Adeline Virginia Stephen, jeta dhe veprat

Kultura

Adeline Virginia Stephen, jeta dhe veprat

Më: 15 tetor 2020 Në ora: 17:49
Foto Ilustrim

Adeline Virginia Stephen (Adëlin Virxhinia Stivëni) lindi më 25 janar 1882 në Londër (Angli) dhe vdiq më 28 mars 1941 afër Rodmell, Sasiks. Shkrimtare angleze, romanet e së cilës, përmes përqasjes jo të njëtrajtshme[1], kanë ushtruar ndikim jo të vogël në gjininë në fjalë.

Edhe pse njihet më shumë për romane, sidomos për Zonja Dallouej (1925) dhe për Udha drejt farit (1927), Uollf ka shkruar edhe ese mbi teorinë artistike, historinë e letërsisë, shkrimet femërore dhe politikat e pushtetit. Si stiliste e shkëlqyer, ajo ka eksperimentuar disa forma shkrimi autobiografik, krijime të shkurtra të hartuara plot ngjyra, ndërsa miqve dhe familjes së vet gjatë gjithë jetës u shkroi letra të mahnitshme.

Jeta e hershme dhe ndikimet

Virxhinia Stivëni ishte fëmijë prindërish viktorianë idealistë. I ati, Lezli Stivëni, ka qenë figurë letrare e shquar dhe krye­redaktori i parë (1882-91) i Dictionary of National Biography. Ndërsa e ëma, Xhulia Xheksëni, ishte mjaft e bukur dhe vetë­mohuese. Ajo kishte lidhje të forta shoqërore dhe artistike, përfshirë edhe Xhulia Margaret Kamëronin, tezen e saj, njëra nga fotografet më të mëdha të portretit të shekullit 19.

Bashkëshorti i parë i Xhulia Xheksënit, Herbert Dakuithi, dhe gruaja e parë e Lezlit, e bija e romancierit Uilliam Meikpis Thekëri, vdiqën papritur duke lënë pas, i pari tre fëmijë, e dyta një fëmijë. Xhulia Xheksën Dakuithi dhe Lezli Stivëni u martuan më 1878, martesë nga e cila erdhën në jetë katër fëmijë: Vanesa (më 1879), Tojbi (më 1880), Virxhinia (më 1882) dhe Adriani (më 1883). Ndonëse të katërt bëheshin një kundër motrave dhe vëllezërve më të mëdhenj, ata nuk ishin edhe aq besnikë me njëri-tjetrin. Virxhinia kishte smirë ndaj Ejdriënit, i cili qe kanakari i nënës së tyre. Në moshën nëntëvjeçare ajo qe gjeniu që qëndronte prapa gazetës së familjes, Hyde Park Gate News, duke vënë kështu shpesh në lojë Vanesën dhe Adrianin. Vanesa u bë si nënë për të tjerët, sidomos për Virxhinian, mirëpo dinamizmi midis nevojës (së Virxhinias) dhe ftohtësisë (së Vanesës) ndonjëherë shprehej si armiqësi mes artit të të shkruarit të Virxhinias dhe aftësisë së Vanesës për të pikturuar.

Familja Stivën e kishte zakon të largohej në verë nga shtëpia që kishte në Londër afër kopshteve Kensingtën dhe të shkonte në shtëpinë Talland thuajse të rrënuar që ndodhej në bregun e ashpër të Kornuellit. Këto zhvendosje të përvitshme shër­byen për ta përftuar botën fëmijërore të Virxhinias ndaj dy gjërave të ndryshme: qyteti dhe fshati; dimri dhe vera; shtypja dhe liria; copëtimi dhe plotësia. Megjithatë, bota e saj e përçarë dhe qartësisht e kuptueshme mori fund kur më 1895 i vdiq e ëma në moshën 49-vjeçare. Virxhinia, kur ishte 13 vjeçe, reshti së shkruari tregime zbavitëse për ndodhitë fami­ljare. Duhej të kalonte gati një vit që ajo t’i shkruante një letër të gëzuar vëllait të vet, Tojbit. Ajo porsa po dilte nga depre­sioni kur më 1897, gjysmëmotra e saj Stella Dakuith vdiq në moshën 28-vjeçare, ngjarje që Virxhinia e shënon në ditar si “të pamundur për të shkruar lidhur me të”. Më pas, më 1904, pas vdekjes së të atit, Virxhinia pësoi krizë nervore.

Ndërkohë që Virxhinia po merrte veten, Vanesa mbikëqyrte zhvendosjen e Stivënit drejt pjesës boheme të Londrës. Atje gjysmëmotrat dhe gjysmëvëllezërit jetonin të pavarur nga gjysmëvëllezërit e tyre Dakuith dhe qenë të lirë të studionin, të pikturonin apo të shkruanin dhe të argëtoheshin. Në nën­torin e 1904-s me ta darkoi Leonard Uollfi, pak para se të nisej me anije drejt Ceilonit (tani quhet Sri Lanka) që të bëhej administrator kolonial. Nuk shkoi gjatë dhe Stivënsi mikpriste tubime rioshësh radikalë, përfshirë Klajv Bellin[2], Litën Streiçin[3] dhe Xhon Meinard Kinzin[4], të cilët më vonë do të bëheshin të dëgjuar, përkatësisht: kritik arti, biograf dhe eko­nomist. Paskëtaj, mbas një ekskursioni në Greqi më 1906, Tojbi vdiq nga ethet e tifos. Qe veçse 26 vjeç. Virxhinia u hidhërua, por jo aq sa të binte në dëshpërim. Humbjen e Tojbit dhe “atë” të Vanesës, e cila qe fejuar me Bellin fill mbas vdekjes së Tojbit, e përballoi duke u marrë me shkrime. Martesa e Vanesës (dhe, mbase, mungesa e Tojbit) ndihmoi që debatet e mbledhjeve kryesuese të atij që do të njihej si grupi Blumsbëri të shndërroheshin në biseda të gjalla e me raste të pahijshme, të cilat e frymëzuan Virxhinian ta përdorte hapur mendjemprehtësinë e saj, paçka se në fshehtësi po shkru­ante Reminiscences-et e saj therëse – rreth fëmijërisë së vet dhe së ëmës që pati humbur – të cilat u botuan më 1908. Po atë verë, kur njohu artin italian, ajo iu kushtua punës për krijimin e një gjuhe “diçka e plotë që përbëhej nga copëza drithëruese”, për ta kapur “mendjen që fluturon”.

Proza artistike e hershme

Më 1908 Virxhinia Stivën vendosi ta “reformonte” romanin duke krijuar një formë tërësore, e cila përfshinte të gjitha anët e jetës që për romanin viktorian “s’kishin pasur vlerë”. Edhe pse ndërkohë vazhdonte të shkruante recensione pa emër për Times Literary Supplement dhe për gazeta të tjera, ajo ekspe­rimentonte me romanin e lartpërmendur, të cilin e quante Melymbrosia. Në nëntor të 1910-s, Roxhër Fraji[5], një mik i ri i Bellëve, hapi ekspozitën Manet and the Post-Impressionists, e cila e njohu borgjezinë londineze me artin radikal evropian. Virxhinia u tërbua menjëherë për vëmen­djen që tërhiqte dhe ngjallte pikturimi për shkak të mundësisë së huazimit nga shijet e piktorëve si Pol Sezani[6] dhe Pablo Pikaso[7]. Meqë Klajv Belli u tregua jobesnik, Vanesa krijoi një lidhje me Frajin, i cili nisi një debat të përjetshëm me Virxhinian rreth arteve pamore dhe gojore. Leonard Uollfi u kthye nga Lindja në vjeshtën e vitit 1911. Mbasi u dorëhoq nga shërbimi kolonial, Leonardi dhe Virxhinia u martuan në gusht të 1912-s. Ajo vazhdoi të punonte në romanin e vet të parë, ndërsa ai shkroi romanin antikolonialist The Village in the Jungle (1913) dhe The Wise Virgins (1914), parashtrim i Blumsbërit. Më pas ai u shndërrua në shkrimtar politik dhe avokat i paqes e i drejtësisë.

Edhe pse nga vitet 1910-1915 shëndeti mendor i Virxhinias qe në rrezik, prapëseprapë, më 1913, ajo e ripunoi plotësisht Melymbrosia-n duke e titulluar The Voyage Out. Shumë prej personazheve të romanit të saj i mori nga prototipat e jetës së vërtetë: Litën Streiçi, Lezli Stivëni, gjysmëvëllai i saj Xhorxh Dakuithi, Klajvi e Vanesa Belli dhe ajo vetë. Rejçëll Vinrejsi, personazhi kryesor i romanit, është një grua e re në moshë, që ka kaluar fëmijëri të qetë, e cila, gjatë një ekskursioni në Amerikën e Jugut, njihet me lirinë dhe seksualizmin (edhe pse që në nisje të romanit asaj i duhet të vdesë para se të mar­tohet). Uollfi fillimisht e bëri Terënsin mëtuesin që kërkonte dorën e Rejçëllit, njësoj si Klajvi; gjatë ripunimit të librit, ai bëhet më i ndjeshëm, njëlloj si karakteri i Leonardit. Mbas një ekskursioni në Amazonë, Rejçlli merr një sëmundje të llah­tarshme që e plandos në dalldi dhe më pas në vdekje. Si shkaqe të mundshme të kësaj gjëme, personazhet e Uollfit s’lënë gjë pa këshilluar, që nga perimet e lara jo mirë, te sëmundjet që mbart xhungla e deri te dashaligësia e qiellit, por libri s’jep kurrfarë sqarimi. Në kundërshtim me sigurinë që ekzistonte në periudhën viktoriane, këtij mospërcaktimi i bëhet jehonë në përshkrimet që shtrembërojnë perceptimin: ndërsa tregimi shpesh i përshkruan njerëzit, ndërtesat dhe objektet si trajta pa tipare, Rejçlli, nëpër ëndrra dhe paskëtaj në dalldi, rrugëton nëpër botën surrealiste. Udhëtimi i Rejçllit në të panjohurën shënoi udhëtimin e Uollfit përtej rregullave të realizmit.

Shqetësimet maniako-depresive të Uollfit (se ajo ishte e dështuar jo vetëm si shkrimtare, por edhe si grua, se përbuzej nga Vanesa dhe se Leonardi s’e donte) në shtator të 1913-s e nxitën të bënte një përpjekje që ta vriste veten. Botimi i The Voyage Out u shty deri në të hyrë të 1915-s; më pas, në prill të po atij viti, ajo ra në dëshpërim, që e bënte shpesh të binte në përçartje. Po atë vit ajo ia doli t’i mposhtte “përfytyrimet e ndyra” që i kërcënonin shëndetin normal mendor. Gjatë pjesës së mbetur të jetës arriti t’i mbante pak a shumë larg djajtë e manisë dhe të depresionit.

Më 1917 Uollfët blenë një shtypshkronjë të vogël duke themeluar kështu shtypshkronjën “Hogarth”, sipas emërtimit të shtëpisë “Hogarth”, shtëpia që kishin në rrethinat e Londrës. Vetë Uollfët (ajo qe radhitëse, ndërsa ai merrej me shtypin) në verë të vitit 1917 shtypën Two Stories. Botimi për­bëhej nga vepra Three hebrews e Leonardit dhe nga The Mark on the Wall (më tepër përsiatje) e Virxhinias.

Virxhinia, qysh nga 1910-a (ndonjëherë bashkë me Vanesën) mbante një shtëpi fshati në Sasiks, ndërsa më 1916-n Vanesa ndërtoi një shtëpi bujku në Sasiks, që e quajti “Çarlston”. Ajo i dha fund lidhjes me Frajin për t’u njohur më pas me piktorin Dankën Grant[8], i cili u shpërngul në “Çarlston” tok me Vanesën dhe fëmijët e saj, Xhulian dhe Kuentin Bellin; në fund të 1918-s, Vanesës dhe Grantit u lindi një vajzë, Anxhelika. S’vonoi shumë dhe “Çarlstoni” do të shndërrohej në një strehë joortodokse të stolisur me teprime të mëdha nga piktorë dhe shkrimtarë, sidomos të Klajv Bellit, që vazhdoi të ruante marrëdhënie miqësore me Vanesën dhe Frajin, adhuruesin e përjetshëm të Vanesës.

Që më 1897 Virxhinia mbante herë pas here ditar. Më 1919 ajo përfytyronte “hijen e ndonjë trajte që mund të arrinte ditari”, organizuar jo nga një regjistrim mekanik ngjarjesh, por nga ndërveprimi midis objektit dhe qëllimit. Ditari i saj, siç do të shkruante ajo më 1924, do t’i zbulonte njerëzit si “cifla dhe mozaikë” dhe jo siç pohonin ata, si “tërësi të patëmetë, njëcopësh, të qëndrueshëm”. Më vonë, terma të tillë frymëzuan dallimet kritike mbi anatominë dhe kulturën midis femrës dhe mashkullit, ku femra qe një mënyrë e larmishme, por gjithëpërfshirëse e përjetimit të botës, kurse mashkulli një mënyrë njëcopëshe apo e njëtrajtshme. Kritikët që i përdorin dallimet e mësipërme i japin Uollfit meritën për zhvillimin e formës së ditarit thellësisht femëror, ngaqë në të perceptohet, me ndershmëri dhe humor, vetë mozaiku i saj vazhdimisht i ndryshueshëm.

Duke vërtetuar se mund ta nënshtronte formën tradicionale të romanit para se ta shkelte, romanin e saj të ardhshëm e ngastroi në dy trekëndësha romantikë, ku të dy kishin Katrinën si personazh kryesor. Night and Day (1919) është gjegjësja e The Wise Virgins e Leonardit, ku ai krijoi një personazh të ngjashëm me veten i cili humb personazhin e dashur, ngjashëm si Virxhinia, dhe që përfundoi në martesë konvencionale. Te Night and Day, Ralfi, që paraqet askënd tjetër veç Leonardit, mëson ta vlerësojë Katrinën për atë që është, jo si një qenie që qëndron më lart. Ndërsa Katrina arrin t’i mposhtë (siç bëri edhe Virxhinia) paragjykimet familjare dhe ato shtresore për t’u martuar me Ralfin zemërmirë e të zgjuar. Ky roman përqendrohet pikërisht te hollësitë që Uollfi i pati hequr nga The Voyage Out: dialog i besueshëm, përshkri­me realiste të mjedisit të fillimshekullit 20, hulumtime të çështjeve, si shtresa shoqërore, politika dhe e drejta për të votuar. Më 1918 Uollfi shkruante përafërsisht nga një recension në javë për Times Literary Supplement. Eseja e saj Modern Novels (1919, ripunuar më 1925 si Modern Fiction) sulmonte “materialistët” që shkruanin për përvojat sipër­faqësore në vend se të shkruanin për ato shpirtërore apo “të përndritura”. Me ilustrimet e Vanesa Bellit, Uollfët shtypën vetë me dorë Kew Gardens[9] (1919) të Virxhinias, një tregim i organizuar si model i pikturave pasimpresionistike. Me kriji­min e “Hogarth Press”, si shtëpi e madhe botuese, Uollfët pak nga pak i shtypnin më vetë botimet e tyre.

Më 1919 ata blenë një vilë të vogël në fshatin Rodmell, të quajtur Shtëpia e Murgut, nga e cila shiheshin si në pëllëmbë të dorës kodrinat me bar të Sasiksit dhe livadhet ku lumi Yz[10] derdhet në kanalin e La Manshit. Prej andej Virxhinia mund të shkonte me këmbë apo me biçikletë për ta vizituar Vanesën, fëmijët e saj dhe mysafirët në “Çarlstonin” bohemë dhe më pas të tërhiqej për të shkruar në Shtëpinë e Murgut. Ajo përfytyronte një libër të ri ku do t’i përfshinte teoritë e modern novels (romaneve moderne) dhe arritjet e tregimeve të saj të shkurtra në trajtën e romanit. Në fillim të 1920-s, një grup miqsh, që kishin dalë nga grupimi i hershëm “Blumsbëri”, krijuan Memoir Club; ata takoheshin për të lexuar pjesë të pahijshme nga autobiografitë e tyre. Paraqitja e saj e dytë qe parashtresë e dyfytyrësisë viktoriane, sidomos e Xhorxh Dakuithit, i cili ledhatimet e padëshiruara dhe të papërshtatshme i maskonte si dashuri për nder të nënës së tyre.

Më 1921 proza e shkurtër tregimtare e Uollfit u përmblodh në Monday or Tuesday. Ndërkohë, radhimi i shkronjave i mprehu ndjesinë e radhitjes pamore, ndaj ajo filloi të shkru­ante një roman në blloqe, që do të rrethoheshin nga hapësira të bardha. Në Re-Reading Novels (1922), Uollfi arsyetonte se romani më shumë sesa formë ishte “emocioni që ndien”. Një emocion të tillë ajo e arriti te Jacob’s Room (1922) duke e shndërruar pikëllimin vetjak për vdekjen e Tojbi Stivënit në “model shpirtëror”. Ndonëse Xhejkëbin e trajton nga fëmi­jëria e deri në vdekjen e tij të hershme, ajo lë jashtë fabulën, konfliktin, madje edhe personazhin. Zbrazëtia e dhomës së Xhejkëbit dhe sendet e tij të papërfillshme që s’kishin lidhje me njëra-tjetrën në thjeshtësinë e tyre, përçojnë zbrazëtinë e thellë të humbjes. Paçka se Jacob’s Room është roman kundër luftës, Uollfi druante se mos ajo kishte guxuar të shkonte mjaft larg me pasqyrimin e tij. Ajo qe betuar ta “përkrahte”, siç i shkruante Klajv Bellit, shartimin e teknikave të tilla eksperimentale në personazhe më me peshë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat