Nobeli i Kadaresë dhe populli i poetëve pa letërsi

Kultura

Nobeli i Kadaresë dhe populli i poetëve pa letërsi

Nga: Gëzim Muçolli  Më: 9 tetor 2020 Në ora: 18:40
Gëzim Muçolli 

Edhe sivjet u dha çmimi Nobel për letërsi duke e nxjerrë nga Amerika emrin e poetes Louise Glück duke iu falenderuar sipas akademikëve suedezë, "zërit të saj të pangatërrueshëm poetik që me bukurinë e ashpër të tij e bënë universale ekzistencën individuale".

Është tepër heret për ta harruar vitin e kaluar, kur Komisioni i Nobelit kaloi nëpërmes një skandali të paparë pikërisht me dhënjen e këtij çmimi autorit austriak serbofil Peter Handke. Arsyetimi akademik i suedezve ishte se Handkes iu dha çmimi Nobel për "punën influente që me talent linguistik ka esploruar periferinë dhe specifikat e a esperiencës humane". 

Akademia suedeze e Nobelit duke e definuar nga'si "një nga shkrimtarët më influent në Europë pas Luftës së Dytë Botërore ", Handken e shpërblyen për "vëmendjen e jashtëzakonshme ndaj pejsazheve dhe prezencës materiale të botës, që ka bërë kinemanë dhe pikturën dy nga burimet e saj të mëdha të frymëzimit". Dihet botërisht se frymëzimin më të madh Hanke e ka pasur kur udhëtonte në Serbi dhe kur përkrahte kriminelin e Ballkanit , mikun e tij Millosheviqin.

Edhe sivjet akademikët suedezë nuk ia dolën të kuptojnë se ishte radha e përsëritur që ky çmim duhej të shkonte në duart e shkrimtarit tonë më të madh dhe për të arsyetuar vendimin e pritur nuk iu duhet të lodhen shumë për ti shkruar arsyetimin si përrallë, por kanë dëshmi se fjala e gëdhendur e tij në kohë është zgjim dhe shpresë për njerëzimin pa e harruar të kaluarën me tela me gjemba në muret e tejngjitura ideologjike të koshiencës së brishtë europjane. 

Shpresa nuk vdes kurrë, edhe pse proverbi thotë se ajo vdes e fundit. As shpresa e lexuesve të mirë, të ktyneherit që librin e shijonin si ushqim shpirtëror dhe si një ilaç të domosdoshëm për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar, që një ditë letërsia shqiptare të njihet e denjë për bukurinë e saj në gjithë globin.

                                                                                                      1.

Natyrisht letërsia njihet nëpërmjet librave të mirë dhe autorëve të tyre.

Ne kemi pasur një gjeneratë autorësh shqiptarë në tokat autoktone si dhe te arbëreshët, që bota na e kishte dhe besoj mund të na lakmojë ende për mjeshtërinë e tyre të shkruajturit dhe gëdhendjes së fjalës në letër.
Kemi pasur edhe fjalën dhe kanunin që u përcollën nëpër shekuj gojë më gojë, vesh më vesh dhe odë më odë.


Patëm edhe Naimin që me gjithë rilindasit e vërtetë dogjën kartë e mushkëri për ta ngritur gjuhën shqipe në nivelin ku e ka vendin. Patëm lirikët si Lasgushi e poetë e shkrimtarë deri te Kadare i famshëm.

Poetët e kohës shkruan me dhimbje e me mallë, kush me ledhatime për partinë e kush me mbyllje hermetike siq ishin të mbyllura edhe shumë të drejta kombëtare për ne shqiptarët në ish -Jugosllavinë e Kralit dhe të Titos me pasardhësit e tyre shovenista.

Ka dhjetëvjeçarë që emri i shkrimtarit bashkëkohor shqiptar Ismail Kadare përsëritet si kandidat për të marrur çmimin Nobel për Letërsi. Deri në vitin tjetër themi zakonisht sa për të ngushëlluar vetveten duke pritur gjatë muajve në vazhdim ndonjë libër të ri nga Kadareja i madh.

Por ka edhe vite që arrijnë letra dashakqija dhe të poshtra të shkruara nga shqiptarë në adresë të Akademisë Mbretërore të Suedisë duke e lutur atë që mos t'ia ndajë çmimin e lartë autorit të madh Ismail Kadare.

Gjithmonë e kam pyetur veten se çka fitojnë këta letërshkrues fletërrufeshë duke shpalosur inatin e një kohe kundër një ideologjie e një sistemi që ishte proces botëror. Autori ynë nuk ishte ideolog dhe nuk mund të përgjigjet për fajin e dikujt tjetër.

Kadareja ishte ndoshta i përkdhelur deridiku nga regjimi në Shqipëri sepse nuk kishte shkrimtar më të mirë por në të njëjtën kohë ishte më i kërkuari për lexim nga shqiptarët në Kosovë dhe viset tjera të ish-Jugosllavisë. Derisa dikur edhe e ndaluan serbomëdhenjtë e Millosheviçit dhje e patën hequr nga planprogramet mësimore për nxënësit shqiptarë.
                                                                                                      2.     
Sot është për tu çuditur pse ndodhin fenomene kur dalin si këpurdhat pas shiut përditë njerëz që e quajnë veten "poet" dhe kur vargu i librave që i nxjerr industria e botimeve nuk ka të ndalur. Poet nuk është titull fisnik por as nuk është emër që dikush duhet t'ia jep vetevetes pa meritë.

Para pak ditësh dikush shkroi se sot kemi kaq shumë libra e nuk kemi letërsi. Po sepse letërsia sot është ngatërruar me mundësitë e pafund që ofrojnë rrjetet sociale duke krijuar kategori të reja kuaziletrare si "Poetët e facebook-ut". Krijohet bindja se ne i kemi një milion poetë, ndoshta edhe më shumë!

Dikur disa njerëz thonin se populli shqiptar ( në Kosovë ) e meriton çmimin Nobel për Paqe, me meritë.

Sot më vjen të them se populli shqiptar kudo që ndodhet e meriton çmimin Nobel për Letërsi sepse ndoshta ka një milion poetë. Do të ishte mirë që akademikët suedezë ta shikonin këtë propozim sepse do të ishte shumë i dobishëm dhe politikisht korrekt.
 
Nëse çmimi Nobel vlen ende një milion dollarë , çdo poeti bashkëkohor shqiptar në epokën e Fejsbukut do ti takonte nga 1 dollar për kokë.

Nuk do të zemërohej askush sepse pothuajse kaq vlejnë dhe po kaq shiten ato pak libra që shiten sepse të tjerat zakonisht autori dhe "poeti" modern i falë dhe i dhuron sepse nuk kanë pazar (e as ndonjë vlerë konkurruese).

Në ndërkohë në vitet që vijnë patjetër vjen edhe tetori i Nobelit për Kadarenë e madh të letrave shqipe. Pasi të kryhet festa do ti shkruaj personalisht Ismailit të nderuar që një pjesë të dollarëve ti jep për ndërtimin e një Monumenti memorial për kritikën letrare dhe artistike që ka vdekur bukur moti duke ia lënë vendin e saj shërbëtorëve të kulturave partiake dhe argatëve të industrisë së letrës që kurrsesi nuk po mund të shëndërrohet në letërsi bashkëkohore të denjë për lexuesin që e blen me qejf gjithmonë librin e mirë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat