Poetesha që ka një botë në xhep

Kultura

Poetesha që ka një botë në xhep

Nga: Ejup Ajdini Më: 29 shtator 2020 Në ora: 17:14
Ejup Ajdini

Nuk është e lehtë të zbërthesh kalimin e Vjollcë Berishës nga jeta reale e përditshmërisë në atë të botës së artit poetik, pasi ajo nuk krijon vargje me shtërzime të dhunshme, sa për të thënë, ja, unë u bëra poeteshë, apo bëra një libër me poezi, përkundrazi ajo më parë ka krijuar botën e vete poetike dhe pastaj ka dalë në skenë me përmbledhjen “Në xhep kam një botë”, e cila u prit shumë mirë nga lexuesi shqiptar. Për këtë dëshmon edhe ajo se, vjollca nuk boton shpesh, pasi e di peshën e vërtetë të artit në përgjithësi. Veprën e parë e botoi më 2005, ( para 15 viteve) dhe deri më sot nuk e ka botuar veprën e dytë, edhe pse ka poezi të shumta që i janë botuar nëpër revista e portale të ndryshme. Kjo është një nga dëshmitë që flet për botën e veçantë prej artisteje. Tetovarët dhe shumë më gjerë, vjollcën e njohin për shumë veçanti origjinale të saj. Ajo i do njerëzit në përgjithësi, shkrihet pas familjes dhe miqve e mikeshave të sajë, lexon më shumë se rrethi i saj intelektual, pandërprerë është e organizuar në punë dhe aktivitete shoqërore, ndihmon gjithandej, ligjëron në Universitetin e Tetovës, skajshmërisht modeste dhe mbi të gjitha, edhe biznesin e saj, përmes ornamenteve të shumta dhe organizimeve letrare dhe muzikore, di ta shndërroj në art. Kjo është (jo) e zakonshmja e poeteshës, për të cilën po flasim në këtë shkrim. Ne kaq e njohim poeteshën, por mistika e saj është më e thellë, që ne e kemi vështirë të depërtojmë më shumë. Për ta njohur ma thellësisht, duhet filluar nga çasti i zakonshëm i jetës së saj, të përballemi me shikimin syve dhe të dëgjojmë se si ajo e lexon dhe e ndjen poezinë, të studiojmë jetën e shkrimit ( jeta dhe arti i saj), cili është gjykimi për poezinë, cila është ndjesia aq e hollë, aromën e vargut të saj, nuancat thelbësore, vezullimi i shkëlqyer i syve, marramendjen e të tjerëve para kësaj bote të madhe, kthjelltësia poetike etj. Tek poezia dhe vet Vjollcë Berisha kemi edhe shumë veçori të tjera, për të cilat mbetemi të etshëm për të parë e kuptuar thellësinë shpirtërore të kësaj bote mistike. Pra, e kemi vështirë dhe të pazbërthyeshëm deri në funt mistikën e poeteshës sonë. Edhe pse misioni i saj është i ri dhe i pandryshueshëm në jetën e saj, ne shpresojmë se ky mision, me botën e saj kaq të thellë, do të pulsojë me këtë ritëm e intensitet më të shtuar edhe pse në jetë nuk dihet asgjë, siç thotë edhe vet poetesha në poezinë e fundit të kësaj përmbledhje poetike , te poezia me dy vargje, Kaq:

Humbje kohe s’ishte

Por as mik s’m’u bëre kurë.[1]

Vjollcë Berisha rrëfen bujarisht në artin e saj poetik. Ajo ka një harmoni dhe një ekuilibër në këtë botë artistike dhe ne si lexues të denjë përjetojmë mistikën tonë të leximit. Kjo është joshja midis lexuesit dhe vargjeve të poeteshës. Aty lexojmë herë gjurmën e zezë mbi të bardhën dhe herë të bardhën mbi të zezën. Këto janë edhe enigmat që na nxisin të zbulojmë misteret e kësaj bote shpirtërore, që mbetet e fshehur në heshtje. Ky është edhe gradacioni i një fisnikërie poetike, të cilën e ka arritur bota artistike e poeteshës në fjalë. Kjo e bënë Vjollcën një “dashnore” të poezisë fisnike, prandaj që në poezinë e parë kërkon “Të mos kishte natë”, ku thotë:

Detet e botës

Dhe unë

Kemi pjesëtuesin më të vogël të përbashkët:

Natën

Kur krijesat e brishta s’rrojnë[2]

Edhe pse poezinë e saj e dominon motivi i dashurisë, por ajo është e ngërthyer edhe me filozofinë e jetës në kohën e poeteshës. Kjo paraqet edhe sakrificën absolute për dashurinë si dimension i përgjithshëm i shoqërisë njerëzore në përgjithësi, pasi nata ço kënd nga njëherë në jetë e kaplon. Patjetër njeriu të ballafaqohet me të gjitha ëndrrat e veta, me të bukurën dhe të shëmtuarën, me të ulëtën e të madhërishmen, me tragjiken dhe komiken, por mbi të gjitha, më e bukura e njeriut është sakrifica për të bukurën artistike dhe të madhërishmen njerëzore. Këto fenomene Vjollcë Berisha i njeh mirë dhe natyrshëm ecën drejt më të bukurës, pasi botën e tabu temave e ka kaluar me sukses. Kjo sakrificë e poeteshës nuk rrjedh nga miskinuiteti i kohës kur jeton dhe veron ajo, por nga dashuria absolute për vlerat e artit si i tillë. Mu për këtë edhe ajo gjeneron, si burim i pashtershëm në këtë botë poetike. Për këtë na duhen vite që të zbërthejmë pashtershmërinë poetike dhe po marrim shembull poezinë e dytë të saj “Ndezulli”, ku me njëherë lind pyetja, pse dashurinë e saj e shohim kësisoj:

Ofeli do të jem në Vjosë

Përrojet s”i dua

Do fle pastaj me lule pa u zhytur

....................................................

Hije dua me shelg trishtues[3]

Sërish lind pyetja: Pse dëshiron të bëhet Ofeli në Vjosë?! Pse nuk i do përrenjtë?! Pse e do hijen e shelgut trishtues?! Pse në Vjosë?!.. kjo gjendje shpirtërore na duket një tërmet më vete, por nga ana tjetër duket një copë diell, pasi do të flejë me lule pa u zhytur, e ka fjalën për lumin Vjosa. Për këtë nuk i do përrenjtë, pasi tek ta nuk notohet e as nuk mbytesh lehtë. I duhet Vjosa, pasi ka mundësi të notoje gjatë, apo të mbytet lehtë. ­­Është vend i bukur, ku ia vlen edhe dashuria edhe sakrifica. Pra nuk është një motiv i thjesht i një dashurie fizike e biologjike, por një trajtim poetik me filozofi të veçantë mbi botën e dashurisë. Duket një shpirt sa entuziast, aq edhe i rënduar, pasi kërkon hijen e shelgut trishtues. E pse kërkon hijen e shelgut trishtues?!... po munde merre veshtë ti lexues i dashur.

E veçanta e kësaj poetike është se poetja na kumton edhe mjegullat deri në kufijtë e një iluzionit të ëndrrës magjepse, pasi këto metafora të këtij shpirti poetik shndërrohen në simbolikë gjithëpërfshirëse të botës së artit, po pse jo edhe asaj të dashurisë gjithëpërfshirëse. Është e bukur sepse këtë poezi, veç tjerash që përmendëm, ajo ka edhe forcën refleksive, apo meditative dhe ky kombinim e bën shumë herë më të fuqishme se sa mundet të jetë një vjershë e rëndomtë.

Rrugët i kënaqen ardhjes sate

Bota ikën bashkë me ty

Ndenjësen e bardh e lag shiu

Dielli nuk lind

Të pret

..........................................

Unë tretem

cikërrimat janë kriminele.[4]

Duke vëzhguar pjalmin poetik të këtij rrugëtimi, apo thënë ndryshe, të kësaj poeteshe, shohim urën e ndërtuar, ku lexuesi shikon dhe shijon simfoninë e përhershme të lumit që rrjedh nën urë. Ajo nuk e ka marrë kepin e të ndërtoj urë, por, gur mbi gur ka ndërtuar urë dhe ne lexuesit e kemi më lehtë të shijojmë këngën e lumit me gjëmat e tij qe na i ka kënduar nëpër shekuj. Pra, siç do thoshte Nëna Terezë se: “ vetëm dashuria do ta shpëtojë botën” dhe përmes kësaj dashurie njerëzore, poetesha tetovare tenton të lidhe pjesë kohësh midis njerëzve të mirë. Dashurinë mbi artin, Vjollca tenton ta kthej në mision poetik të përsosur.

Duke lexuar vargjet e kësaj përmbledhje “Në xhep kam një botë”, të duket se ke para vetes një simbiozë plot me ngjyra magjike të ylberit, plot kënaqësi përjetuese dhe tejet emocionuese, që të çojnë më larg se e zakonshmja:

Thellë brenda nesh gjithçka e trazuar

Mort kemi

Telefoni ka vdekur

Ashtit tim fuqishëm mesnata i bie

Poezia vajton

Në të zeza e veshur[5]

Kjo autore vjen në letrat tona bashkëkohore me frymën e saj të veçantë poetike, zgjedhjen e temave sipas këndvështrimit të saj dhe tejet origjinale dhe pa i bërë shumë përshtypje rrymat ekstreme të vargut. Më e bukura është nxitja spontane për të krijuar këtë art kaq të bukur e magjik. Ajo dëshmon, jo vetëm për talentin krijues që ka, por edhe për nivelin e lartë artistik që ka ditur ta kultivoje gjatë kohës së studimeve dhe gjatë leximit ekstrem të veprave letrare, si ato kombëtare, ashtu edhe ato të letërsisë botërore. Prandaj, vlerat e kësaj poezie, apo thënë ndryshe , të kësaj poeteshe, nuk erdhën krejt rastësisht.

Si poezia, ashtu edhe vet poetesha dallohen me një dehje të veçantë poetike dhe thellësisht shpirtërore. Ajo, jo vetëm që ka dëshmuar për talentin, durimin dhe nivelin e lartë artistik, por ajo ka përsosmëri edhe bukinë gjuhësore të shqipes, anën e strukturës së vargut, ritmi i lehtë, dhe veçmas e veçanton kujdesi saj stilistike e që na bënë te mendojmë se kemi rastin të njihemi me një poezi e shkruar nga një autore me përvojë të madhe. Sa për ilustrim ca vargje nga poezia Të bëhemi përrallë:

Eja me merr nuse,

në krahun e pastër të yllit

bëjmë shtëpinë

yjtë do hedhin vallen

me koreografinë lasgushiane

dhe s’do qaj më kurë[6]

Duket qartë dëshirë pritjeje, si një sensacion të një çasti magjik, një lloj diliri, për të cilën, poetja, ka marrë lapsin dhe pret një botë, që vetëm ajo e di. Ajo e di edhe çastin dhe kohën kur munden të bëhen imazhe të një kënaqësie të beftë.

Kjo poezi nuk është një lirikë thjeshtë dashnije, por ajo është e mbushur plot me mesazhet që burojnë, jo vetëm jo vetëm nga teksti i qartë, por edhe nga konteksti i vargjeve të shumta. Po ashtu me sukses i përdor edhe figurat e shumta stilistike e që na dëshmon për një personalitet të rangut të lartë intelektual. Kjo është edhe dëshmia që përcjellë vlerat dhe botën e një femre të civilizuar tetovare e më gjerë

S’do mend se brendia e kësaj poezie është me shtrirje të gjerë, sa shpirtërore, po aq edhe gjeografike. Kjo poezi që vlon përbrenda, është me figura poetike të freskëta dhe tejet origjinale, të cilat i ngre suksesshëm në majat e artit të vet dhe kësisoj ngitet flamuri emblemë i poeteshës Vjollcë Berishës, flamur i cili e orienton vjollcën dhe poezin” pohon të njëjtën:

Me vite thura litar durimi

Në përjetësi për t’u ngjitur[7]

Kjo poeteshe duket se shikon përtej realitetit të përditshëm dhe mëton të kërkoje një realitet tjetër të ri, pasi kjo botë është e vjetruar tej mase, e që asnjëherë dhe në asnjë periudhë historik nuk gjeti zgjidhje absolute për njerëzimin, siç kërkoi Migjeni e Niçe, të lindet një njeri tjetër, pasi s”ka sistem shoqëror, apo asnjë profet që do kishte sjellë jetë të bukur dhe pa brenga të njeriut. Kjo, si duket, po te e njëjta poezi, e shtyn poeteshën që ta ureje maskarallëkun e kësaj bote dhe nga pamundësia e ndërhyrjes për rregullimin dhe çlirimi n e njerëzimit, ajo herë – herë bie në dyshime të mëdha, ku edhe shprehet:

Në litarin që me vite thura

Të var a thua veten time?![8]

Poetesha herë-herëshkon edhe më lar, pasi bota i duket e shitur. Ajo shikimet i ka përtej dukjeve të të afërta, një botë vizatimesh me ngyra të ngatërruara, zografi me imagjinata hajnish, pra, sheh një botë plot mjegulla të zeza e rrallë del dielli, ku zënë vend mesazhe befasuese. Protagonistja e këtyre mesazheve është vet autorja me egon e saj prej kristali, të cilat janë të bukura, por edhe lehtë pëlcasin si ornamentet që bien nga dora e fëmijës. Te poezia “ Më mirë kush ëndërronte” shprehet se njeriu lehtë e shet botën e vet, pa çmim të duhur dhe se vlerë i mbetet vetëm një kujtim i bukur dhe apo zëri qetësues i ndonjë kënge. Ky akt, sa fizik, po aq edhe shpirtëror çshtë një shpërthim emocional, ku duket ndjesia e hollë shpirtërore dhe fine, e cila përplaset me brengn sa vetjake, aq edhe kolektive. Ky akt poetik e shpirtëror paraqt honet e brengës së njeriut tonë, si trajtë e modeluar e problemeve tabu-temë, ku mitet e3 njeriut janë të lidhura me mitin dhe trajtat fillestare të motivit psiko-ëndërrues të njeriut.

e shita botën

për çudinë time

e bleu lipsja me kapotë rozë

fundja kush ëndërronte më mirë se ajo.

.............................................................

të këndoj u mësova

tash do t’ia mbath

do vete pas ëndrrës

Në këtë lirikë duket edhe një lirikë e lehtë familjare, pasi vet protagonistja ë është vetë poetsha, duket qartë egoja e saj për raportet familjare, me mjaftë etikë të brendshme, për të cilët kujdeset skajshmërisht, për të cilët edhe jeton në këtë botë me plot ngarkesa emocionale, me trillet kësaj bote, ëndrrat e bukura pakufi, me mallin e dashurisë, idilin e ambienteve të bukura etj., ku dejtë e kësaj poezie janë plot frymëzime për jetën bukur me familjen, plot ritëm, plot sharm dhe thyerje të shpeshta të vargut poetik. Te poezia “ Gjysmat bëhen një, motrash,” shkruan:

me dashuri motre

me stinën e pestë

Me botën e tërë

Eh, me ç’sende do më vish

Eja, Linda![9]

Ëndërrimet e zgjuara, herë-herë edhe me zhgjëndrra të bollshme, malli plot kujtime dhe idilikja e saj shpirtërore e bënë lexuesin e denjë sikur ka pirë një mariuhanë të lehtë dhe ai-ajo, mbushen me efektet e një bote plot terapi shpirtërore dhe ky efekt poetik e freskojë lexuesin dhe i jep mundësinë që të ndjehet mirë me vetveten dhe rrethin e tij jetësor. Edhe pse poezia ka edhe raste të ndjeshmërisë familjare, apo boa madhe e nënës Terezë, vargje shpejt përgjithësohen dhe shumë lexues e gjejnë edhe shpirtin e vet brenda vargjeve të kësaj përmbledhje. Ajo të bënë shërim terapeutik që të ndihesh mirë me veten dhe me botën që të rrethon.

I dashur,

A vdesim sonte?

E bukur është vdekja

Të paktën s’do mbajmë më frikë[10]

Emocionaliteti i kësaj poezie ngritët bashkërisht me kujtesën e saj ndër mote dhe lidhet ngushtë me egon e sajë, e cila përshkohet me përcjelljet nëpër hapësirë e ndjeshme dhe të ndezura nga pasionet e saja poetike. Pra, e veçanta estetike e kësaj poetike, duke e krahasuar me poezinë tjetër që krijohet në kohën dhe në moshën e saj, është ndërtim i bukur strukturor, afiniteti i saj poetik, figurat e reja stilistikore, ekuilibri ndjenjë- mendim, metafizika shpirtërore, imazhi i qartë, forca dhe thellësia e mendimit dhe veçmas guximi poetik dhe mëtimi nga rrugëtimi moderniteti krijues, me të cilat i lëviz qasjet e saja në hapësirën jetësore të kohës kur jeton dhe vepron ajo.

Vjollcë Berisha nuk shkruan se është e detyruar të shkruaje, por ajo, veçse poezinë e ka pasion, ajo e ka vështirë të veproje ndryshe, pasi vetëm vargun poetik e ka balsam për shpirtrat e një bote të veçantë të njerëzimit, ashtu siç kanë vepruar me mijëra poet gjatë gjithë historisë së njerëzimit, pasi përmes poezisë si çelin shtigje të reja e që e orienton lexuesin e mirëfilltë drejt lirisë së mendimit, ndjenjës, përjetimit, imagjinatës, kënaqësisë metafizike e deri te e pamundura absolute.

Shtator 2020

 

[1] Vjollcë Berisha, Në Xhep kamnjë botë, Tetovë, 2005, f. 104

[2] Po aty, f. 7

[3] Po aty, f.9

[4] Po aty, f. 10

[5] Po aty, f. 13

[6] Po aty, f.15

[7] Po aty, f.63

[8] Po aty.

[9] Po aty, f.91

[10] Po aty, f.19

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat