Çaste të përjetshme

Kultura

Çaste të përjetshme

Nga: Marjeta Shatro Rrapaj Më: 23 tetor 2020 Në ora: 19:24
Marjeta Shatro Rrapaj

Nuk ka më bukur

se të jesh mes oborrit të shkollës

ku zërat fëminorë gumëzhijnë pa reshtur

e mes engjëjve të bukur merr jetë gjithçka

E ku mësuesit janë Shenjtët e Dijes

me fjalën magjike në buzë

drejtojnë jetët e Ardhmërisë së Re

e shkronjat e fjalët marrin vlerë

Veç në gojën e brezit dijedashës

që ëndërrojnë lartësi të reja

në sfidë të vazhdueshme me kohën

përtej horizonteve të panjohura

Me brohoritjen e përjetshme"Carpe diem!"

se jeta është plot çaste të thjeshta

që e kanë të shtrenjtë shpresën

në lumturinë e përditshmërisë së papërsëritshme.

*Carpe diem=Kap ditën

EDHE DHIMBJA FLET

Dhimbja përpëlitet vargjeve

shpesh qesh se nuk qan dot,

por qan fort shumë herë,

Flet heshtur gjuhën e trupit,

mbytet në ngjyra të zbehta,

ka raste kur ngrin krejt ,

ka raste që fshihet skutave

e gënjen aq besueshëm

Dhimbja flet aq bukur

është oratorja e përsosur

me eksperiencën më të gjatë...

LARG ILUZIONEVE

Të vetmuarin nuk ka kush ta braktis,

nata i thyhet nën këmbë,

jeta i shndërrohet në melodi të çmendur,

një vorbull pikëllimi e shpresave të zbehta,

për të shpëtuar nga bota e pakuptimtë,

të iki, veç të iki dëshiron

pavarësisht se ku e në çfarë cepi globi

të shkojë ndoshta për pak më shumë ngrohtësi

Larg iluzioneve të së shkuarës,

me kredi të së ardhmes.

Të arratiset nga kështjella e rreme

e ndjenjave të pashpjegueshme…!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat