Poezi nga poetja Marjeta Shatro Rrapaj

Kultura

Poezi nga poetja Marjeta Shatro Rrapaj

Nga: Marjeta Shatro Rrapaj Më: 30 shtator 2020 Në ora: 21:01
Marjeta Shatro Rrapaj

TABU

Vdesin kujtimet

e i varrosim në fushën e kujtesës

U këndojmë rekuiem

rreth altarit të arsyes

mospërfillës për dhembjen e shpirtit

Humbasim çasteve të papritura

të erërave të kohës

hutuar prej trishtimeve

që presin të bien

Si gjethet e thara të vjeshtës,

rrëmbyer si shirat e parë

përthithur ethshëm prej tokës

Kurse në zemër hapur

rri sarkofagu i dashurisë

tmerruar nga sëmundja

Maskuar maskave shumëngjyrëshe

si fre i lirisë së shprehjes

ku leximi i buzëve u kthye në tabu.

VENDLINDJES

Vendlindja ime

lidhur ngushtë me një lumë e një mal

ku midis tyre shtrihet gjithë bota ime

që ndjek meridianë zgjatur përtej tyre

Në fluturim mbi gjurmët e të parëve

ku gjyshi im është një bredh i blertë

e gjyshja ime një zambakë i bardhë

hallat e mia manushaqe pranvere

Xhaxhallarët e mi dy lisa të heshtur

Rend shpirti im mes tyre çdo natë

janë gjaku im që më vë në lëvizje

pjesë nga e shtrenjta vendlindje

e unë një thëllëzë që fshihem mes tyre

e shuaj mallin që digjet syve

e pikon dritë vegimesh të ndritshme

ëndrrash vezulluese me drithërima dëshirimi

dihama dhimbjeje,dalldi përjetimi

Shkreptima mendimi për shpirtëroren

plot trajta të larmishme

Për ty vendlindja ime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat