Intervistë me muzikologun Naxhi Kasoruho “Mjeshtër i Madh”

Kultura

Intervistë me muzikologun Naxhi Kasoruho “Mjeshtër i Madh”

Nga: Albert Z. Zholi Më: 27 shtator 2020 Në ora: 17:29
Naxhi Kasoruho dhe Ismail Kadare

- Në këtë kohë pandemie ju botoni librin “Gjirokastra universi i gurtë“ si lindi kjo ide?

- Albert Kamy në librin e tij “Murtaja” ka shkruar: ”Në kohën e karantinës njerëzit nuk jetojnë të tashmen e aq më pak të ardhmen, por jetojnë të shkuadrën”. Kështu më ndodhi edhe mua. Gjatë dekadave kam shkruar artikuj në gazeta të ndryshme lokal edhe kombëtare dhe mendova t’i përfshijë në një libër rreth 70 prej tyre duke i klasifikuar në 4 kapituj. Këto janë shkrime që nuk i kisha menduar se një ditë do t’i përmblidhja në një botim të vetëm, por tematika dhe trashëgimia e qytetërimit gjitrokastrit janë unifikuar në universin e gurtë të qytetit magjepës.

- E çelni këtë libër me shkrimin “Malli për Gjirokastrën”?Pse kështu ç’është Gjirokastra për ju?

N. Kasoruho: Gjirokastra- thotë Kadareja “Duket sikur ka dalë një natë dimri në anë të udhës si qenie prehistorike”. Ishte në të vërtetë një qytet i çuditshëm. Të jetë vërtetë kështu? Unë them se po! Në gjithë vitet e jetës time në këtë qytet të lashtë e kam jetuar, ndjerë, prekur, shëtitur në tërë hapësirën dhe domensionin e saj këtë përcaktim filozofik të Kadaresë dhe më shumë se ne gjirokastritët këtë qytet të çuditshëm e kanë ndjerë dhe vlerësuar të huaj që e kanë vizituar atë qoftë edhe në pak ditë.

Ja si e kanë quajtur Gjirokastrën personalitete të ndryshme të vendit dhe të huaj. Kronikani turk Evlia Çelebia e quajti Gjirokastrën “ Qyteti i vajtimit” kur e vizitoi në vitin 1872. Ju desh vetëm një ditë të diel që qëndroi në qytet dhe përjetoi të qarat me bote. Në tetor të vitit 1809 Lord Bajroni kur e soditi Gjirokastrën nga sarajet e Shanishasë motrës së Ali Pashë Tepelenës në Libohovë i befasuar tha: “Pashë një qytet të vogël dhe në mes një kala madhështore”. Profesor Agron Fico, intelektuali i shquar gjirokastrit fisnik e ka quajtur Gjirokastrën “Qyteti i manxurasë dhe Kadaresë“. Skulptori i Popullit Mumtas Dhrami “Nderi i Kombit” e quan Gjirokastrën “Perandori e gurtë dhe shpirtit njerëzot”. Një diplomat i huaj e quajti Gjirokastrën “Perla e Ballkanit” kur e soditi nga bedanat e kalasë. Për gjitha këto dhe mijëra vlerësime dhe konsiderata të ndryshme nga huajt për kulturën, arkikteturën dhe gjithë trashëgiminë që ka ky qytet magjepës, Organizata Botërore e UNESCO-s në gusht të vitit 2005 e përfshiu në listën e qytetërimeve botërore që mbrohet nga ajo.

Megjithëse kam vite që banoj në Tiranë, unë jetoj me Gjirokastrën, prandaj kam shkruar për njerëzit fisnikë të saj dhe vendlindjen time të dashur. Ja si e përjetëson në këngën e tij populli bukurinë magjepëse të Gjirokastrës: “Gjirokastër hane-hane,/ E mençur dhe kapedane/, Ke lindur nga Mali i Gjërë/, Syri yt sheh lart përherë,/ Çdo shtëpi kështjellë guri/, Kush të pa dhe nuk të mburi”.

A.Zholi: Në kapitullin e dytë ke portretizuar 30 personalitete të kulturës tonë kombëtare. Si i ke përzgjedhur ata?

N. Kasoruho: Gjatë jetës time intelektuale, artistike e qytetare kam patur fatin të njihem me krijimtarinë dhe kontributin e tyre në zhvillimin e qytetërimit gjirokastrit. Në libër jam ndalur në portretizimin e këtyre personaliteteve sipas kohës dhe momenteve kur jam njohur me veprimtarinë e tyre që lidhet me Gjirokastrën. Siç jam shprehur këto shkrime që janë përmbledhur në libër nuk janë shkruar sipas një planifikimi, ato janë impresione të kohës kur janë shkruar.

Po i referohem përsëri Kadaresë kur thotë: “Gjirokastra është një nga qytetet e shquar të qytetërimit ballkanas dhe rrjedhimisht një nga qytetet ku është shfaqur në mënyrë të fuqishme etja e njeriut për jetë, liri dhe kulturë në përgjithësi”. Dhe Gjirokastra në rrjedhën e viteve ka nxjerrë figura të shquara që i kanë dhënë emër të nderuar këtij qyteti ndër të cilët unë kam përzgjedhur disa, duke i portretizuar së pari për të shprehur mirënjohjen për kontributin e tyre por edhe si modele ku pasardhësit t’i referohen dhe ta ndjekin rrugën e tyre.

Ja disa nga këto figura të nderuara që i kam portretizuar në libër: Bajo e Çerçiz Topulli, Ismail Kadare Prof. Agron Fico, Skulptori i Popullit Mumtaz Dhrami “Nderi i Kombit”, Ardit Gjebrea, Laver Bariu, Demir Zyko, Lefter Çipa, Petrit Lulo, Arjan Shehu, Tefta Duda, Maliq Lila, Dr. Adem Harxhi etj, që janë vlerë dhe kontribut në trashëgiminë tonë kombëtare.

-A. Zholi- Kapitulli “Polifonia“ si muzikolog dhe studiues i trashëgimisë kulturore çfarë përfaqëson ajo në këngën shqiptare dhe pse e ka marrë në mbrojtje UNESCO?

N. Kasoruho- Shqipëria ndonëse në hapësirë gjeografike është 28.000 km2 në dallimet, kontrastet, veçoritë, gjinitë e muzikës të këngës e valles me shoqërim orkestracion apo në forma “A kapela” dhe larminë befasuese dhe shumëngjyrëshe të veshjes popullore dhe dukuri të tjera të shumta ka një trashëgimi kulturore sikur të ishte një vend 10 herë më i madh. Nga ajo që njoh nga kënga polifonike, kënga shqiptare është maja e olimpit për hapësirën ballkanike prandaj mbrohet nga UNESCO. Polifonia jonë kultivohet në hapësirën jugore të vendit nga Shkumbini e në jug por sigurisht, që këngë polifonike në struktura më të thjeshta ka edhe në trevat e tjera të Shqipërisë së Mesme dhe në veri të vendit.

Kur flasim për formën më klasike të polifonisë tonë personalisht marr për model dhe i referohem këngës gjirokastrite që këndon grupi i pleqve të qytetit me korife simbolin e këngës gjirokastrite Xhevat Avdallin, që ata e quajnë “budrumçe”, për vetë karakterin epik të thellë që ka dhe për ndarjen e çdo fjale në rrokje që një varg me 8 rrokje kur këndohet bëhet 24 rrokje dhe 5 minuta. Këtë këngë që vjen nga lashtësia deri në ditët tona nuk e kanë prekur dhe deformuar influencat e travave të tjera por ka ngelur ashtu epike, tregimtare, e thellë, e shturar jo për shoë në skena e podiume, por e rëndë dhe monumentale siç janë grupi i pleqve të qytetit para obeliskut si dy monumente ballë për ballë jo të kundërt por unike e bashkëpunues në qytetërimin gjirokastrit.

Për këngën gjirokastrite kam shkruar shumë artikuj dhe studime botuar në librat e mi madje i kam memorizuar ato në filmin dokumentar artistik “Këngët e kafeneve”.

- A. Zholi: Në disa nga librat tuaj keni vënë si titull emrin Gjirokastra, si psh “Gjirokastra e Festivalit. Gjirokastra e këngës”, “Kronikë në këngë“, “Gjirokastra universi i gurtë“, etj. Përse kjo zgjedhje ?

N. Kasoruho: Nga viti 1966 kur mbarova studimet për muzikë në Konservatorin Shtetëror të Tiranës dhe fillova punën si muzikant në Gjirokastër e deri më sot jam munduar ta njoh deri në detaje gjithçka që përmban ky qytet i magjishëm dhe ta dua atë deri në pafundësi. E vendos në koperatinë emrin Gjirokastra sepse ndaj saj jam borxhli për gjithçka më ka dhënë dhe ndjehem krenar që sa herë më pyet dikush se nga je, i përgjigjem: Jam nga Gjirokastra. Prandaj dhe kënga e Petrit Lulos thotë: “Po the Gjirokastra i ke thënë të tëra”.

Edhe ky libër për Gjirokastrën tonë mendoj është konceptuar si një guidë historiko- kulturore, turistike ku me modestinë e një artisti i hap një nga një faqet e librit dhe lexuesin e marr nga dora dhe e shëtis në sheshin e “Çerçizit”, Mesin e Pazarit në sokakët e sheshet e takoj me gjirokastritë fisnikë të së kaluarës e të sotëm, ju hap portën e madhe të shtëpive kështjellë dhe ulemi në Odanë e Madhe me anetë zemërbardha, të mençura e të dashura të thjeshtat si ato deri në madhështi. Nisemi në sheshin e festivalit në kalanë historike ku dëgjojmë perla nga folklori ynë kombëtar dhe pastaj zbresim poshtë tek mesi i Pazarit qendra e gravitetit të qytetit, pimë një kafe guri dhe çlodhemi pas këtij udhëtimi imagjinar që si në një film dokumentar ju tregon për Gjirokastrën tonë, të mençur, të bukur dhe të dashur.

Ne e duam Gjirokastrën!

Gjirokastra i do të gjithë.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat