Gjurmë të ndritshme

Kultura

Gjurmë të ndritshme

Nga: Fran Gjoka Më: 28 shtator 2020 Në ora: 08:49
Fran Gjoka

Është shkruar shpesh herë për “Mësuesin e Popullit” Mark Vuji dhe gjithnjë do të shkruhet, madje kjo është më e pakta që mund të bëjmë për njerëz si Ai, sepse na ka lënë vepra dhe kontribute të shquara në fushën e arsimit dhe të pedagogjisë. Ne, brezi që e kemi njohur dhe kemi punuar përkrah tij, e kemi përherë parasysh portretin dhe personalitetin e tij të spikatur dhe shumëplanësh, si dhe ndihmesën e vazhdueshme në mbarëvajtjen e shkollës. Mark Vuji ishte dhe mbetet një personalitet i arsimit shqiptar, sepse veprat dhe vlerat e tij janë të shumanshme.

Ato fillojnë me rolin e tij të madh si mësimdhënës, rolin si drejtues gjimnazi dhe vijojnë me korpusin e gjerë të veprave të tij të shkruara si për teorinë, ashtu dhe për praktikat bashkëkohore të arsimit, ku prej tij sot kemi në duar një trashëgimi të pasur dhe të shumëllojshme. Mark Vuji i solli shkollës sonë një sërë studimesh me vlera praktike e shkencore, si: “Një kolektiv që lufton për përsosjen e metodave mësimore.” (Me bashkautorë). “Mbi kontrollin e punës mësimore dhe edukative në shkollë.” (Me bashkautorë).

“Probleme të organizimit të punës bujqësore.” (1983). “Përvoja jonë për revolucionarizimin e metodave mësimore.” (1972). “Pedagogjia për shkollat e larta.” (Kapitulli i 15 – të për metodat aktive, kritike e krijuese). Tiranë, 1985. Didaktika (Tekst universitar). Kapitulli i 11-të “Mbi metodat e reja mësimore”. Tiranë, 1986. “Diskutimi si metodë mësimore.”, “Mihal Duri”, Tiranë, 1986. “Si mund të mësohet në mënyrë aktive, kritike e krijuese.”, Tiranë, GEER, 1999. “Drejt vetëmësimit dhe vetëformimit intelektual përmanent.” GEER, Tiranë, 2003. “Zhvillimet kulturore e arsimore para e pas Kuvendit të Arbërit në Dioçezën e Lezhës.” (2005). “Filozofia Arsimore e Akademikut Gjergj Fishta.” Enti Botues “Gjergj Fishta”, Lezhë, 2007. “Vetëvlerësimi Mësimor.” GEER, 2012 dhe “Vizioni Mësimor”, Mirgeeralb, Tiranë 2015.etj.

Image
Prof.Dr.Mark Vuji

 

Metodat dhe teknikat problemore, të mësuarit aktiv, si dhe ato që lidheshin me të nxënit efektiv, janë podukt i punës së palodhur të këtij "Mësuesi të Popullit" dhe profesori të madh. Ata u bënë bazë e studimit dhe e përvojave teorike e praktike në ndihmë të mësuesve, pjesë e lëndëve të pedagogjisë dhe të didaktikës për studentët e shkollës së lartë. Madje dhe shumë teknika, metoda, forma studimi dhe elementë të tjerë didaktikë, janë studiuar dhe janë vënë në zbatim në praktikat e mësimdhënies nga vetë ai kur ishte mësues apo drejtues shkolle. Mund të themi se jeta dhe veprimtaria e Profesorit të nderuar është pasqyruar bukur dhe profesionalisht nga Prof. Qazim Dushku në monografinë e njohur “Mësues i mësuesve”, që përbën një objekt të veçantë studimi e përfitimi, sidomos për gjeneratat e reja të mësuesisë shqiptare. Profesor Qazimi kishte fatin dhe privilegjin e të qënit nxënës i Mark Vujit, por edhe një koleg dhe bashkëpunëtor i denjë i veprimtarisë së tij në arsim. Me punë dhe përkushtim të thellë, prof. Mark Vuji arriti gradën më të lartë në arsim, atë të profesorit të shquar dhe titullin “Mësues i Popullit”, duke qenë gjithnjë aktiv, në krye të dijetarëve të arsimit dhe të pedagogjisë shqiptare. Ai ishte dhe mbeti gjer në fund një progresist dhe dijetar i madh. Thuajse të gjithë ata që e kanë njohur, por veçanërisht njerëzit e arsimit në Lezhë, bashkohen me bindje të plotë se Mark Vuji ishte shkencëtari dhe mendimtari, që ngriti nga themelet arsimin e mesëm të përgjithshëm në qytetin e tyre, duke e kthyer Lezhën në një qendër të rëndësishme për trajnimin dhe kualifikimin e mësuesve në shkallë rajonale dhe kombëtare. Në sajë të vizionit dhe të punës së tij, janë disa shkolla në Lezhë, të cilat u kthyen në shkolla eksperimentale për metodat e mësimdhënies në tërësi dhe atyre të të nxënit në veçanti. Prandaj dhe titulli “Mësuesi i mësuesve” i shkon dhe i përshtatet kaq mirë dhe realisht protagonistit të këtij shkrimi, teksa shumë të tjerë, me të drejtë, eportretizojnë atë si një ikonë të ndritshme të arsimit dhe të edukimit.

Image
7 Mars, Dita e Mësuesit

Në Lezhë gjithkush kujton se prof. Mark Vuji drejtoi për më se 30 vjet gjimnazin më me zë të Lezhës, duke mbetur i paharruar në kujtesën e nxënësve dhe kolegëve të tij mësues. Studentët e dalë nga shkolla që ai drejtonte u bënë të aftë të përballeshin suksesshëm me sfidat e kohës, të aftë për t`u dhënë zgjidhje dhe drejtim problemeve të ndërlikuara të arsimit tonë kombëtar. Profesori ynë i nderuar nuk u tërhoq asnjëherë, as përpara vështirësive, por as edhe mënyrës së aplikimit në praktikën shkollore të metodave më të avancuara që përdorte arsimi evropian, gjithnjë në përshtatje me traditat më të mira të shkollës shqiptare. Mark Vuji dha përherë shembullin se si të punojë një mësues bashëkohor, por dhe një drejtues e specialist bashëkohor, përherë duke dëgjuar me durim, por dhe duke qenë këmbëngulës në futjen e risive dhe të praktikave të përparuara pedagogjike në arsim. Roli i tij ishte i gjithanshëm edhe në përgatitjen e një brezi të tërë mësuesish, duke synuar dhe gërshetuar bindshëm aftësitë teorike dhe praktike, pedagogjinë e avancuar dhe psikologjinë bashkëkohore. Nuk ka vështirësi që nuk u kapërcye me praninë e prof. Mark Vujit. Mund të themi që çdo arritje dhe sukses i dukshëm i arsimit të Lezhës, por edhe më gjerë, lidhej me rolin dhe aftësitë si mësimdhënëse, ashtu dhe drejtues, të Mark Vujit. Ndaj na duket e drejtë kur e krahasojmë me një Promethe, sepse me punë dhe vepra ai shpërndante qartësi dhe dritë në rrugën e ecjes përpara të shkollës sonë, duke shërbyer kurdoherë si një projektor i fuqishëm që ndriçoi çdo skutë, por dhe duke i dhënë rrugë dhe drejtim çdo problemi dhe vështirësie që arsimi përballej në përditshëmërinë e tij. Mbahet mend nga mësuesit e Lezhës përvoja e prof. Markut për organizimin e shkollës dhe të orës së mësimit, metoda këto efektive, që arrijnë të çojnë në përvetësimin 100% të lëndës nga nxënësit, që dijet e fituara të mos jenë thjeshtë stoli zbukuruese, por aftësi teorike dhe praktike, prej të cilave në mënyrë të vazhdueshme të shpërthejnë energji pozitive, të dobishme për mbarëvajtjen e arsimit dhe zgjidhjen e problematikave më të ndërlikuara. Ndërkaq, duhet të pohojmë se gjithkush që arriti të ketë fatin ta njohë prof. Markun, i kanë mbetur në mendje cilësitë e tij të vyera të karakterit si njeri modest. Ai tregoi pa u lodhur dhe pa zhurmë sesi njeriu dhe, veçanërisht nxënësi dhe mësuesi, të arrijnë suksesin e dëshiruar, duke ndihmuar shoqërinë, vendin dhe zhvillimin për të ecur edhe më përpara.

Mendimi dhe opinioni arsimdashës është motivuar vazhdimisht nga puna e profesorit të shquar, nga veprat, por dhe nga artikujt e tij të shumtë, veçanërisht të botuar në revista shkencore të arsimit dhe në gazetën shumë të dashur “Mësuesi”. Në se në ato organe teorike dhe praktike të arsimit do të ishte emri i Mark Vujit, leximi i atij numri gazete do të fillonte menjëherë prej Tij, sepse mësuesit kishin bindjen se do të gjenin në atë artikull metoda dhe praktika të qarta, bashëkohore e frutdhënëse, që do t`u shërbenin për t`u dhënë rrugëzgjidhje problematikave të ndërlikuara apo vështirësive që u dilnin mësuesve gjatë procesit të mësidhënies e mësimnxënies.

Gjithçka, jeta dhe përvoja e prof. Mark Vujit në arsim, është dokumentuar jo vetëm nga praktikat funksionale të shkollave tona, por edhe në një sërë botimesh, sidomos në fushën socialpedagogjike, didaktike, veçanërisht për të nxënit e të mësuarit, dy probleme shumë themelore këto për çdo shkollë të sotme shqiptare, pas kryeveprave të tij “Filozofia arsimore e Fishtës”, “Vetëvlerësimi arsimor” dhe së fundmi “ Vizioni mësimor”, që fatmirësisht gjeti dritën e botimit pak muaj para se të ndahej nga jeta. Vlerësimet e tij nga kolegë dhe personalitete të arsimit ishin të shumta, ndërkohë që pati edhe njerëz të kësaj fushe, që u përkujdesën që dijet e thella të këtij njeriu të botoheshin, duke mbetur përherë të gjalla si në raftet e bibliotekave publike, ato të shkollave, por edhe personale të mësuesve të përkushtuar. Në këtë kuadër ka nevojë të vlerësohet veçanërisht edhe roli i poetit dhe psikologut të njohur lezhian, Ndue Dragiusha, i cili bëri çmos që librat e fundit të Prof. Mark Vujit të botoheshin sa ishte gjallë, që ai të ndjente kënaqësinë që ndjen autori kur veprat shërbejnë dhe ndihen të nevojshme si udhërrëfyese të jetës dhe aq më tepër të dijes dhe arsimit shqiptar.

Thuajse të gjithë ata që e kanë njohur prof. Markun, vënë në dukje kujtesën e tij të rrallë, veçanërisht të përvojave që kalonte dhe mësimeve që nxirrte prej tyre, por dhe duke u udhëhequr vazhdimisht nga majat më të larta të shkencës bashkëkohore në fushën e arsimit. Prof. Marku konsideronte shumë të dashur jo vetëm punën e mësuesit në përgjithësi, por edhe atë të drejtuesit të apasionuar të shkollës, siç ishte drejtimi prej tij i gjimnazit të njohur “Hydajet Lezha” në Lezhë. Kemi kënaqësinë të kujtojmë këtu edhe thënien e mençur të njërit prej ish nxënësve të shquar të tij, poetit të njohur lezhian dhe të të gjithë vendit, Ndoc Gjetja, i cili, ndër të tjera, duke bërë vlerësime për profesorin e shquar, thoshte se “Ai është patriarku i arsimit të Lezhës”. Për prof. Markun “zyrë” e përhershme ishte vetë prania e tij, shkolla, mjediset publike dhe deri edhe shtëpia e tij, ku, te kjo e fundit, ndihej prania aktive e dy mësuesve të shquar: Prof. Markut dhe bashkëshortes së tij të nderuar, Bukurie Vuji. Figura dhe personaliteti i ndritur i prof. Mark Vujit, edhe sot, edhe në të ardhmen, do të mbeten jo vetëm një pasuri e çmuar, por edhe një projektor nga do të burojë dritë e përhershme në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë, në ecjen edhe më përpara të shkollës sonë moderne. Si edhe ndonjëherë tjetër, kemi rastin të përsëritim se, duke qenë prof. Mark Vuji një figurë emblematike e Lezhës, por edhe në shkallë kombëtare, Bashkia Lezhë dhe Këshilli Bashkiak nuk ka pse vonojnë vendosjen e një busti nderimi e përkujtimi për këtë Njeri të Shquar. Të tjerë i kërkojnë me qiri këta njerëz dhe nuk i gjejnë, kurse ne në Lezhë, kemi fatin që e kemi atë dhe veprën e tij, ndaj ta nderojmë “Mësuesin e Popullit”, “Mësuesin e Mësuesve”, prof. dr. Mark Vujin në përputhje me veprën e tij të çmuar që na ka lënë neve, por dhe brezave që do të vijnë pas nesh. Kolegët bashkëkohorë me të, që e kanë njohur që në rininë e tij dhe gjatë gjithë veprimtarisë arsimore e pedagogjike, janë shprehur për kolegune tyre, prof. Markun, me konsiderata të larta.

Prof. Dr. Musa Kraja: “Profesor Marku e lidhi jetën e tij arsimore e sociale me Lezhën, të cilës i dha gjithë energjitë e pashterrshme, potencialet intelektuale, pa asnjë rezervë, për disa dekada, atje ku zunë vend shumë filiza të rinj, sot punonjës dhe mes tyre edhe personalitete të shquara për Lezhën dhe gjithë vendin... Mark Vuji dinte të mblidhte përvojën e mirë në mësuesit e Lezhës, nektarin e punës së tyre dhe e ngrinte në nivel shkencor. Të dish të kapësh të renë, ta argumentosh atë për ta bërë pronë edhe e të tjerëve, i thonë të keshë aftësi përgjithësimi shkencor. Këtë e kishte Profesor Mark Vuji jo vetëm për mësuesit, por edhe për nxënësit. Prandaj studjoi dhe botoi "Nxënësin Vizionar".

Prof. Dr. Akad. Mark Tirta: “Ishte një njeri shumë i ditur, i dhënë mbas librave, mbas shkrimeve pedagogjike. Dukej një thesar i dijes në arsim, në studimet pedagogjike. Ishte eksplorues, vëzhgues i thellë në proçesin mësimor e në bazë të këtyre, bënte përgjithësime, zbërthime, trajtime shkencore. Ishte model i veçantë, i përkushtuar i punës në arsim si drejtor shkolle, si njeri i lidhur me librat shkencorë, si shkrues me peshë në fushë të pedagogjisë, të të nxënit, në fushë të edukimit të nxënësve, të rinisë”.

Prof. Dr. Hektor Veshi: “Kur u dha njoftimi në kanalet radiotelevizive të vendit, u pezmatova thellë dhe mallkova pamundësinë shëndetësore për të shkuar në Lezhë e t’i bëja nderimin modest, duke e puthur në ballë si NJERIUN QË U SHKRI NJË JETË PËR DITURIMIN DHE LARTËSIMIN E DISA BREZAVE SHQIPTARË. Mundësinë e vetme që kisha ishte: thirrja e kolegut e mikut prof. dr. Pajtim Bejtja, për të pirë një kafe hidhërimi e kujtimesh për “Mësuesin e Popullit”, Mark Vuji, i cili, këtej e tutje do të qëndrojë: i pazbehur nga koha në zemrat e çdo shqiptari arsimdashës; i adhuruar nga lezhianët në kufijtë e një idhulli”.

Prof. As. Dr. Qazim Dushku: “Mësuesi i mësuesve”, drejtori ynë, është ikona e arsimit të Lezhës dhe jo vetëm. Askush nuk mund të krahasohet me të. Një personalitet si ai së paku do një shekull të vijë. Ne të tjerët jemi thjeshtë nxënës të tij dhe përfitues të punës dhe të aktivitetit të tij. Jeta bën punën e saj, por ky njeri i ngjan një mali, të cilit sa më shumë t'i largohesh, aq më i lartë do të duket dhe sa më shumë t'i afrohesh (jetës dhe krijimtarisë së tij), aq më i madhërishëm do të shfaqet”.

Viron Kona, shkrimtar: “Një njeri si Mark Vuji, edhe sikur të duash ta harrosh, nuk e harron dot, sepse Ai ka lënë gjurmë të ndritshme në arsimin lezhian dhe atë shqiptar. Te “Mark Vuji i Lezhës” harmonizohet më natyrshëm se tek askush tjetër Njeriu me Veprën. Ai ishte njeri i shkëlqyer, me një vepër të shkëlqyer!”

Kastriot Kodheli, ish Drejtor i DAR, Lezhë: “Personalisht gjykoj se Profesor Mark Vuji i ka dhënë shumë shoqërisë në tërësi dhe edukimit në veçanti. Teksa për vete, për sa jetoi, mori pak në kuptimin e interesimit dhe të vlerësimit të përhershëm të kësaj ikone të arsimit tonë kombëtar. Vetëm ata që e kanë studiuar me kujdes veprimtarinë studimore dhe shkencore të Tij e kuptojnë se sa i thellë ishte në mendime, sa i plotë ishte në konkluzione, sa enigma të mësimit dhe të edukimit merrnin zgjidhje. Në këtë vështrim, ndoshta institucioni i bashkisë së Lezhës do t’i kthehet një propozimi që e kam bërë kohë më parë për t’i dhënë gjimnazit të Lezhës emrin e Tij. Them gjimnazit, pasi Ai e ngriti nga themelet dhe për 30 vite pa ndërprerje e drejtoi atë me kompetencë dhe pasion të veçantë.”

Ndue Dragusha, psikolog: “Prof. Dr. Mark Vuji ishte një vëzhgues i kujdesshëm për vite e vite me radhë në fushën e arsimit, ku mblodhi, ballafaqoi dhe zbatoi në praktikën e gjallë gjithë materialin shkencor psikopedagogjik, duke përpunuar me kujdes gjithë praktikën e shumë viteve dhe shtroi si detyrë para mësuesve, prindërve dhe nxënësve përfshirjen e tyre, për të arritur tek suksesi në punën me fëmijët përmes njohjes së sistemit të tyre biologjik individual, sistemit psikologjik dhe sistemit social, me qëllim që të kuptohet pozicionimi i qenieve njerëzore në ambientin social ku bën pjesë, mundësitë që krijon ky rreth për plotësimin e nevojave të ndryshme dhe zhvillimin e individëve pjesëmarrës. Kjo shkallë zhvillimi kërkonte universalizim kulturash, bashkëpunime disiplinash shkencore, harmonizim ideshë dhe objektivash drejt një vizioni të përbashkët global, për një botë më paqësore, me njerëz të vetëdijshëm për rolin që kanë në një botë të tillë dhe për këtë Prof. Dr. Mark Vuji punoi gjithë jetën me një dashuri prindi, seriozitet e përkushtim shkencëtari, bindje të thella e të vetëdijshme shkencore dhe vullnet të papërkulur titani, duke bërë të dallueshëm qytetarin e devotshëm, njeriun që di të krijojë sistem vlerash të studimit dhe të bashkëjetesës sociale në shoqëri, ndryshe nga njeriu me interesa të ngushta me përfitime personale.” Edhe pse është ndarë nga jeta 5 vjet më parë, janë tepër emocionuese dhe mjaft mbresëlënëse fjalët e ngrohta, mirënjohja dhe vlerësimet e pakursyera e plotësisht të merituara, që vazhdojnë të japin komuniteti i gjërë lezhjan për “Mësuesin e Popullit” e “Qytetarin e Nderit” të Lezhës Mark Vujin. Brezat e shkolluar të Markut dëshmojnë përsonalitetin e Tij njerëzor si: bujarinë, fisnikërinë, tolerancën, përulësinë, modestinë e thjeshtësinë dhe plot të tjera cilësi. Shkurt mbetet për brezat lezhjan dhe kombëtar një thesar i dijeve në arsim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat