Poezia e Hydajet Hysenit

Kultura

Poezia e Hydajet Hysenit

Nga: Gjokë Dabaj Më: 16 tetor 2020 Në ora: 19:29

A studiohet në fakultetet tanë të filologjisë dhe në shkollat tona të mesme e 9-vjeçare poezia e Hydajet Hysenit? Kjo ishte pyetja që po më përsëritej, tek po lexoja librin 550-faqesh me titull “Paraverë”.

Unë nuk e di, sepse nuk jam pjesë efektive e arsimit tash 27 vjet, por do të dëshiroja shumë, sepse do të ish krejt e arsyeshme që një pjesë të kësaj krijimtarie të ish-të burgosurvet tanë në ish-Jugosllavi, të jetë përfshirë në programet tanë mësimorë.

Në librin që e lexova dhe iu riktheva disa herë, me qëllim për ta njohur më mirë, ka gjithsej 334 poezi. Secila prej tyre ka peshën e vet dhe, kur përdorim fjalën peshë, dihet që, qoftë artistikisht, qoftë për nga tematika, një pjesë e këtyre krijimeve “peshon” më rëndë, dmth ka më shumë vlerë, ndërsa pjesët e tjera janë të rrafshit më të zakonshëm. Siç ndodh gjithmonë në të gjitha fushat e krijimtarivet.

Unë e kam shprehi timen që, kur lexoj një libër (pronë timen), mbaj shënime anash. Kështu edhe midis këtyre 334 krijimeve të Hydajetit, i kam anashshënuar disa me fjalën antologjike, duke pasur parasysh në radhë të parë antologjitë shkollore. Pra, janë poezi që duhet të përfshihen (nëse ende nuk janë përfshirë) në tekstet mësimorë të 9-vjeçares (klasa IX), në tekstet dhe antologjitë e shkollavet të mesme dhe, pjesa më përfaqësuese, të studiohet në fakultetet tanë të filologjisë, në degët gjuhë shqipe dhe letërsi.

Le t’i shqyrtojmë më poshtë disa nga krijimet e Hydajetit, që unë kam përzgjerdhur e që, natyrisht, dikush tjetër do të mund t’i përzgjidhte ndryshe, duke hequr ndonjë apo duke shtuar të tjera të po këtij niveli.

1.“KËMBËT” është një poezi e shkurtër me 5 strofa në faqen 276.

“Në këmbë shumë herë më gjeti agimi,/ Shumë herë këmbët më bënë.’of!’/ E në veshë - titulli i një tregimi,/ ‘Preja këmbët, Hof!”//

“Çudi, këmbët si u fishkkan!/ E damarët si u frykan!/ Si u zverdhkan, u mavijoskan,/ E sa shpejt që u nxikan!”//

“Këmbët si dy hunj:/ ...E këmbët s’ranë në gjunjë!”//

A nuk është më se e domosdoshme që vargje të këtillë të analizohen e përjetohen në klasat tona mësimore dhe në auditoret tanë?!

2. “DHIMBJA”, faqe 312.

“E keqe sa s’durohet,/ E keqe sa s’tregohet,/ Është dhimbja që nuk shihet,/ Dhimbja që nuk ndihet.”//

“Të rrihesh me shkop,/ Të goditesh si top…/ E dhibje të mos ndiesh...!/ Të të godasë kërbaçi i zi,/ Në ije, në kërcij.../ E dhimbje të mos ndiesh.”//

“E të thuash si me turp:/ Ah, të kisha për të ndier/ Vetëm edhe njëherë/ Një dhimbje në trup!”//

Mjafton ta përfytyrojmë një gjendje mbas torturës ose mbas një serie torturash, kur i torturuari nuk ndien më kurrfarë dhimbjeje. Dhe për çka është torturuar?! Sepse po kërkon liri për kombin e vet! Po kërkon, në rastin e Hydajetit, Kosovë Republikë!

3. “BORË QERSHORI”, faqe 348.

Është poezi që duhet ta kenë në programin mësimor të gjithë nxënësit e shkollavet të mesme në vitin e fundit. Në muajt para se të hyjnë në provimet e maturës.

“Pritej mbrëmja e maturës,/ Urime, dolli,/ Këngë e valle.../ Por, ai atë natë në qeli,/ Kishte të tjerë halle...”//

“Të nesërmen, në hetuesi,/ .../ E njeh e s’e njeh/ Veten në pasqyrë.”//

“Mollëzat e çara,/ Blanat në ballë.”//

Ishin me qindra të reja e të rinj maturantë shqiptarë, në vitin 1981, por edhe në vitet e tjrerë para e mbas 81-shit, që e kanë pritur në këtë mënyrë mbrëmjen e maturës. A duhen harruar të tilla ngjarje që janë pjesë e historisë sonë të shekullit 21?! Me këtë rast, profesorët me horizont më të gjërë, do të mund të shtronin para nxënësvet të vet edhe pyetje të këtilla: Po në Çamëri a ndodh kështu me maturantët shqiptarë? Po në Republikën e Turqisë a ndodh kështu me shqiptarët që jetojnë atje? Jo, nuk ndodh kështu. Nuk ndodh kështu, sepse maturantët e atjeshëm shqiptarë nuk kërkojnë shkollim në gjuhën e vet. Sa problematike na qenka kjo gjuha jonë!! Pse qenka kjo gjuha shqipe kaq problematike, sa të na çahen mollëzat prej goditjevet me shkopinj gome?!

4. “NJË MJEKU”, faqe 280.

Ja, tani vjen në shprehje edhe “humanizmi” i atyre që s’marrin dot diplomë pa e bërë betimin e Hipokratit.

“Isha krejt i dërrmuar,/ Kur më sollën para teje.../ M’ishin nxirë këmbë e duar,/ Edhe gjaku nëpër deje!”//

“Dhe ndonëse mirë më shikoje,/ Se s’mund të rrija as në këmbë,/ Kjo s’është gjë, nga larg më thoshe/ Dhe zgërdhiheshe ndër dhëmbë”//

Ku po shkon, jo vetëm Sërbia, por krejt njerëzimi, me të këtillë mjekë dhe me të këtillë mjekësi?!

5. “DO TË DOJA”, faqe 298.

“Do të doja t‘i shkoj sot nënës,/ Sot kur tym i del nga balli,/ E ta shoh kur t’i hapë krahët:/ Lumja unë, më erdhi djali!”//

“Do të doja e do të shkoja,/ Por jam larg e s’kam se si …/ Mure, tela, dry e grila,/ Më kanë ngujuar në qeli.”//

“Do të doja të dal majë bjeshke,/ Majë Korabit përmbi re,/ Dhe të bërtas nga loçka e zemrës:/ Tungjatjeta, Mëmëdhe!”//

Sa të rinj shqiptarë i kanë lënë kërcure nënat e veta, nxitur prej idealesh të rilindësvet tanë dhe të shumë brezavet mbas Rilindjes!? “Nji nanë tjetër, - thoshe,- ke,/ bir n’ket dhe,/ nana jote a Shqyptarija!”(N.Mjeda) Dhe sa mëkat do të bënin hartuesit e programevet tanë shkollorë, nëse, krahas vargjevet shpirtndërtues të rilindësvet të shekullit 19, nuk do të programonin edhe këta, të këtyre rilindësve që i kemi gjallë edhe sot!

6. “NËNAVE HEBRAIKE”, faqe 412.

Duke qenë atdhedashës e kombdashës, ne nuk mund të mos jemi të shqetësuar edhe për fatet e kombevet të tjerë. Hydajet Hyseni, duke qenë vetë në burg në emër të kombit të vet, e ka vënë re, me të drejtë, një kontradiktë të fushës morale te nënat hebraike.

“O ju nëna hebraike,/ Që Ana Frankun e patët bijë,/ Si lejoni fatin e saj,/ Të pësojnë gjithë ata fëmijë!?”//

“Ju që vetë e keni provuar,/ Ç’do të thotë i mërguar,/ Si lejoni që tërë ai popull,/ Të jetë i ndjekur, i dëbuar?”//

Duke folur kështu për nënat hebraike, Hydajeti me siguri e ka pasur mendjen edhe te nënat sërbe e malazeze. Edhe sërbët e malazezët kanë luftuar për lirinë e vet. A s’kanë përgjegjësi nënat e sotme të sërbëvet e malazezëvet për krimet që bëjnë bijtë e tyre?!

7. “LULE PËR MINEN”, faqe 268.

Është dita e 8Marsit. Gratë kanë ditë feste. Në atë ditë, bashkëshortes dhe nënës së vet, edhe i burgosuri, si të gjithë të tjerët, do të donte t’u dhuronte lule:

“Për këtë ditë, lulet,/ Në burg, unë do t‘i rrit./ Po të mos kem ujë,/ Me gjak do t’i ujit.”//

“Do t’i rrit unë lulet/ Këtu në zemrën time,/ Për ty dhe për nënat,/ E Kosovës sime.”//

Në fillim të marsit poezia “Lule për Minen” do të duhej analizuar me nxënësit e shkollavet të mesme. Me atë rast do të duhej folur për jetën e poetit dhe, ndër recitimet e asaj dite, kjo poezi do të duhej të ishte bashkë me të tjerat.

8.“BISEDË ME FLUTURËN”, faqe 309.

Oh! Kjo është ndër poezitë më mbresëlënese. E thotë edhe Agim Vinca në pasthënien që i ka bërë këtij libri.

“Flutur moj, lule e gjallë,/ Në qelinë e ftohtë, ç‘deshe vallë?/ Në qeli ka vetmi,/ Ka uri për shoqëri.”//

“…në qeli është vështirë,/ Është varr i zi, lagështirë.”//

“Dil e ik nga kjo skëterrë.”//

Është poezi-simbol. Për mendimin tim, kjo flutur këtu simbolizon të gjithë të pafajshmit që rrethanat i çojnë midis murevet të zymtë të qelisë.

9. “MË KA NDODHUR”, faqe 350.

“Më ka ndodhur netëve të gjata,/ Nga mundimi, pezmi, halli.../ T’i drejtohem edhe vdekjes:/ Merrmë shtrigë, he të marrtë djalli!”//

“Ishte e rëndë, tepër rëndë,/ Kur më thoshin: As i vdekur,/ S’do ta puthësh truallin tënd...!”//

Në rrethanat, të cilat strukturat represive shtetërore të Jugosllavisë ua krijonin lirikërkuesvet shqiptarë, po të ndodheshe i dobët, ish fare lehtë të shkalloje ose t’i jepje fund jetës. Por shqiptarët janë treguar shpirtërisht shumë të qëndrueshëm. Nëse një ditë do të bëhen analizat shterruese të qëndresës së të burgosurvet shqiptarë nëpër burgjet e Jugosllavisë, konkluzioni do të jetë që ne jemi një komb hero.

10. “KAM QËNDISUR NJË SHAMI”, faqe 301.

Është tekst kënge. Është një baladë, e cila prej kohësh duhej të ishte kompozuar dhe kënduar nëpër festivalet tanë të këngëvet.

Përsëritet nëpër strofat: “E ajo me lot këndon”// “Në shami lotët i bien.”// “Kujton djalin prapa grilash.”//

Është e krahasueshme me baladat e nizamit. Por më e afërt me kohën kur jetojmë. Është, si të thuash, baladë që preket me dorë. Autori i saj është gjallë.

11.“KËNGA E NDARJES!”, faqe 302.

“Unë po shkoj, shokë, në shtëpi,/ Por me zemër mbetem këtu:/ Në dry e pranga, në qeli,/ I ngujuar tok me ju.”//

Mua më ka ndodhur kur i kisha në burg shokët. Dikush ndoshta mund të mos e besojë, por mua shpesh më vinte keq që nuk isha bashkë me ta.

12.“UDHËTIMI I ISA BOLETINIT”, faqe 388.

“Gjallë a vdekë, sot a nesër,/ Do të jem në Vlorë pa tjetër…!”//

“Dorën plaku e shkon në mjekër:/ Do t’arrijë Isa pa tjetër.”//

“Nëpër male ecën Drini,/ Rend dhe Isa Boletini.”//

Ismaili dhe Isa nuk e shpallën Pavarësinë në Shkup. (Pavarësi, të cilën vështirë se do të mund ta gëzonim.) Por ia dolën ta shpallin në Vlorë!.. A kanë gojë historianët tanë të sotëm për t’i akuzuar këta sjellës të lirisë?! Sjellës të lirisë mbas 444 vjet robërie!?!

Unë konstatoj me keqardhje që po jetojmë në një kohë kur po tentohet, ose t’i shpallim kriminelë heronjtë e kombit tonë, ose t’i deheroizojmë. Këtë punë, me sa duket, po e bëjnë ata që, për vete, s’janë në gjendje të bëjnë kurrfarë heroizmash.

13.“PESHORE E GJALLË”, faqe 418.

“Këta sokola,- kënga thoshte,-/ Këta trima, yje të rrallë,/ E dhanë jetën për Kosovën,/ Ndaj s’kanë vdekur, por janë gjallë.”//

Është fjala për Kadri Zekën, që e kishte shok të ngushtë Hydajet Haseni, dhe për Jusuf Gërvallën e Bardhosh Gërvallën.

“Dhe vërtet, ti mund të jesh vrarë,”/ I thotë Hydajeti Kadriut, “Por, për mua, si më parë,/ Do të jesh gjithmonë i gjallë.”

E unë, në këtë ditë, të vështirë si atëherë kur Evropa na i vrau tre djemtë në Gjermani, sot kur forcat gestapo të EULEKS-it po hyjnë për të bastisur zyrat e UÇK-së, përsëri po them për mijëra të rënët për liri: “O sokola të UÇK-së! Ju për ne, si më parë, përgjithmonë do të jeni të gjallë!” EULEKS-i, UDB-a e Sërbisë në Kosovë! EULEKS-i, KGB-ja e Rusisë në Kosovë!

14.“SHEKULLI YNË”, faqe 422.

“Shekulli ynë dikur i ri,/ Edhe i kuq, edhe i zi.”//

“Ndaj bota duhet të alarmohet,/ Nëse do të mos vonohet!”//

Ç’t’i thonë tjetër botës bijtë e kombit të burgosur?! Ç’paralajmërim tjetër t’i japin botës, shqiptarët, që i kryen qindra vite burg nëpër kazamatet e dy a tri Jugosllavivet dhe bota asnjë protestë nuk e bëri kundër atyre burgimeve!? Bota qorre! Evropa qorre, dje dhe sot!

15.“UDHËKRYQ”, faqe 423.

“Bota kalamendet,/ Nën gjarpërinjtë e Laokontit,/ Përzihen kontinentet,/ Dhe pikat e horizontit.”//

“Një botë ecën zvarrë,/ Tjetra shkon revan,/ E rrugët se ç’u priten,/ Në udhëkryqin Ballkan.”//

Sërbia po do sërish me dalë në Tivar! Sërbia po do sërish me u ulë këmbëkryq në Kosovë! E, gjersa bota që po ecën zvarrë, ta kuptojë ç’po bëhet këtu ku jemi ne, krejt Evropa do të jetë shkrumbuar dhe as Amerika nuk do të dijë ku të futet! Ndoshta edhe ajo do të shkrumbohet, pikërisht sepse njëri nga presidentët e saj gaboi e po gabon rëndë!

16.“MEGJITHATË RROTULLOHET”, faqe 347.

“Thua shpesh:’Po perendon Dielli’,/ E s’e bën mend fare se po gabon,/ Se je ti ai që po lëviz,/ E kurrfarë Dielli s’po perendon.”//

Duke iu afruar fundit me këtë parashtrim të krijimtarisë poetike të Hydajet Hysenit, ne megjithatë, e kemi për detyrë t’u themi qeverisësvet të sotëm të botës: Çfarëdo që të ndodhë, për shkak të pakthjelltësisë dhe ligësisë suaj, ne këtu kemi qenë dhe këtu do të mbetemi. Ne jemi zalli, ju jeni uji që vjen e ikën.

17.“POEZI APO OPIUM”, faqe 445.

“Thonë se shumë poetë të fortë/ Si në Lindje e Perendim,/ Që të shkruajnë, pinë drogë/ Dhe aty gjejnë frymëzim.”//

“Ai art është vrer i verdhë!/ Ata janë vargje opium!”//

“Prandaj them unë: morfiumit,/ Edhe emri iu harroftë!”//

Kështu na thotë në njërën nga të 334 poezitë e kësaj “Paravere” poeti ynë i paprangosshëm, Hydajet Hyseni. Dhe unë mendoj që, poezia jonë, megjithatë, rrëzikohet nga “opiumi”, nga “morfiumi”, sa kohë që, siç thotë edhe Agim Vinca në faqen 532, “fenomeni i letërsisë sonë ilegale nuk është trajtuar pothuajse fare nga kritika jonë letrare.” Të mos e trajtosh letërsinë tonë ilegale të pjesës së Shqipërisë të lënë nën Sërbi e Jugosllavi, do të thotë, jo vetëm të mos duash t‘i njohësh sakrificat e asaj pjese të kombit tonë, por të mos duash as t’ua bësh të njohur ato sakrifica brezavet që e kanë radhën për ta marrë fatin e kombit tonë në dorë.

18. “KËNGA BURGIMTARE”, faqe 499-514.

Është “Vaji i bylbylit” i kohës sonë. I ka 129 strofa katërshe. Është një nga poemat tona madhore, e zhanrit të traditës, por që flet me gjuhën qëndrestare të brezit të burgimtarëvet. “Vaj pa lot!” është një nga kërkesat që burgimtari i a bën bilbilit.

“Fluturo drejt tokës sime,/ Në pranverë,/ Për mua dhe Kosovën time,/ Veç njëherë!”//

“Se për të jam përmalluar,/ E s’duroj dot,/ Për të zemra e përvëluar,/ Më qan pa lot.”//

Është koha kur kjo poemë të bëhet pjesë e programevet në shkollat dhe në fakultetet tanë, bashkë krijimtarinë tjetër të Hydajetit, të cilën u përpoqa ta paraqes në mënyrë të përmbledhur në këtë shkrim. Por pa i harruar edhe krijuesit e tjerë të “Shekullit të ilegales”. Krijuesit si: Adem Demaçi, Jusuf Gërvalla, Mustafë Xhemaili, Rrahim Sadiku, Merxhan Avdyli, Ismail Syla, Bajram Kosumi, Bahri Fazliu, Nait Hasani, Besim Zyberi, Rasim Selmani (Shih f. 532) e edhe të tjerë, të cilët, vetëm duke u përfshirë në programet tanë arsimorë, në të gjithë shtetet ku ka popullsi shqiptare e shkolla shqipe, do të mund të kontribojnë për ta bërë, atë kohë të rëndë, pjesë të edukimit kombëtar të brezavet që do të vijnë mbas nesh. Në mënyrë që të dimë të ruhemi, për të mos na ardhur kohë të tjera të rënda. Të dimë të ruhemi, ose, në ardhshin, të dimë t’i përballojmë.

*Kumtesë që u paraqit për Seminarin XXXIX të Studimevet

Albanologjikë, por që nuk u pranua nga Komisioni Organizues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat