Të pafsha në Savër!

Kultura

Të pafsha në Savër!

Nga: Ben Andoni Më: 28 shtator 2020 Në ora: 06:16
Savra

Savra fshati i internimit/ 

Kjo nëmie, e cila mbante brenda toponimin myzeqar, përbënte një nga mallkimet më të mëdha që qarkullonte nënzë në kohën e komunizmit. Bëhej fjalë për një nga fshatrat më famëkeq, ku u strehuan historikisht të dënuarit dhe të dëbuarit e komunizmit pas Luftës së Dytë Botërore. Mes shumë familjeve historike, këtu qëndruan edhe familjarët e pesë kryeministrave të para luftës: Koço Kotes, Fejzi Alizotit, Mehdi Frashërit, Mustafa Merlikës dhe Fiqiri Dines... 

Kur Iljaz Vehapi erdhi në Savër të Lushnjes, ishte i martuar dhe kishte një fëmijë. Erdhi si i internuar, pasi dikush nga familja e tij në Leskovik, sapo i kish kaluar kufirin. Sot, është babai i disave fëmijëve syresh, por me djalin që erdhi, me atë po pleqëron muzgun e jetës. 87 vjeçari nuk flet shumë. Për të mos thënë që tregon duke heshtur ose me fjali dy-tre fjalëshe. Dy duar të stërmëdha rrotullojnë një qeskë dominosh, kur flet. Por, fjalët duhet t’ia rrëmbesh me ganxhë. Ndryshe: sekuenca pa zë. Të shikon ngultas. Nuk mallkon njëri. Nuk kërkon gjë. Nuk shpreson asgjë. Nuk ka marrë edhe asnjë dëmshpërblim, si i përndjekur. Eh...Nuk pret asgjë. 

...

Njësoj janë pothuaj edhe ata pak ish-të dënuar që kanë mbetur në Savër, fshatin tre kilometra larg Lushnjës. Vetë plaku, jetën e ka marrë si i ka ardhur. Dhe, në fakt, ka me çfarë të krenohet. Ka jetuar. Vazhdon të jetoj me krahët e veta. Nga sytë e kaltër i buron qetësi e pafundmë. Shenja e pajtimit të fundëm me jetën. Kujton se i ‘buzëqeshi’ fati, kur e shpallën të dëbuar. Kjo do të thoshte se nuk ishte më i internuar. Që do të thoshte se në dëbimin e parë kishte të drejtë të lëvizte deri në Lushnjë, Fier apo Berat. Në të dytin, pak vite më vonë, ngjiti dhe një shkallë. E lanë të shkonte deri në Elbasan dhe në Vlorë. Kaq. Ç’i duhej më! Dëbimin e tretë e lanë në të gjitha rrethet! Mundohem t’i gjej ndonjë kanal, ku mund ta përcjell bisedën, që edhe ai të ndjehet mirë, por heshtje. “Të drejtë votimi kisha…Kurrë se kam pasur pisk. Vetëm punoja. Më mjaftonte puna ime”. Ishim njësoj, ma shton pas minutash këqyrjesh reciproke. Si?“Njësoj, dhe, ata që na spiunonin, dhe ata që jetonin me ne. Ata që u dënuan, u dënuan. Ehhh...”. Pauzë. Por, kur 23 vjet më parë, udhët u hapën, ai dhe pak të përndjekur të tjerë nga Savra nuk mund të lëviznin më. Koha u kishte vënë pengesën, kurse jeta u kish treguar destinin. Tashti, jeta është 1 hektar tokë që e ka prej ligjit 7501, të cilën e mbjell me misër, grurë, tagji. Kaq i mjafton. Se ke problem vapën? “Pleqtë vapë duan”, ma pret. Shkëlqimi, që ka pranuar të jetë udhërrëfyesi ynë, e sqaron. Por, njësoj plaku nuk bindet. “Këta, gazetarët këtë punë kanë”, ia pret. Një tufë burrash 50, 60, 70 vjeçarë, në lulishten e një objekti të dikurshëm social-kulturor e ndjekin, por të gjithë heshtin. Fundja ç’mund të presin më!

E shkuara

Në fakt, askush nuk pret më në Savër, e cila u bë e njohur për të gjithë shqiptarët, kur mbaroi periudha e dënimeve, të ndodhë ndonjë habi. Dikur, këtu, në arat e pafundme, ku të zhuriste zhegu i verës dhe të mpinte thëllima e dimrit u gjetën shumë nga njerëzit mes fatit pakrye. Anipse, këtu, shumëkujt i dukej si kamp paqtimi. Të tjerët si ata nëpër Shqipëri, vërtetë, s’kishin mbi krye retë e mushkonjave, por ama s’kishin trajtimin fashist të kampeve të Tepelenës e me radhë. Savra e filloi veprimtarinë e vet që në fillim të viteve ’50, në disa baraka, përmes të cilave po kalojmë me Shkëlqimin, pak minuta më vonë. Sot, Savrës i mbijeton ende kujtimi, falë po barakave, që janë zënë nga të riardhur rishtas. Kuptohet jo të dënuar. Këto, karabina, me muret që janë të ndërtuar me kallama me baltë, me dysheme të këqija, dhe me t’çara kudo, janë në një pjesë të madhe si dikur. Një pjesë janë modifikuar, përshtatur sërish për një familje, aty ku rrinin dikur 16 familje bashkë.  E ke kartën e persekutimit? “Të gjitha i kam. Po ç’ti dua. Kujt i hynë në punë”, më thotë Lavdërim Kaba, 48 vjeçar i mbetur këtu, që ka kapur një nga këto. Mbeti pas dëbimit të gjatë të t’atit, një partizan i njohur, pasi i vëllai i kish ikur jashtë. I dehur-pothuaj, që në orët e para të paradites, është e vështirë t’ia kuptosh sintaksën. Nuk i bën më përshtypje asgjë. Është i fryrë nga pija dhe jeta e keqe e abuzimit.  Është rritur këtu, si i dëbuar, bashkë me familjen e vet, dhe mbeti po banor i këtij fshati. Savra e sotme, më thonë se ka ndryshuar shumë, megjithëse rrugicat që të përcjellin nga apo në të ashtuquajturin qendër të fshatit, s’duket se janë të reja. Shtëpi të ulëta, ku nxjerrin krye hera-herës fëmijë të palarë ose çamarrokë simpatikë, romë më larg, vendas që tregojnë jetën e zakonshme modeste të tyre. Të rinjtë janë në emigracion, të mbeturit, rrotullohen në një si qendër kulture dhe në dy pijetore. Më të rehatuarit ikin në qytet. Fshati i sotëm, kuptohet se ka shumë më tepër shtëpi të ndërtuara, ndërsa në pallatet e mbetura, ku diku në një ballkon lexohet se shitet, bashkë me numrin e telefonit, ka pak gjallëri. Nga zgjedhjet ka mbetur flamuri i Rilindjes së Ramës dhe disa letra të ngjitura kuturu andej-këndej. E habitshme sesa e pakuptimtë është jeta dhe sesi këta banorë që rrëfejnë të përditshmen, më të shumët i kanë sytë nga një monitor, ku jepen rezultate të ndeshjeve në kontinentet e tjera. Nuk duken të impenjuar me asgjë. Kjo është Shqipëria. Punë, kur të detyronin dhe zdërhallje, tani që nuk të nguc njëri. Sa për gazetarët, ata, ua kanë sjellë në majë të hundës, bashkë me kinse të përndjekurit. Ndoshta, kjo është arsyeja e ftohjes së tyre. Marr vesh për pak për ata që  ishin këtu. Thjesht ishin të mirë dhe shumë të përgatitur. Pse? Ngrenë supet. Të tjerë përsërisin: Ehuuu, prapë me këto. Familjet me emrat historikë që ishin në këtë vend, janë të denjë për një monografi. Dukagjinët, Frashërët, Mëlyshët, Dinet, Hoxhallarët, Markagjonët, Dostët e Gjinokastrës, Spahijtë dhe Nelët e Kukësit, Mirakajt e Pukës, Kokalët e Sarandës, Allajt e Biçakët e Librazhdit, Plasotët e Korçës, Nezët, Metaliajt dhe Hoxhët e Tropojës, Bajraktarët e Shkodrës, Tashot, Podët e Kuqeshët etj, i dhanë shumë më tepër emër Savrës se e gjithë historia që tregohet për ta. E pamundur sesi mund të mblidhje kaq histori, në një fshat të vetëm. Shkëlqimi e ngatërron pak historinë, por na orienton mirë. Kur afrohemi, dëgjohet sërish vetëm zëri i Lavdërimit, që është i pirë. Na fton në shtëpi. I shkëputemi pak minuta, teksa fotografojmë barakat prej dërrasa të së shkuarës dhe kur kthehemi s’është më. Shkëlqimi insiston se këtu kanë kaluar 2000 të internuar dhe të dëbuar, mes tyre 250 familje të njohura të cilat veçse personazheve që kishin pjesë në historinë e Shqipërisë, ishin profesionistë të shquar nga të gjitha krahinat shqiptarfolëse. Inxhinierë, doktorë, politikanë, ish- ushtarakë të lartë, muzikantë, lider fetare, poetë e shkrimtarë, ish pronarë të mëdhenj shkolluar në Amerikë, Austri, Itali, Francë, Gjermani, Angli dhe Turqi, e deri në Egjipt e Siri bënë jetën këtu të bindur ndaj fatit. Jetonin aq keq në fillim, saqë në një dokument të hershëm të Ministrisë së Brendshme shkruhet: “Konditat e banimit në përgjithësi janë shumë të këqija, si në rrethin e Lushnjes dhe në atë të Fierit. Ka raste që familje prej 10-15 pjestarësh banojnë në një dhomë të vetme. Individët jo vetëm që janë shumë si numër në banesë, por ka raste që banojnë edhe familjarë së bashku me ta. Shtëpitë e banimit pikojnë dhe janë të papërshtatshme nga pikëpamja shëndetësore, si ç’është rasti me fshati Saver të Lushnjes ku janë futur në stallën e lopëve me dritare pa xham ose si në rrethin e Fierit ku në gjysmën e sallës banojnë individët dhe në gjysmën tjetër lopët. Veçanërisht në dimër gjendja e tyre bëhet akoma më e vështirë.

Dhe, më poshtë: Komiteti i Partisë për rrethin e Lushnjes dhe Komiteti Ekzekutiv nuk e kanë konsideruar këtë çështje të rëndësishme si problem të tyre, por si problem që i takon vetëm Degës Punëve të Brendshme.

Vendimi i këshillit të Ministrave Nr.306 datës 25.8.1959, me bazë të të cilit të merreshin një sërë masash për përmirësimin e konditave të jetesës të internuarve, nuk është zbatuar nga institucionet e ngarkuara për zbatimin e tij”. Të duket si ironi, por vuajtja e tyre është aq e madhe sa përshkruhej njësoj edhe në dokumentet e përndjekjes...Gjithsesi, shumica e tyre arriti të jetonte. U bënë shembull, por më shumë akoma, frymëzuan me punën dhe jetën e tyre.

Muratori

Këtë të fundit, ma thekson Shkëlqimi. Pasi e kemi mbaruar inkursionin në fshat, burrin që e gjejmë në kafen e fshatit, dhe që do të na ndihmojë si askush, do e lëmë sërish në kafe, në ikje. Ka marrë dokumente italiane dhe është krenar me atë që ka bërë si murator. Ka pension dhe kjo i mjafton të flasë ndryshe për jetën. Shtëpia e tij disa katëshe është simboli i mirëqënies së re në këtë vend. “Kam qenë komunist, por me këta (ish-të dënuarit) kam jetuar mirë. Edhe vëllai ishte sekretar partie, por edhe ai jetonte e ndante gjëra me të përndjekurit. Kam qenë murator. Erdhëm më 1953 pasi kishte vende bosh. Këtu jetuam me ta” . Po këta nuk iknin? “Këtu s’kishin ku të shkonin, pasi ishte si qendër rrethi. Që të vije këtu, ku të ikje. Në Korçë, që ishte më afër të duhej, po të gjeje makinë rreth 5 orë”. Savra ishte një vend bosh, kur erdhën ata, që u krijua me tharjen e kënetës. Të parët që erdhën ishin emigrantët nga Lufta e Vidohovës dhe ata që punuan t’parët ishin partizanët fatkeqë grekë. Në valën e parë erdhën motrat e Pal Mëlyshit, kur quhej dezertor. Më ‘58 erdhën gati të gjithë. Të dëbuar dhe të internuar. Ishte bashkë djali i Qazim Mulletit, Ded Gjoni, vëllai i Markagjonit, fëmijët e Muhamet Bajraktarit dhe deri te kushurinjtë e Enver Hoxhës dhe një sërë emrash të tjerë. 

“Për mua ishin shumë inteligjentë, mbase nga pasuria dhe nga shkollat. Të gjithë ishin të mirë dhe shkonin mirë deri dhe me partinë, kurse me Këshillin shkonin keq, pasi aty i spiunonin. Me vëllain tim hanin bukë. Nuk bënim hilaka. Vetëm në fund, pati raste edhe u dashuruan me ata. Trajtimi i ushqimit ishte njësoj si ne, por për të tjerat kishin kufizime. Në fakt, merrnin para këtu dhe nuk bënin naze. E dinin që po të bënin ndryshe do vdisnin. Ushqimi ishte njësoj. Shkonin deri në gjimnaz ndonjë kokërr, kur ishte shumë i mire, por të tjerët s’mundnin”.Por, kronikat e kohës s’janë kaq të dashura. Një pjesë nuk mundi ta përballonte dot dhe pati deri tentativa për arratisje. Disa kaluan, disa i vranë, por gjithë kohën, ata ishin me veshët ngrehur për ndryshimin. Shkëlqimi flet shtruar dhe mirëqënia i jep të drejtë para miqve të tij, që shtohen, ta drejtojë ai bisedën. Hera-herës e ndërpret Dalip Gjyshi, që e sqaron më mirë dhe flet për të përndjekur që ka pasur në klasë për vite e vite të shkuara. 48 vjeçari është i lindur në këtë vend. Më flet, sikur i njoh të gjithë: “Ladi është në pension. I biri punon dhe e mban. Lavdim Kaba e gjen rehatin te rakia. Puna e tij. Është edhe Sofokli Kurteshi. Punon. Ka toka. Jep toka me qira. Punon me djalin”.

Intermexo Savra

Por emri Savër ka dhe një domethënie tjetër. Përveç se këtu ka qenë kampi i internimit më i njohur i Shqipërisë, ai është edhe një vendbanim i vjetër, ku është zhvilluar beteja e njohur e Balshajve me fisin e Karl Topisë, gjurmët e të cilës kanë qenë deri vonë te një pemë “frashëri”, që fshatarët nuk ma tregojnë. Një moment, Shkëlqimi më thotë se kanë gjetur edhe varre të vjetra. Kronika e përleshjes vjen nga Historia e Skënderbeut të Martin Barletit.

...

Ecja në fshat nuk është se të sjell ndonjë gjë të re. Një i përndjekur që ka ardhur nga Belgjika, dhe që e rastisim, më rrëfen se ishin aq ngushtë në banesë, sa për të shkuar nga një shtëpi në tjetrën, duhej të futeshe edhe nga dritarja. Më thotë dhe episode të tjera dhe e nxin krejt, pikërisht, atë që s’më kanë thënë të tjerët. Por, meqë është në atdheun e ri Belgjikë, tani ka të drejtë të jetë dhe pak fodull. Pretendon se njeh historinë, por s’thotë asgjë të re. Më shumë di nga ato që kam lexuar sesi jetuan në këtë katrahurë, sesa më thonë. E bukur është se në vitet ’60, kur shpresat pothuaj po reshtnin për liri, ndodhën edhe martesat e para, siç ishte ajo e djalit të Muharrem Bajraktarit me vajzën e Fiqiri Dines; e djalit të Kol Bib Mirakës me vajzën e Hulusi Spahiut; e djalit të Pal Mirakës me vajzën e Mentor Çokut. Ata që do lindnin do rriteshin si të gjithë fëmijët e tjerë të fshatit me bukurinë dhe privacionin e fshatit. Kurse prindërit, që kishin ardhur të rinj, me sytë nga qielli prisnin për ndryshimin.

Të gjitha në biseda pa destinacion kohor na vinë ngatërruar, teksa me burrin flasim për shumë gjëra pakuptim. Dielli bëhet më i fortë dhe po kaq torturuese edhe lodhja. Në barakën e fundit, e cila është kthyer në bilardo dhe ku dy djem japin e marrin, përfundojmë të lodhur me fotot tona. 

Ka pak histori në Savër, por duket se më shumë nga çdo gjë ka përpjekje për ta vdekur vetë historinë. S’ka një pllakat për qyqarët, apo një vend memoriali. Kujtoj patetizmin e njerëzve të Institutit të të Përndjekurve dhe agresivitetin e tyre. Sa mirë do ishte të heshtnin! Kaq, s’kam çfarë të shtoj më. Largohemi. Plakun e këqyr nga larg, sesi ngrihet ngadalë dhe ikën. Ka ardhur dreka. I duhet të prehet dhe të përgatitet për një natë të gjatë dhe pa gjumë. Është gushti i vitit 2013. Deri në Lushnje shkojmë për 10 minuta, kurse nga pas na ndjek, historia e një vendi tashmë të harruar Në vesh kam ende mallkimin “Të pafsha në Savër”. Kush, kë?-më duket se i përgjigjem në eter.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat