Një vështrim historik mbi gjuhën shqipe

Kultura

Një vështrim historik mbi gjuhën shqipe

Nga: Bledi Filipi Më: 23 shtator 2020 Në ora: 13:06
Bledi Filipi

Kombi shqiptar, ashtu sikurse ka historinë e tij, ka edhe gjuhën e tij që e dallon nga popujt e tjerë.

Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, F. Boppi qe i pari që zbuloi që shqipja ishte një gjuhë indoevropiane.

Këtë punë e pasuan më tej Gustav Mayer, Holger Pedersen dhe Norbert Jokli, mbi këta nisi edhe puna kërkimore e prof. Eqrem Çabejt, i cili në shkrimet e tij hulumtuese thekson se :” gjuha shqipe është një gjuhë e vjetër porse e varfër në shkrimet e vjetra të saj.”

Shqipja e dokumentuar ( Formula e Pagëzimit e Pal Engjullit) është në vitin 1462 dhe libri i parë “ Meshari “ i Gjon Buzukut 1555; këto shkrime dëshmojnë se shqipja mund të jet shkruar herët.

Karakteri indoevropian i gjuhës shqipe shfaqet në dy rrafshe kryesore:

Në fjalor. Sipas studimeve të bëra nga prof. Eqrem Çabej numri i fjalëve të trashëguara nga indoevropianishtja është mjaft i madh. Ato kryesisht janë fjalë të një përdorimi të dendur, prandaj edhe i kanë qendruar kohës. P.sh., shumica e numërorëve janë e fondit indoevropian: një, dy, tre/tri, katër etj. Të trashiguara nga indoevropianishtja janë edhe përemrat vetor: ti, ju; emrat: natë, motër, ditë, dimër,ujk, ; foljet: jam, bie, shkel etj.

Në gramatikë. Siç e thekson edhe prof. Shaban Demiraj në veprën e tij “Gjuha shqipe dhe Historia e saj” “ ka qenë dukuri e gjuhëve indoevropiane, dhe si mjaft gjuhë të kësaj familje dhe shqipja e ka ruajtur edhe sot.” Porse këtu duhet ndalur disi, pasi gjinia asnjanëse sot është mjaft e kufizuar. Ajo përdoret ende tek emrat që vijnë pas pjesoreve të foljeve: të folurit, të menduarit, të shkruarit etj. Te foljet po sipas prof. Demirajt, bie në sy edhe një tipar tjetër i hershëm, indoevropian : ndërtimi i formave foljore me rrënjë të ndryshme, si: jam-qesh, kam-pata, shoh-pashë, rri- ndenja etj.

Kur flasim për karakterin indoevropian të gjuhës shqipe, kemi parasysh tiparet thelbësore që ajo ka trashëguar nga një fazë e mëherëshme indoevropiane. Këto tipare nuk kanë mbetur krejt të pandryshuara, ashtu siç kanë qenë me mijëra vjet më parë, por kanë ndryshuar dhe janë ndryshuar shkallë- shkallë, gjersa arritën në gjendjen e tyre të sotme.

Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes. Ilirishtja ka qenë gjuhë indoevropiane që flitej nga ilirët. Megjithëse burimet që kanë mbetur nga ilirishtja janë të pakta, sot është e vërtetuar se gjuha shqipe ka prejardhjen nga ilirishtja. Ndër faktet që tregojnë prejardhjen e gjuhës shqipe prej ilirishtes , mund të përmenden:

Vijimësia iliro-shqiptare e emrit kombëtar të shqiptarëve: trajta Arbën, Arbër, që ndeshet në mesjetë, lidhet me emrin “Albanoi”, të një fisi ilir afër Durrësit, që përmendet që në periudhën antike.

Prania në shqipen e sotme e rreth 1000 emrave të vendeve, të njerëzve, të fiseve ose banorëve, të trshëguar nga ilirishtja: si: Scodra : Shkodra, Drinus . Drilon Lisus : Lezh

Dardania:Dardhë, etj.

Disa emra ilir të njerëzve janë të gjallë edhe sot ose kanë gjegjëset : Bardus, Bardyllis, Bato, sot: Bardhi, Bardhyl, Bato.

Dialektet gurrë e gjallë për historinë e gjuhës shqipe

Gurrë e gjallë për zgjidhjen e gjenezës së popullit shqiptar janë dialektet. Të dhënat e dialekteve të sotme të shqipes, ruajnë , ku më shumë e ku më pak , elementet fonetike, trajta morfologjike, ndërtime sintaksore, fjalë dhe frazeologjizma edhe më të vjetra se ato që mund t’i ruajë më i vjetri dokument i shkruar.[7]

Të folmet e gjuhës shqipe grupohen në dy dialekte, të cilat gjeografikisht ndahen nga lumi i Shkumbinit: në të djathtë të Shkumbinit shtrihet dialekti verior ose gegërishtja, kurse në të majtë të tij dialekti jugor ose toskërishtja.

Gegërishtja flitet në qytetet dhe krahinave brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë në të djathtë të lumit Shkumbin, si edhe në Mal të Zi (Ulqini, Plava, Kraja, Malësia e Podgoricës ), në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore.

Toskërishtja përfshin gjithë Shqipërinë Jugore, Çamërinë dhe Prespën e Manastirin në Maqedoninë Veriore.

Të folme të afërta me toskërishten janë edhe të folmet e arbëreshve, si ato të Italisë, të Greqisë , të Madricës në Bullgari, të Ukrainës, të Egjiptit , të Bukureshtit etj.

Gegë janë arbëreshët e Zarës (Dalmaci) , kanë një të folme gege me tipare të moçme, , të ngjashme me “Mesharin” e Gjon Buzukut.[8]

Dallime fonetike

Dallimet kryesore ndërmjet dy dialekteve janë me karakter fonetik: fjalët janë njësoj për nga kuptimi dhe forma gramatikore, por dallohen vetëm nga shqiptimi i tyre. Kështu në gegërisht ka fjalë me zanoren ấ (hundore): ấndërr,ấsht, nấna , kurse në toskërisht dalin e ë përkatësisht ëndërr, është, nëna etj.

Fjalët që më toskërishte (edhe në shqipen standarde) kanë togun ua si: grua, ftua, mua, dua, krua në gegërisht kanë togun ue përkatësisht : grue, ftue, mue, due, krue etj.

Edhe fjalët që përmbajnë grupin va (vaj, i varfër, varr, vajta) në gegërishte shqiptohen me vo ( voj, i vorfën, vorr, vojta etj.)

Gegërishtja ka ruajtur format e moçme të shqipes me n ndërzanore, kurse toskërishtja këto fjalë i ka me rotacizëm (kalim të n-së ndërzanore në r): pruna-prura, vuna-vura, pruna-prura, bana-bëra, zani-zëri etj.[9]

Në toskërishte, grupet e bashkëtingëlloreve mb, nd, ng, ngj (ashtu si në standard) janë ruajtur të pandryshuara: mbaroj, mbys, ngushtë, ngutem, ndryshoj, ndërmjet, vend,mendoj, këngë, ngjyej, etj., kurse në gegërishte fjalë të tilla shqiptohen me reduktime të grupeve, përkatësisht: maroj, mys, nusht, nutem, nryshoj, nërmjet, ven, menoj, kang, nyej etj.

Dallime morfologjike

Një ndër dallimet kryesore morfologjike ndërmjet dy dialekteve, është paskajorja gege e tipit me+pjesoren (me shkue, me punue, me ardh, me gatue etj.) , formë që në toskërishte është bjerrë. Ka mbetur vetëm me formën domethënë e me ndonjë rast tjetër anësor. Në vend të formave të paskajores së gegërishtes, toskërishtja (dhe gjuha standarde) përdor format përkatëse të foljeve në mënyrën lidhore përkatësisht: të shkoj, të vij, të punoj, të gatuaj etj.

Fjalët dialektore ose krahinore janë ato që përdoren vetëm në ndonjë krahinë të caktuar, që nuk përdoren në të gjitha krahinat e Shqipërisë. Krahinorizmat janë fjalë, shprehje ose trajtë, që është karakteristike për të folmen e një krahine dhe që nuk ka përdorim të gjerë në standard.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat