Mësuesja Leze Mataj, që sakrifikoi për 40 vjet për t’u dhënë dije e kulturë brezave

Kultura

Mësuesja Leze Mataj, që sakrifikoi për 40 vjet për t’u dhënë dije e kulturë brezave

Nga: Fran Gjoka Më: 21 tetor 2020 Në ora: 09:36
Fran Gjoka

Kur kërkon të mësosh dhe hulumtosh historinë e arsimit, befasohesh përpara edhe me figura të njohura, që me përkushtim punuan dhe sakrifikuan dekada të tëra për t’u dhënë dije e kulturë brezave. Kemi sot me mijëra breza arsimtarësh, që në kushte të vështira ekonomike, përsëri u treguan krijues dhe origjinal në zgjedhjen e çështjeve që nxirrte koha e vështirë e arsimit totalitar. Dëshmi e brezave të mësuesve të moshuar janë gjurmët e pashlyera të arritjeve dhe punës së tyre, janë brezat e aftë të nxënësve që kanë përgaditur. Ata kanë ditur të punojnë me zell dhe dashuri me nxënësit, kanë ditur të futën natyrshëm në botën e brendshme të vocrrakëve dhe të adoleshentëve, kanë ditur t’i mbajnë ata për dore dhe të ecin bashkarisht në udhën e vështirë të dijes, duke i ndihmuar të kuptojnë të fshtehtat e shkencës dhe të jetës, duke zgjuar tek ata energji të brendshme dhe duke i drejtuar në fushat e begata të paqes, qytetarisë, mirësisë dhe dashurisë e humanizmit.

Këtu del dukshëm përpara figura e mësueses të shumë dekadave në mësuesi, Leze Mataj, ku krejt papritur u nda nga jeta, në moshën 66-vjeçare, nga të afërmit, miqtë, shoqet dhe ish-nxënësit e saj. U lind në fshatin Tale të Bregut të Matës, shkollën fillore dhe 8-vjeçare i mbaroi në fshatin e saj të lindjes. E rritur në një familje me prindër punëtorë, të thjeshtë, por të ndershëm dhe me tradita të shkëlqyera arsimdashëse. Prindërit e dërguan për mësuesi në shkollën pedagogjike të Fierit. Pas përfundimit të arsimit të mesëm pedagogjik emërohet mësuese në fshatin e saj të lindjes, fshat me tradita të shkëlqyera për nga historia e me kontribut të veçantë me pavarësi e në çlirim kombëtar. Mësuesja e re, me plot energji dhe forcë, idealiste në shpirt të zbriste nga qiejt e fantazisë dhe të përballej me realietin e kohës së pushtetit totalitar. Ishin vitet e para të mësuesisë dhe Lezja lumturohej kur ndiente respektin e dashurinë e nxënësve e prindërve. Kaluan pak vite dhe shumë shpejt u njoh me kolegun e saj të punës, mësuesin dhe drejtuesin e nderuar, Ndue Mataj. Pas një njohje prej disa muajsh kurorëzuan me sukses martesën e tyre. Jeta bashkëshortore e tyre po konsolidohej, duke u bërë kështu një çift dinjitoz, plot vlera dhe virtyte të larta njerëzore.

Nga vendi i saj i lindjes, Tale, transferohet në një fshat tjetër, Grykë-Manati, pak kilometra nga Lezha. Edhe këtu, mësuesja e nderuar, shumë shpejt bëri emër të mirë dhe vazhdoi punën pa u trembur me këmbëngulje dhe korrektësi, duke fituar shumë shpejt mbështetjen dhe besimin e komunitetit prindëror. Pasioni rinor për punën nuk rreshti kurrë. Shumë shpejt mësuese Lezja la gjurmë në mësuesi, pasionante, humane, kërkuese për të mirën e fëmijëve. Gjithmonë duke ju kushtuar me përparësi mësimit dhe edukimit të fëmijëve. Duke parë këto cilësi të saj, pushteti lokal nuk e lë jashtë vëmendjes. Njohu dhe vlerësoi rezultatet dhe prej andej transferohet në Shkollen e Mesme të Bashkuar Ishull-Lezhë. Këtu krijojnë familjen në mënyrë dinjitoz e me plot vlera e virtyte njerëzore. Mësuesja Leze Mataj, për 40 vjet dha shëndetin e jetën e saj për arsimin dhe shkollën. Secili mund të pyesë:- Ç’pasuri la? Çfarë investimi bënë për afro gjysëm shekulli pune intensive në arsim? Vendosi një gur themeli në arsimin lezhjan dhe më gjerë. Qindra nxënës u mësuan dhe u edukuan nga duart e saj që ta duan njëri-tjetrin, familjen, shoqërinë, atdheun. Ishin pikërisht këto breza nxënësish që u bënë më të mirë, më të ditur, më të aftë për t’i shërbyer vetes dhe shoqërisë. Ishte dhe mbetet një grua amvisë, një nënë dhe gjyshe e përkushtuar, bashkëshorte ideale. Gjatë qëndrimit tim me disa ish-kolegë të sajë këto ditë homazhi përcjellës, të dukej se dëgjon zëra brezash në vite tek rrëfejnë se mësuesja e tyre kishte bërë ç’është e mundur të kryejë për 40 vjet detyrën e mësueses së vërtetë. Pa kursyer asgjë nga vetja, duke dhënë nga shpirti i saj i madh e bujar. Gjithçka për fëmijët, rrezatoi kulturë e komunikim dhe me plot pasion u dha dije të qëndrueshme brezave në vite. Kudo që punoi, prindërit, ish-kolegët e punës do ta kujtojnë edukatoren e brezave si njeri i paqes, që me natyrën e saj të qeshur nuk dinte kurrë të ofendonte, nuk krijoi kurrë probleme me kolegët e saj të punës. Profesionin e mësuesisë e donte dhe e kishte shumë për zemër derisa doli në pension.

Image
Leze Mataj

Në këtë mision përkushtimi, lodheje dhe sakrifice Lezja kishte gjithmonë pëkrahjen dhe mbështetjen e bashkëshortit dhe kolegut të saj, mësuesin dhe drejtuesin e nderuar Ndue Mataj, i cili përpiqej të lehtësonte sadopak barren e rëndë të angazhimeve në mësuesi. E natyrisht, nëpërmjet tyre, përveçse një kontribut të përbashkët në arsim, u konsolidua edhe një jetë bashkëshortore e admirueshme. Për më shumë se katër dekada, Lezja u fali plejadave të tërë nxënësve të saj pasionin dhe zellin për dije e kulturë si dhe përkushtimin jo vetëm si mësuese, por dhe si prind, duke u mësuar atyre alfabetin dhe udhën e dijes dhe të prosperitetit. Për familjen, Lezja rriti dhe edukoi tre fëmijë. Të gjithë të arsimuar, të ndershëm e punëtorë, qytetarë dhe atdhetarë të mirë.

Tani ajo nuk jeton më. E kujton me lotë mallëngjimi vajza e saj, Enkeleda, lotë malli dhe dhimbje i shoqëron dy djemtë: Elvisin dhe Everaldon, për humbjen e parakoshme të nënës së tyre, e kujtojnë nipat dhe mbesat, motra dhe vëllezërit e saj, ish-nxënësit dhe mbarë opinion publik e dashamirës i saj. Ndërrimi i jetës së saj papritur, tek të gjithë ata që e njihnin dhe sidomos për familjen dhe të afërmit, ish-kolegët mësues, sollën këto ditë një trazim të madh shpirti e keqardhje. Por emri dhe kotributi i saj do të mbetën përjetësisht në memorien e njerëzve si një ndër emrat e nderuar dhe të respektuar të mësuesisë lezhjane e më gjerë. Përjetësisht mirënjohje misionares së arsimit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat