do të lëshohej mbi qytetin verior, si një qefin morti bashmë me terrin e qorruem. Në yje i’u shndërrue grahmat e fundit atij shpirti ngadhnjyes. Me dritën që lindtte s’kish mbetun kurrçka gjallnuese në të, veç kurmit hekakeq të martirit, që derdhej në plisin e përpushun lëngimesh në trekëndësh. Në kup të qiellit kuja i’a lëshoi në atë zgjim tragjik të atij qyteti që strukej nën peshën e heshtjes. Sy e zemra u qorrën në këtë manifestim frike dhe paniku që mbillte kjo varrë mesjetare që rrëmihte të shkumen, të tashmen e të gjithmonshmen e vetëdijes së njerzisë, kësoane e gjithsekund. Në atë prehje trishtane që kalli tmerr shtati i shterrun hekash i poetit që tuj ken “armik i popullit dhe partisë” ishte bzamja ma kushtrues që ajo ndërkohje kishte mujt me e lëshu potershëm. Klithmë, e cili theri si dhimbë shgjetare atëditë e sot. Kësohere dritëlëshuesi i dijes e kumtuesi i kremtes së lirisë, kish da mendjen me ik, jo si më heret “zemërplasun” por zëkallun e oshëtues në ndërkohje.

As tokë nuk i dhan në pushimin e pasosun, Havzi Nelës. Deri në njat cak kishte mujt me mbërri makabriteti i lëshuem në duar të zellshme gjakatarësh, mbi të cilët nderej i friguem ajo bishë e plagosun. E derdhën mish e kocka, poetin në vrimën e një shtylle, mes ferrave. Me gurë dhe mrryl e mbuluen atë grumbull të mbetun prej së gjalli. Pa varr e lanë, pa kuja, pa lot e degdisën në tjetër botë. Kaq mundi me gadit zelli i përbinshëm i një regjimi. Vetëm kaq, me diftu, i’a behu mendja djallzore e dora e gjakut të prishun.

Lirinë kishte krejt çka Havzi Nela në të gjallë e në amshim pati si armë, të cilën nuk e lëshoj prej dore kurrnji dekik. Poezinë kishte pishtar e nuk ndali së lëshumi tmerr dhe dritë gjithkah kamba e tij shkeli e zemra e tij kalli. Përkundër asnjë godi nuk mësoi të hesht ai zë gjëmimtar. Qeli, pranga, tortura, e farkëtuan atë shpirt lirie, atë shkrepëtim që ndrit udhën shtegtarit atëditë e sot.

Havzi Nela, do të mbamendet si shembulli më vetanak i mizorisë së kuqe në agoni, është dëshmia më ngjethëse që ka lënë diktatura atëhershme. Si djalli nga temjani u përndoq ky korife i mendimit të lirë, kjo pëshpërimë gjëmimtare e ngulmit për të dëshmuar në një kohë të mraztë vitalitetin e një vullnese të dlirë.

Golgota e mundimeve të këtij Prometeu të dijes u dogj më flakën e dritës që kalli vargjet e tij të zëshme liberatore. Fatkobi i poetit tek ai nuk preku ndonjëherë ngjashmëri të tjetera, të njimendta në atëhohje. Tehu i gjakimit të së keqes duke e shpuar tejpërtej ndër rrufe përgjimesh kobzeza, ishte derdhur mbi të pamëshirshëm dhe nuk iu shkoq deri në të mbramë të frymës në konop. Përdnjekja e kalli këtë zë liri e në flakët e ferrit të kuq me të cilat u ndesh dhëmb për dhëmb. Si Ante qëndroi ai mbi zemëratën e shtërzishme të motmotit. Nëpër shkulmet e këtij marazi ai mrujti apogjeun e shpirtit. Krejtçfarë është thënë për këtë shpirt rebel, dhe ka bërë me pasion të shenjtë ky ngulm lirie është një vullnesë e dlirë, një shëmbëllim që ngucat. Përkundër tançka ka ndërzy atë bishë të përbinshme komuniste, nuk e ka tut, nuk e ka ndal, nuk e ka step atë yrysh tokësor, më u ndesh me forcat më të errta të Hadit komunist. Ai qëndroi në kambë, në të gjallë e në të vdekun. Mundimet e këtij shpirti sakrificash, e këtij kushtrimi të zëshëm të lirisë, nuk kanë shoq….”

Studiuesi i përkushtuar Petrit Palushi, i cili ka mbledhur dhe botuar një pjesë të krijimtarisë së Havzi Nelës, ndër të tjera veçon “Krimi ndaj Havzi Nelës, ndaj njeriut me shpirt të ndjeshëm lirik, mësuesit, poetit, veprimi i mizortë i diktaturës ndaj tij m’u në prag të shpërbërjes dhe dekompozimit të saj, është pa dyshim, një nga dëshmitë më tronditëse se si mund të vepronte diktatura mbi njeriun që kërkonte liri dhe integritet, ndërsa, në tjetrën anë, është paraqitja e përnjëmendtë e fytyrës së terrtë të saj dhe një nga aktakuzat më të ashpra ndaj një regjimi primitiv nga më të egrit në Evropë”.

Antikonformisti politik Havzi Nela, mënyrën se si e kaloi jetën në burg mund të krahasohet, apo të merret si personazh i veprave të Dostojevskit, Cvajgut apo Sartrit. Pas ri-dënimeve të njëpasnjëshme ai u dëshpërua dhe e kaploi një ndjenjë pafuqie dhe dëshpërimi, ku shprehet: “S´po ma lan vendin me ndejtë rehat as n´Arrën. Më kanë lodhë në shpirt. Vështirë se kam jetë derisa të mbarojë internimin. Në burg kisha shokë, kurse këtu në Arrën e kam të pamundshme të kem shoqni. As me bishat sikur të due me bisedue nuk më lejojnë. Në vetmi, pa njerëzit e mi, pranë vetëmqyqe”.

Më 24 Qershor 1988 Havzi Nela dënohet me vdekje. Në sallën e gjyqit Havzi Nela sërish kërkoi drejtësi dhe jo mëshirë. Sigurisht që askush prej atyre që po e dënonin poetin nuk kishte mëshirë, sigurisht që ai më mirë se askush e kuptonte që ata njerëz që kish përballë dhe predikonin drejtësi po bënin gati “kurbanin” e radhës, për t’u falenderuar nga udhëheqja dhe udhëheqësi.

Ekzekutorët nuk kishin si të prisnin gjatë. Në mënyrë të zellshme po kaq dhe mizorisht, në orët e para të 10 Gushtit 1988, në një shesh të populluar të qytetit të Kukësit, kryejnë aktin makabër dhe të shëmtuar. Disidenti, mësonjësi dhe poeti, tashmë varur në litar, dëshmon pamëshirshmërinë e atij sistemi që çuditërisht ende mbahej në këmbë. I varur simboli i fjalës së lirë dukej sikur u thoshte mijëra syve që e shihnin “Ja ku jam unë armiku juaj! Mos provoni të mendoni, apo të bëni siç bëra unë, pasi këtë fat mund të provoni dhe ju!

Më 10 gusht 1988, kujton gjithnjë studiuesi Petrit Palushi, “në Kukës u ekspozua një prej pamjeve më të mizorta dhe më të shëmtuara të pushtetarisë komuniste, një “arenë vdekjeje”, siç qe shprehur dikur Neruda: këputja e frymës së Havzi Nelës, sfidantit të gjithkohshëm, njeriut me guxim të madh civil dhe i pajisur me frymën më të epërme të qytetarisë, me mbindjesinë e revoltës ndaj moralit të amoralshëm, ndaj normave të shformësuara të diktaturës”.

Pikërisht, mbytja e të panënshtrueshmit dhe jokonformistit Havzi Nela, ëndërrimtarit dhe luftëtarit të madh të lirisë, njeriut të profilizuar ndjeshëm tashmë si luftëtar antidiktaturë, më saktë, marrja e frymës së tij, qe një prej akteve më cinike të pushtetarisë komuniste, një primitivizëm dhe humbje e ndjeshmërisë deri në fijen më të imët. Akoma më keq mësuesin dhe poetin e kishin veshur si mos më keq.

Ja si e kujton këtë skenë gazetari Rexhep Shahu:

“54 vjeçari Havzi Nela i varur i shihte të gjithë me sy të dalë. Një palë pantallona doku të hollë kinez, një këmishë të hollë të zbërthyer krejt, kërthiza e barku përjashtë, opingat e llastikut veshur. Kjo ishte pamja që fiksuan të tronditur qindra njerëz që e panë për të mos e harruar kurrë disidentin e poetin, të varurin e fundit nga diktaturat në gjithë Evropën. Partia kishte urdhëruar shumë kënd të shkonte ta shihte të varurin. Që të zinte mend populli dhe të mos guxonte të shante diktaturën e sistemin komunist. Një grua shtatzanë sapo e pa kufomën që lëkundej në litar dështoi foshnjën që mbante në bark. Edhe kjo ishte një vrasje tjetër e diktaturës komuniste…”

Azem Parllaku kujton se Ndërsa familjaret dhe të afërmit nuk ishin lejuar të shihnin për të fundit herë njeriun e tyre të dashur, nuk u lejuan t’i jepnin lamtumirën e fundit. Ndoshta për familjarët e Havziut lehtësuese është, që vëllait të tyre i dhanë lamtumirën të gjithë ata njerëz që në heshtje mallkonin sistemin dhe kriminelët që kishin bërë këtë akt, aspak njerëzor dhe në një kohë që askush nuk mund ta kish besuar, aq më tepër ndaj një njeriu si Havzi Nela. Boll kishte vuajtur ai, tashmë sistemi të cilit i përkisnim i kishte ardhur fundi. Por ja që nuk ishte e thënë kështu. Çuditërisht ai dhe në varr nuk do të ishte në prehje si të gjithë të vdekshmit!

Plot dymbëdhjetë orë ka qëndruar në litar i fundit i të varurve të diktaturës, për t’u varrosur në këmbë në bregun e liqenit afërsisht tre kilometër larg qytetit të Kukësit. Përse e varrosën në këmbë, përse po e varrosnin në terrin e natës, përse dhe në varr po vazhdonin ta dënonin!?

Tashmë ai prehet në fshatin e tij të lindjes dhe ish-Presidenti Sali Berisha i ka akorduar titullin e lartë “Martir i Demokracisë”, ndërkohë me 22 Mars 2005, atij i është dhënë titulli “Nderi i Qarkut të Kukësit”, ndërsa gjimnazit të Kukësit dhe shkollës 9-vjeçare në fshatin e lindjes se tij i është vënë emri i poetit liridashës.

Sot pas 28 viteve mendimi tij ka gjetur momentin e duhur. Idealet e tij, jo vetëm duhen respektuar, por edhe të vihen në zbatim. Mendimi poliedrik i Havzi Nelës, sot është më aktual se kurrë, idetë e tij janë të mëshiruara tek një shoqëri më e zhvilluar, emancipuar e mbi të gjitha e lirë…

E Bedri Blloshmi përfundon:

“U afrova dhe çfarë të shihja?! Një trekëmbësh përpara gjithë atij populli kishte lartësinë e duhur për ta parë. Pashë dhe njoha mikun tim të qelisë me litar në qafë, duart të lëshuara, këmbët vetëm me çorape, ndërsa në fytyrë i ndriste nuri; buzët me një farë buzëqeshje…dukej si i gjallë. Njerëzia filluan të shpërndaheshin, ika dhe unë. Ishte ora 10 e mëngjesit, data 10 gusht, viti 1988. Një fllad i lehtë përkundte trupin e varur me litar në qafë. U largova dhe herë pas here hidhja shikimin nga mbrapa. Aty rrinte ish- i dënuari me varje…”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat