“Po falimentojmë…”, artistët kërkojnë ndryshimin e Aktit Normativ: Të lejohen koncertet me pak të ftuar

Kultura

“Po falimentojmë…”, artistët kërkojnë ndryshimin e Aktit Normativ: Të lejohen koncertet me pak të ftuar

Më: 28 shtator 2020 Në ora: 17:29
Elton Deda dhe Orgesa Zaimi

Artistët e njohur, Elton Deda dhe Orgesa Zaimi, rrëfyen në një lidhje me “Skype” në News24 vështirësitë e këtyre tetë muajve të pandemisë së koronavirusit. Këngëtari Deda tha se artistët janë drejt falimentit financiar, por edhe shpirtëror, pasi sipas tij, Shqipëria po kthehet në një vend gri, ku të gjithë po kërkojnë të ikin me vrap.

Edhe këngëtarja Zaimi tha se vështirësitë për artistët në këtë periudhë janë të mëdha, ndërsa shtoi se duhet gjetur një zgjidhje që ata të punojnë.

Nga ana tjetër, Deda dhe Zaimi tha se do të mblidhen një grup i madh artistësh, që do të zgjedhin një përfaqësi, për t’i dërguar një letër zyrtare kryeministrit Edi Rama, ku do t’i kërkohet takim për gjetjen e një zgjidhjeje.

Pjesë nga rrëfimi i dy këngëtarëve:

Deda: Ky është jo faliment financiar, por edhe shpirtëror. Këtu kthehemi në një vend gri, ku duhet të ikësh me vrap. Është mirë që zëri ynë të dëgjohet. Ka shumë kategori të artistëve që janë prekur dhe problemi është se kjo po vazhdon. Qeveria e di problemin, por nuk po e vë ujin në zjarr.

Zaimi: Duam të gjejmë një zgjidhje që edhe ne të punojmë, por të punojmë në kushte sigurie, e për këtë duhet të na ndihmojë shteti.

Deda: Akti Normativ nuk lejon në asnjë orë të ditës muzikë live. Pra, të gjithë miqtë tanë që kanë shkuar të këndojnë e të marrin ndonjë lekë, ju ka shkuar policia. Për këtë arsye, Akti Normativ duhet rishikuar urgjent. Ne nuk po kërkojmë të ushtrojmë profesione të tjera, por profesionin tonë dhe kjo është një e drejtë me Kushtetutë. Nëse shteti na ndalon punën, duhet të na kompensojë.

Si keni jetuar ju në këto 8 muaj?

Zaimi: Ka pasur raste flagrante, që e kanë shkelur Aktin Normativ, duke bërë muzikë, dhe ku grumbullimi ka qenë i tmerrshëm.

Deda: Janë nja 10 copë, nga 2 mijë artistë, që kanë bërë goxha para. Raporti i atyre që kanë bërë para, me ata që bëjnë para për të jetuar, jo për t’i shpenzuar për luks, është shumë i vogël. Ne kemi kursyer. Këto 8 muaj bankomatet janë bërë lëmsh, janë bërë copë.

Zaimi: Artistët janë shumë të ndjeshëm. Nuk është parë çfarë na shkakton kjo nga ana shpirtërore. I qëndroj idesë se ne mund të gjejmë një zgjidhje të gjithë, që edhe ne të bëjmë atë që bënim më parë.

Çfarë do të sugjeronit ju?

Deda: Ne duhet të bëjmë një grup të madh muzikantësh, që jemi prekur direkt nga kjo gjë, duam të zgjedhim një përfaqësi dhe do t’i dërgojmë një letër zyrtare Ramës, ku do t’i kërkojmë një takim. Mbase ai s’ka mundësi të na presë, por le të delegojë njerëz të tjerë, si ministren psh. Ne jemi njerëz të thjeshtë, të komunikueshëm, që kërkojmë pa thyer njeri, një takim. Nëse vazhdojmë të na injorojnë, ne do ta pleqërojmë këtë punë dhe të shohin pastaj.

Zaimi: Jam dakord me Eltonin. U ngrit zëri që në fillim për këtë situatë.

Deda: Mendoj se me pak kujdes e mirëkuptim nga njerëz të qeverisë mund të lejohen edhe artistët që të këndojnë. Të bëhen edhe koncerte, me masat e duhura, me një sallë me 200 të ftuar, jo 500.

A keni në duar ndonjë projekt?

Deda: Nuk kam bërë album timin. Krijimtaria do të vazhdojë, por problem është se ne kemi tetë muaj që nuk nxjerrim të ardhura. Të gjithë njerëzit janë të prekur, atëherë t’i ndalojmë edhe muzikën, teatrin.
Zaimi: Edhe unë jam duke u marrë me një këngë, nesër do të shkoj në studio ta regjistroj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat